SHPËRNDAJE

 

 

Kjo që do shënoj sonte duket e ekzagjeruar, por është e vërtetë: ardhja e Lefterit në Jysne më ka nderuar shumë. Ai është burrë i urtë dhe i pangarkuar.Pas asaj që ka përjetuar nëpër burgje, ai ka nevojë të rrijë me dikë që ka të njejtin sfond, flet gjuhën e tij dhe gjen kohë të bisedojë për ato që ai ka përjetuar.
Tani që akrepat e orës janë puqur te shifra njëmbdhjetë, Lefteri ka ikur në studion time për të fjetur, ndërsa unë, në mungesë të një angazhimi më të thellë, po shënoj mbresat e këtyre tri ditëve që jemi sëbashku.Përndryshe,gjatë kohës që isha n’ Uppsalë,më kishin ardhur nja tri letra të reja; dy nga Jugosllavia dhe një nga Franca. Njërën nga letrat ma kishte nisur im atë, tjetrën im vëlla, Osmani,të tretën ma kish dërguar Veli Kadria nga Franca. Këtë herë, im atë më shkruanse ”dikush” e ka marrë në ”bisedë informtive” dhe e ka këshilluar që unë, nëse kam pak mend, duhet të kthehem në Jugosllavi, sepse atje më pret një jetë më e mirë.
Kam përshtypje se Lefteri po kënaqet. Nëse ai është mirë, unë jam dyfish më mirë.Kurrë s’ i kam dashur kufijt mesjetarë dhe përpjekjet e despotëve për t’i ndarë njerëzit nga njëri tjetri. Ardhja e Lefterit këtu është një kënaqësi e madhe, sepse për herë të parë mundemi të gdhihemi sëbashku, të pimë kafe, të vishemi, të dalim në fshat, të bredhim nëpër pyje dhe – të bisedojmë. Kryesorja: të bisedojmë.Ndryshe nga herat tjera, këtu mundemi të flasim hapur për Shqipërinë ashtu siç e mbanëmend ai, Lefteri, e jo siçna dëfton zoti Myrdal me të shoqen.
Lefteri është nga rrethi i Kolonjës. Ai thotë se Shqipëria ka shumë vendbanime me emrin ”kolonjë” por nuk e ka të qartë si ka ardhur deri te kjo dukuri.Vetë është nga një fshat që gjendet afër Ersekës, njërës nga dy qendrat kryesore të atij rrethi. Ai është krenar me atë zonë malore që ka përmbi shtatdhjetë e kusur fshatra dheka bërë shumë për ruajtjen e identitetit kombëtar. Atje diku, n’ ato fshatra që gjenden në të dyja anët e rrugës që e lidh Leskovikun me Korçën, u themeluan shkollat e para të gjuhës shqipe. Atje veproi Petro Nin Luarasi dhe Kristo Luarasi, që nuk ndiqeshin vetëm nga pushteti i Turqisë Osmane, por edhe nga priftërinjtë e Kishës Ortodokse.
Edhe pse prindërit e tij janë ortodoks, Lefteri s’ është aspak fetar dhe shpesh herë më dëfton për ngjarje që janë shumë identike me masakrat që kanë bërë serbët në Kosovë. Edhe zona e Ersekës paska përjetuar vrasje, djegje e masakra si ato që përjetuan shqiptarët në fshatin Iseukaj. Një herë andartët grekë paskan therë 37 fëmijë dhe kokat e tyre i paskan hedhur në një pus të ujit. Diçka të ngjashme paskan bërë edhe pasardhësit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur banditët e Napoleon Zervës paskan hyrë në Borovë dhe, pasi kanë vrarë njëqind e sa burra dhe ua paskan vënë flakën edhe shtëpive e hambarëve të fshatit. Qëllimi i pushtuesve grekë, njësoj si qëllimi i atyre sllavë, ka qenë gjithmonë t’ i pastrojnë etnikisht zonat e banuara me shqiptarë.
Këto ditë jemi endur nëpër pishakun që gjendet në veri të fshatit dhe kemi kujtuar kohën kur ishim fare të rinj. Me keqardhje po shënoj se as unë, as Lefteri, s’ kemi patur rini. Ne, edhe nëse kemi qenë të rinj, s’ kemi përjetuar gëzime. Kjo është arsyeja që po më nxitë ta torturoj me pyetje të ndryshme dhe ta dëgjoj me sinqeritet të madh.
Dje, deri sa po pushonim në fshatin Askesta, e nguca si shumë.
” Nëse make hatrin, do ma thuash të vërtetën,” i thash. ”Ne, kosovarët, jemi antisllavë. Jo se jemi lindur urrejtës, por robëria e gjatë na ka bërë të këtillë. Po ju qysh u bëtë antishqiptarë?”
Ai u mentua pak. Se donte të jetë i sinqertë me mua.
“ Edhe neve na ka bërë robëria,” tha. “Nëse të ka shkuar mendja që ne, shqiptarët, jemi më pak atdhetarë se ju, gabohesh. Ne jemi një popull dhe kemi një gjuhë, një flamur dhe të njejtat tradita. Por ajo që juve, kosovarëve, ju ka bërë antisllavë është robëria e Josip Broz Titos, ndërsa ajo që na ka bërë neve antishqiptarë, është shtypja e komunistëve shqiptarë. Hip, se të mbyta, zhdrip, se të mbyta, njësoj. Do ta dëftoj një gjë që s’ ia kam thënë as vëllaut tim: ajo dita e mërkurë kur unë,një oficer i Republikës së Shqipërisë, e lash postin që ma kishte besuar popullidhe vetë, pa më detyruar njeri, shkova e ua dhash kallashin qenave jugosllavë, nuk harrohet kurrë. Atë ditë e kam bërë një turp që s’ ma falin as prindërit e mi, as Kolonja ime, as Shqipëria. Ai turp do më ndjekë deri sa të vdes.”
“ Po çka të nxiti ta bësh atë gabim? Ti nuk ishe i vogël,” e qortova unë.
“ Thjesht, sepse nuk e urreja Shqipërinë. Unë i urreja ata qenat e Kadri Hazbiut,që një here në javë na mernin natën dhe na detyronin t’ i torturonim njerëzit e pafajshëm… Që s’kishin bërë gjë… Ata i pyesnin, i shqelmonin, i poshtronin,kurse ne duhej t’ i torturonim deri në vdekje… Gjithkush do të pështirosej nga vetvetja. Ajo që bënim ne s’ ishte patriotizëm, s’ ishte atdhedashuri…”
” Pajtohem qind per qind me ty,” i thash. ”Po çka ndodhë nëse je penduar dhe do të shkosh prapa në vendlindje?”
” Ate s’e di,” më tha ai. “Qytetari i rëndomtë ka të drejtë të pendohet. Ai del përpara Gjyqit dhe merr dënimin e merituar. Por kjo s’ vlen për neve, që kemi bërë Akademinë Ushtarake dhe çdo mëngjes jemi betuar përpara Flamuritqë nuk do ta tradhtojmë. Ta shkelësh betimin është njësoj si ta shesësh atdheun. Atë çast që merret vesh për arratisjen e një ushtari, s’ ka lidhje grada, Policia Ushtarake shkon në fshatin e tij dhe i arreston të gjithë anëtarët e familjes, vëllezër e motra sëbashku, dhe i nis në një kamp përqëndrimi. Nuk i kursen as bijt e hallave, tezeve dhe kushërinjëve të largët. Ka gjasa që arrestimin e tyre e shohin të gjithë, fqinjët, bashkfshatarët, por askush s’ guxon të pyes apo ndërhyjë në punën e policëve. Që nga ai çast e tërë familja e fajtorit konsiderohet si armike i klasës dhe të gjithë dënohen për krimin që ia kanë bërë popullit. Ju, kosovarët, e keni lehtë. Ju e urreni armikun dhe për ate s’ keni dhembje të ndërgjegjes. Por ta urresh vëllaun tend është torture e madhe. A mund ta kuptosh ankthin tim?”
” Jo dhe aq,” i thash. ”Njëherë, duke biseduar me një ish oficer shqiptar, kur më tha se ne, shqiptarët, sëpari duhet ta çlirojmë Shqipërinë nga komunistët e pastaj Kosovën, i thash troç se Kosovën e paskemi humbur. Pse, më pyeti. Sepse unë jam kosovar dhe s’ kam gisht për të vrarë shqiptarë. Edhe nëse janë kuqaloshë…”
“ Mirë i paske thënë,” tha Lefteri. “ Ashtu do t’ i thoja edhe unë,ashtu do t’ i thonin edhe shokët e mi… Paçka se ashtu nuk thonin kuqaloshët e Akademisë Ushtarake, që s’ kishin tjetër shkollë pos asaj që kishin mësuar duke ndjekur dhe duke vrarë vëllezërit e tyre. Ju mendoni se ata janë patriotë, atdhetarë… Eh, të kishin qenë makar dhjetë përqind si mendoni ju, unë, pa marrë parasysh gabimin që kam bërë, do t’ isha në kontakt me prindërit e mi, do të kërkoja falje. Si mendon ti? Guxoj t’ ua dërgoj një kartolinë? Atë çast që t’ ua kujtoj se jam gjallë, ata do t’ iu hidhen familjarëve të mi në shpinë…Si mendon, s’ dua të komunikoj me familjarët e mi?”
Kjo ishte e ngjethshme.
“ Vërtet s’ ju ke lajmëruar kurrë?” e pyeta.
“ U bënë kaq vjet që nuk di a janë gjallë apo të vedur,” tha dhe sytë iu mbushën me lotë . “Ndiej keqardhje për plagët që ua kam bërë.Janë njerëz të mirë dhe shumë do kenë vuajtur për fajin tim. Ky është komunizmi i Enver Hoxhës. Tani ta thash të vërtetën. Në daç beso, në daç mos beso.”
” Të besoj,” i thash.
Sa iu përket letrave. Me sa duket, im vëlla i paska dëftuar babës që dua të shkoj në Shqipëri. Kjo ia paska futur lepujt në bark dhe menjëherë ma paska nisur një letër kilometrake. Aman, bir, lere Albaninë, se na more në qafë. Edhe mua, edhe familjen. Mos harro se baba jam plak dhe s’ kam takat të flenëpër burgjet e Jugosllavisë. Nëse t’u ka mërzitë Suedia, hajde në Jugosllavi, se këtu s’ të nget njeri. Ashtu më thanë ata që më thirrën para ca ditësh.
Jo, Lefteri s’ është i vetëm. Edhe unë kam hapur plagë që s’ po di si t’ i mbyll. Të gjithë këta – im atë, ime vjehërr, ime grua, kanë kërkesa dhe, për ca arsye që s’ i kam të qarta, me çdo kusht donë t’ ua plotësojderi në presje. Përndryshe, s’ jam djalë i mirë… S’ jam dhëndërr i mirë… S’ jam bashkshort i mirë… Të gjithë ata e atopo thirren në ca liri e të drejta të tyre, por të miat po i shkelin si elefantë… Im atë më do shumë, se po i duhen nja katër miljon dinarë për ta martuar atë tjetrin që po endet nëpër Poloni e Çekosllovaki. Ime vjehërr më do shumë, se po i duhet një dhëndërr i huaj, egzotik. Ime shoqe më do shumë, se po i duhet një mashkull i sjellshëm dhe i papërtueshëm…
Apo s’ është situatë absurde? As me vetminë s’po gjej dot fjalë të përbashkëta.

25. Shoqata e Miqësisë

Sot mora letër nga Osa. Ajo më shkruan se pardje, ditën e djelë, qenka mbajtur mbledhja zyrtare për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Suedi – Shqipëri, në të cilën paskan marrë pjesë shumë intelektualë dhe miq të popullit shqiptar, në mesin e të cilëve figuronin zoti Jan Myrdal, shkrimtar e intelektual i njohur suedez,zonja Gun Kessle, fotografe e njohur, Ulmar Kvick, mik i madh i popullit shqiptar, Bo Jansson, sekretar i Partisë së Majtë Komuniste, Per Olof Ultvedt, piktor, skulptor e rektor në Shkollën e Lartë të Arteve, si dhe shumë anëtarë të Shoqatës së Miqësisë Suedi – Kinë, të cilët e kishin lexuar librin e zotit Myrdal dhe donin të solidarizohen me popullin shqiptar. Si kryetar shoqate qenka zgjedhur zoti Per Olof Ultvedt, profesor në Akademinë e Arteve, si sekretar zoti Bo Jansson, ndërsa si anëtarë të kryesisë një mori grash e burrash që merreshin me çeshtjen e emancipimit të grave. Përndryshe, njeriu që qenka ngarkuar nga të dyja palët, si të ”Albturistit”, ashtu dhe të Shoqatës së Miqësisë quhet Bengt Fyledahl. Në mbledhjen e lartpërmendur, sipas Osës, qenka vendosur që turistët do të antarësohen dhe do të udhëtojnë me rekomandim të Shoqatës së Miqësisë. Ajo do t’i sajojë listat, ajo do t’ i mbledhë të dhënat që i duhenAmbasadës Shqiptare dhe ajo do t’ i njoftojë ata të Albturistit në Tiranë. Megjithate, njeriu që do mbajë përgjegjësi për biletat e udhëtimit, orarin e fluturimeve dhe kontaktin e të dyja agjensive quhet Bengt Fyledal.” Si adresën e Shoqatës së Miqësisë, ashtu dhe adresën e agjensisë ”Spies” mund ta merrja nga sekretari i Shoqatës, zoti Bo Janssson, që njëherit qenka dhe anëtar i kryesisë së Partisë së të Majtë Komuniste.
Ajo shkruan se nuk më ka harruar fare. Duke u nisur nga njohja ynë e gjatë, si dhe respekti që ka për mua, ftesa që ma kishte bërë atë natë ishte krejt normale.
Unë s’ e di për çka më ke marrë, shkruan Osa. Unë jam bijë e dy prindërve që gjithnjë e quajnë veten proletarë. Im atë është elektricist, ime nënë ambientiste, gjegjësisht pastruese e thjeshtë. Pa marrë parasysh se ti vjen nga pjesa e poshtme e Gadishullit Balkanik dhe je paisur me tjetër edukatë, unë e konsideroj veten si femër të emancipuar dhe vendos vetë çka dua të bëj me atë zogun që e kanë të gjitha gratë midis këmbëve.Po e shfrytëzoj rastin të të njoftoj se nuk jam e virgjër dhe, edhe sikur të bëja dashuri me ty, nuk do bëhej kiameti. Ç’ është e drejta, ndiej keqardhje për ty dhe Ninën, se nuk dua të bëhem shkas i një ndërhyrje të dhunshme, por ti gjithënjë mund të vijsh e të flesh me mua, se të kam pëlqyer dhe prap të pëlqej si njeri. Sa herë të kam patur pranë e kam ndjerë veten të lumtur.
” Qysh i thua kësaj pune?” e pyeta Lefterin.
” Unë them ta marrësh në telefon atë komunistin e VëPëKës dhe ta pyetësh si mund të antarësohesh n’ atë shoqatë dhe ç’ numër ka Profesori që qenka zgjedhur si kryetar.Ti, mos tjetër,di si ta prezantosh veten dhe ta urosh për detyrën që ka marrë përsipër.”
” Ashtu dhe do bëjmë,” i thash dhe, pasi pimë kafen e rëdomtë, e provova fatin.
Thonë se fshati i mirë shihet prej sëlargu. Se sa është apo nuk është e vërtetë kjo gjë, nuk e di. Por ajo që konstatova në çastin kur zoti Jansson e zuri kufjen dhe tha ”halo, unë jam Bu Jansson,” fitova nje përshtyje se po flisja me një djalë të urtë e të natyrshëm. Më pëlqeu zëri tij i thjeshtë.
” Urdhëro, vëlla! Unë jam Bu Janssson,” tha ai.
” Desha të ju pyes si mund të antarsohem në shoqatën që kishit themeluar ca ditë më parë dhe, njëherit, të ju uroj suskses në punën tuaj. Po patët mundësi të ma jepnit numrin e zotit Ultvedt, do t’ isha edhe më i lumtur.”
” Gjithsesi, gjithsesi,” tha ai. “Po para se t’ ju bezdis më shumë, dua të ju njoftoj se adresëndhe numrin e postgjiros së shoqatës do ta gjeni në faqet e gazetës ”Dagens Nyheter”. Atë çast që ta paguani antarsinë, konsideroheni automatikisht antarë i saj. Kjo, sa i përket antarsisë. Sa i përket udhëtimeve që do bëhen sivjet, akoma s’ kemi të dhëna të sakta nga Ambasada Shqiptare dhe ”Albturisti”. Nga cili vend po më flisni?”
” Nga një fshat i Norlandës,” i thash. ”Por me shtëpi dhe adresë jam uppsalas. Mund të vi edhe në Stockholm.”
” Ashtu bëhet edhe më mirë,” tha.”Ma bëj një zile para se të nisesh. Unë banoj thuajse përballë Bashkisë së qytetit, në një rrugicë që gjendet afër sheshit Mariatorget.”
” E njoh atë lagje shumë mirë.Kam punuar në Pripps. Si po ia bëjmë për numrin e zotit Ultvedt?”
” Ate po ta jap tani, por kot se e thërret këto dy ditë. Pe O ka ikur në Haparanda. Sa për dijeni, PeOështë artist i madh, por shumë i zënë me punë. Jam i kënaqur që të pranishmit e propozuan bash ate, se ai merret me art dhe arti na bashkon të gjithëve. Momentalisht është profesor në Shkollën e Lartë të Artit. A do ta shkruash numrin?”
” Patjetër, patjetër,”i thash.
“ Atëherë shihemi në Stockholm. Mirupafshim,” më thanë gjuhën shqipe.
Gjatë kohës që po flisja me te, vura re se Lefteri po shkrihej si bora në diell. Këtij i kishte hipur një nur i lehtë ngazëllimi, shumë ngjashëm me atë zjarrin e padukshëm që fshihet nën pendlat e bukura të sojkës.
“ Qysh po të duket?” e pyeta.
“ S’duhet të humbësh kohë,” tha ai.
“ Kuptohet që s’ duhet, po si do bëje ti në vendin tim?”
Ai ma zgjati një cigare.
“ Unë do shkoja dhe do ta shihja Shqipërinë me sytë e mi. Kaq e thjeshtë është puna,” tha.“ Nëse ka nevojë, shtiru marksist, shtirë dhe leninist, po mos e lësho këtë rast të volitshëm. Mbushe lutjen dhe ik me grupet e para. Kur të kthehesh, ulemi dhe flasim.”
Lefteri s’ e ka keq.
Unë duhet të shkoj dhe ta shoh Shqipërinë me sytë e mi. Edhe më mirë do t’ ishte sikur të vinte Nina me mua, sepse bukën e kripën po e ndaj me të, por ajo po ngul këmbë të shkoj e të kthehem vetë, përndryshe zënkat e mia me vjehrrën do të vazhdojnë deri në shekullin e njezetë. Kam vënë re se ajo po qanë natën. Edhe kjo ma ka prishur disponimin. Ça po ndodhë, vallë, me ëndrrat tona?

26. Revista ”Nëntori”

Janë shumë gjëra që po ziejnë në kokën time. S’ ka rëndësi seç menton Anna Liza apo burri i saj për mua. Unë e di, dhe bija e tyre e di, që ndiej keqardhje për te. Me Ninën kam ndarë mjaft gëzime e hidhërime. Ajo mund të ketë shumë të meta, por e ka një të mirë: nuk është e djallëzuar. S’ jam poashtu i keq sa të mos më dhimbsen prindërit e mi, por këtu jam i vetëm, kurse prindërit e mi kanë edhe katër fëmij tjerë. Çuditërisht, nuk jam aq zemërzi as kundrejt Shqipërisë Socialiste, sepse ajo më lidhë me shqiptarët, që janë vëllezërit e mi. Kjo që po shënoj është rrëqethëse, po dhe e vërtetë: unë mundem pa vëllezërit e nënës time, por s’ mundem pa vëllezërit e Shqipërisë. Ne dhe Shqipëria jemi tul i të njejtës mollë.
Edhe sot jemi thekur në diell. Bënte mot i mirë dhe lëndina e veshur me luleradhiqe ma kujtonte një qilim të veshur me yje. Lefteri e lexonte revistën ”Studime historike”, ndërsa unë ia shkruaja Osës një letër falenderimi. I shkruaja butë, në ton shoqëror, brenda kornizave të mirësjelljes, dhe e njoftoja se rishtas kisha dalë i keqkuptuar. Pikërisht për arsye se e njihja dhe e dija që ishte femër e emancipuar, unë s’ isha i gatshëm ta keqpërdorja mikpritjen e saj, po jo se kisha kundër ta ledhatoja si femër.
Pastaj vajtëm në qendër të fshatit, e postuam letrën dhe u rrasëm në Ika për të blerë artikuj ushqimore. Ajo nikoqirja ime s’ ka kundër të gatuaj, por ka obligime tjera. Me pak fjalë, vetë jemi kuzhinjerë, vetë jemi pjatalarës dhe vetë jemi kafexhinj. Duke mos patur ndonjë argëtim më të madh, dolëm të peshkojmë,por fati nuk na buzëqeshi fare.
Në mbrëmje, duke ngjitur shkallët e jashtme, ai për pak s’ e shkeli një zarf të trashë bojë kafe, të qëndisur me lloj lloj pullash postale. Ishte“Nëntori”, revista që ma kishin nisur ata të Ndërmarrjes Shtetërore për Botimin e Librave.
Nëntori është një revistë e trashë dhe, përpos krijimeve origjinale, boton edhe shumë artikuj tjerë që kanë të bëjë me teorinë dhe praktikën letrare. Ai që s’ ka bibliotekë më të mirë, në faqet e kësaj reviste mund të gjejë edhe përkthime, recenzione, vjersha të poetëve shqiptare, vjersha të poetëve të huaj, si dhe mendime të lexuesve. Karakteristike për ata artikuj është ngjashmëria që kanë me hyrjen e surave të Kor’Anit: të gjithë janë të gjatë dhe të gjithë fillojnë me citate të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit apo Enver Hoxhës. Këto hyrje sikur janë çelsa magjikë për të kaluar nëpër dyert e cenzurës letrare dhe për ta fituar bekimin e Diktaturës së Proletariatit.
Për herë të parë po shoh se “Nëntori” botoka edhe vjersha të poetëve ”kosovarë”, por në faqet e funtme të revistës, thua se Esat Mekuli, Azem Shkreli, Ali Podrimja e Din Mehmeti janë poetë fillestarë dhe kurrë s’ kanë botuar ndonjë poezi. Ma merr mendja se ata këtë lëshim e kanë bërë për ta përmbushur ndonjë paragraf të marrëveshjes bilateraleqë është nënshkruar midis Krahinës Socialiste të Kosovës dhe Republikës Popullore të Shqipërisë.
Këtë ndodhi e kremtuam me nga një gotë shampanjë.

27. Përpjekjet e para

E ka pushtuar një entuziazëm i madh. Aq i madh është gëzimi i tij, saqë shpesh herë po e pyes veten – kush do vete në Shqipëri, unë apo Lefteri?
Sot jemi endur gjithë ditën nëpër Sundsval duke e kërkuar një eksemplar të të përditshmes ”Dagens Nyheter”, ku janë botuar të gjitha të dhënat rreth Shoqatës së Miqësisë, antarësisë dhe udhëtimeve verore në Shqipëri.Sëpari e kërkuam të përditshmen në Bibliotekën efshatit, pastaj, kur s’ e gjetëm aty, hipëm në makinë dhe vajtëm në Sundsval. Atje patëm më shumë fat, sepse shitësja ishte shumë zemërbardhë dhe na dha falas faqen që na duhej.
” Si thua, Lefter, do më japin vizë apo do ta gjejnë ndonjë shkas për të më refuzuar?” e pyeta Lefterin kur mbërritëm në fshat.
” Do ta japin,” tha ai me të parën. ”Dëgjo vëllain, unë e di si arsyetojnë ata. Ata nuk ta japin nga dashuria që kanë për ty apo për Kosovën, por nga kurreshtja që të mësojnë se ç’ po ”flitet” jasht për rezervatin e tyre. Mos e përjashto edhe kurreshtjen e Sigurimit për Suedinë… Ku është ky vend… Ka apo s’ ka të arratisur shqiptarë…Kush janë ata njerëz dhe çfarë thonë për regjimin e tyre?!..Ata me çdo kusht donë të shkruajnë n’ ato gazetat e tyre. Aman, o vëlla, mbushi ato letra që duhen, paguaj antarësinë dhe ik sa më parë, se Shqipëria s’ është Spanjë apo Greqi që ta presë gjysmën e Evropës… Mbushen ata tre hotele që ka në Durrës dhe tjerët duhet të presi deri në vitin e ardhshëm.”
” Mirë, vëlla, do të filloj që sonte,” i thash, po me një doze të vogël bezdie.
” S’ ka nevojë të nevrikosesh,” më tha.”Unë e kam për të mirën tënde. Sa më herët ta shohësh Shqipërinë, aq më herët do të dalësh nga ky delir. Mos harro se Shqipëria është si Lëmshi Gordian. Ti mund të jesh proletar, ti mund të jesh marksist, ti mund të jesh nip i Vladimir Iliçit dhe – prapseprap – të mos besojnë. Por do të lëshojnë brenda, se iu duhen bashkëpunëtorë, spiuj pa pare. Kështu i keni mësuar ju, kosovarët.Sidoqoftë, duhet të shkosh për ta parë të vërtetën dhe për ta kuptuar se Shqipëria nuk është parajsë si po thotë ai djali i zonjës Myrdal, por një gënjeshtër e madhe.Një zot e di sa burgje dhe kampe të përqëndrimit gjenden në territorin e saj. Ama ai miku i madh i Shqipërisë ka marrë goxha do pare për ta shkruar atë libër. Kështu e ka jeta… Dikush ha bukë e mjaltë, dikush ha barë…”
Fjalët e tij janë si rriqërat. Ti s’ do t’ i prekësh me dorë, ti s’ do t’ i shkelësh me këmbë, por ato të ngjiten pa marrë leje dhe ta pijnë gjakun dalngadalë.

27. Duhet të shkosh n’ Uppsalë

Edhe sot provuam të peshkojmë, por s’ na punoi fati. Unë e zura një perkë, Lefteri, që e konsideron veten peshkatar më të madh,mezi se nxori nja tri gurnecka. Tërë djersën e ballit ua dhamë pulëbardhave, ndërsa vetë shkuam ta provojmë peshkun që gatuajnë ata të restorantit që kemi në fshat.
Përjashta po bën ngrohtë. Nuk di si t’ ia vë emrin mrekullisë që po zhvishet para syve tonë. Ta quaj pranverë, po më duket vonë. Ta quaj verë, po më duket herët. Sipas kalendarit, po vemi drejt qershorit, por të gjitha shenjat tjera thonë se jemi në korrik. Tani pemët janë veshur me gjethe, bari e ka mbuluar faqen e Dheut dhe luleradhiqet, si kopsa të shtrenjta floriri, iu kanë hipur lëndinave të fshatit. Po vë re se klima po ndërron huqe. Herë pas here, korriku suedez është si maji kosovar. Herë pas here ndodhë e kundërta. Sidoqoftë, fshatrat suedeze,kur vjen behari, veshin një buzëqeshje të ëmbël dhe gjithë ditën e vështrojnë kalimtarin me sy ëndrrimtarë. Atëbotë më duket sikur pranvera sapoka dalë nga xhepat e një përralle.
Jam shumë i hutuar. Mospërfillja e time shoqe më duket e vrazhdë dhe e papritur. Ditët po ikin, unë jam antarsuar në Shoqatën e Miqësisë dhe e kam lutur Busën të më fusë në listën e udhëtarëve më të parë, por Nina s’ dëfton as më të voglin interesim, as më të voglën dëshirë për të ardhur me mua. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, kohët e fundit hyn e del nga shtëpia me fytyrë të vrenjtur, thua se Lefteri po na ha shtëpinë. Sikur të ishte një gjithkush, mbase s’ ia merja për të madhe, por Lefteri është miku ynë dhe unë ndiej një keqardhje të veçantë për te, sepse na bashkojnë kundërthëniet: unë mysliman, ai ortodoks, unë nga Kosova, ai nga Shqipëria, unë gegë, ai toskë, por ato tjerat si p.sh. gjuha, flamuri dhe aspiratat i kemi të përbashkëta.
Sonte i cakrruam fjalët. Se si erdhi deri te ajo skenë, nuk e di, por ajo ishte e pashmangshme. Papandehur, derisa Lefteri ishte përjashta dhe unë po e lexoja një artikull mbi kompozicionin e veprave letrare, ajo ma shtroi një pyetje të çuditshme.
” Kur do t’ ikë Lefteri?”
” Pse, mos po na prish punë prania e tij?” e pyeta.
” Aspak,” tha ajo. “Por në qoftë se zotrote e ke ndër mend të shkosh në Shqipëri dhe të qëndrosh ca kohë atje, duhet të kesh një pasaportëtë hajrit. Ti e di se asaj pasaportës jugosllave i ka dalë afati dhe, në vend se të shkosh e ta zgjatësh, ke kërkuar shtetësi suedeze, për pa kërkuar shlirim nga ajo jugosllave. Sot kisha një pushim të gjatë dhe, ne vend se të rrija me shoqet,dola në qendër të fshatit dhe kam folur nja gjysmë ore me një nëpunëse të Drejtoratit Shtetëror. Sa iu përket atyre që kanë kërkuar të shlirohen nga shtetësia e vjetër, procedura është e lehtë, më tha. Mjerisht, kur bëhet fjalë për ata që janë si burri juaj, procedura është më e gjatë. Pse qenka kështu? Për arsye se qeveria suedeze s’ ka të drejtë juridike t’ i ndihmojë nëse s’ janë qind për qind suedezë. Megjithate, ajo më premtoi se ti, pot’ i drejtohesh Policisë Lokale në Uppsalë, mund ta lëshojne një pasaportë provizoresa për të shkuar në Shqipëri, edhe ate për dy arsye: një, se organet e këtushme s’ kanë asnjë vërejtje, dhe dy, se je i martuar me një shtetase të këtij vendi. Por para se ta lëshojë atë pasaportë,Policia Lokale duhet të konsultohet me Drejtoratin Shtetëror dhe Drejtorinë e Policisë së Përgjithshme…”
Çka djallin t’ i thoshja? Shihet që s’ kam veçse një opcion dhe ai është të shkoj n’ Uppsalë.
” Atëherë s’ paskam opcion tjetër pos të shkoj n’ Uppsalë,” i thash. ” E keqja është se unë kam vetëm një gur dhe s’ mundem t’ i vras dy sorra. Ne kemi vetëm një makinë. Nëse e marr makinën dhe shkoj n’ Uppsalë, ti do mbetesh pykë. Por unë do të provoj të kthehem sa më shpejt prapa.”
” Po pse të kthehesh prapa,” më qortoi ajo. ”S’ kanë mbetur edhe shumë ditë që t’ i mbyllim shkollat. Për mendimin tim, ti duhet të shkosh n’ Uppsalë e ta nxjerrësh një pasaportë, pa sa për mua, unë vij kur ta mbarojmë vitin shkollor. Pastaj, shofim e bëjmë: ti në Shqipëri, unë në Dalarna.”
N’ atë çast m’ u kujtua diçka që ishte poaq e rëndësishme sa dhe pasaporta provizore.
” Po me valixhen si do bëj?” e pyeta. ”Mua më duhet gjithsesi të kthehem prapa se duhet t’ i marr rrobat që më duhen gjatë që do të qëndroj atje. Dy javë janë dy javë dhe kam nevojë për bluza, brekë, pantallona, këmisha e lloj loj plaçkash tjera.”
” Ti valixhen mund ta palosësh tani,” tha Nina. ” Ate ta sjell kur të vij n’ Uppsalë.”
” Do të thuash të iki me tren,” e pyeta.
” Bëj sitë duash, por mos e lekëtë punë pas shpine.”
” Tani e di,” i thash, për pa dashur të vazhdoj më tutje. Lefteri mund të kthehej në cilindo çast.
Dhe të dytë u krodhëm në heshtje.
Çdo gjë ka marrë fund, mendoja.Dikur, kur ikja vetëm në Stockholm, Nina luante menç. Kjo dëshmon se ajo dikur shqetësohej për mua dhe e ndiente mungesën time. Tani po ndodhë e kundërta dhe të gjitha marëdhëniet tona kanë pësuar një ngricë shekullore. Kështu ndodhë kur vdes dashuria. Atëbotë midis njerëzve ka jashtzakonisht shumë mirësjellje, teatër dhe dyfytyrsi. Mjerisht, ka diçka në shpirtin e shoqërisë bashkëkohore që kurrë s’ e kam kuptuar sa duhet ose e kam neglizhuar tej mase. Kjo shoqëri ka rënë aq poshtë, saqë e ka humbur sensin e xhelozisë, pasionit dhe dramës së vërtetë. Aty ku s’ ka dashuri, xhelozi, pasion, nuk ka as drama. Nuk ka as Romeo e Xhulieta. Nuk ka krime. Nuk ka vrasje shekspiriane.
Kam vënë re se gratë e kësaj bote, edhe kur janë të martuara, s’ e kanë për turp të bashkëdyzohen me shokët e tyre dhe pastaj, pasi ta puthin shoqi shoin në faqe, të shkojnë te burrat e tyre. Si meshkujt, ashtu dhe femrat, s’ e kanë për turp të hyjnë në valle erotike me partnerë tjerë, sepse kjo – sipas tyre – s’ ka të bëjë me dashurinë e vërtetë. Shi për këtë arsye, këta i shohin zënkat e kësaj natyre me një përbuzje të madhe. Mjerisht, këto botëkuptime i kanë marrë edhe motrat angleze, gjermane, franceze e jugosllave. Ç’ është e drejta, një pjesë e mirë e prostitutave që punojnë natën nëpër Stockholm janë nga Subotica, Novi Sadi, Spliti dhe Beogradi.
” Ti, me fjalë tjera, s’ je e prirur për rrugë,” e pickova unë.
” As që dua të dëgjoj,” ma ktheu Nina. ” Të kam thënë që s’ kemi para të udhëtojmë sëbashku.Shko dhe kënaqu atje ku je nisur. Kur të vijsh prapa, mendohu mirë se ç’ do të bësh. Nëse do të merresh me studime postuniversitare, rrugën e ke të lirë. Unë s’ e kam ndër mend të të bëhem prak”.
” Më vret Zoti,” i thash. ”Unë s’ kam asnjë ankesë. Ti, me aq sa ke mundur, ke qenë mbështetja ime e madhe. Do bisedojmë kur të kthehem nga Shqipëria.”
“ Gjithësesi që do bisedojmë,” tha ajo. “E tërë egzistenca ynë ështëme biseda. Ç’ është ajo që po lexon?”
“ Një artikull i gjatë mbi kompozicionin e veprës letrare.”
” Sikur do porositnit diçka me Lefterin?”
” Po, do t’ i porositim nja katër pesë romane që s’ kemi patur shansë t’ i lexojmë dikur, kur ishim të rinj,” i thash.

28.Sandarne

Sado që e luta të rrinte, Lefteri duhej të udhëtonte për në Uppsalë.Kishte lënë takim me një punonjëse të administratës dhe ajo insistonte të shihen në datën e caktuar. Ai iku pasdite, pasi hëngrëm drekë dhe pimë kafe sëbashku.
Paradite, deri sa Lefteri po i mblidhte plaçkat, ia shkrova Rexhepit një letër dhe e njoftova se ata të Shqipërisë, përpos romaneve “Buzë Liqenit”, “Ata nuk ishin vetëm”,”Tana”, “Përmbysja”, “Guerriljet”, dhe ”Përsëri në këmbë” e kishin ribotuar edhe romanin ”Me valët e jetës” të Vedat Kokonës. E njoftova gjithashtu mbi “Sfidën shqiptare” të suedezit Jan Myrdal, si dhe formimin e Shoqatës së Miqësisë Suedi – Shqipëri. Unë e di se ai dhe nja dy shokë të ngushtë, Ibrahim Rugova e Sabri Hamiti, janë goxha të interesuar për ato që po ndodhin në Shqipëri. Si Rexhep Ismajli, ashtu dhe shumë intelektualë të tjerë,kanë botëkuptime të qarta mbi ”pashallëkun” e Enver Hoxhës, por dëshira e madhe për t’ u afruar me gjuhtarë të tillë si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Androklli Kostallari, Aleksandër Xhuvani, etj. po i detyron intelektualët kosovarë të shikojnë nëpër gishta. Edhe vetë po përpiqem të jem i kujdesshëm, se Udba i ka gishtërinjtë të gjatë, dhe nuk po dua askush të dëmtohet për fajin tim.
Lefteri iku m’ ora dy dhe ne, të frymëzuar nga drita që reshte nga qielli, morëm nja 3-4 revista, një shportë me fruta dhe dy batani dhe dolëm në fshatin Sandarne. Fjala ”sand” në gjuhën shqipe përkthehet me ”rërë”, ”zall”. Plazhi gjendet në veri të Jysnës dhe është shumë i rehatshëm për familjet që kanë fëmijë. Duke qenë se ujti është gjithnjë i ftohtë, thamë t’ i lagim këmbët dhe të thekeminë diell. Rëndomt, rrimë nën hijen e një shelgu dhe pijmë kafe me fqinjen, zonjë Mari Luise,por këtë pasdite ia dedikuam Apolonit.
Kjo pasdite mund të matet me mrekullinë. Ishte një pasdite e qartë dhe e ndritshme, me një qiell të shplarë, me lëndina ngjyrë smeraldi e lulëradhiqe ngjyrë floriri, dhe me një plazh që m’ i kujtoi plazhet e Danimarkës Perendimore.
Të mos flas për Baltikun. Ai ishte i madh, i kaltër dhe mospërfillës.Për të qenë aq i vogël sa e bëjnë suedezët, ai është goxha i madh, se fillonte para këmbëve të mia dhe zgjatej deri në Finlandë, Estoni, Letlandë, Lituani, Poloni, Gjermani e Danimarkë.Leri pastaj hiret e pasditës. Sipër një qiell i kaltër, i spërkatur me ca pupla të vogla resh, përpara një qilim i gjatë, i pafund lëndinash, kurse anash oshtima e shurdhër e dallgëve të detit, që vinin dhe rrokulliseshin deri te këmbët tona.Në krahun e majtë të detit, përtej pishakut të gjelbër, gjendet fshati, rreth e përqark nesh fëmijët ndërtojnë pallate, kështjella zalli, pulëbardhat krrokasin si të marra dhe detarët i lyejnë varkat dhe velanijet e tyre. Në krahun e djathtë zbardhon një rrugicë e veshur mer rrasa të bardha.Ai bie pjerrtas drejt detit dhe frenon te një kopësht i mbjellë me plepa. Lëndina që fillon te plepat dhe vjen drejt nesh është e veshur me mijëra lulëradhiqe. Sa e bukur që është Nëna Tokë! Sa i thellë që duket baba Qiell!
U shtriva pastaj përmbys dhe fillova ta shfletoj ”Nëntori-n”, revistën që duhet t’ ipasqyronte hapat e mëdhenj të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Mjerisht, artikujt e kësaj reviste, që për mua është 3% letrare e 97% politike, gjithmonë fillojnë me citate të mërzitshëm të ”shokut” Enver. Thuaj ça të duash, po arkitektët e letërsisë socrealiste po dalin çdo muaj me nga një roman të ri. Petro Marko, për të cilin kam dëgjuar shumë po s’ kam lexuar gjë, paska dalë me romanin “Ara në mal”, Filip Ndocaj me romanin “Vlaga e dheut”, ndërsa Thoma Kacori me romanin “Për mbrojtjen e atdheut”.
Lexova deri sa u lodha nga gjenializmate ”Nëntorit”, pastaj u ktheva në shpinë dhe shikova përpjetë. Një shtëllungë e bardhë reje, krejtësisht e vetmuar, si një qese plastike e hedhur në detë, shkonte drejt veriut. Ani që s’ jam poet, thellësia e qiellit, si dhe ngjyrnat që kishim rreth e përqark, më hipnotizuan fare dhe unë, si ai qengji i bacit Naim, u turra drejt Tauk Bahçes dhe mora më të majtë, drejt Shkollës Normale, ku kam kaluar pesë vjetme radhë. A thua si janë, vallë, shokët dhe shoqet e klasës? Unë kam edhe dy vëllezër, po shumë më të afërt i kam patur ata me të cilët u formova si njeri. Im vëlla, që erdhi n’ Uppsalë para tre vitesh, më tha se Zenuni paska krijuar familje. Po Aliu? U martua, vallë, me Lumen? Po Kurteshi, Isaku, Gjustina, Lahu? Një kohë Lah Nimani punonte si arsimtar, por tani u marka me stërvitje të bokservëve. Nuk e di sa tësigurta janë këto lajme…

29. Një mik i popullit tonë
S’ ka shumë ditë që kam marrë letër nga qyteti Kristinehamn. Autori i letrës quhet Kvick, Ulmar Kvick, dhe me profesion është arsimtar i ciklit të lartë të shkollave nëntvjeçare. Nuk më shkruan se kush ia ka dhënë adresën – ndoshta zoti Jansson, me të cilin kam qenë në kontakt tëdendur – por ai shkruan edhe shqip, edhe suedisht. Kjo më bëri përshtypje të këndshme dhe më frymëzoi t’ i përgjigjem përnjeherë, pikërisht për arsye se numri i miqëve të popullit shqiptar ështëi vogël fare. Edhe pse monarki kushtetuese, Sudeia s’ i do mbretërit dhe diktatorët.
Ulmar Kvick është imartuar me një nuse nga Finlanda. Ata kanë dy fëmijë, një djalë e një vajzë, dhe jetojnë në Kristinehamn. Nga sa kuptova prej letrës që ma kishte nisur,ai është radioamator i pasionuar dhe, duke ndjekur stacionet e ndryshme, paska hyrë edhe në valët e Radio Tiranës dhe qenka dashuruar në këngët tona popullore. Me shpresa se ata të Tiranës do t’ i përgjigjen, Ulmari ua paska nisur një përshëndetje nga Suedia dhe i paska pyetur lidhur me gjenezën e gjuhës tonë, si dhe mbi librat që janë të përshtatshëm për ta mësuar shqipen. Atij i përgjigjet Dashnor Mamaqi dhe e këshillon që ky,në mungesë të ndonjë libri më të hajrit, t’ i shfletojë librat e albanologëve të huaj si Gustav Meyer, Georg von Hahn, Norbert Jokle Holger Pedersen, ndërsa vetë do t’ ia dërgonte ndonjërin që kishte në shtëpi.
Kështu paska filluar një letërkëmbim i ngrohtë e miqësor midis tij dhe familjes Mamaqi.
Edhe pse nuk më thotë gjë mbi sfondin familjar, e marr me mend se miku im suedez rrjedh nga një familje e varfër dhe ”proletare”. Të gjithë miqët tanë, me përjashtim të zotit Jan Myrdal, janë varfanjakë dhe, pikërisht për këtë arsye, e gënjejnë veten se po solidarizohen me popullin shqiptar, por në të vërtetë ata, njësoj si ne, kosovarët, janë duke u solidarizuar me ajkën më antishqiptare që ka Shqipëria. Ishte kjo, dhe asnjë arsye tjetër, që më nxiti të jem i sjellshëm, i sinqertë, po dhe i kujdesshëm në përgjigjen time, sepse nuk di gjë as për këtë mik suedez, as për Mamaqët e Tiranës, por e marr me mend se edhe Dashnor Mamaqi duhet të jetë njeri i merituar,tek se mbanë postin e drejtorit të Radio Tiranës.
Përndryshe, në pritje të përgjigjes nga Shoqata e Miqësisë, paraditet po i kaloj duke lexuar e duke shetitur nëpër fshat, ndërsa pasditet, me të ardhur Nina nga shkolla, po i kalojmë në Sandarne. S’ kam asnjë mëdyshje se moti dhe Shqipëria kanë ndikuar keq në gjendjen time shpirtërore. S’ kam thuajse as një dëshirë të shkruaj, të përkthej apo të lexoj libra të trashë siç bëja dikur. Dhe s’ kam ndonjë motivacion të madh kur po e shoh qartë se letërsia bën edhe pa mua. Ka, madje, mundësi që hyrja ime në faqet e ”Jetës së Re” ka qenë një rastësi, një incident i panevojshëm. Si ”Jeta e Re”, ashtu qarqet letrare kanë patur do burra më të mirë e më të aftë se mua.
Po bën mot i mirë dhe plazhi është plot e përplot me njerëz. Ime shoqe, Nina, kur s’ kridhet në valët e detit, ulet dhe kuvendon me një kolege plakë që vuan sëmundja psoriasis, ndërsa unë, për të mos ndenjur kot, po bëj çmos që ta përforcoj pak më shumë gjuhën ”e njësuar” shqipe. Po shkruajnë vëllezërit e mi arkitektë. Po nxjerrin nga kokat e tyre lloj lloj novelash e romanesh. Dhe bëjnë mirë që po shkruajnë, sepse Shqipëria e ”shokut” Enver, ky fanar i ri i socializmit, duhet t’ ua freskojë kokën intelektualëve mendjendryshkur evropjanë. Këto ditë paskan dalë edhe dy romane që e pasqyrokan realitetin e gjallëshqiptar. Sipas ”Nëntorit” fjala është për romanet ”Ne jemi shumë” dhe ”Trimat e Skenderbeut”.Të po kësaj kategorie janë romanet ”Kthesa të forta”, ”Zogjtë ndërtojnë folenë” dhe ”Armiqët”. Pak më të dobët qenkan romanet ”Kandili i shuar”, ”Të mundurit” dhe ”Për Mëmëdhenë”. Kjo e fundit më duket pak si suspekte sepse, mos qofsha gabim, unë kam lexuar diku se romani ”Për mëmëdhenë” është botuar edhe në Prishtinë dhe Kosova e ka pritur ate me fjalët më të mira. Ec e bjeri në fije kësaj pune.

30. Janë jugosllavë

Ime gjyshe, që ishte një grua shumë e mençur, i kishte qejf fjalët e urta dhe anegdotat. Sa herë që dëgjonte për diçka të prapë, ajo, në vend se të humbaste kohë me komente të paqenësishme, na dëftonte për gjëra që neve na dukeshin të koklavitura. Një herë, deri sa po flisnim për dy jetimë të cilët nuk i donte njerka e tyre, ajo tha se ajo gjë ishte krejt e natyrshme.
” Po flet pa lidhje, oj nenë,” i tha Ismeti. ”Qysh mund të jetë e natyrshme sjellja e saj kur ata fëmijë, kundër vullnetit të tyre, kanë mbetë në hyqmin e një gruaje që i do vetëm fëmijët e saj, por jo dhe ata të motrës?”
” Shumë thjesht,” ia ktheu gjyshja. ” Kur’Ani na mëson se i Madhi Zot, për të parë sa shpirt të keq që kemi, i spërkatë jetimët me hi xhehnemi dhe atë çast që na afrohen ne, nëse s’ i godasim me gurë apo me grushta, i shajmë, i pështyjmë dhe s’ i duam pranë vetes.”
Sot, deri sa po e prisja Ninën të vinte nga puna dhe të iknim në Sandarne, më ndodhi edhe një e papritur, të cilën s’ e kisha menduar që do ta dëgjoja nga vëllezërit e mi. Duke qenë se viti shkollor po shkon nga fundi dhe arsimtarët, përpos notave, kanë edhe një varg obligimesh tjera, e mora makinën elektrike dhe fillova ta fshij studion. Kishte aty lloj lloj librash, gazetash e revistash që mundesha t’ i hidhja. Papandehur, mu në çastin kur e zura qesen plastike dhe u turra në drejtim të kuzhinës, pash se Nina sapo kish mbërritur dhe po më shikonte nga pragu i derës.
” Nuk e dija që paske ardhur,” i thash. ”Ke ngrënë drekë apo ta bëj një sandviç?”
” Kam ngrënë,” tha ajo, duke i nxjerrë cigaret. Dukej pak e lodhur, e bezdisur. Si të gjithë pedagogët.
” Mos të ka nevrikosh njeri,” e pyeta. ”Se ti për pak nuk mërzitesh?”
” Jo, jo. Por jam e shqetësuar,” tha Nina. ” Mirë bën që je turrur drejt asaj Shqipërisë Sate, veçse ajo, njësoj si Republika Demokratike e Gjermanisë, është një burg i njerëzve të lirë. Nëse s’e dija më parë, e mësova sot pasdite, pak para se t’ ikja në shtëpi. Fola me atë karagjozin e axhensisë ”Spies”…”
” Cilin, zotin Fyledal?”
” Po, zotin Fyledal. Desha të mësoja sa kushton udhëtimi dhe nëse n’ atë çmim hyn edhe kostoja e ushqimit. Po, gjithëçka ishte ”allincluded”. Deri këtu çdo gjë ishte në rregull. Si për bela, duke arsyetuar për këto punë, rastisa t’ i them se je shqiptar nga Jugosllavia dhe do të udhëtosh me pasaportë provizore.A, kosovarët, tha janë jugosllavë dhe ka mundësi të mos i japin vizë. Po pse kështu, e pyeta. Sepse na kanë telefonuar edhe shqiptarë tjerë, ca nga Danimarka, tjerët nga Suedia, dhe ata të Ambasadës na kanë porositur të mos e përzijmë grurin me thekër, se na del punë. Jugosllavët duhet të shkojnë në Jugosllavi dhe q’ atej, pasi të marrin vizë, mund të shkojnë në Shqipëri… Ashtu më tha…”
” Asgjë tjetër?”
” Asgjë. Ama më nxori nga takti. Nuk fliste kokë më vete por me urdhër të tjetërkujt. Kot se i thoshja që ti je shqiptar dhe nuk ke asnjë lidhje me Jugosllavinë. Më në fund, kur i mbaruan të gjitha argumentet, më këshilloi të flasim me ata të Shoqatës së Miqësisë, sepse ata gjoja ditkan më mirë…”
Ça mundesha t’ i thoshja? Unë s’ kisha asnjë arsye ta veja në pyetje sinqertitetin e Ninës. Përkundrazi, gjithëçka ishte e mundur.
” Flasim sonte me zotin Kvick,” i thash.
” A nuk është qesharake kjo që një pushtet e quan veten ”popullor” por ka frikë të ballafaqohet me popullin? Nëse ata e konsiderojnë veten shqiptarë, përse kanë frikë të takohen me shqiptarët? Aq më tëpër, nëse udhëtarët e paguajnë udhëtimin e tyre?”
” Atë pyetje ia kam bërë edhe vetvetes. Si thua, dalim pak në plazh?”
Në mbrëmje, pasi e gjeta numrin, e mora në telefon mikun Ulmar Kvick dhe, pasi ndërruam ca fjalë të këndshme me njëri tjetrin, i kërkova ndjesë që isha një çikëz i revoltuar. Kjo s’ kishte të bëjë me miqët e Shqipërisë Socialiste, por me vetë ata që e përfaqsonin ate. Në një kohë kur cilido evgjit serb apo zezak afrikan mundej të hynte e t’ i ledhatonte motrat shqiptare, Shqipëria vazhdonte gjithnjë të jetë parajsë e ndaluar për neve, kosovarët.
“ Që ta them të drejtën, më ka mbërthyer një mllef i papërshkruar,” i thash Ulmarit. Një boshllëk që po ma ha gjoksin si kancer.Pak që gjatë luftës na i çarmatosën baballarët dhe ia dorëzuan Kosovën Serbisë, veçse tani po na detyrojnë të bëhemi jugosllavë. Në pastë diku dobiça të jugosllavëve, ata janë në qendër të Tiranës.”
“ Edhe ato i di,” tha ai.”Po çfarë të bëjmë që Shoqata ynë,të cilën sapo e kemi themeluar është një shoqatë miqësie dhe s’ ka tjetër qëllim pos ta forcojë miqësinë midis popullit suedez dhe atij që jeton brenda kufijve të Shqipërisë. Ky synim është e shkruar në rregullore të shoqatës dhe s’ mund të ndryshohet pos në mbledhjen vjetore. Megjithate, pajtohem se qëndrimi i Ambasadës Shqiptare është i papjekur dhe qesharak.Sidoqoftë, duke marrë parasysh se këtu jeton një numër i madh kosovarësh që nesër donë ta vizitojnë Shqipërinë, unë do bëj çmos që ta shqyrtojmë këtë çeshtje në mbledhje të kryesisë dhe ta zgjidhim n’ interesin e të gjitha palëve. Përndryshe, qysh jeni, sipo kaloni atje në Helsinglandë?”
Ulmar Kvicku, për të qenë i huaj, e flet shqipen shumë mirë. Biseda ynë, përpos muzikës dhe letërkëmbimit të tij me Dashnor Mamaqin, u soll edhe rreth familjes tij, djalit e vajzës, si dhe librave që kisha filluar të merte nga Shqipëria.
“ Po kaloj shkëlqyeshëm,” i thash. “Dikur, kur s’ kisha libra, mërzitesha nga pak, tani jam më mirë. Librat e revistat që po marr nga Shqipëria çalojnë shumë. Si nga përmbajtja, ashtu dhe kualiteti, por janë të mira për ta mesuar gjuhën shqipe. Këto ditë po e lexoja një artikull të gjatë të Ali Abdihoxhës dhe disa fragmente të “Komisarit Memo.” Po ti?”
“ Këtë javë s’ kam kohë të lexoj,” tha. Mund ta marrësh me mend, java e fundit e vitit shkollor, notat, mbledhjet e këshillit pedagogjik, Shoqata, etjere, etjera. Kur do zbrisni në Uppsalë?”
“ Nuk e kemi vendosur,” i thash. “Unë po matem të shkoj pak më herët, që ta nxjerr një pasaportë, kurse Nina vjen më vonë.”
” Sidoqoftë, dëgjohemi. Po pate kohe kohë, mere shoqen dhe hajdeni. Me bukë e kripë e me zemër,” tha dhe qeshi me të madhe.
Nina, që ishte ulur përballë dhe po e ndiqte një program me volum të ulur, e dezi një cigare. Me sa duket, lehtësia me të cilën Ulmari e fliste shqipen, si dhe angazhimi i tij i sinqertë për çeshtjen tone e infektuan pak.
“ Ani, qysh t’i themi kësaj pune?” e pyeta.
” Do të thoshja të mos humësh kohë,” tha. ” Shko n’ Uppsalë dhe nxire pasaportën që të duhet. Unë kam edhe një javë, pastaj jam e lirë. Sa ta mbyllim shkollën, nisem.Sikur t’ isha në vendin tënd, do rrija edhe këtë fundjavë këtu, pastaj do t’ ikja në Uppsalë.”
” Ashtu dhe do bëj,” i thash.

31. Agu i një shprese të vyshkur

Këtë ditë, të parën e muajit qershor, po e filloj në Uppsalë. Kam mbërritur pasdite, më ora katër e gjysmë, pasi kaluam nëpër disa fshatra të voglatë qarkut të Uppsalës. Autobusi më la në qendër të qytetit, pranë Bibliotekës, dhe q’atej eca më këmbë. Kisha nevojë ta drejtoj shpinën.
Këtu s’kam gjetur njeri. Brenda, n’oborrin e vjehrrës, të rrethuar me arqita e jargavane, mbretëronte një heshtje e hareshme, thuajse kishtare,rreth e përqark dëgjohej cicërima e rabeckave, shpurdhjakëve dhe mëllenjave por Eriku, nipi i vetëm i Anna Lizës, kishte marrë malet. Pak i hante palla se dikush do të hynte brenda dhe do ta zbrazte katin e parë nga antikat e hallës tij. Se mos i kishte blerë vetë që t’ i dhimbseshin…
E zura kufjen dhe i dëftova Ninës se kam ardhur. Pastaj, pasi i vendosa plaçkat në dhomën time, e nxora adresarin që ta njoftoj edhe Vezirin se gjendem në Uppsalë.
” Nuk është këtu,” më tha Inga. ” E kanë dërguar në Ludvika për të ushtruar në akull. Ai mirë i grah makinës në tokë të thatë, por kjo nuk është Maqedoni. Ketu ka akull. Nëse do bëhet shofer i mirë, duhet të ushtrojë edhe në akull.”
” Por kur vjen parapa?” e pyeta.
” Nuk e di me tamam, por të lajmërohet. Ma jepni numrin, që ta kem për siguri.”
As me Lefterin s’pata fat. Si për inatin tim, ai kishte gjetur një shok apo shoqe në Leksand. E zonja e shtëpisë nuk dinte më shumë. Që ka shkuar, e di, po kur kthehet, nuk e di.
Më mirë të mos vija fare, mendova, thash.
Por nuk mu deshtën ama veçse pak çaste që të vija më vete. Jo, unë s’ kisha ardhur as për hir të Vezirit, as për hir tëLefterit,as për hir të Atullahut, por për hir të një ëndrre që kish filluar ta humbte freskinë. Unë, bash edhe sikur të doja, s’ kisha kohë të eglendisesha me Vezirin, kur duhej të paraqitesha në zyrën e Policisë Lokale, të mbushja kërkesa, të nxirja fotografi dhe të mbaja kontakt me Shoqatës së Miqësisë. Ajo më e mira që mund të bëja ishte të shëtisja nëpër Helbygatan dhe pastaj të kthehesha në shtëpi, se nesër më prisnin detyra të reja.
Ora ishte përafërsisht shtatë kur dola. Bënte ngrohtë dhe dielli akoma s’ kishte perënduar. Dritat e zbehta elektrike, rrugët e zbrazta, kalimtarët e rrallë, si dhe makinat e parkuara në të dyja anët e rrugës ma kujtuan se lagjja ku kishte blerë shtëpi vjehrri im ishte lagje e pasanikëve të rinj. Këta i dinin vrimat e ligjit dhe mundësist për të spekulluar. Këtu çdo shtëpi ishte dykatëshe dhe secila prej tyre kishte oborr të madh dhe secili oborr ishte i rrethuar me gardh të lartë e të krasitur mirë. Nga secila shtëpi, gjegjësisht nga secili oborr shtëpe, vinte një aromë e fortë, marramendëse, e jargavanave.
Ja, pra, kjo ishte Uppsala.Ky ishte qyteti që e kisha patur ndër mend muaj me radhë. Ngado që kaloja, cilëndo kthesë që e merja, sytë e mi nuk shihnin tjetër pos jargavana dhe aroma e tyre m’ i shëronte të gjitha plagët. Sikur të egzistonte një mënyrë, unë do t’ ua dërgoja një rriskë të kësaj përralle të gjithë miqëve dhe shokëve të klasës.Ku janë vallë ata burra që i quaja shokë dhe miq? Ku janë vallë ato gra që dikur i quaja të dashura? Të gjitha kanë ikur nga mendt e mia dhe janë strukur në nëntokën e kujtesës.
S’ di pse s’ vete e të rri me Osën, mendova.
Jo, unë bëj mirë t’ i shmangem Osës, se ajo nuk është pjesë e jetës sime. As ajo, as unë. Osa ka qenë pjesë e një njeriu tjetër. Nëseegziston njeri që i di sentimentet e saj për mua, duhet të jem unë, se njihemi nga fillimi, kur ndiqnim sëbashku fonetikën e gjuhës suedeze. Atëbotë duheshim me njëri tjetrin, por si shokë, si miq. Sa herë fliste me mua, kuqrremej si kaçë dhe zëri i ngecte në fyt.Por e kishte dhe donte një tjetër. Përse duhet të jem aq i keq sa të tallem me viktimën?Përse duhej të hyj në jetën e saj dhe t’ ia vras të përditshmen? Kush jam unë që duhet të shkoj patjetër atje ku nuk duhet?
Dhe ja ku jam, në një dhomë që i takon time vjehrre dhe po pres ta realizoj një ëndërr që tashmë është vyshkur si shtati i bishtajës, por kokrrat e saj, si bizelet, janë gjithnjë të shëndosha e të paprekura.
(vazhdon ).

Ramadan Rexhepi