Mes bombave, lulëzojnë vjedhjet! Palestinezët grabisin dyqanet në Khan Yunis

0
33

Një roje sigurie qëllon në ajër në përpjekje për të larguar turmën, por pa sukses: pamjet filmike të një grupi palestinezësh që sulmojnë e grabisin një dyqan në Khan Yunis u përhapën shpejt në rrjet.

E gjithë kjo ndodhi në kohën kur forcat izraelite po rrethonin qytetin kryesor në jug të Gazës, duke luftuar me militantët e Hamasit nëpër rrugë dhe ndërtesa, në ato që konsiderohet si luftimet ndoshta më intensive deri tani të luftës dymujore.

Forcat izraelite të mbrojtjes e kanë zgjeruar ofensivën tokësore në qytetin e dytë më të madh të territorit, duke e tkurrur vendin ku palestinezët mund të kërkojnë strehim dhe duke e bërë thuajse të pamundur mbërritjen e ndihmave jetike në shumicën e vendit. Ofensiva në jug kërcënon të shkaktojë zhvendosje të madhe të njerëzve brenda enklavës së rrethuar bregdetare, ku Kombet e Bashkuara thonë se 1.87 milion njerëz, apo gati 80% e popullsisë, janë larguar tashmë nga shtëpitë e tyre.

Shumica e veriut, përfshirë pjesë të mëdha të Qytetit të Gazës, është shkatërruar plotësisht, dhe palestinezët druhen se i njëjti fat e pret dhe pjesën tjetër të territorit. Tre ditët e fundit,  furnizimi me ndihma, kryesisht miell dhe ujë, ka qenë i mundur vetëm brenda qytetit kufitar të Rafah-së, ndërsa sipas OKB-së për shkak të luftimeve dhe mbylljes së rrugëve nga trupat izraelite, zonat e tjera janë bllokuar.


Top Channel