I riu që vdiq në vendin e punës në Ferizaj është nga Shtimja, Aliu: Dhimbje e madhe për qytetarët e komunës sonë – Telegrafi

0
33

18-vjeçari që humbi jetën sot në vendin e punës në Ferizaj është nga Komuna e Shtimes.

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Shtimes e cila në emër të kryetarit i ka përcjellë ngushëllimet familjes së të ndjerit.

“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin e hidhur për ndarje nga jeta të 18 vjeçarit, Shpresim Bekim Hysenaj”, njofton Komuna e Shtimes.

Me këtë rast, përmes telegramit, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Hysenaj, miqve e të njohurve të ndjerit.

“Lajmi për vdekjen e papritur të Shpresimit na ka trishtuar e pikëlluar të gjithëve. Ikja e tij e hershme nga kjo botë është dhimbje e madhe dhe humbje e pazëvendësueshme për familjen Hysenaj por edhe për gjithë qytetarët e komunës sonë.

Në këto momente të vështira për familjen, lusim Zotin që të gjeni forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe dhe ta kujtoni Shpresimin përherë me krenari.

U prehsh në parajsën e paskaj ti shpirt i njomë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu./Telegrafi/