Opozita serbe “mësyn” Kosovën: Tubime elektorale në Graçanicë e Mitrovicën Veriore!

0
47

Dy javë përpara zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, përfaqësuesit e forcave të saj opozitare janë duke intensifikuar fushatën e tyre në Kosovë.

Edhe pse në parim, forcat e ndryshme të djathta dhe pro-europiane janë dakord me sfidimin e pavarësisë së Kosovës, por edhe për kursin politik që ka marrë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç për këtë çështje, mesazhet kryesore të opozitës serbe më shumë lidhen me përpjekjet për t`i nxitur qytetarët t`i drejtohen masivisht qendrave të votimit. “Në 17 dhjetor edhe serbët e Kosovës zgjedhin qeverinë”, deklaroi kreu i listës “Serbia kundër dhunës”, Mirosllav Alleksiç.

Dhjetë kandidatë për deputetë në Kuvendin e Serbisë nga kjo listë vizituan Graçanicën, njërën nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, ku janë takuar me banorë vendas. Nga atje, morën rrugën drejt Mitrovicës së Veriut në veri të vendit.

“Nga Kosova, qytetarët duhet t`i dërgojnë mesazh Aleksandër Vuçiçit dhe Listës Serbe se nuk e kanë më mbështetjen e tyre”, tha mes tjerash Alleksiç. Lista Serbe reagoi duke thënë se Alleksiç dhe kandidatët e tjerë për deputetë të listës “Serbia kundër dhunës” po shkaktojnë “përçarje mes serbëve në këto zona”. Partia më e madhe e serbëve të Kosovës u shpreh se bindur se “në ditën e zgjedhjeve, serbët nga Kosova dhe Metohia do të tregojnë edhe një herë se i besojnë vetëm presidentit Vuçiç.

“Me votën e tyre, ata do të tregojnë se duan që Serbia të vazhdojë të forcohet, sepse kjo do të thotë siguri dhe mbijetesë e serbëve në këto zona”, thanë drejtues të saj.


Top Channel