SHPËRNDAJE

Banka më e madhe zvicerane UBS është njëherësh më e madhja në mesin e bankave private në gjithë botën. Kështu ka konstatuar një studim i realizuar nga firma këshilluese e Londrës “Scorpio”. UBS, sipas ranglistës së bërë, ka administruar në vitin 2016 më së shumti pasuri të klientëve të pasur privatë në botë.

Kështu, kjo bankë në trezorët e saj ka pasur 2100 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa banka që zë vendin e dytë, ajo “Institue Bank of America” ka pasur 1970 miliardë dollarë. Në vendin e tretë sipas kësaj rangliste është banka “Morgan Stainley”, e cila në vitin 2016 ka administruar 1950 miliardë dollarë.

Ndër bankat e mëdha rënien më të madhe e ka pësuar Deutsche Bank, e cila, me 227 miliardë dollarë brenda një viti ka rënë nga vendi i dhjetë në vendin e 16-të.

25 bankat më të mëdha private në botë administrojnë, marrë së bashku, 13.300 miliardë dollarë të klientëve me pasuri prej më së paku një milion dollarë secili. Me këtë pasuri, bankat në fjalë praktikisht mbulojnë afër dy të tretat e gjithë tregut botëror.