Tifozëve të Santosit nuk u del inati me presidentin, e shpëton policia

0
30

Tifozët e Santosit e kanë të pamundur të përmbahen në këto ditë të errëta. Rrëzimi i skuadrës së tyre të zemrës për herë të parë në historinë 111-vjeçare në divizionin e dytë të futbollit brazilian, i ka tërbuar.

Futbolli në ato anë është më shumë se një fe, dhe çdo sukses apo dështim përjetohet në maksimum. Mbështetësit e bardhezinjve u përplasen me policinë dhe dogjën mjete të ndryshme pas verdiktit të dhimbshëm.

Me një nga skuadrat ikonike të Brazilit që sezonin e ardhshëm nuk do të jetë pjesë e elitës në tokën e futbollit.

Tifozët e Santosit i kanë idetë e qarta në lidhje me fajtorin kryesor të këtij dështimi historik. Ata fajësojnë presidentin e klubit, Andres Rueda. Dhe menjëherë kanë nisur aksionet kundër tij.

Përveç kërcënimeve, shumë prej ultrasve të Santosit janë nisur drejt zyrave të klubit në kërkim të Ruedas, ndërkohë që zona është rrethuar me shpejtësi nga forcat policore.

Që në një farë mënyrë ja kanë dalë të shpërndajnë turmën e zemëruar në kulm. Masat e sigurisë janë forcuar ndjeshëm ndërkohë që kreu i klubit ndodhej brenda gjatë sulmit të tifozëve të dëshpëruar./ Super Sport


Top Channel