Kreu i bankës më të madhe të Amerikës: Qeveria duhet të shkatërrojë kriptovalutat – Telegrafi

0
87

Kreu i bankës më të madhe në Shtetet e Bashkuara goditi kriptovalutat në një seancë dëgjimore të Kongresit amerikan, duke sugjeruar se e vetmja arsye pse ekzistojnë kriptomonedhat janë financimet e paligjshme, duke i bërë thirrje qeverisë të “shkatërrojë” industrinë prej 1.7 trilion dollarësh.

Në një seancë dëgjimore përpara një paneli bankar të Kongresit, CEO i JPMorgan Chase, Jamie Dimon, pasuria e të cilit vlerësohet 1.8 miliard dollarë, tha se është “thellësisht kundër” Bitcoin dhe kriptovalutave në përgjithësi, raporton forbes.

Dimon deklaroi se kriptovalutat iu shërbejnë “kriminelëve, tregtarëve të drogës dhe individëve të tjerë keqdashës që përpiqen të shmangin taksat dhe ligjet e pastrimit të parave”.

Dimon është kundër kriptovalutave pavarësisht përfshirjes së konsiderueshme të JP Morgan në teknologjinë blockchain, e njëjta teknologji që fuqizon Bitcoin dhe monedha të tjera digjitale, siç është shërbimi i tyre i mbajtjes së të dhënave “JPM Coin”.

Mbështetja institucionale për kriptovalutat si një klasë investimi është rritur këtë vit, pasi firma të tilla si BlackRock dhe Fidelity depozituan kërkesat e tyre për të hapur këmbimore.

Bitcoin është rritur më shumë se 165 për qind këtë vit – niveli më i lartë që nga muaji prill i vitit 2022 – pavarësisht problemeve të fundit të këmbimoreve më të mëdha në botë, FTX dhe Binance. /Telegrafi/