SHPËRNDAJE

Nëpër rrugët e Ohrit ndesh në grupe të ndryshëm turistësh, të cilët vijnë këtu nga e gjithë bota. Madje, këtë vit erdhi edhe një grup me turistë nga Alaska. Prej kohësh, qyteti i vogël buzë liqenit me të njëjtin, emër është bërë një prej atraksioneve më të rëndësishëm turistikë, për Maqedoninë.

Janë 380 hotele dhe apartamente të cilat lëshohen për turistët e huaj, të cilët i kalojnë disa ditë këtu. Pavarësisht se Ohri është një qytet i vogël, guida që ofrohet është e pasur; që prej qytetit të vjetër, vendosur nën kala, kishat dhe manastiret e shumta, muzeumet dhe bukuritë natyrore që gjendjen përgjatë brigjeve të liqenit, e deri tek vizita e Manastirit të famshëm të Shën Naumit, në kishën e së cilit gjenden afreske dhe simbole të rralla.

Pas Shkupit, Ohri është një nga qytetet kryesore ku maqedonasit po investojnë në lidhje me turizmin. Amfiteatri i Ohrit, po i nënshtrohej rikonstruksionit, ndërsa në manastirin e Shën Klementit, ekspeditat po punonin për nxjerrjen dhe restaurimin e rrënojave të vjetra historike. E gjithë kjo, do të thotë më shumë vizitorë dhe para në të ardhmen e afërt.

Prej disa vitesh, turizmi është bërë burimi kryesor i të ardhurave të banorëve të këtij qyteti. Rruga më e frekuentuar është ajo e pazarit të vjetër, ku vazhdimisht ndesh në dyqane dhe shitës të cilët shesin suvenire të ndryshme kombëtare, e në veçanti perla të liqenit. Megjithatë, krahasuar me një apo disa vjet më parë gjërat kanë ndryshuar.

Duke lënë mënjanë dyqanet e suvenireve apo galeritë e ndryshme, vetëm në pak dyqane sheh mallra të mirë. Pjesa tjetër, janë më se të zakonshëm, të ardhura nga Turqia apo Kina. Ohri nuk është më ai që ka qenë një herë e një kohë. Qyteti që dikur kishte trembëdhjetë ndërmarrje të mëdha, tashmë ka vetëm disa punishte të vogla.

Numri i banorëve ka rënë nga 60 000 në 30 000 banorë. Më shumë se gjysma janë larguar prej qytetit, madje duke emigruar jashtë. Mjaft banorë maqedonas, janë pajisur me pasaporta bullgare dhe kjo ua ka lehtësuar mundësinë e lëvizjes, si në Bullgari, ashtu edhe në Europë. Ohrin mund ta quash pa frikë një qytet tipik ballkanas.

Nëpër qytet zotërojnë kishat ortodokse, por spikatin edhe minaretë e xhamive, sidomos atyre të vendosura në pjesën lindore dhe veriore të pazarit. Në rrugë ndesh të dëgjosh më së shumti maqedonisht, por nuk mungon edhe gjuha turke. Shumë rrallë, mund të dëgjosh banorët nëpër rrugë të flasin shqip ndërmjet tyre.

Tashmë në Ohër banojnë rreth 7 000 shqiptarë, shumë prej të cilëve prej kohësh janë të regjistruar si turq. Ndërkohë, shqiptarët e krishterë që jetojnë në pjesën e qytetit të vjetër thuajse janë asimiluar plotësisht, aq sa sot të gjithë banorët e kësaj pjese i merr për maqedonas, duke mos i dalluar fare prej njëri-tjetrit.

Në pazarin kryesor vetëm pak dyqane janë të shqiptarëve. Pjesa tjetër është ndarë mes maqedonasve dhe turqve, të cilët falë edhe politikave të shteteve dhe religjioneve të tyre, janë edhe më të fuqishëm. Rruga kryesore e pazarit, është edhe më e lakmuara. Një metër katror arrin deri në 12 000 euro/metër katror.

Po kështu një apartament në qendër shkon deri në 1 500 euro/metër katror, ndërsa në periferi mund ta marrësh edhe për 750 euro/metër katror. Ndarja mes maqedonasve dhe të tjerëve vazhdon edhe më tej.

Në lagjet apo godinat ku banojnë maqedonasit, nuk mund të blejnë apo të banojnë shqiptarët. Një politikë e vjetër kjo, mes bashkëjetesës dhe nacionalizmit, e cila vazhdon edhe sot. Në një mënyrë a në një tjetër, vet maqedonasit kanë ngritur politikën e mini-enklavave, apo mureve ndarës të padukshëm.

Vet shqiptarët e Ohrit janë ndjerë të braktisur nga politikanët shqiptarë. Ata thonë se “ne jemi të padukshëm” për politikanët shqiptarë, të cilët rrallë e tek mund të shkelin në këtë qytet. Edhe atëherë, më shumë për të ngrënë ndonjë drekë, se sa për tu takuar me banorët e për të diskutuar problemet që ata kanë.

Si pasojë e kësaj klime, si edhe falë politikave të ndryshme që ndiqen karshi tyre, ata, kryesisht të rinjtë, po largohen jashtë vendit. Një ndarje e bërë më herët, e në mënyrë të kamufluar, e ka lënë Ohrin jashtë ndikimit të shqiptarëve, të cilët janë më shumë prezent në veri të liqenit, në trekëndëshin Strugë-Kalishtë-Veleshtë, ku edhe shqiptarët dominojnë më së shumti.

Pavarësisht rritjes së fluksit të turistëve, Maqedonia mbetet një nga shtetet më të varfra në Ballkan. Si pasojë e politikave të ndryshme, mjaft njerëz po largohen prej saj.

Në bazë të përllogaritjeve, mendohet që pas njëzet vitesh popullsia në Maqedoni të shkojë në 1 500 000 banorë. Edhe Ohri, ky qytet i bukur i cili sot është një nga pikat më të rëndësishme turistike në rajon, nuk mund të bëjë asnjë përjashtim nga sindroma që e ka prekur shtetin të cilit ai i përket. (tiranaobserver)