SHPËRNDAJE

 

 

në fillim ishte uria. Pastaj erdhën shirat, vetëtimat, breshëria, përmbytjet, mitet, përrallat dhe, në fund, pikëpyetjet. Ç’ ishte e vërtetë dhe ç’ ishte gënjeshtër? Ç’ ishte e mundur e ç’ ishte e pamundur?
Nëse s’ prish punë ta krahasojmë rrëfiminme një lumë që lindet nën plisin e një mali të veshur me borë dhe vdes atë çast që përzihet me ujrat e detit, unë do të thoshja se rrëfimi, para se të shndërrohet në një qenie që ndjek shtratin e vet dhe na magjeps me valët e tij, duhet të shtrohet mbi letër dhe të komponohet me po atë passion me të cilin koponohet e lidhet një ardabil i mëndafshtë persian.
Tani që kanë kaluar dhjetë vjet nga koha kur bëja orvatjet e para për të shkruar ndonjë rrëfim ose novelë të shkurtër, po e kuptoj më mirë se sa i natyrshëm isha në gjirin e popullit tim. Është e vërtetë ses’ isha i përgaditu për atë mision të rëndësishëm – se na inkurajonte kush ta ruanim gjuhën amtare apo na këshillonte të shkruanim ndonjë rrëfim, novelë apo roman – e megjithate, koka ime ziente nga përrallat që kisha dëshirë t’ i shkruaj dhe t’ ia fal popullit tim.
Ajo që po më nxit t’ i ndjek binarët e kësaj teme nuk është vetmia, me të cilën natë për natë zhvilloj debate të ashpër, por prezenca e atij arsenalit të veglave e figurave që duhet të gërshetohen me njëra tjetrën për t’ i dhënë jetë atij qilimit që duhet të pezullojë midis tokës dhe qiellit. Pa marrë se ajo që dua të them tingullon qesharake, edhe vetë kam zënë ta ndiej veten si ai miku që endej nëpër muret e kështjellës Helsingör dhe kuvendonte mevetveten. A po ju kujtohet?To be or not to be. Sikur të mos egzistonte ajo shprehi e flamosur, që zien si vullkan në shpirtin tonë, as Shekspiri nuk do ta përdorte.
Kjo dëshmon se monologu i brendshëm, gjegjësisht debati që zhvillojmë në kokat tona, është një vegël e sofistikuar poetike, të cilën kush më pak e kush më shumë, e kanë përdorur të gjitha pendat e njerëzimit. Duke u nisur nga vetëdija e dëshmuar se në trurin e çdo njeriu rriten vjersha, shkruhen ligjërata dhe zhvillohen drama të karaktereve të ndryshëm, një varg autorësh botërorë, si Lev Tolstoy, Marcel Proust, Viliam Faulkner, James Joys e Eyvind Johnsson, e kanë përdorur për ta pasqyruar sa më mirë botën shpirtërore të personazheve të tyre.
Ç’ është, atëherë, monologu i brendshëm dhe si ta formulojmë me fjalë më të thjeshta?Monologu i brendshëm është lufta që zien në kokat e figurave tona qendrore, të cilat ne, me ndihmën e fjalëve, i gdhendim në letër dhe i trajtojmë sikur janë të gjalla.Ajo, pra, është llomotitja dhe dërdëllisja e tyre.
Edhe ne, të gjallët, zhvillojmë monologje të brendshme.Jo vetëm lidhur me problemet tona jetësore, konfliktet e përditshme, por edhe me karakterest që ngjallim në letër. Duke debatuar tërë kohën me vetveten, autori, për t’ i pasqyruar sa më mirë, përpiqet të njihet dhe të afrohet me personazhet e tij. Ai do të hyjë në kokat e tyre dhe të na raportojë për ato që ndodhin brenda.
Me pak fjalë, rrëfimi, qoftë i shkurtër apo i gjatë, ka njëqind e njëmbëdhjetë fytyra dhe s’ mundet të egzistojë vetëm me kujtime e replika që janë thënë në të shkuarën. Ai shtron me ngulm kërkesa të reja e të gjithanshme. Pikërisht për këtë arsye ai do të gërshetohet me elemente si përshtypja autentike, pikëvështrimi, replikat, pamja fiziologjike e figurave, emrat e lëvizjet e tyre, në mënyrë që ta qartësojë figurën qendrore. Fjala vjen, nëse Rina – njëra nga figurat e Jakov Xoxës – ësht e gëzuar apo pikëlluar, ajo duhet të reagojë jo vetëm me kokë por dhe me ndonjë gjymtyrë tjetër të trupit. Ose duke qeshur, ose duke qarë. Pse? Sepse duke e gërshetuar një emocion të brendshëm me një gjest apo replikë të ëmbël, Xoxa do të afrohetme lexuesin dhe të ndikoj te ai.
Ashtu siç e kam shtruar këtu, monologu duket një instrument i lehtë pune, të mos them i shijshëm si llokumi, por duke marrë parasysh se një pasqyrim autentik i ndërdijes është shkencërisht i pamundur, cilido krijues e kupton se ai shpesh herë ndikon negativisht në rrokullisjen e veprimit. Kjo bie në sy edhe më shumë kur autori identifikohet me figurën e tij qendrore dhe i shmanget përshkrimit të dukurive të jashtme. Atbotë, thotë një kritik letrar, rrota e veprimit ngecë në vend sepse rryma e ndërdijes nuk mundet ta shtyjë përpara.
Po të kthehemi atje ku ishim, duhet konstatuar se rrëfimi nuk është tjetër veçse një pasardhës i përrallave që na dëftonin gjyshet tona. Atë çast që gjyshja Habibe e hapte gojën dhe thoshte – na ishte një herë një mbret – ne e dinim se mbreti ishte një burrë i mirë dhe kishte tre djem; dy djemt e mëdhenj ishin qyqarë, djali i tretë ishte i mençur, vajza me të cilën do martohej ishte e bukur dhe lozonjare, ndërsa xhindët ishin të llaharshëm dhe mizorë.
Ashtu si dhe përralla, rrëfimi nuk duron rrëmujë në mesin e karaktereve. Protogonsiti kryesor duhet të jetë si djali i tretë i mbretit, bartës i virtyteve të mira, trim, i mençur, guximtar, ndërsa tjerët, njësoj si bijt e mbretit, mundet të jenë edhe frikacakë. Ata, edhe ashtu, nuk e shtyjnë rrëfimin përpara. Ate e bën veprimi, ngjarja. Asisoj, karakteret rriten, fisnikerohen ose vdesin me vetë ngjarjen.
Po lexoj se zoti Eyvind Johnson, njëri nga shkrimtarët më të respektuar suedezë, ka qenë mjeshtër i madh i përdorimit të këtij instrumenti. Unë do të dëshiroja ta studjoj teknikën që ka përdorur në novelën ” Sqarim mbi rënien e një ylli”, por hëpërhë nuk po më lejojnë obligimet tjera.
Jemi në mesin e muajit maj, por gjithnjë s’ e kemi përjetuar ndonjë ditë të ngrohtë, me diell mesdhetar. Unë medoemos duhet të shkoj n’ Uppsalë dhe të konsultohem me docenten Karin Davidsson lidhur me planet e mia për studime të matejshe. Do bëja mirë t’ i lajmërohem edhe zonjës Gun Bergman dhe ta pi një kafe me të. Po para së gjithash dua ta takoj Vezirin dhe Lefterin e të shoh se ku mbeti ajo deshira e përbashkët për ta vizituar Shqipërinë…

11. Gjurmët çojnë të qenët

Sot, për herë të parë në jetën time, në vend se ta shkruaja pastër ”Zonjushën Zhulí”, siç e kisha ndër mend, provova ta lexoj një roman detektiv shqiptar, të cilin ma kishin nisur ata të Ndërmarrjes Shtetërore për Botimin e Librit. Sikur ta dinin qënuk i dua romanet ” kriminalistik”, ma kishin futur në paketë edhe një ekzemplar falas, me shpresa se unë, që po jetoj në një vend kapitalist, do të mësoja sa të zgjuar janë sigurimcat e Enver Hoxhës.
Me sa duket, ky është romani i parë detektiv i Shqipërisë Socialiste dhe titulli i tij është bombastik. ”Gjurmët çojnë te qenët”, kështu quhet romani.
Kushdo që ka patur rast të njihet me ndonjë të arratisur shqiptarë – e njëri prej tyre jeton në Uppsalë – e ka të qartë se vrasësit, kriminelët dhe reakcionarët janë zhdukur nga fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Ata i ka ”zbuluar” ”pushteti popullor”, ua ka lidhur duart, dhe i ka shpërndarë nëpër burgje e kampe të përqëndrimit. Kjo, pra, nuk do të thotë se edhe shpellat e stanet janë pastruar nga reakcionarët. Mos tjetër, ata duhet të egzistojnë për hatër të atyre qindra e qindra kallëzuesve që ka angazhuar Minsitria e Brendshme nëpër fshatrat që gjenden afër kufirit. Përndryshe, sikur qeveria e shokut Enver të jetë e sigurtë nga reakcionarët që rekrutojnë shërbimet e fshehta jugosllave, amerikane e ruse, ajo s’ do të mbante me rrogë njëzet e tetëmijë anëtarë të Partisë së Punës, të cilët s’ kanë tjetër punë pos t’ i ndjekinn shqiptarët e ngratë.
Përshtypja: një krijim i kotë, partiak, i trilluar kundër qytetarëve të pafajshëm shqiptarë. Si drama, ashtu dhe zgjidhja që i jep autori, dëshmojnë qartë se ajo ”kryevepër” e zhanrit kriminalistik është shkruar nga një epror i Ministrisë së Brendshme, i cili, për t’ u arsyetuar para eprorëve, ja e ka shkruar vetë, ja e ka porositur te ndonjë vartës që e shet talentin me pare. Protogonistët e romanit janë vrasës dhe reakcionarë të mëdhenj, ndërsa barinjtë, kooperativistët, fshatarët dhe bijt e “popullit” janë të mençur dhe guximtarë.
Me pak fjalë, një prodhim bajat, që ka për qëllim ta reformojë mendjen e popullit shqiptar me ndihmën e dhunës. E keqja është se Enver Hoxha, nëse vazhdon kështu, do ta kthejë Shqipërinë prapa në Epokën e Gurit të Pagdhendur. As ne, ”kosovarët”, s’ jemi më të mirë. Jo një herë, por disa herë, kam parë se si vëllau ia nxjerr sytë vëllaut të vet për hiçgjë, por atë çast që ia ze rrugën Serbi, atij i këputen këmbët nga frika.
Sidoqoftë, kam përshtypje se një i ri shqiptar, çfarëdo edukate të ketë marrë nga familja e tij, nuk mundet të jetë aq mizor sa na dëfton autori. Pajtohem se çdo shoqëri njerëzore ka dhunues, plaçkitës, vrasës e kriminelë, por ata s’ mund të jenë aq të vrazhdë e kriminelë si na i dëfton autori i atij ”romani”.

12. Nuk ishte e shkruar

Jo, nuk ishte e shkruar. të shkoja shkova n’ Uppsalë. Edhe pse kisha nxjerrë nja dy bluza, një këmishë, një triko, tri palë çorapa, një furçe të dhëmbëve e dy vëllimet e “Historisë” së Herodotit, rrethanat familjare më detyruan të qëndroj në fshat. Sipas planeve të mëparshme, duhej të ikja me trenin e mbrëmjes, ate që shkonte më gjashtë e pesë minuta të mbrëmjes, por unë u detyrova të dal e ta kthej biletën. Arsyet: Nina ishte pa qejf.
Përndryshe, në mëngjes kërceva nga krevati, i rash fshatit rreth e përqark dhe vazhdova t’i lexoj ato pak faqe që më kishin mbetur nga “detektivi” shqiptar. Mu n’ ato çaste dëgjova zërin e mbytur të Ninës.Ajo sikur s’ donte të shkonte në punë.
E hodha librin anash dhe vajta në dhomën e saj.
” Ç’ kemi?” e pyeta.” Sikur s’ dashke të shkosh në punë?”
” Jo,” tha me zë të dërrmuar.” Paskam dhembje të madhe në trup. Mos prito të ma zgjatësh kufjen, se duhet t’ i njoftoj ata të shkollës që do të rri në shtëpi.”
Unë ia zgjata kufjen dhe vajta në kuzhinë.
” Mos do ta bëj një çaj me xhenxhefile,” e pyeta.
” Jo, dua një çaj me menexhik,” tha ajo.“ Më fal se po të mundoj.”
“ Mos ma thuaj dy herë. Po sheqer do?”
“ Shumë sheqer e shumë menexhik,” tha ajo.
Kësisoj, Uppsalën e mori lumi dhe unë, pasi ia zgjata tasin e çajit, vesha xhupin e parë që gjeta dhe dola t’ i blej nja dy thela mishi e ca portokalle që mund t’ i bënin mirë.
Pasdite, pasi lava pjatat që kishin mbetur nga dreka, e zura “ Kënetën” e Fatmir Gjatës dhe vendosa ta lexoj edhe një herë. Unë e kam lexuar atë roman, gjatë kohë para se të katandisesha këtu, e di brendinë e tij, por atëherë s’ mundesha ta lexoj kadalë dale, pa më ngutur njeri, se libri ishte i zotit Adem dhe s’ mundesha t’ ia mbaj me javë. Tani që ma kishin nisur ata të Ndërmarrjes Shtetërore për Botimin e Librave kisha kohë sa të duash dhe mundesha t’ ia dedikoja disa ditë me radhë. E mira me këtë ekzemplar është se botuesi e ka paisur me shpjegime letrare, e keqja është se e kanë lidhur keq.Hala pa i gëlltitur pesëmbëdhjetë faqet e para, të tjerat filluan të këputen.
Përjashta frynte një erë e ftohtë.Natyra është gjithnjë e zhveshur, e sëmurë, e shëmtuar. Merre me mend! Jemi në muajin maj dhe pak gjëra po ma kujtojnë pranverën.
Tani që Nina është këndellur pak, kam nxjerrë një dosje të trashë, plot me letra të ardhura nga Londra, Kopenhaga, Viborgu, Koelni e Uppsala, të cilat nuk i kam sistematizuar sipas datave kur më kanë ardhur. Tani, pasi ua gjej datën, i ndaj në katër grupe dhe i shpërndaj nëpër dysheme. Këtë renditje kam dashur ta bëj qysh vitin e kaluar, por ligjëratat dhe provimet që më prisnin, nuk më leninta përmbushë detyrën. Po i gjurmoj datat dhe, herë pas here, sytë e mi – krejt padashur – ngecin në ndonjë rresht apo emër të atyre që më kanë shkruar.Të burgosurit janë – shqiptarë, autorët e letrae janë – të huaj… Suedezë, anglezë, danezë, finlandezë, gjermanë, amerikanë… Sejdi Kryeziu, Marianne de Lorenzi, Hydo Dobruna, Faik Mustafa, Anna Barrow, Irfan Vlashi, Paul Rimmerfors, Ali Aliu, Kadri Halimi, Ingrid Lilja, Adem Demaçi, Eva Moberg, Osman Dumoshi, Ingrid Saarivisto, Agim Jaka, Gabriele Zacharias, Xhemalie Demaçi, Frank Horner, Cecilia Ekstroem, Fehmi Murati, Stephani Grant… Etjerë, etjerë… Ca prej tyre i njoh, i kam kam takuar në Stockholm, të tjerët jetojnë në Finlandë, Danimarkë, Angli, Norvegji, Gjermani e vendet tjera.Unë s’ i kam takuar kurrë, por i dua dhe respektoj shumë se ma donë dhe respektojnë popullin tim.
Tani që po i palos letrat e tyre njërën pas tjetrës, sipas datave që më kanë ardhur, po ndiej keqardhje që kam qenë aq i zënë dhe nuk i kam falenderuar sa duhet. Atëbotë isha i zënë dhe s’ kisha kohë të jem i sjellshëm,andaj e kam humbur lidhjen me ca prej tyre, por unë jam gjithnjë i brengosur për vëllezërit e motrat që po dergjen nëpër burgjet jugosllave. Thuajse çdonjërit nga ata njërzë të huaj ia kam bërë të qartë se të burgosurit shqiptarë janë patriotë, jo stalinistë, veçse tani që po i bëj letrat bashkë, po e ndiej një therrje të lehtë në shpirt se, herë pas herekam qenë gënjeshtarë.Jo të gjithë ishin atdhetarë. Kishte në mesin e tyre edhe titoistë, stalinistë e enveristë.
Kjo është dhe arsyeja pse po i tuboj në zarf: që t’ ua dërgoj atyre që merren me të burgosurit politikë shqiptarë me një shpjegim – se unë jam mbështetur në procesverbalet e gjykatave jugosllave. Mjerisht, sot nuk po i ha palla kujt për një organizatë si ”Amnesty International” dhe një Evropëe tërë është me prezidentin jugosllav, të cilin po e furnizojnë me armë e para të Fondit Ndërkombtar.

13. Daja Shaban

Pishnaja që kam përpara është poaq e madhe sa dhe deti. Ngado që i kthej sytë, nuk shquaj tjetër pos pisha të drejta e të gjatadhe aty këtu ndonjë liqen të vogël, ngjyrë lëpushe të egër. Mrekullia që kam përpara m’ i ka vrarë të gjitha fjalët në gjuhëdhe s’ po di çka të shënoj në këtë faqe. Kjo natyrë iu përngjanë përrallave. Ka këtu lloj lloj zogjësh, kafshësh e surprizash, por fare pak njerëz. Për të qenë e keqja më e madhe, ata, edhe kur i takon njeriu në pyll, nuk të flasin si bota, por menjë zë të ndrojtur, që nuk është as frikë, as turp. Hej, hej – dhe basta. Kjo botë gjendet në fund të vetmisë së madhe dhe mundesh të mrizosh me javë, për pa të shqetësuar njeri.
Sot kam marrë letër nga daja Shaban.Shaban Neziri. Atë njeri e kam dashur sikur ta kisha babë, sepse kishte miqësi me tim atë dhe, pasi e pinte një kafe te ne, gjithmonë ikte kodrëspërpjetë. Atëbotë unë isha katër pesë vjeç,të huajt shkonin e vinin, dhe isha tepër i vogël për t’ i kuptuar ato që ndodhnin rreth e përqark meje. Por dajën Shaban s’ e kam harruar, se sa here që vinte, ai, akoma pa e kaluar shelgun e abës Fetë,më thërriste në emër. Për dallim ngadaja Nezir, ai ishte i gjatëdhe gjithmonë i armatosur me një automatik gjerman.
Biografia e dajës Shaban është si filmat amerikanë. Si të gjithë shumica dërmuese e shqiptarëve, ai ishte ushtar i Mbrojtjes Kombëtare dhe, me të mbaruar lufta, përfundoi në burgun e Nishit. Atje njihet me një oficer shqiptar dhe i premtojnë njëri tjetrit se do të arratisen sëbashku. Çdo mëngjes, para se t’ i hipnin në tren e t’ i dërgonin në punë, policët serbë i lidhnin dy nga dy, në mënyrë qëshqiptarët, edhe nëse provonin të iknin, të mos iknin shumë larg, se do t’ i shihnin fshatarët që jetonin rreth e përqark.
Por kjo nuk i pengoi dy shokët e lartpërmendur që një mëngjes, deri sa treni i ngarkuar meqindra të burgosur politikë kalonte përskaj një are të mbjellë me misër, të kërcenin nga vagoni i mallrave dhe ashtu të lidhur me njëri tjetrin, të zhveshur si lipsat e të uritur si ujqit, të nisen drejt të Karadakut… Ajo, se si ecnin vetëm natën dhe ushqeheshin me tramakë misri,se si e gjetën një farkatar që ua hoqi prangat, se si erdhën deri mbi Norçë e u pajisën me bukë, para e rroba të trasha, dhe si e gjetën rrugën deri në Francë – është rrëfim i pashënuar i historisë shqiptare. Dhe s’ ia vlen të shkruhet, se nuk gjendet një gazetë apo revistë shqiptare që do ta botonte atë roman.
” Hajde,” më shkruan daja Shaban.“Eja të rrijmë e të shmallemi”.
” Do të vij, do të vij,” i shkrova unë, por nuk ia dëftova halletfamiljare, se s’ dua ta shqetësoj.
Dikur u lodha dhe mora më të djathtë.Duke ecur nëpër pyll dëgjoja oshtimat e erës që kohë pas kohe i lëkundte degët e pishave dhe i rrëzonte boçkat e tyre. Askund s’ pushonte ajo e flamosur.
” Si po e ndien veten,” e pyeta Ninën.
” Pakmë mirë,” më tha. ”Mos prito të na bësh edhe pak çaj.”
” Gjithësesi, ” i thash, duke e zënë ”Kënetën” e Fatmir Gjatës.
Përjashta vazhdonte era. Retë, të përzjera me mjegull e meshi, kalonin përmbi çatinë e Kishës protestante dhe shkonin drejt pishnajës për ta zbrazur ibrikun e tyre.
Aty nga ora nëntë e flaka ”Kënetën” dhe fillova ta përkthej një kapitull nga libri ”Kështu foli Sidarta”. Sipas traditës tonë familjare, unë duhet të jem mysliman, por më shumë e pëlqej filozofinë e atij që një herë ishte princ dhe pastaj çoi dorë nga gjithçka që blihej me lekë dhe me nder. Më pëlqen ta vras mendjen me gjëra që ma forcojnë kurajon dhe m’ i kujtojnë shokët e mi, familjen dhe vendlindjen e dashur.

14. Kështu foli Buda

Buda u mentua pak dhe tha:
Ashtu si armëtari që e bën harkun të fortë, edhe i urti duhet ta gdhend mendimin e tij. Ashtu si peshku që katandiset në zallë, edhe mendimi ynë hidhet lart, gulshon, rrokulliset dhe do të ikë nga dora jonë. Kjo është arsyeja pse duhet ta zbutim mendimin, se në të kundërtën ai sillet si peshku që pa dashjen e tij ka dalë nga uji.
I urti duhet të jetë i kujdesshëm me mendimet e tij, pasiqë ata janë të shkathët, dinakë dhe i gjithmonë shkojnë pas ndjenjave.Ai që di t’ i frenojë mendimet e tij është njeri shumë i lumtur.
Të gjithë ata që i frenojnë mendimet e tyre, që s’ përzihen me njerëz dhe që mrizojnë nën hijen e të vërtetës janë njerëz të lirë dhe s’ vuajnë nga dëshpërimi.
Atëbotë kur mendimet tona s’ janë të shprishura si delet në mal, dhe atëbotë kur truri ynë s’ është i koklavitur si lëmshi i penjëve, dhe atbotë kur ne s’ e ngatërrojmë të mirën me të keqen, mund të ecim rrugës me kokë përpjetë.
Duke marrë parasysh se shtati ynë është i ligshtë si saksia e lules dhe mendimi ynë është i fortë si kalaja, të keqen duhet ta vrasim me dituri, ta ruajmë me sy të hapur dhe të mos e lëmë të ngjallet përsëri.
Ah, sa shpejt do të ikim nga kjo botë dhe trupi ynë i pajetë, i pakuptim e i përbuzur si ashklat e drurit, do të shtrihet për toke. Asnjë nënë, asnjë atë, asnjë shok, nuk duhet të tjetë më i këndshëm se mendimi i zbutur.

15. Java e njëzetë

Më në fund: ikën retë dhe pushoi era. Qielli, amshueshëm i lartë, e ka nxjerrë gjirin e kaltër përjashta dhe ngrohet pranë një hëne të madhe.Bora po shkrihet dhe Jysna, e enjtur, e pezmatuar nga akujt, e ka mbushur shtratin e saj dhe nxiton drejt limanit të mbushur me peshkaregje.E tërë hapsira gumëzhinë dhe nxjerr një zhurmë të mbytyr nga shtrati i saj.
Këtë javë ishim të lirë. Sipas një rregullore të Bashkimit Profesional, Nina, gjatë javës së parë që ishte e sëmurë s’ kishte nevojë të shkonte te mjeku privat.Mjaftonte ta merte zëvendësdrejtorin me telefon dhe ta njoftonte që po mjekohej. Për fatin tonë të mirë, këtë fund jave janë edhe dhe rrëshajat dhe ajo gjithsesi do të parqitet në punë. Ajo ngordhë për ta zaptuar një divan e për t’ i përcjellë serialet amerikanë, kurse unë i preferoj më shumë novelat, romanet dhe monografitë. Me përjashtim të një drame të filmatizuar mbi Henrikun e VIII, të cilën e kam ndjekur katër netë me radhë, kohën tjetër e kam kaluar duke u sorollatur nëpër fshat.
Nuk e di pse, veçse Jysna ma kujton lëvizjen, ndryshimin, dialektikën dhe profesorin. Profesor Murteza Luzha ishte i zeshkët, i sjellshëm dhe shumë fisnik. Ai na jepte filozofi dhe shpeh herë na fliste për Heraklitin, për të cilin thonte se ishte njeriu më i mençur i botës. Sipas Heraklitit, njeriu kurrë s’ lahej dy herë në të njejtin lumë.
Kjo më dukej e çuditshme. Po edhe më e çuditshme ishte se Profesori, ajo krijesë aq e sjellshme dhe normale, me flokë të zinj si katrani, kur ishte i vogël, kishte rënë nga një man dhe përpak s’ kishte humbur jetën.Ah, sa më dhimbsej zoti Murteza. Ai e donte Heraklitin dhe s’ kishte orë që nuk fliste për te. Pa marrë parasysh se ishte keq i gjymtuar,ai, me shembullin e tij personal, përpiqej të na dëftonte se gjithëçka ishte pjesë e një ndryshimi: dimri bëhej verë, vera bëhej dimër, uji bëhej avull, avulli bëhej shi, shiu binte mbi tokë, toka avullohej përsëri dhe gjithëçka, gjithëçka, ishte pjesë e një dukurie ku përleshja puthej me harmoninë, jeta puthejme vdekjen dhe katastrofa puthej me ringjalljen. Jo, na thonte Profesori. Nuk lahemi dy herë në të njëjtin lumë, sepse uji ku hyjmë një herëka ecur përpara. Ka ndërruar hapsirë.
Janë bërë shumë vite që s’ jemi parë, thash më vete, duke u ngjitur shkallëve përpjetë. Nina ishte duke i ndjekur lajmet dhe po e hante një ftua.
” A di çka,” më tha.“ Paska dalë nga shtypi një përmbledhje e vjershave të Ho Çi Minit. Mos do t’i bëj peshqesh, se e ke qejf atë burrë të thatë.”
” Jo, falemnderit,” i thash. ” Po deshte të ma bësh një nder, do t’ ua dërgosh përmbledhjen e Ho Chi Minit atyre të Ndërmarrjes Shtetëror për Botimin e Librave dhe t’ iu lutesh t’ ia japin Enverit.”
” Po pse ashtu,” u habit.
” Që të mësojë diçka nga Ho Çi Mini. Për mua s’ ka rëndësi nëse Ho Çi Mini është marksist apo jo.E rëndësishme është se ai po bën çmos që ta çlirojë popullin e tij.Mjerisht, ate punë s’ po e bën ky tjetri. Dallimi midis tyre është interkontinental. Enver Hoxha sikur s’ ka tjetër punë pos t’ i keqtrajtojë kosovarët e ngratë dhe t’ ua kthejë Udbës jugosllave.”
” Kush të ka thënë ashtu, Lefteri?”
” Lefteripo kush tjetër.”
Dhe për të mos ndenjur kot, e zura të përditshmen ”Dagens Nyheter” e e shpalosa në faqen e katërt. Po, edhe Suedia po e bekon ikjen e kokëzinjëve italianë drejt Veriut. Po thonë se ”jugorët”, duke kërkuar punë në Evropën Perendimore, po e përmirsojnë standartin e tyre jetësor.
Eh, ta dinin punëtorët e inkuaruar ”përkohsisht” në Botën e Jashtme” se çka po i pret këndej, do mentoheshuin dy a tri herë para se të ngjiteshin në tren.Jugosllavia Federative po i gënjen shqiptarët se n’ Evropën Perendimore gjendet parajsa, por prapa gënjeshtrave të saj fshihet një kurth i prapë: ata donë që shqiptarët t’ i lënë gratë e fëmijët e tyrenë vendlindje dhe, n’ atë mënyrë, t’ i shprishin familjet pakë nga pakë. Po ikin shqiptarët e ngratë për pa e ditur se parat e tyre po shkojnë për kolonistët serbë në Kosovë dhe Maqedoni.
Ikni, vëllezër, ikni! Se duke ikur kështu, nga pesëdhjetë, nga njëqind, kush në drejtim të Turqisë, kush në drejtim të Gjermanisë, ne do t’ i përmbushim synimet e Naçertanjes.Se sikur të mos ishit ju dhe proletarët turq, Gjermania s’ do të lulëzonte kaq shumë. Vetëm këto dy vitet e fundit kriminaliteti është rritur, prostitucionipo lulëzon dhe Berlini po getoizohet. Të gjithë ata që kanë ardhur në Gjermani, Danimarkë, Angli, Holandë e Suedi s’ po vijnë për t’ u kthyer prapa, por për të mbetur.Kush e ka ngrënë një here bukën e Suedisë, s’ pranon kurrë të hajë bukë jugosllave. Ndoshta dhe me të drejtë, se ky vend ka vite që s’ ka përjetuar luftë. Suedia është një vend i bukur, ka fusha të rrafshta e bjeshkë të mbuluara me borë. Paçka se të gjitha këto mrekulli nuk janë tonat. Ato janë të popullit suedez.
Sado që ta mashtroj veten, ato s’bëhen të miat, sepse jam rritur në Kosovë.Atje gjendet djepi dhe varri im.

16. Parandjenja

Sot morën fund rrëshanat.Iku dhe kjo kremte, të cilën fshatarët e kremtonin dikur me pagëzime e martesa, dhe të cilën sot askush s’ e kremton si ditë fetare.S’ ka më qytetarë që e vrasin kokën për Jezu Krishtin, ditëlindjen e Kishës apo Shpirtin e Shenjtë.Megjithate, askush s’ ka kundër të rrijë te shtëpia dhe të pushojë nja dy ditë, qoftë edhe duke e lexuar një libër. Mos tjerëve, këto tri ditë na ikën neve me libra. Nina lexonte romane detektivë, unë e lexoja ”Kënetën” për të dytën herë.
Me sa duket, pranvera ka ardhur për të mbetur. Gjurmët e saj, sado të ndrojtura që duken, janë të qarta.Ajo ka lëshuar rrënjë në zemër të pishnajës dhe kushdo që kalon përskaj shkurreve e manaferrave të porsaveshurame gjethe, sheh edhe ndonjë vjollcë apo këmbëgjatë.
Këto ditë i kam rrënuar të gjitha iluzionet. Të gjitha. Kisha hyrë në pallatin e tyre si shumë shokë të mi, i bardhë, i zhveshur, i padjallëzuar, por tani po e kuptoj se s’ kemi çka presim nga Enveridhe autodidaktët e tij labë. Kushdo që e quan veten shqiptarë, duhet të jetë syhapur me ata sadomazohistë. Ata nga natyra më duken vrasës, kriminelë e sadistë. Të zhgënjyer nga përrallat e ustallarëve rus e jugosllavë, e kanë hedhur zarin në tasin e Kinës së Largët dhe po presin mëshirë. Natë e ditë po e shajnë Anglinë, Francën dhe Amerikën. Partia e shokut Enver s’ e ka hallin e popullit shqiptar, por hallin e Kinës së Madhe.Duhet të ndodhë një kiamet i madh që djemt e Enverit ta sakrifikojnë namin e tyre.Tani Shqipëria, me 702 miljonë kinezët e saj, po konsiderohet shtet i madh dhe xhaxhi Enver s’ i zhgul as një qime të thybës për ne. E tërë ajo pordhepiskamë që po nxjerr në revistën ”Marksiszmi do të trumfojë mbi Revizionizmin” prodhohet vetëm për axhaminjtëshqiptarë dhe aty këtu për ndodnjë epileptik të Evropës Perendimore.
Kushdo që mendon ndryshe duhet të jetë i marrë. Mirë e ka Adem Demaçi: Shqiptarët e Kosovës duhet vetë ta bëjnë Luftën Nacional– Çlirimtare.Ajo mbase do jetë e gjatë dhe e mundimshme, por është e vetmja që kemi në dispozicion. Këresa e të burgosurve politikë që të gjitha trevat shqiptare duhet të përfshihen në kuadrin e Kosovës është e vetmja që na mbetet. Përndryshe, ajo që shqiptarët ta kërkojmë Bujanocin, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Kërçovën, Gostivarin, Strugën dhe Ohrin brenda një territorit ë përbashkët, qoftë edhe autonom, do të pritet nga pala sllave si pacipësi. Paçka se ai opcioni tjetër, të cilin e diskutonim me Rexhep Elmazin, Haki Limanin e Qemal Kallabënështë momentalisht i parealizueshëm fare. Për pa u mbledhur të gjithë shqiptarët e Jugosllavisë në një shtet, ardhmëria ynë është poaq e mundur sa dhe Palestina e Lirë.
Të gjitha këto gjëra po i shënojjo se janë mendime të rralla të një strategu të shkolluar, por sepse janë leplebia për vetmiqarët. Vetë fakti se ”shoku” Enver është marksisti më i madh evropian dhe Shqipërinë do ta shëndrrojë në fanar drite duhet të na shqetësojë – të gjithëve. Edhe neve që jemi jashtë, edhe ata që janë brënda. Sipas fjalëve të Lefterit, femrat më të bukura shqiptare, para se të martohen me djemt shqiptarë, sëpari duhet të punohen nga minoritarët grekë, vllehët, evgjitët e Gjirokastrës dhe zezakët. Një ditë, kur të mbarojë kjo shkërdhatje e madhe,edhe ne mund të zbarkojmë në portin e Durrësit dhe ta ndiejmë veten si në Kongo Kinçasa.Hallall, o xhaxhi, se paske qenë njëmend ideolog i madh!..

16. Sfida shqiptare

S’ kisha ndonjëdëshirë të madhe për punë. Kështu ndodhë sa herë që Nina shkon në punë dhe unë konstatoj që jam fillikat dhe mund të bëj si të dua. Kisha ca dhembje të llahtarshme në supe dhe s’isha i sigurtë se do të punoja shumë. Sot më prisnin nja dy orë të gjuhës frengjishte, por ato fillonin vonë, pas orës gjashtë të mbrëmjes.
E zjeva një kafe dhe, pasi gjeta numrin që më duhej, e mora në telefon docentenDavidsson.
” Ah, dashke të vazhdosh,” tha ajo. ” Bën mirë. Zotrote je i regjur në çeshtje letrare dhe bën mirë të merresh me diçka serioze. Ate ma ka thënë edhe zoti Gunnarsson.Unë do t’ i nis ca informata me postë, ndërsa javën e ardhshme, kur të vijsh n’ Uppsalë, flasim për detajet.”
” Falemnderit,” i thash dhe ndeza një cigare.
E kisha në plan të përktheja diçka, mbase një kapitull të ri të ”Sidhartës” po ndërrova mendje.Vërtet isha i lirë paradite, po pasdite kisha dy orë mësimi. Vjen gruaja në shtëpi, do ta pijë një kafe me qumësht, por frigoriferin e gjen të zbrazët. Më mirë të shkoja deri në Ika e të psonisja diçka.
Përjashta binte një rigë e hollë shiu dhe xhadeja që kalon nëpër fshat shëndrinte si lëkurë ngjale. Qetësi e madhe. Boshllëk i madh. Asnjë njeri përjashta, asnjë makinë. Më dukej sikur isha njeriu i vetëm në fshat. Pak më tutje,përtej shelgjeve që e ndanin Jysnën nga rruga, ushtonin valët e saj dhe, sa herë që preknin ndonjë gurë të sjellë nga malet, hidheshin si të çakërdisurapërpjetë.
Aty nga ora pesë – pesë e gjysmë dola në qytet dhe mbajta orët e gjuhës frengjishte dhe, pasi piva një kafe me Karlin,ika drejt shtëpisë.
” Erdhe me vakt,” tha Nina.
” Po pse kështu?” e pyeta.
”Do ta shohimnjë program interesant,” tha.” Jan Myrdal paska qenë në Shqipëri dhe paska shkruar një libër interesant.Sapo e reklamuan në lajme.”
” Shyqyr që paskan marrë mund, ” i thash.
Të dhënat e saj dolën të sakta. Sonte, duke filluar nga ora nëntë, Programi i dytë zhvilloi një intervistë të gjatë me shkrimtarin Jan Myrdal lidhur me vizitën që i kishte bërë Shqipërisë dhe mbresat që kishte marrë nga ai vend.Shkas i asaj interviste u bë një libër që, sipas të lartpërmendurit, pritet të dalë nga shtypi këto ditë. Libri, nga sa kuptova, mbanë titullin ”Sfida shqiptare” dhe, përpos tekstit, ka dhe shumë fotografi që ka bërë zonja Gun Kessle.
Jan Myrdal nuk është krejt i panjohur. Bash përkundrazi, ai është njëri nga fëmijët e çiftit Gunnar dhe Alva Myrdal, dy intelektualëve të njohur suedezë, që në vitin 1934 themeluan ”politikën e begatisësuedeze” dhe punuan plot dhjetë vjet në përsosjen e librit të përbashkët ”Kriza në çeshtje të popullimit”.
Çuditërisht, as Jani i Ri s’ deshti të jetë më i keq se prindërit. Ai, sapo mbaron Lufta e Dytë,ikën nga Suedia dhe mer pjesë në ndërtimin e Beogradit të Ri, vazhdon pastaj në ndërtimin e hekurudhës Shamac – Sarajevë dhe, me t’ u kthyer në Suedi, antarësohet në Partinë e Majtë Komuniste.Se sa ka zgjatur romansa e tij me të Majtën Komuniste nuk e di, por e di se ai gjithnjë mbanë lidhje të ngushta me qarqet socialdemokrate dhe ka botuar shumë libra që herë janë pëlqyer, herë s’ janë pëlqyer.Ai më i fundit është “Raport nga një fshat kinez”, të cilin e ka lavdëruar kritika amerikane.
“Sfida shqiptare” është një orvatje e re për t’ i pasqyruar të metat, po dhe përparsitë, e shoqërisë komuniste në Shqipërinë e xhaxhit Enver. Si Jan Myrdal, ashtu dhe Gun Kesle, e shoqja, ishin euforik me përpjekjet që bënte Partia e Punës për zhdukjen e analfabetizmit si dhe industrializimin e vendit. Jan Myrdal, madje, çuditej që një vend i informuar si Suedia, një mbretëri goxha e madhe, s’ iu kishte kushtuar aspak vëmendje veprave të Enver Hoxhës. Shqipëria dhe Suedia, e ceku ai, janë dy vende evropiane, dhe ndonëse larg njëra tjetrës, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Si ai, ashtu dhe Gun Kessle, me libra në duar, dëftuan mbi përparimin që ka bërë Shqipëria në lëmin e bujqësisë, blegtorisë dhe arsimit.
” Pa sa iu përket fotografive, ato janë për t’ u dëftuar qytetarëve suedezë se shqiptarët janë populli më i pashëm në Ballkan,” tha fotografja e mirënjohur.
Gazetarja Vanja Baeckman mbeti gojëhapur.
” Kjo do të thotë se shqiptarët qenkan në rrugën e socializmit ideal?” thaajo me një dozë të pafsheuhur habie.
” Socializëm ideal është fjalë e fortë,” tha autori.” Por mënyra si po e ndërtojnë socializmin e tyre përputhet mirë me fjalën popullore – shtri këmbët, sa ke cergën. Socializmin shqiptar po e bëjnë njerëzit dhe jo makinat. Sikur shqiptarët ta kishin hallin e fitimit, do t’ i bënin rrugët me makina moderne dhe ajo do t’ iu kushtonte fare pak.Por ata nuk po luftojnë për ngritjen cilësore të xhepit. Ata po luftojnë për ngritjen cilësore të njeriut.”
Kush e kishte menduar që Shqipëria e vogël do bëhej kaq e madhe në Radiotelevizionin Suedez dhe prapa saj do të qëndronte një Jan Myrdal? Ata pak shqiptarë që jetojnë këtu, si Veziri, do të gëzohen shumë, sepse nuk i dinë saltomortalet e këtij popullisti që sot është radikal, nesër është ateist, pasnesër bëhet zëdhënës i të djathtës ekstreme.Një tjetër suedez do t’ ishte më i matur, më i rezervuar, por Jani është djalë e zonjës Myrdal dhe s’ ia ka kujt frikën.Ai është rritur në gjirin e një familje me nam,tërë kohën me kujdestare françeze, shkollën fillore dhe gjimnazin e ka bërë në shkolla private, me pasanikët më të mëdhenj të Suedisë, me djem e vajza të çifligarëve të shquar, kurse studimet universitare i ka rrumbullakosur në Amerikë. Ai ka fije që e lidhin me titoistët, maoistëte socialdemokratët, sepse prapa tij qëndrojnë dy emra të shquar.Me pak fjalë, ai e prezantoi Shqipërinë si flamurtare të barazisë dhe mirëqenies sociale.
Shtrohet pyetja: Kush është xhoker në këtë lojë, suedezi Myrdal apo sllavofili Hoxha?
Unë do të thoshja: suedezi Myrdal. Enver Hoxha është atje ku ishte, në pashallëkun e tij, dhe vazhdon t’ i rjepë shqiptarët me lëmoshat që ia dërgon falas Mao Ca Duni. Ai, që nga çasti që e ka njohur Miladin Popoviqin, ka qenë dhe ka mbetur serbofil. Jan Myrdal, nga ana tjetër, është afarist. Ai di të bëjë reklamë.Ai e di se librat më të shtrenjtë janë ata që merren me tabu tema.Sa më e shenjtë, sa më hynore të jetë tema, aq më mire e ha pazari. Kështu ndodhi me librin e tij “Raport nga një fshat kinez”.Në këtë libër, suedez Myrdal e lavdëron Mao Ce Dunin, por edhe e dëfton si mik të përbetuar të popullit amerikan.
Edhe “Sfida shqiptare”, që tani do të shquajgjatë kohë në vitrinat e librarive suedeze, do t’ iapërmirsojë financat. Ka mundësi që ai do të marrë edhe ndonjë dekoratë nga Partia e Punës, por ate s’ ka nevojë ta mësojmë ne, qytetarët e thjeshtë. Nëse deri dje ishte axhami dhe tifoz i “revizionistit”Josip Broz, këtu e tutje ai do të pritet në Shqipëri si kalorës i marksizëm – leninizmit dhe mik i ngushtë i “shokut” Enver.
Megjithate, ajo që gjithënjë s’ e kam të qartë pse duhej programi I sytë i Radiotelevizioni Suedez t’ i shpjegonte t’ i njoftonte shikuesit e tij se Shqipëria i ka shembur të gjitha kishat e xhamitë e popullit shqiptar dhe shumica e godinave janë shndërruar në salla të gjimnastikës?

17. Thirja

Unë kam qenë në Londër.Londra është e madhe.Kam qenë edhe në Paris.Parisi është më i vogël, por i mrekullueshëm.Kam qenë edhe në Kopenhagë.Kopenhaga është mendjemarrëse.Megjithate, unë do t’ ijepja të trija, që ta mbaja Uppsalën.Kush s’ e ka përjetuar Uppsalën, nuk e di përse po flas.
Treni që do më çojë n’ atë qytet erdhi me kohë. Janë shumë arsye që më kanë nxitur të hipi në tren dhe të iki për në Uppsalë, por ajo më kryesorja është – thirrja. Një thirrje e largët, të cilën s’ po di si ta emërtoj ndryshe pos si kërkesë unanime që të largohem nga udhëkryqi ku jam katandisur. Janë edhe ca arsye tjera, më pak të rëndësishme, që po më joshin të shkoj e të rri n’ atë qytet. Unë kam jetuar në Uppsalë, kam njohur gradhe burra të shkëlqyeshëm dhe, herë pas here, për ta flakur vetminë nga supet, duhet t’ i takoj njerëzit me të cilët kam ndarë bukë e kripë e botëkuptime të ngjashme. Në dorë të parë, dua t’ itakoj dymiqët e mi shqiptarë, Vezirin dhe Lefterin, e të çmallem me ta. Dua të ulemi diku e të kuvendojmë pak, të merremi vesh a shkohet dhe si shkohet në Shqipëri.Pastaj vijnë studimet.Unë duhet të këshillohem me zonjat Karin Davidsson e Gun Bergman, se ç’ mund të bëj për çeshtjen individuale. A mund të merrem me diçka që është n’ interesin e popullit tim? Nuk ka anglez apo gjerman apo italian në botë që s’ punon për vendin e tij. Ate e kanë bërë popujt tjerë, ate po e bëjnë edhe jugosllavët.Po pata mundësi, duhet t’ i kontaktoj edhe ata të organizatës Amnesty International dhe, para se t’ ua dërgoj letrat që kam në dorë, t’ ua marr adresën e saktë.
(Vazhdon)

Shkruan: Ramadan Rexhepi