Më pak taksa nga bashkitë! Planifikohet rritja e disa tarifave

0
67

Në 10 muajt e parë të këtij viti, bashkitë ngadalësuan mbledhjen e taksave, duke realizuar më pak të ardhura nga burimet e veta.

Nga plani i parashikuar janë mbledhur 2 miliardë lekë më pak, ndërsa taksa mbi pasurinë ka pësuar dhe një ulje me 4.2% në 10 mujor.

Në këto kushte një sërë bashkish, sidomos ato të zonave bregdetare por edhe ato që janë të përfshira në programin e menaxhimit të mbetjeve kanë përgatitur rritjen e një sërë tarifash si ajo e pastrimit dhe e gjelbërimit, apo të zënies së hapësirave publike. Për ekspertët kjo vjen si mungesë e financimeve nga qeveria qendrore

“Kjo është një nisëm që vjen nga lart dhe lidhet me pavarësinë vendore pasi lidhet me pjesën e turizmit, me pjesën e të mbajturit të ambientit të pastër, me menaxhimin e mbetjeve që kërkon financime ekstra përtej atyre që mund të japë buxheti për një pjesë të caktuar të shpenzimeve“, shpjegon eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Ndërkohë qeveria në formën e granteve dhe transfertës së pakushtëzuar do të japë 71 miliardë lekë për bashkitë. Fondi është në rritje në krahasim me një vit më parë, por me ulje sa i përket raporti me PBB-në. Vetëm 2.8% e PBB-së shkon si ndihmë për bashkitë nga 3% në 2022-in. Ekspertët sugjerojnë se bashkitë duhet të shohin praktika të tjera të menaxhimit të financave.

“Kemi propozuar dhe menaxhimin e mirë financiar të shpenzimeve, ku si në vendet përreth, Bashkitë i bëjnë të përbashkëta shpenzimet, mobilizojnë burime që janë të fjetura si shtresat që janë pension dhe pjesën e të rinjve, dhe bëjnë një menaxhim më të mirë të fondeve sa i përket katastrofave natyrore pasi i hanë një pjesë të mirë të fondeve pasi ato ndodhin”, thotë Gjokutaj.

Ndërkohë, një nënfinancim i qeverisë për bashkitë duket dhe te reforma e pagave. Fondi që do shkojë për rritjen e tyre ne 61 bashkitë e vendit është 1.5 miliardë lekë apo 13.6% nga totali i 11 miliardë lekëve të projektuara. Te bashkitë qëllimi i reformës është që të mos mbetet asnjë punonjës poshtë pagës 50 mijë lekë.


Top Channel