Prokurimi publik, Hoti prezanton vërejtjet kryesore: Asnjë avancim gjatë vitit 2023   – Telegrafi

0
26

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti theksoi sot se në prokurimin publik nuk ka pasur asnjë avancim gjatë vitit 2023.

Hoti në një postim në Facebook shkruan se gjatë vitit që po e lëmë pas prokurimi publik është karakterizuar me bllokadë në shqyrtimin e lëndëve, tejkalim të afateve ligjore në shqyrtim të lëndëve, diskriminim ndaj operatorëve, ndryshim joligjor të rregullores së punës dhe mungesë transparence në shqyrtimin e ankesave.

Lexoni të plotë postimin e deputetit të LDK-së:

Asnjë avancim në prokurimin publik gjatë vitit 2023.

Përkundrazi, prokurimi publik është karakterizuar me bllokadë në shqyrtimin e lëndëve, tejkalim të afateve ligjore në shqyrtim të lëndëve, diskriminim ndaj operatorëve, ndryshim joligjor të rregullores së punës dhe mungesë transparence në shqyrtimin e ankesave.

Dhjetë vërejtjet kryesore nga monitorimi i punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit gjatë vitit 2023 janë si në vijim:

Në OShP janë deponuar 748 ankesa nga operatorët, por vetëm 23% e tyre janë zgjidhur brenda afatit ligjor.

Për 116 ankesa, ka skaduar afati ligjor për shqyrtim.

Koha mesatare e zgjidhjes së ankesave është rritur nga 55 ditë, sa ka qenë më herët, në 63 ditë për vlerën e lëndëve të ankesave deri në 300,000.00 euro.

OShP përdorë standarde të dyfishta të shqyrtimit të ankesave, pasi Bordi kishte vendosur që të mos trajtoheshin ankesat të cilave u kishte skaduar afati ligjor për shqyrtim, ndërkaq sot pjesa dërrmuese e vendimeve janë të nxjerra jashtë afatit ligjor.

Për një kohë të caktuar nuk ka funksionuar Bordi i OShP-së, duke dëmtuar të drejtat e operatorëve dhe bllokuar investimet publike.

Shoqëria civile e ka të pamundur të monitorojë si duhet aktivitetet e OShP-së.

OShP dy herë kishte ndryshuar rregulloren e punës. Fillimisht kishte vendosur që ankesat për kontratat në vlerë deri në 100,000 euro të shqyrtoheshin në panele individuale. Pastaj, ky prag është rritur në 300,000 euro. Në rregulloren e mëparshme të punës së OShP-së, ky prag ka qenë 30,000 euro. Pasi shumica e ankesave i përkasin vlerave deri në 300,000 euro, kjo nënkupton se shumica e ankesave shqyrtohen nga panele individuale.

Megjithatë, ndryshimet në rregulloren e punës nuk kanë rezultuar me rritje të efikasitetit të punës së paneleve shqyrtuese.

Ndryshimet në rregulloren e punës janë bërë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, pasi ka pasur mungesë të plotë të transparencës dhe nuk janë përfshirë palët e interesuara në këtë proces.

Është shfaqur mungesë e koordinimit mes zyrave dhe departamenteve. /Telegrafi/