Olimpiada e fundit! Peshëngritësi Briken Calja përgatitet për garat në Paris

0
49

Briken Calja dhe Erkand Qerimaj do të nisen mëngjesin e së mërkurës drejt Katarit për një tjetër garë të kategorisë Grand Prix, ku më tepër se medaljet, rëndësi kanë pikët që do të duhet të grumbullojë për Olimpiadën e ardhshme Paris 2024.

Prej më se dy vitesh, peshëngritësi nga Shtërmeni nuk ka mundur të jetë në pritshmëritë e tij, por edhe të publikut, për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi në Europianin e zhvilluar në Tiranë dy vite më parë.

Sot mungesa e rezultateve për të peshon shumë.

“Realisht është kjo që thua ti që gjatë gjithë kohës unë isha në podium dhe pjesë e medaljeve. Por të jeni të bindur që ky do të jetë viti i Brikenit, do të jap maksimumin tim jo vetëm në Lojrat olimpike por pse jo të këndohet himni ynë në kampionatin Europian që do të zhvillohet në Sofie”, tha Briken Calja.

Në Olimpiadën e Tokios, Calja për herë të parë në historinë e sportit shqiptar të peshëngritjes, arriti të barazojë rekordin olimpik dhe vetëm për një kg mbeti jashtë podium.

“Stili që kam dalë kampion bote aty dështova, edhe pse kisha formën më të mirë në stilin e shkëputjes, por gara është garë dhe ka të papritura. Mos harrojmë që arrita të barazoj rwkordin olimpik dhe ju gëzuam vendit të katërt, që duhet t’I gëzohemi patjetër, por për mua është ëndrra më e keqe”, tha peshëngritësi.

A do të jetë Paris 2024 olimpiada e fundit për një prej peshëngritësve më të suksesshëm në historinë e peshëngritjes shqiptare, i cili në shkurtin e ardhshëm mbush 34 vjeç?

“Padyshim që po, që do të jetë olimpiada ime e fundit, ndërkohë që karrierën do ta vazhdoj në europiane dhe botëror të tjerë”.

Sot, asnjëri prej peshëngritësve më të mirë të momentit, si Briken Calja dhe Erkand Qerimaj nuk ka mundur të sigurojë pikët e nevojshme për të marrë pjesë në Olimpiadën e ardhshme, por shpresat e tyre janë të mëdha për të qenë në Paris në verën e vitit 2024.


Top Channel