Rama e falënderon Scholzin për Procesin e Berlinit: Shqipëria e përkushtuar ndaj këtij procesi si platforma kryesore për bashkëpunim në Ballkan – Telegrafi

0
35

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për kthimin e Procesit të Berlinit, duke thënë se është platforma kryesore për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor.

Me rastin e Kongresit të Partisë Socialdemokrate në Gjermani, Rama ka thënë se Procesi i Berlinit është vetëm një nga sukseset e kancelarit Scholz në Ballkan.

Ai tutje është shprehur se Shqipëria do të mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi.

“Me rastin e Kongresit të SPD-së në Berlin, falënderoj sinqerisht kancelarin Olaf Scholz për udhëheqjen e tij. Procesi i kthyer i Berlinit është vetëm një nga shumë sukseset e miqve dhe aleatëve tanë në Berlin. Shqipëria do të mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi si platforma kryesore për bashkëpunimin e nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar kryeministri shqiptar në rrjetin social “X”.