“Projekti i madh demografik i Putinit”: Deri në 800,000 rusë thuhet se janë shpërngulur për në Krime që nga pushtimi në vitin 2014 – Telegrafi

0
49

Deri në 800,000 rusë janë zhvendosur në Krimenë e pushtuar që nga aneksimi i paligjshëm i saj në vitin 2014, dhe rreth 100,000 ukrainas janë larguar, çka përbën një projekt më të madh rus për ribërjen e demografisë së gadishullit.

Kështu ka thënë Vladyslav Miroshnychenko, një analist për Unionin e të Drejtave të Njeriut të Ukrainës (UHHRU) më 6 dhjetor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Dhe siç vënë në pah mediat e huaja, shifra përputhet me vlerësimet e mëparshme të bëra nga zyrtarë të tjerë ukrainas.

Tamila Tasheva, përfaqësuesja e përhershme e presidentit Volodymyr Zelensky për Krimenë, tha në korrik 2023 se midis 500,000-800,000 rusë ishin zhvendosur ilegalisht në gadishull që nga viti 2014.

Pas aneksimit të paligjshëm në vitin 2014, Rusia zbatoi politika të dizajnuara për të rritur pjesën e rusëve në Krime, ndërkohë që në të njëjtën kohë i detyronte ose u bënte presion ukrainasve të largoheshin.

Miroshnychenko shkroi se zhvendosja e 800,000 rusëve dhe humbja e 100,000 ukrainasve nuk ishte thjesht një proces organik, por më tepër rezultat i një politike të qëllimshme nga qeveria ruse që ai argumenton se mund të konsiderohet shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar.

Këto politika përfshinin “huadhënien hipotekore preferenciale (për rusët), zhvendosjen e ushtrisë ruse, oficerëve të zbatimit të ligjit, qeverisë, punonjësve mjekësorë dhe arsimorë, gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, dëbimin e ukrainasve dhe inkurajimin e lëvizjes së ukrainasve në territorin rus”.

Miroshnychenko vuri në dukje se Rusia ka kërkuar të zbatojë një politikë të ngjashme në pjesë të Ukrainës që Rusia i ka pushtuar ilegalisht që nga pushtimi në shkallë të plotë në vitin 2022, megjithëse me më pak sukses për shkak të luftës së vazhdueshme.

Kjo është veçanërisht e dukshme në Mariupol, i cili u bombardua dhe u granatua rëndë gjatë rrethimit pothuajse tre mujor të qytetit nga Rusia menjëherë pas pushtimit në vitin 2022.

Qendra Kombëtare e Rezistencës raportoi në gusht 2023 se Moska kishte përgatitur një “plan zhvillimi” për qytetin që shkaktoi zhvendosjen e rreth 300,000 rusëve në Mariupol deri në vitin 2035.

Qyteti më parë kishte një popullsi prej më shumë se 450,000 njerëzve para pushtimit, por autoritetet ukrainase vlerësuan se vetëm 100,000 mbetën pasi forcat ruse pushtuan qytetin. /Telegrafi/