SHPËRNDAJE

Ditë më parë në presheva.com kemi publikuar një artikull lidhur me gjendjen katastrofale të fushës sportive të qytetit Preshevë. Pjesë përbërëse e këtij artikulli janë dy faktet të cilët i kemi cekur lidhur me koston e barit të stadionit (4.345.293.60 dinarë me TVSH apo rreth 35.000 euro) si dhe papërgjegjësinë e pushtetit lokal të kryetarës Ardita Sinani gjegjësisht institucioneve lokale duke mos intervenuar në mirëmbajtjen e këtij stadioni.

Kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani ka reaguar në pamfletën propagandistike të pushtetit lokal në rrjetin facebook si dhe të interpretuar në mediat e kontrolluara nga pushteti duke linçuar burimin e lajmit respektivisht presheva.com në mungesë të argumenteve. Sinani për gjendjen katastrofale në fushën sportive ka fajësuar ish-partnerin e koalicionit qeverisës, edhe pse ajo tanimë është udhëheqësja e Ekzekutivit të Komunës që nga 10 marsi 2017.

Kryetarja Sinani nuk ka parë të arsyeshme kërkimin e ndjesës nga qytatarët e Komunës për degradimin dhe keqmenaxhimin e buxhetit të Komunës në rastin e përmendur prej 35`000 eurove, por ka zgjedhur një ofensivë qesharake duke i quajtuar dezinformata, faktet e publikuara nga presheva.com. Lajmi i publikuar jo-konform të pushtetit, që sipas kryetarës është dezinformat, ajo çuditërisht ka faktizuar numrat e publikuara prej 4.345.293.60 dinarë të theksuara në presheva.com.
Presheva.com rrjedhimisht rastit në fjalë publikon dokumentin e punëkryerësit “Saba Bellça” të datuar më 02.06.2017 të dërguar Kryetarës së Komunës së Preshevës Ardita Sinani, duke njoftuar atë se punët në objektin janë të përfunduar në tërësi sipas dokumentacionit projektues, pasiqë për ofertat shtesë kryetarja nuk ka dhënë ndonjë përgjegje.

Punëkryerësi ka theksuar se me një afat sa më të shkurtër të formohet komisioni për kontrollimin teknik për pranim-dorëzimin e punës.
“Saba-Bellça” ka qortuar pushtetin lokal se sipas nenit 622 me ligjin për detyrimet, Komuna është e obliguar të pranoj punën e kryer sipas marrëveshjes. Në fund të këtij dokumenti punëkryerësi ka cekur se përgjegjësia për mirëmbajtjen e objektit kalon tek pushteti lokal i Ardita Sinanit gjegjësisht investitori.

Kryetarja Sinani ka vazhduar në reagimin e saj me gjuhën denigruese dhe linçuese të kultivuar 30 vite me rradhë ndaj mediave të pavaruara, duke cilësuar presheva.com si zëdhënëse e ish-partnerit të saj qeverisës Arifi.

Presheva.com në vitin e 20-të të funksonimit si media e pavarur me një diapazon të lartë në regjion, ka vërtetuar se zëdhënësin e vetëm ka qytetarin e Komunës së Preshevës, pra atë sovran të cilën kryetarja e Komunës pretendon se i mbron interesat e tyre. Edhe pse në kohën e saj të shkurtër qeverisëse ka vërtetuar disa herë se ekzekuton një politikë të tretur në klientelizëm dhe interesa partiake duke vazhduar politikën e Riza Halimit për sinkronizimin e mediave në Luginën e Preshevës.
Meqë kryetarja edhe tek posti i Zëdhënesit ka pasqyruar se ka mungësë vizioni dhe integriteti për emërimin e tij. Vetëm pak muaj Kryetarja Sinani është detyruar ta largojë “zëdhënësin” e saj për shkak të postimit të papërgjegjshëm ndaj ish-komandantëve të UçPMB-së.

Ndërsa presheva.com 20 vite me rradhë ka po të njejtin zëdhënës: Qytetarin.

Tani më pushteti lokal me dorën e zgjatur Ardita Sinani me të gjitha propagandat e sajuara kanë marrur kartonin e kuq. Ditët po kalojnë.
Tik-Tak. /presheva.com/


REAGIM I KRYETARES SË KOMUNËS, ARDITA SINANI NDAJ SHKRIMIT TË PUBLIKUAR NË PORTALIN www.presheva.com

Në portalin online presheva.com, me datë 26 qershor u publikua artikulli “Ja në çfarë gjendje të mjerueshme është stadiumi bari i të cilit kushtoi 35.000 euro”, në të cilin ky portal qëllimisht dezinformon opinionin e komunës së Preshevës duke fajësuar udhëheqjen aktuale për shkaktimin e kësaj gjendje të barit të stadiumit të Preshevës.
Komuna e Preshevës, me këtë rast ndjen obligim që të sqarojë të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës, se deri në këtë gjendje bari i këtij stadiumi ka ardhur falë papërgjegjësisë së kryetarit të kaluar, Shqiprim Arifi.
Kontrata për realizimin e projektit të terenit sportiv në Preshevë me lartësi prej 10.861.037,40 dinar është nënshkruar më 08.05.2015, kishte paraparë mbjelljen e barit dhe ujitjen e tij me anë të spërkatjes me hidrant. Mirëpo, kryetari i kaluar, Shqiprim Arifi, gjatë kohës sa ishte në pozitën e të parit të komunës, e kishte ndryshuar këtë projekt duke porositur gypa nëntokësorë që kanë kushtuar 1.500.000,00 dinar, e poashtu duke porositur rollne të barit natyral të gatshëm që ka kushtuar 4.345.293,60 dinar.
Është e rëndësishme të theksohet se vendosja e gypave nëntokësorë për ujitje është bërë me aneks kontratë me punëkryesin dhe është e nënshkruar nga kryetari i kaluar, kurse për vendosjen e barit nuk ka as aneks kontratë të nënshkruar nga ish kryetari Shqiprim Arifi dhe nuk është bërë as prokurim publik!
Kulminacioni i papërgjegjësisë së ish kryetarit Shqiprim Arifi qëndron në faktin se edhe gypat nëntokësorë edhe rollnet e barit u porositën para se të sigurohet sasia e nevojshme e ujit. Mjerisht pasi realizuan këto dy kërkesa të ish kryetarit Shqiprim Arifi me çmime ekstra të larta u konstatua se në bunarin e hapur nuk ka uj as për nevoja të një familje e lëre më për ujitje me këtë sistem, të cilit për aktivizimin e ventilave i nevojitet sasi shumë e madhe e ujit.
Pra, qytetarë të nderuar të komunës së Preshevës, të dezinformuar me propagandën shpifëse të zëdhënësit të ish kryetarit Arifi, portalit presheva.com, po e shihni se hapat në projektin e stadiumit janë bërë mbrapsht nga kryetari i kaluar.
Pikërisht janë këto arsyet për shkak të cilave nga punëkryesi i kontraktuar për projektin në fjalë nuk është bërë dorëzimi teknik i stadiumit të Preshevës tek Organizata për Kulturë Fizike.
Është krejtësisht e qartë se kjo gjendje e barit në fushën e sportit është pasojë e kësaj papërgjegjësie dhe paaftësie të ish kryetarit Arifi.
Në këtë situatë janë duke u zhvilluar aktivitetet për hapjen e bunarit të ri për të siguruar sasi të nevojshme të ujit për ujitje.

Kryetarja e komunës së Preshevës
Ardita SINANI