SHPËRNDAJE

 

 

pështjellim krijues. Kush më parëe kush më vonë, por të gjithë e kemi zënë lapsin një ditë,e kemi caktuar temën për të cilën do të shkruajmë, i kemi përzgjedhur personazhet që do të figurojnë në ”përrallën” tonë – një fshatar i padjallëzuar e dyzet hajdutë – dhe papandehur kemi ngecur në baltë, sepse emri i kryehajdutit nuk i pasqyron mirë cilësitë e tij fizike dhe morale.
Shkaqet që po më nxisin të ndalem pak e të shkruaj për emërtimin e personazheve, si dhe ndikimin që ato ushtrojnë në ndërdijen e lexuesit, nuk janë aq të parëndësishme, edhe ate, për arsye se emërtimet janë të lidhur me rrethanat ideo-politike të njëshoqërie, gjegjësisht me konceptetqë ajo shoqëri kapër veten dhe tjerët.
Ç’ është, atëherë, emërtimi dhe çkandikon në vendimin tonë që disa personazhe t’ i quajmë Nurije, Demirshah, Fatime e Demokrat, ndërsa tjerët t’ i quajmë Flamur, Donika, Kastriot e Teuta?
Emrat janë fjalë që kemi shpikur me shekuj, që nga koha kur i Madhi Zot na urdhëroi të jemi të frytshëm, të shumëzohemi, dhe ta ushtrojmë sundimin tonë mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, dhe mbi çdo qenie tjetër që lëviz mbi tokë. Që nga ajo kohë qëllimi ynë ka qenë t’ i emërtojmë njerëzit, kafshët, sendet dhe dukuritë, në mënyrë që t’ i dallojmë ato prej njëra tjetrës, sepse ato duhet të pasqyrojnë botëkuptimet tona mbi cilësitë dhe përbërjen e tyre. Kjo do të thotë se të gjithë emrat që kemi shpikur deri më sot pasqyrojnë ëndrra,dëshira e botëkuptime që kemi mbi realitetin objektiv. Kur e emërtojmë, pra, një djalë me emrin Flamur apo një vajzë me emrin Teuta, s’kemi vetëm për qëllim t’ i veçojmë nga flamurët dhe teutat tjera, por edhe të na kujtojnë prejardhjen e të parëve tonë, që ishin ilirë dhe shtetas të mbretëreshës Teuta. Edhe kjo, që ata veçohen nga vartësit e mbretërve tjerë, është në shërbim të të njejtit synim.
Sido që po e rrotulloj këtë çeshtje,s’ po gjej shpjegim më të mirë.Ne, shqiptarët e mbetur jasht Shqipërisë kemi mbërritur në një udhëkryq dhe nëse s’ gjejmë fjalë të përbashkëta me sllavofilët e Enver Hoxhës, me këtë bagazh që kemi në shpinë,mund të përfundojmë si laponët e Suedisë apo actekët e Meksikos. Nëse meret parasysh që po jetojmë afro 2 mijë vjet pas lindjes së Jezu Krishtit dhe nesër pasnesër do të shkruajmë rrëfime apo novela mbi vajzat tona mjeke, gazetare e deputete, nuk mundemi t’ i emërtojmë ato me emra si Nexhibe, Hasibe apo Xhemile, sepse nexhibet e hasibet pasqyrojnë Mesjetën Islame.Si mund të pranojmë që një djalë i pashëm shqiptar, i cili, sapo ka zbritur në Arlanda apo Kastrup dhe flet një shqipe të qëruar, të quhet Abdyl Vehap Tetova?
Dijetari i njohur danez, Hartwig Frisch, thotë se edhe një njohës i ligësht i gjinisë femërore, duke u mbështetur në pamjen e jashtme të një femre, mundet të nxjerrë përfundime mbi përkatësinë e saj klasore, si dhe cilësitë e saj morale e intelektuale. Ta quash Sulltanenjë fshatare që sapo ka zbritur nga autobusi i Zhegrës është një gabim i madh dhe, eventualisht, i tepruar.
Gjykuar nga ”Plaku dhe deti”, me të cilën autori fitoi Çmimin Nobel, çeshtja e emërtimit të personazheve ka shumë të bëjë me këndvështrimin e autorit. Fjala vjen, edhe pse plaku quhet Santiago, duke qenë se Hemingway kishte vendosur ta shkruante rrëfimin në veten e tretë, siç është rasti me protogonistin e tij, ai e shtynë prezantimin deri nga mesi i rrëfimit, për arsye se kjo gjymtyrë nuk është e qenësishme për te. Autori i ka përqëndruar të gjitha forcat e veta në ecurinë e dramës që zhvillohet midis plakut dhe peshkut. Pak a shumë të njejtin qëndrim mbajnë edhe shkrimtarët tjerë bashkëkohorë kur shkruajnë në veten e tretë.
Ndryshe qëndron puna kur autori vendos ta shtrojë veprën e tij në vete të parë, siç ështërasti me romanin e Haki Stërmillit ”Sikur t’ isha djalë”, të shkruar në formë ditari, apo romanin ”Pse” të Sterjo Spases. Gjykuar nga ato që mbaj mend – se u bënë nja shtatë vjet nga koha kur i kam lexuar – si Haki Stërmilli, ashtu dhe Sterjo Spaese, ishin më të preokupuar me problemet sociale të shoqërisë shqiptare, se sa me problemet estetike, gjë që s’ është rasti me shkrimtarët skandinavë,të cilët kërkonin rrugë më diskrete për prezantimin e personazheve të tyre,si dhe gurra të reja fjalësh për tregimet që shkruanin në veten e parë.
Meqë bëhet fjalë për emrat e personazheve, vlen të ceket se ata, përpos tjerash, përdoren për qëllime të vetëdijshme karakterizuese dhe zakonisht japin të dhëna mbi kohën kur janë përdorur, si dhe njerëzit që i kanë mbajtur, pasi që shoqëria përbëhet nga klasat, ndërsa klasat kanë trende kohësore.
Unë kam vënë re se gjatë kohës që Udba bënte çmos për t’i dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre, këta i pagëzonin fëmijët e tyre me emra të liderëve të mëdhenj arabë, si Muhamet, Naser, Muamer, Ismet, Kemal, Menderes, e ku di unë, ndërsa tani që veprimtaria kriminale e Udbës u dënua nga regjimi jugosllav, vihet re prezenca e një stine me emra të bukur ilir, si Dardan, Teuta, Pirro, Abetare,Fatmir, e të ngjashme.
Një çeshtje jo dhe aq e parëndësishme me të cilën ballafaqohen sherbëtorët e prozës epike është edhe relacioni që ata kanë me personazhet. Rëndom, personazhet prezantohen me emër e mbiemër, por kjo s’ do të thotë se autorët, duke bërë fjalë për personazhet e tyre, gjithë kohën i përmendin me emër e mbiemër. Gjykuar nga ajo që kam konstatuar në disa proza epike të gjata, po jo te të gjitha, kjo çeshtje ka të bëjë me gradën e intimitetit që autori ndien për personazhet e tij. Zakonisht, kur bëhet fjalë për figurat qendrore, siç është mësuesja Afërdita, për shembull, autori e përmend vetëm në emër, kurse kur bëhet fjalë për figura periferike, ai përdor të dyja, gjegjësisht edhe emrin, edhe mbiemrin. Kjo rregull nuk është universaledhe varet nga shumë faktorë që janë të lidhur me gjuhën që përdor ambienti, familja apo shtresa shoqërore, si dhe moshën e pozitën shoqërore të personazheve.
Ka shumë gjasa që reflektimet e mia të shkrihenn si vesa në diell, por kjo nuk është aq qenësore sa dëshira që t’ i aplikoj në veprimtarinë time personale. Unë jam gati me përkthimin e ”Zonjushës Zhulí” dhe memzi po e pres vjeshtën e këtij viti. Pa marrë parasysh burgun që ma ka imponuar injoranca e sllavofilëve shqiptarë, unë duhet t’ i rikthehem atij manuskriptit që po pret në sirtar dhe – mundësisht – ta përmirësoj atje ku është e nevojshme. Sikur t’ isha në një vend shqipfolës të lirë e demokratik, ai manuskript do t’ ishte përpunuar qysh moti, por ”Udhëkryqi” im ka mbetur në udhëkryq dhe ka mundësi të mos botohet kurrë. Kaq e thejshtë është edhe ajo punë.

84.Paradokset
Nga të gjitha të dielat që kam kaluarnë këtë fshat, kjo është më e zymta. Një e dielë e mjegullt,pa qiell, pa diell, dhe e veshur me një shtresë të hollë bore. Fqinjët e mi suedezëjanë mbyllur nëpër banesa dhe sillen sikur janë të xhindosur me të Madhin Zot. Ç’ është kjo pranverë që e ka humbur rrugën nëpër mal dhe s’ po bën kabull të ulet në këtë rrafsh të shtruar me bredha e me pisha?Radiotelevizioni suedez njofton se ”jugorët” e Skonës, Halandës e Blekingës i kanë mbjellë arat me rrepica e patate qysh në muajin mars.
Sot kam qenë i plogësht. Në vend se të ulesha e të përktheja diçka të hajrit,jam marrë me artikujtë ndryshëm shtypi.
E përditshmja suedeze ”Dagens Nyheter” kishte një artikull të shkrimtarit Vilhelm Moberg. Vili, siç e quajnë mocanikët e tij, prezanton një libër të shkrimtarit Halvard Rieber Mohn, norvegjez, dhe del në mbrojtje të atyre që gjatë Luftës, kundër dëshirës së tyre kishin bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë. Libri i shkrimtarit të lartpërmendur ka titullin “Tradhtarët” dhe bën fjalë për ata që upushkatuan menjëherë pas luftës.
Deri këtu çdo gjë duket në rregull. Ata që e tradhëtuan vendlindjen e tyre e paguan me kokë dhe askujt – asgjë. Ikën si qenët në rrush dhe emrat e tyre u fshinë nga lista e të gjallëve.
Po ku ishinçlirimtarët, vallë?” pyet shkrimtari i madh me atë sinqeritetin e tij tipik, me të cilin njëherë ia mbylli gojën edhe kryeministrit Palme.Çlirimtarët, thotë ai, ia mbathën drejt Kajros, Londrës e Marakeshit. Gjatë kohë para se të zbarkonin forcat gjermane në Oslo, ata, në krye me mbretin Hookon, qeverinë norvegjeze dhe shumicën e deputetëve u ngjitën në tren dhe ia mbathën drejt qytetit Hamar. Q’atej, pasi i nisën gratë dhe fëmijët drejt kufirit të Suedisë, vazhduan drejt qytetit Tromsø, ku prisnin tri anije të mëdha angleze për t’ i marrë e për t’ i vendosur në lagjen më ekskluzive të Londrës. Ata s’ kishin nevojë të brengosen shumë, se valixhet i kishin plot me punda e dollarë dhe Anglia i priste si azilantë. Paçka se askush nuk pyeti për hallet e fshatarëve të varfër norvegjezë. Fshatarët e ngratë,që ishin të lidhur me arat e tyre të pjerrta dhe bagëtinë e pakët,s’ kishin punda e dollarë që ’ ia mbathnin nga Norvegjia. Ata ishin tepër të parëndësishëm për të hipur në anije luftarake dhe për t’ u vendosur në Winkfield, afër kështjellës Windsor. Për këtë arsye u kvalifikuan si kvislingë, gjegjësishttradhëtarë.
Çeshtja që shtrohet në librin e zotit Mohn është kjo: Sa dinin fshatarët norvegjezë për ato që ndodhnin nëpër botë, dhe sa rol luante ajo se cilët ishin shfrytëzuesit e tyre? Mos ua hiqte, vallë, dikush barrën e punës së përditshme? Gjithsesi që jo. Edhe ata, njësoj si fshatarët suedezë, gjermanë, austriakë, serbë e shqiptarë, ishin të detyruar të gdhihen me natë,t’ i nxirnin kafshët në mal, t’ i ushqenin me barë e me gjethe, t’ i milnin dhe t’i punonin arat e tyre të vogla, përndryshe, do të vdisnin nga uria. Ku do të thenin qafën nëse s’ e punonin tokën dhe me çka do t’ i ushqenin fëmijët e vegjël?E parë nga kjo pikë e këndvështrimit, çeshtja që shtron autori i librit nuk i prekë vetëm ”tradhëtarët” e varfër të Norvegjisë, por një varg tradhtarësh të popujve tjerë, që në shumicën e rasteve, ishin analfabetë dhe pushtimin e vendeve të tyrekurrë s’ e kishin parë si pushtim, por si çlirim, nga shfrytëzimi i tregtarëve dhe çifligarëve vendas.
Për fat të keq, nuk di shumë mbi shkrimtarin Rieber Mohn. Ai mund të jetë djalë i ri, mund të jetë edhe i moshur. Por pyetja që shtron është me shumë vend: Kush është patriot dhe kush është tradhëtar? Atij i duket padrejtësi që me atributin ”tradhëtar” u emërtuan ata që qëndruan në Norvegji dhe, kur erdhi koha e përshtatshme, morën pjesë aktive në luftën që u zhvillua kundër pushtuesve gjermanë, ndërsa me atributin ”patriot” u emërtuan ata që ikën nga Norvegjia dhe u kthyen prapa kur aleatët hynë në Berlin.Për të qenë tragjedia më e madhe, thotë autori, tradhëtarë u quajtën ata që e mbajtën Norvegjinë të pasur e të begatë, i pajisën partizanët me bukë e veshmbathje dhe i ndihmuan ata që bënin qejf nëpër klubet e natës.
Artikullin e lartpërmendur e preku dhe redaksia e lajmeve të mbrëmjes. Në fjalën e tij të gjatë, Vilhelm Moberg tha se popujt e vegjël, gjegjësisht popujt e varfër, janë në hall me konstelacionet e Evropës Perendimore. Shembulli më i mirë i asaj hipokrizie është Viet Nami, një vend i pushtuar, i plaçkitur dhe i përcëlluar nga bombat e kolonialistëve françezë eamerikanë.Tani edhe imperializmi ka ndërruar strategji. Duke qenë se Lindja e Afërme po përjeton greva, pakënaqsira e kryengritje dhe sasitë e naftës po pakësohen gjithnjë e më shumë, Evropa s’ po ndien nevojë të ballafaqohet me proletarët suedezë, norvegjezë apo jugosllavë. Përkundrazi, ajo i ka rekrutuar të gjitha mediat – shtypin e përditshëm, radiotelevizionin, revistat javore, firmat e njohura dhe instituconet qeveritare për qëllimet e saj suspekte. Sot ajo mund ta etiketojë cilindo ministër, qeveritar apo ideolog me termat ”patriot” ose ”tradhëtar”.
Evropapo flet shumë mbi paqën, të drejtat e njeriut, robërinë e popujve latino-amerikanë,luftat nacional çlirimtare,emancipimin e gruas, emancipimin seksual, drogat, por ate po e bën për hir të interesave të saj materiale. E lidhur ngushtësisht me organizatat sioniste, që prore s’ kanë çuar dorë nga fitimet mastodontale, ajo po e reklamon veten si mbrojtëse të popujve të ”varfër”, pasiqë me këtë monedhë do t’ i akuzojë algjerianët, mozambikasit e arabët si kultivues të terrorizmit. Përndryshe, me çka do të mbahen ushtritë që po luftojnë në Azinë Juglindore dhe Afrikën Qedrore? Në orvatjet e saj që ta ruaj monopolin e tregtisë së armëve, ajo po i furnizon Titon, Nehrun e Selasin – tre diktatorët e ”Botës së Tretë”– me armë moderne dhe po i klasifikon të gjitha demonstratat, si ato paqësore, ashtu dhe atom e gurë, si të dhunshme.Shkurt, ata që tridhjet vjet më parë i shpallën fshatarët norvegjezë për tradhtarë, sot po i shpallin fshatarët evropjanë.
Unë e kuptoj shkrimtarin Rieber Mohn. Ndonëse isha vetëm katër vjeç kur mbaroi Lufta e DytëBotërore dhe, s’ kisha parë tjetër ushtar gjerman pos atyre katërve që laheshin te bazeni që ata vetë e ndërtuan rrëzë Kishës Ortodokse, tërë jetën kam qenë kvisling… Edhe im atë ka qenë kvisling… Ani se kurrë s’ kishte prekur pushkë me dorë…Edhe fqinjët e mi kanë qenë kvislingë… Si ata më të djathtë të derës tonë, ashtu dhe ata në krahun e majtë. Të gjithë shqiptarët, që nga Struga e deri në Sanxhak, kanë qenë kvislingë… Ajo që i ka bërë kvislingë nuk ishte pjesmarrja e tyre në vrasje, krime apo maskara, por dashuria e tyre për tokën e të parëve. Ata, edhe sikur të donin të iknin në Kajro, ku mundeshin të mrizonin nën palme, ishin tepër të varfër për një vend aq të largët. Ç’ është e drejta, edhe ata,njësoj si fshatarët norvegjezë, i milnin delet e lopet e tyre dhe i furnizonin me bukë si vullnetarët e mulla Idrizit, ashtu dhe partizanët e Abdullah Krashnicës. Kjo ishte mundësia e vetme për të dëftuar se janë atdhetarë.
Kvislingë janë edhe ata që jetojnë nëShqipëri. Jo të gjithë, por shumica dërmuese. Një pakicë e vogël, që me dhunë iu bashkangjitën çetave të Myslim Pezës,konsiderohen si atdhetarë. Këta luftuan si burra kundër vëllezërve ”ballistë”, e çliruan Kosovën deri në Sanxhak, dhe ua dorëzuan me krenari të madhe atdhetarëve serbë.
Epiteti më i poshtër që kanë mbajtur fshatarët shqiptarë ka qenë fjala ”ballist”. Të gjitha mjetet e informacionit shqiptar e jugosllav, duke filluar nga gazetat e përditshme, radiotelevizioni, kinematë dhe filmat artistikë, s’ kanë patur tjetër punë veçse t’ i poshtrojnë dhe t’ i nxijnë ”ballistët” shqiptarë. Kinematografia jugosllave, e ndihmuar nga ajo ruse, ziente nga ”kriminelët” dhe ”narkotrafikantët” shqiptarë.
N’ ato gjurma shkeli dhe një miku im, i cili, mos qofsha gabim, në agun e viteve të 60-ta e botoi romanin “Karavani i bardhë”.”Karavanin” e trumbetuan jo vetëm sherbëtorët e zëdhenësit e Krahinës Autonome,por edhe vetë propaganda qeveritare jugosllave. Më në fund, doli një libër që përputhej me propagandën zyrtare. Personazhet e ”Karavanit”, që më shumë i përngjanin një hordhie trimash e narkomanësh,në fund pendohen për krimet që kanë bërë gjatë luftës dhe, pasi i qërojnë hesapet midis vedi, ua mësyjnë Bjeshkëve të Nemuna dhe zhduken në mjegullën e kohës. Ata nuk janë më ata që ishin, trima, guximtarë, vrasës, por flamuj të rreckosur. Ate që s’e kishte thënë autori, por e kish lënë të kuptohej, ishte se atje poshtë, në rrafshin e Kosovës, priste Udbadhe ajo do t’ i dënonte të gjithë ata që iu kishin kundërvënë Ushtrisë Popullore Jugosllave.Ajo i ndoqi dhe pushkatoi të gjithë ”ballistët” shqiptarë, që nga Mulla Idrizi e deri te Xhon Sereqi, njërin pas tjetrit, deri sa shqiptarët filluan t’ i ngatërrojnë fjalët ”kvisling” e ”atdhetar”deri n’ atë gradë, sa as sot nuk ua dinë kuptimin e vërtetë.

85.Një hap para

Edhe sot pasdite, si çdo pasditë tjetër,kalova nëpër qendër të fshatit dhe, pasi e kalova fabrikën e dërrasave, lakova në shetitoren që gjarpëron përgjatë lumit.Unë e dua atë copë rruge, sepse është e qetë dhe e rrethuar në të dyja anët me mështekna të larta.
Shumë ishte enjtur Jysna. Ajo rendte me nxitim drejt bregdetit dhe ujrat e saj ishin të pista, të turbullta. Pak më tutje, përtej digës së ndërtuar para Luftës, pamja ishte e veshur me mjegull dhe bora që gjithnjë i mbulonte shkurret kishte filluar të shkrihej.Duke ecur nëpër atë dhiare të ngushtë, i vetëm, pa askend që flet gjuhën time, fillova ta fishkëllej një melodi tonën, melodi shqiptare, por edhe ajo dilt si me zor.
Me sa duket, edhe kënga është e lidhur me truallin që e ka nxjerrë.Ndonëse kam ardhur në veriun më të largët Evropës,unë e ndiej veten si pjesë të botës shqiptare. Anise fishklima dilte me zor, unë i ndieja frymëmarrjet e vendlindjes në shpirt. N’ atë çast, deri sa po nxitoja prapa mendimeve, më ra ndër mend se ai lumi tjetër, që gurgullonte në shpirtin tim – i kthjellët, i tejdukshëm e i patrazuar – ishte malli për vendlindjen time… Malli për të qarë e për të kënduar në gjuhën e popullit tim…. Malli për të folur me ata që kanë folurgjuhën e të parëve të mi…Hej, hej… M’ka marrë malli me këndue… Me këndu për vendin tim…
Rexhep Ismajli më njofton se Kosova ka ecur përpara, Prishtina është bërë qytet universitar dhe numri i studentëve qenka trefishuar Kjo duhet të na gëzojëtë gjithëve. Aq më tepër që këtë peshqesh na ka bërë një i huaj, një kroat. Por ne s’ duhet të harrojmë se vendimet e popujve të huaj nuk janë vendime të përhershme.Sot iu ka tekur Titos dhe na ka miratuar një universitet, nesër i teket Stamboliqit apo Kolishevskit e na e merrprapa.
Unë jam i sigurtë se Kosova do ta ruaj identitetin e saj, do të shtohet, do të rritet, do të ecë përpara, por ecja e saj do jetë e ngadalshme.Siç ka thënë Lenini: një hap para, dy hapa prapa. Sepse Serbia, me urinë e saj mesjetare, s’ ka për të na lënë të qetë.

86. Një trend ri
Këto ditë doli nga shtypi një libër i ri i shkrimtarit Sven Rydstrand. Titulli i tij është ”Snapphanar”. Do t’ isha më i lumtur sikur ta gjeja një fjalë më adekvate për termin ”snapphane”, por ajo që i afrohet më së shumti është fjala ”grabitqar.” Sikur të përkthehej në shqip, romanii zotit Rydstrand duhej të quhej ”Grabitqarët”.
Romani i zotit Rydstrand bën fjalë për fshatarin Nils Dacke dhe bashkluftëtarët e tij që – të detyruar nga tatimet e rënda – u detyruan t’ i rrokin armët dhe të zhvillojnënjë luftë partizane kundër ushtarëve të mbretit Gustav Vasa. Ashtu si dhe kryengritësit tjerë, Nils Dacke në fillim ishte i suksesshëm, por me ecjen e kohës e humbi përkrahjen e fshatarsisë dhe u vra në një ndeshje të pabarabartë me legjionarët gjermanë.
Po mësoj se romani është shkruar në veten e parë dhe në një suedishte të përpunuar mirë, por nuk kam kohë ta lexoj tani sepse i kam përqëndruar forcat në diçka tjetër. E kam fjalën për një trend të ri letrar, të cilin po e shënoj këtu.
Këtë pranverë Nina është regjistruar në Institutin e Gjuhëve Nordike dhe ka blerë mjaft tituj të prozës norvegjeze. Sipas fjalëve të saj, proza e cekur më lart, pas vdekjes së shkrimtarit Tarje Vesaas, ka përjetuar një hemorragji të madhe, gjë që s’ mundet të thuhet për prozën suedeze. Sot për sot, proza suedeze, falë veprimtarisë së shkrimtarëve Vilhelm Moberg, Jan Fridegård, Eyvind Johnsson, Ivar Lo Johansson, Harry Martinsson, Arthur Lundkvist, Per Lagerkvist e Sven Delblanc ka përfaqsues të të gjitha rrymave.
Fatlumnisht, edhe proza norvegjeze ka filluar t’ i marrë këmbët.Gjykuar nga vitaliteti i revistës “Profil”, ajo ka dalë nga qorrsokaku, edhe ate, me ndihmën e qeverisë norvegjeze, që paska marrë një vendim për t’ i blerë të gjitha veprat e shkrimtarëve bashkëkohorë. Si rezultat i asaj fushate, proza norvegjeze paska marrë kahje të re dhejashtzakonisht pozitive.
Tani shumica dërmuese e krijuesve të rinj janë tubuar rreth revistës letrare ”Profil” dhe aty po i trumbetojnë idetë e tyre.Revista nuk është më letrare, por një forum ku prezantohen idetë më provokuese të kohës¨. Si rezultat i asaj ndërmarrje, kohëve të fundit janë botuar disa vepra letrare, të cilat përnjeherë e kanë gjetur rrugën deri në Suedi dhe po lexohen me kurreshtje të madhe. E kam fjalën për romanin ”Arild Asnes” të shkrimtarit Dag Solstadt, ”Ngazëllimi i fshehtë” i shkrimtarit Kjartan Flögstad, ”Batica” e shkrimtarit Espen Hovardsholm, “ Udhëtimet e dashurisë” të shkrimtarit Edvard Hoem dhe disa vepra tjera, që s’ ka nevojë t’ i përmend këtu. Po flitet se ca prej tyre janë shkruar në stilin e suedezit Stig Dagerman, të cilin unë e di si autor të romanit ”Ta vrash një fëmijë.”
Dje pasdite erdhi postjeri dhe ma solli një numër të revistës “Fjala”. Pa marrë para sysh hallet e përditshme, i lash të gjtha anash dhe lexova disa nga artikujt me interesantë të saj.Njëri prej tyre kishte të bëjë me një debat që zhvillohej midis Agim Vincës e Ibrahim Rugovës. Në këtë numër figuron përgjigja e Ibrahim Rugovës, për të cilin nuk di më tepër se ato që m’ i ka thënë Rexhep.
I pamëshirshëm paska qenë fati ynë. I pamëshirshëm dhe mizor. Si ”pakicë kombëtare” që jemi, të ndarë nga Shqipëria Mëmë, kemi mbetur me duar të lidhura dhe, duke mos patur tjetër punë,zihemi si rosakë rreth Faik Konicës e Gjergj Fishtës, edhe pse të dytë na ka lënë shëndetin qysh në fillim tëLuftës së Dytë Botërore. Unë s’ e kam të qartë përse duhet të zihet Ibrahimi me Agimin apo Agimi me Ibrahimin, kur si popull kemi halle më të mëdha. Sidoqoftë, stili i Ibrahim Rugovës më pëlqeu dhe duhet ta pyes Rexhepin me se merret ai burrë, me prozë apo poezi. Po më gëzon fakti që atje poshtë ka filluar të zhvillohet një debat i hapur dhe i rrebtë. Mos tjetër, kjo do ta shtojë interesin e rinisë për ata që Partia Komuniste Shqiptare dhe Lidhja Komuniste Jugosllave i ka mallkuar.
Ndiej keqardhje që ende s’ e kam gjetur revistën ”Albania” të Faik Konicës. Fatlumnisht, ” Lahutën” e kam te shtëpia dhe po e shfletoj herë pas here.Jo dhe aq për vlerat e saj letrare, sa për ato patriotike.
Një tjetër artikull kishte të bëjë me Ali Jasiqin. Aliu, me të cilin kemi qënë bashkë në Shkollën Normale, kritikonte shpenzimin e pamatur të mjeteve materiale për botimin e një vepre si “Dervishi dhe Vdekja”. Me sa duket, edhe shqiptarët, njësoj si jugosllavët, i ka mbërthyer një kurreshtje e madhe për rrymat fetare – kujto Mihajlo Mihajlovin – dhe me çdo kusht donë t’ i shmistifikojnë veprat letrare.Në vazhdën e një përpjekjeje të tillë po ecën edhe nisiativa amerikane për ta bërë një film mbi Che Gevarën.Pyes veten – cilin hair e ka kinematografia amerikane për ta demistifikuar një kryengritës si Che Guevara?
Sidoqoftë, po vë re se interesi i miqëve të vjetër për emra të dëgjuar si Ernest Hemingway, William Faulkner, Joyse Carol Oates, Isac Bashevi Singer, Toni Morrison po shtohet dhe ka shpresa që shumë prejt tyre do të dalin në Francë, Angli e Amerikë për të mësuar më shumë për autorët e lartpërmendur. Tani që po flitet se qeveria e Krahinës Autonome ka bërë marrëveshje për shkëmbimin e kuadrove, kam shpresa se do të zhvillohet një debat më i hapur midis polpotistëve të Tiranës dhe titoistëve të Prishtinës.
Mjerisht, kosovarët e ngratë s’ kanë opcion më të mirë se ai që gjendet përtej Bjeshkëve të Nemura. Paçka se si Vehbi Kikaj, Rifat Kukiqi, Ali Podrimja, Ali Jasiqi, Din Mehmeti e të gjithë tjerët që nuk i di e nuk i kam takuar, nuk e dinë se Partia e Punës i ka dezinfektuar të gjitha krojet e Parnasit Shqiptar dhe krijuesit e saj, sado të aftë e të ditur që janë, s’ kanë ku mbjellin diçka të hajrit. Atje çdo gjë është dezinfektuar me klor e me squfur.
Dhe në fund: një trend i ri politik. Dikur, para Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia bënte çmos ta qëronte territorin e saj nga shqiptarët. Taniajo ka ndërruar taktikë. Në vend se të nënshkruajë marrëveshje e të hartojë projekte bilaterale siç bënte kryeministri serb Nikola Pashiq, ajo ka shtypur me mijëra pasaporta udhëtimi dhe po i lëshon shtetasit e sajtë ikin vetë nga Jugosllavia.Këtu në Suedi qenkan punësuar 28.000 shtetas jugosllavë, ndërsa në Gjermani, Austri dhe Zvicër numri i tyre qenka trefish më i madh. Ashtu si dhe shtetasit turq, edhe shtetasit jugosllavë po quhen ”punëtorë të punësuar përkohësisht jasht atdheut”, por mundësia që të bëhen të ”përkohësisht” të përheshëm është qind për qind më e madhe.

87. Ne dhe ata

Ne dhe ata jemi popuj. Folja – Jam, veta e tretë shumës. Deri këtu jemi të barabartë, si para njerëzve, ashtu dhe para Zotit. Por jo më tutje, sepse dallojmë shumë nga njëri tjetri.
Ne jemi shqiptarë. Një popull i vogël liridashës, që e do vendlindjen e vet, po nuk e do vendlindjen e huaj. Kjo s’ na ka forcuar, por na ka ligështuar, sepse duke mos dashur të luftojmë me ta, kemi luftuar kundër vetvetes.
Ata janë sllavë. Të gjithë sëbashku – një popull i madh liridashës dhe shumë gjakpirës. Ata e donë vendlindjen e tyre, por s’ kanë kundër t’ i pushtojnë edhe vendlindjet e tjerëve. Kjo i ka forcuar shumë, sepse duke luftuar kundër nesh e tjerëve dhe duke pushtuar toka të reja, ata kanë krijuar një perandori që fillon në brigjet e Oqeanit të Qetë dhe mbaron në brigjet e Oqeanit Atlantik. Ata s’ guxojmë t’ i nënvleftësojmë, sepse duke i nënvleftësuar, ne e dobësojmë veten.
Lexova në ”Dagens Nyheter” se më datën 9 maj të këtij viti repartet më të mira të Ushtrisë Jugosllave do të marshojnë nëpër qendër të Beogradit. Qëllimi i tyre qenka t’ u dëftojnë armiqëve se Jugosllavia nuk i trembet askujt. Ata që kanë dy kokrra mend e kuptojnë se kontraditat midis gjashtë republikave sllave janë rritur dhe zoti Broz është i gatshëm t’ i përdorë ushtarët e tij kundër çdo greve e pakënaqsie eventuale.
Dhe ai s’po bën asgjë që ne, shqiptarët, nuk e kemi ditur. Ne e njohim Titon që nga viti 1944 kur partizanët e tij, bashk me partizanët e Shefqet Peçit, e thyen ushtrinë kryengritëse të Drenicës dhe e gjymtuan Kosovën me pushkatime e masakra.
Nga artikulli i asaj gazete mësova se gjenerali Dapçeviq paska dalë në pension. Edhe ai, si shumë ushtarakë malazez,është rusofil. S’ ka lidhje se cilit taraf i takon.Ajo që ka lidhje dhe vlen të nënvizohet është se Titua dallon nga Dapçeviqi.Ai nuk është as stalinist, as hrushovist,dhe kjo e bën tërrezikshëm. Ai është vizionar dhe sllavofil i regjur. Duke u shtirë si i pavarur, aie ka marrë seriozisht rolin e babait të Pansllavizmit dhe herë i dënon serbët, herë i dënon kroatët, herë i dënon sllovenët, por gjithmonë duke punuar për mirëqenien e tyre. Jo për të mirën tonë. S’ ka mëdyshjese,duke e luajtur rolin që ia kanë caktuar akademikët serbë, ai po e vret Jugosllavinë e Vjetër dhe po e ndërton një të Re, edhe më të fortë se ajo që ishte para luftës. Ai s’ kishte nevojë ta krijonte Maqedoninë, s’ kishte nevojë ta krijonte Bosnën e Hercegovinën, dhe s’ kishte nevojë t’ i krijonte dy krahinat autonome, por qëllimi i tij ështëta krijojë një Jugosllavi Tjetër, shumë më të fortë se kjo që është, edhe ate, duke i dobësuar Serbinë, Slloveninë e Malin e Zi. Mu për këtë arsye, Ushtria Popullore është – sipas armatimeve – e katërta në Evropë.
Se sa kemi dobi nga kjo Jugosllavi është – pikëpyetje e madhe. Ajo që dimë është seserbët dhe malazezt janë stalinista të përbetuar. Kushdo që ka lexuar veprat e Gjilasit,e di mirë se ç’ donte Titua nga shqiptarët kur uadërgoi Miladin Popoviqin dhe Dushan Mugoshën.Mjerisht, Miladini s’ e mbaroi misionin e tij. Ai nuk dështoi se s’donte Enveri, por dështoi se s’ shihte më larg se hunda e tij. Ai ishte sllavofili trashë dhe, duke i vrarë shqiptarët, vrau edhe ëndrrën e Titos.
Unë kam patur shokë nga Mali i Zi. Shumica – mbase pa qenë të ndërgjegjshëm për cenet e tyre – dëftonin po atë kokëfortësi që është karakteristike edhe për ne. Në krahasim me serbët, që janë të ngjashëm me grekët, bullgarët e turqit, malazezët janë parimorë. Nuk është e tepërt të them se fjalën e dhënë e kanë në gjak. Megjithate, ata e donë vendlindjen e tyre, por s’ kanë kundër ta marrin pak edhe nga e jona.
Kjo po ma kujton qershorin e vitit 1963. Bënte nxehtë dhe unë, dashur e pa dashur, duhej të zbrisja në Bulevardin e Mareshal Titos dhe t’ ia mësoja anglishten një vajze të vogël. Ajo ishte bija e një ushtaraku malazez dhe e jëma, një grua e vejë, para se të filloja nga puna, gjithmonë më qeraste me kafe.
” Gospodine,” më tha një ditë. “ Ju s’ besoj të keni qenë në Shqipëri?”
“ Jo, zonja Miliq, nuk kam qenë,” i thash.
” Eh, ta dinit sa e bukur është Shqipëria,” tha. Ajo kishte qenë si partizane dhe e dinte Gegërinë më mirë se unë. ” Shqipëria është një ëndërr e vërtetë. Shumë më e bukur se Kosova e Mali i Zi. Unë kam qenë deri në Vlorë dhe e kam parë me sytë e mi. Ka një klimë të bukur, fantastike, mepejsazhe që vetëm Zoti mund t’ia japë një vendi.”
” Unë ua kam zilinë, zonjë,” i thash. ” Mos për tjetër, të paktën per ato që keni parë me sytë e juaj.Mjerisht, duhet të kënaqem me ato që sheh imagjinata ime,” i thash Sllavicës të fillojmë.
Kanë kaluar shtatë vjet nga ajo kohë. S’ kam aspak dyshim se Vlora është e bukur dhe ka një klimë fantastike, po unë s’ e kam parë. Jam i sigurtë që edhe Shkodra, Tirana, Durrësi, Korça, Pogradeci e Saranda janë qytetetetë bukura. Paçka se ato i kanë zaptuar dropullitët, gollobërdasit dhe sllavofilët e Vlorës dhe Shqipërinë e kanë shndërruar në një rezervat të ndaluar për shqiptarët. Se t’ ishte e kundërta, revista ”Nëntori”do të shkruante diçka shqip në faqet e saj. Mjerisht, me përjashtim të një artikulli mbi Aleksandër Moisiun, të gjitha faqet e saj,që nga faqja e parë e deri te faqja e fundit, ishin plotë me artikuj të Vladimir Iljiç Leninit.
Sa herë që e takoja në zyrën e tij dhe binte fjala për Shqipërinë, zoti Gunnar Gunnarsson, profesor emeritus, më thonte sa vijon:
” Unë e kam shoqëruar Iliçin nëpër Stockholm. Një burrë i mirë e i shkëlqyeshëm për të bërë muhabet. Një erudit dhe shkencëtar i madh. Por pas kthimit të tij në Rusi, ai Vladimiri i këndshëm u shndërrua në një Vladimir tjetër dhe sot, bashk me Josif Visarionoviçin, simbolizojnë një kasaphane që ka nisur me mijëra e mijëra të pafajshëm në vdekje. Dallimi midis tij dhe Adolf Hitlerit nuk është më i trashë se letra e cigares. Çuditërisht, bota s’ po pushon duke e sharë Hitlerin, por Iliçin e ka harruar fare.”
Fjalët e zotit Gunnarson po m’i kujtojnë ato që konstatova në fillim.Ne s’ jemi ata. Ata e donë vendlindjen e tyre, por s’ kanë kundër ta pushtojnë krejt Rruzullin tokësor.
Një ditë, tani s’ po më kujtohet cila ishte, pash një dokumentar mbi fshatrat e Amerikës Latine. Duke dëgjuar deklaratat e tyre, vura re se edhe fshatarët latino-amerikanët, që jetojnë me mijëra kilometra larg nga Bashkimi Sovjetik, e kanë gëlltitur bukvalisht karremin e tij dhe embajnë sikur ta kenë vëlla të babës. Me sa duket, pasardhësit e Vladimirit kanë bërë investime të mëdha dhe influence e tyre, falë propagandës që po zhvillon Havana, është jashtzakonisht e madhe.Mjerisht, mesazhi i autorit, si mesazhi i të gjithë regjisorëve socrealist, ishte: kryengritja.
E keqja është se fshatarët latino-amerikanë nuk janë sllavë dhe kur vjen çasti për ta luajtur gishtin, pendohen dhe i vrasin liderët e tyre. Ashtu siç e vranë Che Guevarën.

88. Vetëdija

Sonte, më shumë se asnjëherë tjetër, e kam pyetur veten se – ku puqen dhe ku ndahen fjalët “vetëdije” e ”ndërgjegje”. Të dyja këto fjalë mund të ndërtojnë folje, emra dhe mbiemra. Njeriu thotë: ndërgjegjësohem, jam i ndërgjegjshëm dhe ndërgjegjësim. E njejta vlen edhe për vetëdijen. Njeriu thotë: vetëdijsohem, jam i vetëdijshëm dhe vetëdijësim. Me pak fjalë, si njëra fjalë, ashtu dhe tjetra, janë të lidhura me aftësinë tonë mendore për ta njohur realitetin objektiv dhe për t’ i gjykyar veprimet e të tjerëve.
Pak më parë, deri sapo hanim darkë, e pyeta Ninën:
“ Si thua, zemër, kemi kursyer aq sa të shkojmë e të pushojmë nja dy javë në Shqipëri?”
Ajo m’i picërroi sytë sikur t’ i flisja për ndonjë moçal të lumit Amazonas e jo për vendlindjen e të parëve të mi, dhe ma ktheu përgjigjen.
“ Kemi, si s’ kemi?! Por unë do të dëshiroja të shkosh vetë dhe të kënaqesh n’ atë parajsën e klasës punëtore. Për vete, dua të shkoj në Poloni ose Francë, sepse im atë është drejtor shkolle, ka një shtëpi dykatëshe dhe, sipas botëkupimeve marksiste, ai është kapitalist. Unë s’ kam pse vi në Shqipëri, se ende nuk m’ është mërzitur jeta,” tha ajo me një zë të ftohtë e të brengosur.
“ Njëmend e ke?” e pyeta i mllefosur.
” Njëmend,” tha. “ Unë s’ kam kohë të thej dhëmbët me kuqaloshët e Enver Hoxhës në rast se të arrestojnë apo të mbajnë peng. Shko, shihe dhe eja e më dëfto si ishte.”
Me kaq i dhamë fund asaj bisede dhe unë, pasi mora ”Aniarën” e shkrimtarit Harry Martinsson, ika në dhomën time.Edhe pse jam i keq kur më hipin xhindet, s’ isha i prirur të zihem me te, pasiqë kam respekt për opinionin e saj.Fundja, ajo ka të drejtë, sepse gjatë kohës që po ndajmë bukë sëbashku, të dytë kemi patur kohë të krijojmë një botëkuptim mbi Shqipërinë Socialiste.
Shqipëria, ashtu si po e shoh unë,po ma futë frikën. Ata pak njerëz që e kanë parë me sytë e tyre nuk janë kthyer me përshtypje të mira.Mjerisht, Shqipëria të cilën po kërkojmë unë e Vezir Turtulli nuk është Shqipëria e Enver Hoxhës, por Shqipëria e Bajram Currit, Hasan Prishtinës e Fan Nolit. Me këtë dëshirë më kishte lutur ta bëj një shkresë dhe t’ ia nisim atyre të Ambasadës Shqiptare për një vizë dyjavëshe.Veziri kishte makinë, të dytë kishim patentë dhe rruga që do na çonte atje kalonte nëpër Itali.
Tani që do ta Vezirin në telefon,kam përshtypje se, pa marrë parasysh kohën që na ka mbetur mua, unë dhe Nina nuk do të vdesim në të njejtën shtëpi. Nëse Nina s’ e ka të qartë ç’ do të bëj me jetën e saj, unë e kam të shkruar në faqen e parë të librit ”Bagëti e Bujqësia.” Nëse Shqipëria më jep nder dhe ma jep emrin shqiptar, Suedia i jep Ninës nder dheemrin suedez. Ne mund të jetojmë edhe njëqind vjet me njëri tjetrin, mund të flasim natë e ditë suedisht, mund t’ i ndërrojmë emrat dhe ngjyrat e flokëve, por nuk bëhemi dot të njejtë. Ajo do mbetet suedeze, unë do të mbetem shqiptar. Kaq e thjeshtë dhe e arsyeshme është puna.

89. Keqardhja

E dija se do të pikëllohej.
Ai s’ e kishte mbaruar shkollën fillore dhe krejt rininë e kishte shkuar duke i ruajtur delet. Pastaj, pasi kishte hyrë në ”bylyk”, i jati e kishte dërguar në Zarë që të bëhej bukëpjekës, por Veziri iu kishte bashkangjitur një shoku kosovar dhe ishte arratisur në Itali. Falë organizatës ”Karitas” ai kishte marrë patent makine dhe kishte zënë punë si shpërndarës i gazetave të përditshme.
Veziri zgjohej herët, hipte në kombin e tij dhe, sapo i shprishte paketat nëpër fshatrat e Uppsalës, ulej në Ringbaren dhe hante mëngjesin e tij.
Ai ishte i kënaqur.AsTitua s’ e kishte punën më të mire..I larë ishte, i shplarë ishte, i martuar ishte, por i lumur nuk ishte. Ai ende s’ e kishte parë Shqipërinë, të cilën Lefteri iaçonte në qiell.
Sapo më doli gjumi, e zura kufjen dhe e pyeta Ingën, bashkshorten e tij, nëse ishte kthyer nga puna.
” Sapo ka hyrë brenda, ” tha.
” Mrekulli. Zgjatja kufjen,” i thash dhe aty për aty, pa shumë ojna, e njoftova se ajo puna e Shqipërisë duhej të priste.” Më duket si punë e e komplikuar. Më mirë t’ ia mbathim nga Spanja. Si thua?”
Ai s’ tha gjë. Të paktën, jo n’ atë çast.
” Sikur t’ isha ngusht për Torremolino,nuk do të pyesja ty,” tha me zë të dëshpërur. ” Do të shkoja vetë me këtë copën time. Unë jam ngushtë për Shqipëri, për shqiptarë, për muhabet…”
” Ajo vlen edhe për mua, po duhet të presim. Të paktën edhe nja dy tri javë, deri sa të vij në Uppsalë e të flasim në katër sy,” i thash, duke shtuar se ca nga pikat që duhej t’ i mbushnim më dukeshin të tepërta.
” Për cilat pika e ke fjalën?” më pyeti.
” Ato që m’i kishe nisur,” i thash. “ E kam fjalën për atë faqen ku duhet të dëftojmë siquhemi, kur jemi lindur, ç’ pasaportash kemi, ku banojmë, etjera, etjera. Pastaj asaj duhet t’ ia bashkangjitet edhe një tjetër, në të cilën duhet t’ i shkruajmë arsyet që na nxitin të shkojmë nëShqipëri, nëse kemi atje ndonjë farefis, në cilin qytet jetojnë dhe ç’adrese kanë. ” E di se do më quash Haxhi Pishman – shtova – po para se t’ i prish sytë me letra, dua të konsultohem me ty. O, vëlla! Ne jemi shqiptarë dhe s’ kemi tjetër dëshirë pos ta shohim Shqipërinë?”
“ Vërejtje me vend,” tha. “ Ani hajde n’ Uppsalë dhe flasim më shtruar. Po Nina do vijë?”
“ Jo,” i thash.
“ As kjo e imja,” tha.
Papandehur, deri sa po flisja me të, ndjeva një lodhje të madhe. S’ kisha forca të ulesha në karrigë dhe u përplasa në shtrat. Kisha vetëm një dëshira: t’ i mbyll sytë dhe të harroj se kush isha, ku isha dhe përse duhej të jetoja n’ atë fshat. Kush djallin ma kishte futur në vesh këtë mbretëri të largët, kur mundesha të shkoja në Shtetet e Bashkuara, Kanadá, Australi, Zelandë apo Argjetinë? Mos tjetër do ta mësoja ndonjë gjuhë të hajrit, gjuhë botërore.Mos tjetër, do ta takoja ndonjë ballist apo zogist të hajrit. Gjithkush ishte më i mirëse këta guhakët vetullbardhë.
As me gratë nuk pata fat. Më vret Zoti… Kjo që kam është eurtë e zemërbardhë, por tmerrësisht indiferente.Ato tjerat që kisha,ja ishin të zëna, ja kishin probleme tjera. Të gjitha ato erdhën dhe ikën për pa lënë tjetër në shpirtin tim pos – keqardhje.

Fragmente të nxjerra nga veprat ”Reflektime të pathëna të një shkrimtari” dhe ”Gjymtyrët e një vetmie”. 1970

Shkruan: Ramadan Rexhepi