SHPËRNDAJE

 

 

Ajo quhej Elizabet, por shoqet e saj, që zakonisht e shoqëronin deri te salla ku shkruanim provime, e quanin Lili. Ik, Lili, se erdhi docentja. Mirupafshim nesër, Lili. Kurse Lili i falenderonte, i puthte, i përqafonte, i ledhatonte me dorë, deri sa zhdukeshin nga sytë e saj. Pastaj kthehej drejt nesh dhe na shikonte me sy të ndrojtur. Ajo s’ ishte ndonjë femër e gjatë, elegante, që të mahniste me trupin e saj, por sytë e kishte të butë, ngjyrë qelibari, dhe gjithmonë na fliste me zë të trembur.
Atëbotë sapo isha regjistruar në Universitetin e Stockholmit dhe, për arsye ekonomike, isha i detyruar të punoja në një fabrikë të birrës. Zakonisht, kur më binte ndërrimi i dytë dhe punoja pasdite, s’ kisha probleme dhe provimet i jepja me kohë, por kur më binte ndërrimi i parë, duhej ta thërrisja dikëpër të mësuar se cilën lëndë e kishin përpunuar gjatë ditës.Megjithate, unë studjoja me ngulm dhe provimet i jipja me kohë. Kjo i kishte i rënë në sy edhe Lilit, sepse sa herë që qëllonim pranë Gazetës së Murit dhe konstatonim që kisha “kaluar”, ajo më ledhatonte me sytë e saj dhe habitej pak që isha aq këmbëngulës.
Në prill të vitit 1966 vendosa të shpërngulem në Uppsalë. Krejt rastësisht kisha mësuar se ai qytet ishte më i lirë se Stockholmi dhe një ditë, pa u këshilluar me askend, i mblodha plaçkat e dola në Stacionin Qendror. Një orë më vonë isha në Eriksberg.
Kështu ndodhi që unë, krejt papandehur, e lash banesën që mbaja në Odenplan, e lash punën që kisha në ”Pripps”, i lash ligjëratat që ndiqja në Kungstensgatan dhe e lash Lilin, me të cilën shpesh herë shihesha në orët e letërsisë frenge e rusedhe diskutonim Rimbaudin, Verlainin, Apollinairin, Lermontovin, Jesenjinin e Tolstoyin. Unë isha i fortë në prozën frenge, po jo dhe aq n’ ate ruse. Pak para se t’ ikja n’ Uppsalë, e luta të ma lente numrin e saj dhe, eventualisht, të më njoftonte mbi rezultatin e provimeve, të cilët rëndom i nxirnin në Gazetën e Murit.
Si jabanxhi që isha, s’ dija gjë mbi jetën e saj, por ajo më pëlqente shumë. Çdo gjë ishte e nurshme në qenien e saj: fytyra e thatë, buzët e trasha, beli i hollë, kofshët e plota, gjithnjë të mbështjella nën një fustan të trashë, dhe sytë ngjyrë qelibari, të cilët s’ dinin kurrë të ngryseshin.
Të gjitha këto s’ ia kisha përmendur dhe s’ e kisha ndër mend t’ ia përmendja, sepse gjithnjë kisha një shije të hidhur në buzë. Pak muaj më parë i kisha këputur lidhjet me Reginën dhe s’ isha i prirur të ngatërrohesha me femra. Buzët e mia mbanin gjithnjë shije farmaku, ndërsa Lili kishte sy të ëmbël dhe posedonte natyrën e një qenie engjëllore.
Tani që kisha ikur n’ Uppsalë, ajo filloi të më njoftonte rregullisht mbi afatet e provimeve dhe rezultatet që dilnin në Gazetën e Murit. Kishim hyrë në maj dhe unë sapo kisha zënë një punë tjetër, kur më erdhi një letër se koha ishte për ta bërë një provim të ri. Mos qofsha gabim, bëhej fjalë për poezinë e shekullit XVIII – të.
Ta hajë dreqi, mendova. Mirë që ika nga Stockholmi, por tani po iu bienë qafë të tjerëve. Duhej patjetër ta thërrisja Lilin dhe ta pyesja për orën e saktë.
” Po, pra, provimi është m’ ora nëntë,” tha ajo.
” Paska qenë herët, por do të vijë gjithësesi,” i thash. Dukshëm i shqetëuar nëse do të mbërrija në kohë.
” S’ ka nevojë të shqetësohesh,” tha. ” Ti mund të bujsh te ne. Ne kemi shtëpi të madhe, dykatëshe. Unë s’ të kam thënë, po motra ime, Greta, punon në SAS dhe më shumë është në Londër ose Paris, se te shtëpia.”
“ Shumë falemnderit,” i thash. “ Nëse s’ ke kundër, po vi nesër dhe përgaditemi sëbashku.”
“ Ani hajde! Ti e ke adresën tonë,” tha Lili dhe, si rëndomtë, përsëri më qerasi me një të qeshur.
Të nesërmën dola në Stacionin hekurodhur dhe mora trenin që shkonte për në Stockholm. Bënte ngrohtë përjashta, i tërë vendi ishte i veshur me diell e gjelbrim. Për ta fshehur turpin që më kishte mbërthyer, hyra në një supermarket që gjendej në Stacionin Qendror, bleva një orkidé ngjyrë vjollce, dhe e njoftova Lilin se kisha mbërritur.
“ Do ta merr trenin e parë që ikën për Almvik,” i thash.
” Te shtëpia më ke,” tha ajo duke qeshur. ”Kuptohet, nëse s’ më merr dikush peng.”
Ato jetonin në Bromma. Shtëpia, një vilë e madhe dykatëshe, e rrethuar me një mur të trashë qershiglash e kulumbrish, gjendej n’ afërsinë e stacionit ku qëndronte treni. Sapo kishin çelur jargavanet dhe era e tyre ta zente frymën.
Më mirë të mos vija, thash, dhe e hapa me kujdes derën e shtëpisë. Ata i gjeta n’ oborr. Ishte ajo, Greta dhe një mashkull që ndiqte Shkollën e Flotës Ushtarake. Po pinin kafe e po bënin shaka me Gretën, që ishte veshur në rrobat e SAS-it, dhe do të ikte në aeroport.
“ Më vjen keq, por jam për rrugë,” tha Greta duke më puthur në faqe. “ Shyqyr që kemi këtë kiraxhiun, se do të duhej të ikja me taksí. Mirupafshim, pra, dhe kalofshi mirë.”
“ Shihemi,” tha dhe ai zotëria, kiraxhiu. Ai ishte një djalë i gjatë dhe i pashëm.
” Gjithësesi,” i thash, dukshëm i papërqëndruar. Duke mos patur haber mbi relacionet e tyre, kur mbetëm vetëm, e pashë me sy të ndrojtur dhe s’ po dija si ta pyesja.
” Si thua, mos do të shkojmë në kino?” e pyeta.
” Jo, jo, sonte do të mësojmë,” tha Lili duke më shituar me ata sytë e saj të qeshur. Ajo sapo e kish nxjerrë orkidenë dhe po e lagte me ujë.
“ Atedua dhe unë, po s’ dua t’ i prish planet,” i thash. “ Kam shumë respekt për zotrote dhe e di që je njeri i mirë.”
Ajo u shkreh në gaz.
” Shumë, shumë të falemnderit,” tha duke m’ u ulur përballë. ” Pikërisht për ate që ke respekt për mua, kam vendosur ta jap dhomën e Mamit. Ti e di që s’ kam as nënë, as baba, se të dy më kanë vdekur.”
“ Mëvjen shumë keq,” i thash. Dhe shtova: “Pash se keni shumë ikona të kishës ortodokse.”
“ Të gjyshes,” tha Lili. “ Ime gjyshe ka qenë e pasur dhe, para se të martohej me gjyshin, jetonte në Helsingfors. Të kishim dhjetë përqind të asaj që kishteajo, sot do të ishim në Hawaii.”
Ec e meri vesh femrat.
Ajo, si duket, e kishte vënë re simpatinë time dhe kishte qejf të më ngacmonte. Para se t’ ikja nga Stockholmi, e mbaja pak për dore, e shikoja në bebzat e syve, i flisja ëmbël, por ato i bëja me një sinqeritet të padjallëzuar. E ledhatoja se ishte e mirë. Edhe unë isha i mirë, po isha i pafat.
Atë natë mësuam deri vonë dhe, kur e pashë që po i mbylleshin sytë, e luta të ma dëftonte dhomën ku do të fleja. Ajo, pa një pa dy, më shoqëroi deri në katin e dytë dhe më la në një fjetore të shtruar me qilima persianë. Krevati, një kryevepër e marangozëve finlandezë, ishte i shtruar me një dyshek të trashë e një jorgan ngjyrë dhelpre.
Të nesërmen, pasi zbritëm në Odenplan, hëngrëm mëngjesin në ”Korso” dhe u turrëm drejt sallës ku bëheshin provimet.
Tani nuk po më kujtohet sa orësh ishte provimi, por ishte i gjatë dhe i vështirë. Çuditërisht, kur i dorëzuam fletat dhe dolëm përjashta, vura re një ndryshim të lehtë në sjelljet e saj. Ajo s’ ishte më Lili e bukur, Lili e sjellshme, Lili e qeshur, por një Lili e zbehtë dhe mjaft e pikëlluar.
Pikëllimi i saj më befasoi shumë. Unë kisha njëmijë e një dëshira të rrija edhe një natë në kryeqytet, por ato m’ i vrau sjellja e saj e ftohtë. Arsyeja e parë ishte të rrija edhe një natë me të, të kuvendoja, të mësoja diçka mbi jetën e saj. Aq më tepër që të nesërmen isha i lirë dhe mund të bridhnim pak nëpër Qytetin e Vjetër. Kështu quhet lagjeja më e moçme e Stockholmit. Unë e kisha bërë provimin dhe isha i sigurtë që do të merja notë kaluese.
” Si thua, të zbresim në Gamla Stan e të hamë drekë,” i propozova.
” Jo, jo, se kam ca punë te shtëpia,” tha Lili.
Mu këputën këmbët. Më mirë të mos kisha ardhur në këtë provim të mallkuar,mendova. Megjithate, unë s’ kisha më të voglën arsye t’ ia merja për të madhe. Lili ishte mocanike me mua. Ajo ishte lindur në atë qytet, aty kishte mbaruar Shkollën fillore e Gjimnazin, dhe do t’ ishte çudi nëse s’ kishte një dashnor. Kush s’ e pëlqente atë zambak me sy të qeshur?!
” Ani mirë, dëgjohu,” i thash duke e kafshuar buzën.
Kjo më kishte ndodhur edhe ca herë tjera. Jo se kisha të drejtë të pikëllohem, por shpresoja se – më në fund – e kisha takuar një femër të rrallë, një femër të urtë, që me sytë e saj mbillte paqë e haré në shpirtin tim. Ate dhurëti s’ e kishte Lea, dashnorja ime e parë. As Anna Maria, të cilën e kisha njohur në Pripps. As Regina, nga e cila isha ndarë ca muaj më parë. Po kështu ndodhte në jetë dhe unë duhej t’ iu shtrohesha rregullave.
Me këto mendime e ndoqa rrugën Sveagatan dhe, pasi mbërriva te Shtëpia e Koncerteve, vajta drejt Stacionit Qendror. Unë kisha jetuar n atë qytet që nga qershori i vitit të kaluar dhe pak më bënte nëse ikja dy orë më herët apo dy orë më vonë. Askush nuk më priste në Uppsala pos asaj banesës së vogël.
Po rasti duhet kapur në fluturim. Deri sa po kaloja përskaj kishës Santa Klara, takova Mit’hatin, mikun algjerian, me të cilin kisha punuar në Pripps.
” Hë, ku po vete,” më pyeti.
” Në Uppsalë, ku tjetër?” i thash duke e përqafuar.
“ Ah, sa mirë. Po Uppsalën do ta gjesh ku e ke lënë, ndërsa mua jo. Hajde të çmallemi pak, se edhe vetë jam mërzitur këtu,” tha duke më zënë për krahu.
Minutat iknin, por biseda ynë s’ merte fund. Nja gjysmë ore më vonë erdhën edhe dy shokë tjerë, Sinani e Muhameti, dhe ne porositëm nga një entrecot.Të gjithë ishin të shqetësur nga çmimet e kryeqytetit dhe po mateshintë iknin në qytete më të vogla. Unë e lavdëroja Uppsalën, Sinani e lavdëronte Geteborgun, ndërsa Mit’hati po matej të shkonte në Lund.
Aty nga ora katër e ca minuta u ndava nga miqët dhe, pasi ua lash adresën,hipa në trenin e Uppsalës. Tani që zura vend në një kupe të qetë dhe mbylla sytë, e ndjeva vetën fajtor. Me Lilin isha sjellë si një harbut. Mos tjetër, deri sa po rrija me miqët, mundesha t’ ia bëja një zile dhe ta falenderoja për pritjen e saj. Ajo s’ kishte detyrime kundrejt meje dhe më e pakëta që mundesha të bëja ishte – ta falenderoja.
Me të ardhur në Uppsalë, mora autobusin që shkonte n’ Eriksberg dhe ngjita shkallët e godinës trikatëshe. Po kjo? Deri sa po i nxirja çelsat nga xhepi, rastisa të shoh një zarf ngjyrë kafe, që dikush ma kishte ngjitur në derë. Në qoshen e zarfit shkruante ”telegram.” Ishte hera e parë që merja telegram në jetë.
E hapa zarfin dhe fillova ta lexoj tekstin e shkruar me germa të mëdha. Një Zot e dinte pse ishte shkruar me shkronja të mëdha e jo të vogla.
” Ku je, i dashur,” thonte teksti. ” Përse ike aq papandehur? Nuk e ke kuptuar që të dua shumë? Të kam kërkuar nëpër Stacionin Qendror. Te kam telefonuar në Uppsalë. Nuk doja të ikje, po s’ dija si ta them. Lili.”
Shtanga. Sikur të kalonte dikush atejpari dhe të thonte se Uppsala ishte rrokullisur në detë, unë s’ do ta veja në dyshim. Aq i habitur dhe aq i shuplakur që isha nga zarfi që kisha në dorë.
Aty për aty u ktheva prapa, dola në sheshin e lagjes, dhe u turra drejt telefonit automatik. Isha tepër i humbur për t’ ia thënë ato që më zienin në kokë, por s’ isha aq i humbur sa të mos i kërkoja ndjesë.
” Do të thërrisja nga Stacioni Qendror, po takova ca shokë dhe e humba fare. Nëse do ta dish, për asgjë në botë s’ do t’ ikja nga Stockholmi, po s’ isha i sigurtë në ndjenjat tua. S’ e kam zakon ta dua dikë me zor. Ça po bën tani?”
” Unë?” Ajo heshti pak. Sikur po mentohej. Pastaj ma preu shkurt.“ Po pres të vijsh në Stockholm. Merr trenin e parë që vjenkëtej.”
” Ku do të shihemi?” e pyeta.
“ Ku tjetër, pos në Stacionin Qendror?”
“ Atjedo më kesh.”
Mora një taksi dhe përsëri dola në Stacionin Hekurudhor.
Këtë herë s’ kisha të ngutur, se koha që donte treni për ta kaluar distancën Uppsalë – Stockholm donte një orë. Megjithate, për ta vrarë ngazëllimin që ziente në shpirtin tim, bleva një “Aftonbladet”dhe fillova ta lexoj nga fundi. Duhej ta përmbaja veten, të mos sillesha si ata që s’ kanë parë femër me sy.
E pashë nga dritarja e trenit. Lili kishte pyetur Zyrën e informatave dheata ia kishin thënë orën kur duhej të mbërrinte treni lokal. Sikur e dinte dreqja edhe nga cili vagon do zbrisja, se ishte mbështetur në një shtyllë dhe sapo më pa, erdhi me vrap e më përqafoi, më puthi dhe më pyeti mos kisha uri.
” Do hamë bashk,” i thash. “ Pastaj do të shkojmë në kino dhe do ta shohim filmin “Lord Xhim”, të cilin kisha qejf ta shikonim mbrëmë. Nejse, e pashë që s’ ishe e prirur.”
“ Kisha ethe,” tha me një sinqeritet të natyrshëm.“ Asguxoja të vija e të fle me ty, as isha përgaditur për provimin që na priste. Ama sonte jemi të lire, se Hansi iku në Sala, ndërsa Greta pritet të kthehet nesër pasdite.”
Atë mbrëmje hëngrëm në ”Via Veneto” dhe pimë nga një birrë të fortë. Pastaj, pasi shijuam edhe nga një akullore me lëng fiku, e harruam filmin që duhej ta shikonim dhe morëm trenin që shkonte në Bromma. Me sa duket, të dy kishim dëshirë të ngjiteshim n’ atë dhomën e shtruar me qilima persianë dhe të shtrihemi pranë njëri tjetrit e të përzihemi me njëri tjetrin ashtu siç bën toka e thatë kur piqet me shirat e qiellit.
Kam dëgjuar se femrat, qofshin at të bardha apo të zeza, gjermane, amerikane apo marokane, të gjitha janë të gatuara për një punë të caktuar dhe s’ dallojnë nga njëra tjetra.
Unë neveritem nga botëkuptimet e tilla dhe mendoj se femrat, edhe atëbotë kur i kemi pranë dhe i prekim me duar e me sy, janë poaq të mençura e poaq të largëta e poaq të thella saajo errësira që na rrethon të gjithëve.Që t’ i duam aq sa vërtet e meritojnë, nuk është e mjaftueshme t’i nxjerrim shetërit e t’ i trajtojmë si arat, sepse edhe ato, njësoj si ne, e kanë nga një botë mbi supe. Edhe ato, njësoj si ne, kanë ditëlindje, këngë djepi, gjuhë amtare, kremte, vite të rinj, krishtlindje, mosha rinore, ëndrra, pikëllime, dashuri e disfata të ndryshme. Që të depërtojmë përtej asaj kores së hollë, të cilën e quajmë lëkurë, është njësoj si të depërtojmë nëpër errësirën që na ndanë nga xixëllima e yjeve. Kurrë s’ guxojmë të harrojmë se atopërbëhen nga një brumë që është i gjallë, krijues, dhe misioni i tyre nuk është të na kënaqin, por ta mbajnë gjallë atë zjarrin që na ka lënë Prometheu. Ato janë kujdestare të jetës dhe duhet t’ i trajtojmë sitë tilla.
Me këto mendime u ngjita atje ku kisha fjetur një natë më parë dhe, pasi hyra nën jorgan, iu dorëzova asaj pritjes për të cilën thonë se është poaq e gjatë sa dhe vdekja.
Atë natë fjetëm pak. Ajo ishte e këndshme për ta parë – e për ta prekur – e për ta dashur. Edhe tani, që kanë kaluar shumë vite pas asaj ngjarje, më kujtohen gjinjtë e sajt ë fortë, me thimtha të mëdhenj e të rrumbullakët, dhe lëkura e butë, ngjyrë alabasteri. Sado e pabesueshme që duket, po e pranoj me sinqeritetin më të madh, se asnjë grua s’ e kam dashur për hir të qejfit tim, por për hir të lumturisë së saj. Ta duash, ta nderosh dhe ta gëzosh një qenie të cilën natyra e ka gatuar me një kutizë ku rritet jeta është – mision i madh. S’ ka lumturi më të madhe se ta shohësh përpjekjene saj për t’ u shndërruar nga femra e në nënë. Përpjekjet e saj, edhe atëbotë kur janë instinktive, memece e të paartikulluara, pasqyrojnë një botë që nuk është e njejtë te asnjëra prej tyre.
Ajo natë ishte e Lilit dhe unë, për ta gërvishtur një fije të lëkurës saj dhe për të mësuar se – nëna e saj ishte suedeze e baba vetëm gjysmë suedez – dhe se gjyshja e saj ishte një aristokrate e madhe, e arratisur pak muaj para Revolucionit të Tetorit – jo vetëm që s’ i kurseva puthjet e ledhatimet, por u përpoqa të depërtoj edhe më larg se ato që Lili dinte mbi prejardhjen e vet.Herë pas here, duke e puthur në buzë e në faqe, vura re një buzëqeshje që kufizohej – edhe me dhembjen, edhe me lumturinë – dhe jam i sigurtë se si atë natë që kemi pëshpëritur me njërit tjetrin, nëk do të pëshpërisim kurrë.
Të nesërmen duhej të ikja. Kisha lënë takim me një shok kroat, që punonte në fabrikën e birrës në Uppsalë, ndërsa ajo duhej të shkonte në Eskilstuna. Më premtoi se do dëgjohej sapo të kthehej prapa.
” Ti e di ku më ke,” i thash.
“ Edhe ti duhet të dish,”më tha. Pastaj, pasi u mentua pak, më pyeti.“ Si thua, do vish ti në Stockholm apo të vij unë në Uppsalë? Këtu jemi më mirë, se kemi shtëpinë dhe s’ na shqetëson njeri. Stockholmi është vërtet i madh, por ka shumë lëndina, parqe. Po deshte dalim edhe në plazh.”
” Uppsala ka vetëm një pishinë,” i thash. ” Dua ta marr edhe të premten të lirë, që të jemi bashkë.Di ndonjë plazh të hajrit?”
” Si nukdi,” tha Lili dhe u shkreh në gaz. ” Shkojmë në Lidingö, Ekerö, Turesta, Danderyd apo Longholmen. Mos i harro rrobat e banjos.”
” Jo, jo, nuk i harroj,” i thash.
Dhe vërtet s’ i harrova, se po atë natë u ktheva në shtëpinë e saj.
Të shkruash për atë fundjavë të cilën e kaluam sëbashku dhe për përjetimet tona të pakëta nëpër rrugët, shitoret, kafenetë e plazhet ku laheshim, hanim akullore, pinim kafe e rrinim gjatë asaj kohe, do duheshin shumë faqe. Po kush djallin ushqehet me ato që kanë qenë dhe nuk kthehen më? Unë e Lili s’ kemi qenë dashnorë, ne kemi qenë adhurues të njëri tjetrit. Se si më ka dashur ajo, nuk e di. Unë e di si e kam dashur vetë.
N’ agun e javës tjetër u ktheva në punë. Pripps, fabrika e birrave ku kisha punuar më parë, kishte një filialë të vetën në Uppsalë. Pak ditë më vonë erdhën edhe shirat e majit dhe Lili, për të më kursyer mua, vinte e flintenë Uppsalë. Banesa ime, një apartament i vogël privat, kishte dy dhoma dhe një aneks ku mund të bënim spagheti, të gatuanim qofte dhe të pinim kafe. Gjatë kohës që punoja, ajo studjonte, kurse pasdite, pasi bënim nga një shëtitje të gjatë, tërë natën e shkonim duke diksutuar për ato që kishte lexuar dhe duke u ledhatuar.
Herë pas here, kur e merte mallin për të motrën, ajo i lajmërohej Gretës ose merte trenin e orës njëmbdhjetë dhe shkonte e flente në shtëpinë e prindërve të saj.Lili mundej të flente çdo natë ke unë, por asnjëri s’ donim ta teprojmë. Unë kisha ardhur për studime, kisha marrë apartament me qira dhe s’ kishte hije ta përdorja si apartament dashurie. Ne s’ ishim as të fejuar, as të martuar. Ç’ është e drejta, ajo kurrë s’ ma kishte përmendur atë gjë, edhe pse vetë kisha një parandjenje që diçka kishte ndodhur dikur, në një fazë tjetër të jetës saj.
Një natë, deri sa po e prisnim trenin e orës njëmbdhjetë dhe po kuvendonin për një punë që kisha marrë si edukator në Ishullin e Fëmijve, asaj iu tek të shkonim prap te shtëpia ime dhe ta kalonim natën sëbashku.
“ Ça të gjeti,” e pyeta. ” Ti s’ e ke zakon ta presh Gretën në besë. Ajo kishte dëshirë të shkonit nesër në Gröna Lund.”
“ Kallja qimen, se aq më bën,” tha ajo. “ Kam përshtypje se me ikjen tënde nga Uppsala, do të humbas përgjithmonë. Hajde të shtrihemi pranë njëri tjetrit, se më ka hipur një dëshpërim i madh… Dua vetëm të qaj…”
“ Popse duhet të qash,” e pyeta. “ Ajo puna që kam marrë është vetëm për gjashtë javë dhe ti mund të vijsh e të rrijsh me mua sa të duash. Drejtori më tha se të gjithë kemi dhomat tona private, por ditën hamë bukë dhe kujdesemi për mirëqenien e fëmijëve.”
Ajo e tundi kokën në shenjë mospajtimi.
“ Ai që merr një punë, ka detyrime,” tha ajo. ” Ti je njeri i mirë, ke ardhur për studime dhe duhet ta përfundosh misionin që i ke vënë vetëvetes. Unë për vete i kam humbur ambicjet dhe nuk pres të bëhem më shumë se një zonjushë e gjuhës frenge apo gjermane. Andaj po matem të shkoj me Gretën n’ Irlandë… Ata të firmës SAS kanë oferta të veçanta për personelin e tyre dhe Greta po ka qejf të rrimë ca ditë në Belfast.”
“ Pse të mos shkosh,” i thash.“ Ti ke fat që ke motrën stjuardesë.”
Ajo ma futi krahun nën sjetull dhe nuk kundërshtoi.
Edhe atë natë fjetëm pak… Folëm për gjyshen e saj, një fisnike ruse, që kishte patur prona të patundura në Petersburg dhe të cilat i kishte humbur brenda natës. Pastaj folëm për babanë e saj që, bashk me disa çifligarë tjerë, kishte ikur nga Finlanda në Suedi dhe këtu ishte njohur me të jëmën që punonte në “Grand”. Gjithëçka kishte qenë përrallë për atë çift të lumtur, me përjashtim të fëmijve. Ata s’ kishin lënë veçse dy vajza të lazdëruara… Ato shpenzonin ato që kishin lënë prindët…
Herë pas here pushonim. E piqnim nga një kafe, uleshim në ballkon dhe me orë të tëra e shihnim njëri tjetrin në sy. Ajo ishte gjithnjë e buzëqeshur. Pakëz e ndrojtur, më shumë e buzëqeshur. Mjaftonte ta prekja në faqe dhe të kridheshim te njëri tjetri, pa e shqiptuar asnjë fjalë.
Në mëngjes, deri sa po ngjitej në tren, më tha:
” Falemnderit për këtë natë. Kështu si kam folur me ty, s’ besoj të flas me një tjetër. Do të përpiqem të vij në Ishullin e Fëmijve, por lidhjet nuk janë të mira. Ti hajde kur të duash, se e di ku e ke vendin. Aty s’ fle njeri pos teje.”
Dy tri javë më vonë duhej të ikja në punë. Ishulli i Fëmijve, siç quhet një zonë bregdetare e Suedisë, gjendet në qoshën veri-lindore të Stockholmit dhe që nga viti 1912 funkcionon si vendpushim për fëmijët e qytetarëve të varfër. Në lindje, zona kufizohet me Detin Baltik, ndërsa në jug e perendim me një varg kodrash të veshura me gjelbërim, ku janë ngritur me dhjetra vila verore. Përndryshe, trualli është blerë në vitin 1910 me të hollat që kishte mbledhur Shoqata Humanitare ”Dita e fëmijve”.
Në fillim aty ishin ngritur vetëm dy koloni, ”Kopshti Lindor” dhe ”Kopshti Perendimor”, por ca vite më vonë, kur donacionet qenkan shtuar dhe gjendja ekonomike e Monarkisë paska ecur para, kolonive të lartpërmendura iu paskan shtuar edhe shumë vila e projekte tjera. E tërë sipërfaqja e asaj zone është 650 hektar dhe përbëhet nga njëzet fshatra të paisura me plazhe, lundra, fusha golfi, fusha të mëdha futbolli dhe vila të rezervuara për Lidhjen e Skautëve Suedezë. Që nga data 6 qershor, kur mbyllen shkollat, fillon regjistrimi i të gjithë atyre që janë në gjendje të keqe ekonomike dhe kanë nevojë të pushojnë në Ishullin e Fëmijve.
Një fjalë e urtë gjermane thotë –nur von Liebe kan man nicht leben. S’ jeton dot njeriu vetëm nga dashuria… Nëse kjo s’ kishte ndonjë vlerë për Lilin, që kishte një shtëpi, një motër, një konto dhe një treg të hapur pune, për mua puna ishte e sankcionuar me ligj. Unë s’ kisha ndonjë alternativë të dytë për ta nxjerrë bukën e gojës. Askush nuk më kishte ftuar në Suedi dhe kurrë s’ kam shkelur në Zyrën e Mirëqenies Sociale. Kaq thjeshtë ishte puna.
Pak ditë para se të ikja në Ishull, asaj i doli një punë në Mariestad. Nuk e pyeta sa larg ishte ai qytet apo ç’ punë kishte, por gjithsesi që më dogji pak. Përse, vallë, nuk më mori edhe mua?
Kjo ishte hera e parë që po e kuptoja se femra, nëse e donte puna, s’ kishte nevojë t’ i fshihte gjurmët. Aq më tepër nëse është e lindur në këto treva dhe ishte e lirë të shkonte e të rrinte ku të donte.Ne, meshkujt jemi të trashë, të pagdhendur, dhe gjithkush na heqë për hunde. Femra është më e fortë. Ajo, edhe në çastet më intime, kur mendojmë se e kemi të shtruar në pjatë, ka aftësi t’ i dashurojë edhe dy meshkoj. Kjo s’ na shkon për shtati, por s’ ka rregull pa përjashtime.
Në fillim e thërrisja Lilin rregullisht nga një automat që gjendej përballë vilave ku flenim me fëmijët. Tërë kohën ia kujtoja Lilit se kisha mallë për te. Paçka se Ishulli ishte larg, autobusët vinin rrallë e për mallë, dhe vendi ku punoja ishte plot me njerëz që rrallë se ishin të lirë. Kësisoji, kundër dëshirës dhe pagjumësisë time, dashuria ynë filloi të ftohej. Diçka po ndodhte në shpirtin e saj, po mua s’ ma thonte dot. As me gojë, as me shkrim. Edhe pse një kartilinë e saj, dy rreshta të shkruar në suedishte, ma zbukuronin ditën dhe ma mbushnin shpirtin me shpresa.
Ajo verë ishte e jashtzakonshme. Rëndom, nëse qershori merr i mirë, korriku mer me shi. Kështu është Suedia. Por ndodh edhe e kundërta. Qershori merr me shi e korriku dhe gushti marrin me diell.
Atë verë, që nga dita e parë e deri në ditën e fundit, ne mundeshim t’ i rreshtonim fëmijët dhe, sapo hanim mëngjesin, të iknim në plazh. Flitej se Suedia plot pesëdhjetë vjet me radhë s’ kishte përjetuar vapë të till. Merre me mend! Të gdhihesh çdo mëngjes me qiell të kaltër dhe një diell që ta përvlonte lëkurën n’ ora tetë… Me një detë që i joshte fëmijët të notojnë, të luajnë, të theken dhe ta harrojnë atë shkollë që i torturonte me detyra të shtëpisë…
Sipas thirrjes që kisha marrë, të gjithë ne që do punonim në Solsta duhej të paraqiteshim pesë ditë para kohe, t’ i shihnim godinat ku do të flenim me fëmijët, ta shihnim menzën e përbashkët dhe, pasi të kuvendonim për secilin fëmijë veç e veç, t’ i mernim çelsat e dhomave ku do të flenim. Secili udhëheqës duhej të flente në po të njejtën vilë ku flenin edhe fëmijët e “tij”. Vetëm drejtori me të shoqen flinin në një vilë të veçantë.
Më në fund, erdhën fëmijët dhe skllavëria ynë mundej të fillonte. Jo vetëm drejtori, por dhe kuzhinjerja sëbashku me ne, pesë pedagogët e rinj, duhej të punonim nga dymbëdhjetë orë në ditë, sepse në mesin e atyre që na kishin ardhur kishte edhe duhanxhinj, rrugeçër, maniakë, ligistë e të paprindër, që s’ kishin tjetër punë pos t’ i thenin rregullat e shtëpisë Për të qenë e keqja më e madhe, që nga ora gjashtë e mëngjesit na binte mbi kokë një diell i fortë, mesdhetar, dhe ca nga të rinjtë filluan të na sëmuren. Aq i ngrohtë ishte deti, saqë kuzhinjeret, menjëherë pasi i lanin pjatat,shkonin e laheshin lisho në detë për ta freskuar trupin dhe për t’ i ripërtëritur forcat e humbura. N’ atë mënyrë ato edhe shtrydheshin nga pak me dashnorët e tyre…
Një të shtunë, pas kush e di sa ftesash që i kisha bërë, Lili më njoftoi se do të vinte ca ditë. Ajo s’ ishte e prirur të ikte nga shtëpia, po duke qenë se ishim në prag të Mesverës, që këtu kremtohet në fund të qershorit, kishte vendosur ta kalonim sëbashku. Do rrinte nja dy tri ditë dhe pastaj do t’ ikte n’ Irlandë me të motrën.
U gëzova shumë. Thirrja e saj, madje, më entuziazmoi deri n’ atë gradë, sa që fillova ta gënjej veten se moti i mirë, natyra e bukur dhe dashuria që ushqente për mua ia kishin ndërruar mendjen. Me ato shpresa në kokë, vajta në zyrën e zotit Drejtor dhe i shtrova problemin ashtu siç ishte.
” Çfarë ndodh,” i thash, ” nëse vajza që dua ta marr për grua, vjen e rri me ne gjatë verës? Kuptohet, duke na ndihmua dhe duke paguar për pjatën e saj?”
” Ça djallin mund të ndodhë,” më tha ai.” Ne s’ mund ta punësojmë Lilin, sepse ate punë e bënë Zyra e Mirëqenies Sociale, por kemi mundësi ta ushqejmë falas dhe ta respektojmë sipas punës që bën. Përndryshe, ajo mund të flejë në dhomën tënde dhe të përgaditet për provimet që nuk i ka dhënë. Bën mirë ta prezantosh si gruan tënde, se ashtu është më e natyrshme për fëmijët.”
” Shumë të falemnderit,” i thash. ”Nuk kam të dhëna që pajtohet, por të falenderoj për mirëpritjen tënde.”
Ajo erdhi ditën e premte, me autobusin e orës dymbdhjetë. Duke qenë se fëmijët kishin ikur në pyll për të mbledhur lule me të cilat do ta zbukuronim lisin e Mesverës, vendosëm që unë të dilja e ta prisja në Norrtelje. S’ ka nevojë të them se e zura për beli dhe – ashtu siç kishim bërë gjithmonë, duke u puthur si të dehur, dhe u vrarë në bebzat e njëri tjetrit – e shoqërova deri te dhoma ime dhe i dëftova se ku mund të na gjente pasi të vishej me rroba më të lehta për atë kremte të madhe.
Ajo ishte e lumtur që na gjeti n’ atë atmosferë dhe, me të ardhur në lëndinën ku do të vallëzonim, iu prezantua të gjithëve si e fejuara ime. Të rinjtë, të shoqëruar nga drejtori, kuzhinjeret dhe kolegët e mi, po merreshin me zbukurimin e lisit që do të ngritej përpjetë dhe, pasi të hanin ushqimin e përgaditur me kohë, do të ndaheshin në grupe, do bënin gara, do të këndonin dhe do të vallëzonin njësoj si të parët e tyre vikingë.
Ajo ishte tërë kohën e qeshur, e këndshme, miqësore dhe sillej me të gjithë sikur i kishte njohur me vite.Ishte një qenie sociale dhe, si të gjithë tjerët, na ndihmoi ta zbukuronim lisin me lule dhe pastaj të vallëzonim rreth e përqark tij.
Në mbrëmje, pasi hëngrëm darkë dhe i shoqëruam të rinjtë nëpër dhomat e tyre, ne, të paisur ma batania, sandviçe dhe nja tri katër birra, e kaluam detin me varkë dhe u shtrimë në lëndinën e një ishulli të vogël, që gjendej përballë plazhit ku laheshim me fëmijët. Pas tri javësh që kisha bërë n’ atë vend, unë isha thekur si mishi që piqet në hell. Por as Lili s’ ishte më keq.
Kjo ishte hera e parë që po ballafaqohesha me një femër që pak minuta më parë kishte notuar lisho dhe tani më qeraste me krahët, kofshat dhe sisat e saj të lagura, të cilat dielli ia kishte shndërruar në qeramidhe. Do t’ isha gënjeshtar nëse pohoj se Lili, ashtu e thekur në diell, nuk më la përshtypje të mirë.
” Kam qejf të lahem lisho,” më tha.
” Një lypës i shëndoshë është më i lumtrur se një mbret i sëmurë,” i thash. ” Një kohë e një vakt, tani s’ po më kujtohet viti, një miku im më pat dëftuar se ju kanë qejf ta përjetoni natyrën pa rroba në trup.Ne, shqiptarët, jemi më të përmbajtur.”
Atë natë e kaluam sëbashku…
Aty nga ora pesë e mëngjesit i mblodhëm bataniat dhe ikëm te shtëpia. Pasdite isha i lirë, sepse Drejtoria e Përgjithshme e Ishullit të Fëmijve, në bashkpunim me organizatat sportive, e kishte caktuar ditën e Shën Gjonit si ditë atletike dhe sportesh. Atë ditë, të gjithë fëmijët që rrinin nëpër vilat e ndryshme të ishullit, duhej të mblidheshin në Höjden dhe t’ i matnin forcat në vrap, gjuajtje të diskut, gjuajtje të gjyles, kërcim, volejboll, handboll e futboll. Edhe motrat kuzhinjere ishin të lira, sepse të rinjtë, pas garave sportive, do të hanin darkë sëbashku dhe do të mernin pjesë në një festival, në të cilin do të këndonin disa nga këngëtarët më të njohur të rrethit. Për të mos rënë në sy, gjatë kohës që kolegët e mi po hanin drekë, hyra në kuzhinë, mora ca sandviça, një sheshe verë dhe dy batania që na duheshin për t’ u mbuluar natën. Bënte ngrohtë dhe s’ të dilej nga uji.
Tërë pasditën e kaluam n’ atë ishull të rrethuar nga shushurima e valëve të detit dhe klithmat e pulëbardhave. Tani që ishim të vetmet qenie n’ atë qoshe të detit, se tjerët ishin në festival, ne kishim tërë kohën e të Madhit Zot për ta prekur edhe të ardhmen tone, por Lili I shmangej asaj teme. Edhe tani po më kujtohen çastet kur ma mbyllte gojën me dorë dhe më shtynte në detë. Herë më shtynte në detë, here më joshte nga vetja.
Pastaj, pasi notonim cackëz pranë njëri tjetrit, ngroheshim në diell e kujtonim kohën kur ishim më të rinj. Ashtu e plotë, e thekur si buka mbrume, e lazdruar, e sjellshme, ajo më shtrihej pranë dhe unë ia ledhatoja faqet e djegura në diell, qafën e gjatë dhe gjirin që prore s’ kishte ushqyer asnjë fëmijë. Nuk e dija që ajo ishte pasdita ynë e fundme. Unë prisja që ajo pasdite të përsëritej edhe nesër, edhe pasnesër, edhe krejt qershorin, krejt korrikun, deri sa të vinte gushti dhe ne, pasi t’ i ndërronim unazat, të shpërnguleshim në ndonjë lagje të bukur të Stockholmit. Për ca arsye që s’ i kam të qarta, nuk ëndërroja të plakemi në shtëpinë e prindërve të saj.
Ajo, pra, ishte e paqetë, por gjithnjë e qeshur. Herë pinte verë, herë insistonte të bënim dashuri, edhe pse të dy ishim të ngopur me ledhatime dhe luteshim në heshtje për diçka tjetër, për diçka që ishte tmerrësisht e pamundur.
Në mbrëmje, para se të ktheheshim në vilën ku jetoja me fëmijët, ajo m’i muar duart në duart e saj dhe më pa me një buzëqeshje që kufizohej me një dhembje memece.
“ Dëgjo këtu,” tha.“ Unë e di se më do shumë. Edhe unë të dua njësoj. Por kjo dashuri s’ është e mirë as për mua, as për ty. Pikërisht për këtë arsye duhet të iki prapa. Sëpari në Stockholm, pastaj n’ Irlandë, pastaj njëzot e di se ku…”
Shtanga përsëri.Njësoj si atëherë kur dolëm nga provimi dhe ajo, në vend se të ma thonte të vërtetën, duhej të ikte në shtëpi.
“ Ç’ është kjo që s’ e kam të qartë, o Lili?” e pyeta. ” Përse djallin duhet të ikësh në Irlandë, kur Irlandën e ke përpara këmbëve? A s’ mund të martohemi e të rrojmë bashk përgjithmonë?”
“ Jo, s’ mundemi,” tha ajo dhe u shkreh në vaj. “ Unë duhet të shkoj n’ Irlandë dhe të mentohem për ate që vjen pas kësaj.”
“ Ajo është e drejta yte. Ti e di se ku më ke,” i thash.
Të nesërmen pasdite, duke u ngjitur në autobusin që do të shkonte për në Stockholm, ajo më preku me ballë dhe përsëri u shkreh në vaj.
“ Faleminderit për këtë mesverë,” tha me sy të lodhur nga pagjumësia. “ Nuk e di se ku dhe kur do të shihemi përsëri, por kjo ishte dhe do të mbetet mesvera ynë.”
“ Është e vërtetë,” i thash. Dhe e kafshova buzën e poshtme.

*
Lili iku dhe kurrë s’ u kthye prapa. Tani që jam ulur dhe po e gërvisht fytyrën e saj në akull,kam përshtypje se isha gjykatës i padrejtë. Çka dija unë për jetën dhe dashurinë? Çka dija unë mbi pykat që hyjnë midis njerëzve si rezultat i keqkuptimeve?
Atëbotë isha më ri, më i papjekur. Si meshkujt, ashtu dhe femrat, i doja dhe respektoja ashtu si më kishin mësuar prindërit e mi. Por Lili s’ ishte shqiptare dhe ishte rritur me mijëra kilometra larg vendlindjes time. Ajo më donte sipas rendit që kishte mësuar nga prindërit e saj. Mjerisht, ajo që unë dëshiroja të ndodhte midis nesh ishte e pamundur dhe unë, nga zhgënjimi që do përjetoja gjatë verës, nxora përfundime tjera.( vazhdon )

Fragmente të nxjerra nga veprat ”Reflektime të pathëna të një shkrimtari” dhe ”Gjymtyrët e një vetmie”.

Ramadan Rexhepi