SHPËRNDAJE

Në të gjitha kohërat ka pasur prijës e liderë që i kanë përfaqësuar dhe i përfaqësojnë qytetarët e tyre, liderë të dinjitetshëm dhe të pa dinjitetshëm. Kohëve të fundit u përsëritën dhe dolën në opinion disa fakte që paraqesin vështirësitë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, vuajtjet e tyre nga pushteti serb. Popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës në të gjitha aspektet, vazhdon të mbetet pakica më e diskriminuar në mbarë Evropën. Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se ato vështirësi dhe vuajtje janë të instaluara me qëllime të caktuara nga pushteti serb, të ri dizajnuara që nga koha e viteve 1878.

Për t’i ndaluar këto vështirësi dhe padrejtësi është e vërtetë se popullsia e Luginës së Preshevës ka nevojë për liderë të dinjitetshëm që i mbrojnë interesat dhe të drejtat e tyre. Dinjiteti qëndron, kur i zoti shtëpisë i fillon punët mbarë dhe në interes të familjes së vet. Gjatë rrugëtimit në rast të pengesave, duhet ta kërkojë ndihmën e vëllait, mikut, etj. Por, duhet kuptuar se nëse i zoti i shtëpisë nuk është i interesuar t’i fillojë punët mbarë, atëherë edhe vëllai apo miku me vështirësi i del në ndihmë.

Shtrohet pyetja: A janë të dinjitetshëm liderët e Luginës së Preshevës në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të popullatës që e përfaqësojnë?

Nëse i krahasojmë zanafillat e organizimeve politike në tri komunat ku jetojnë dhe veprojnë sot shqiptarët e Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) me organizimet dhe aktualitetet politike, sociale, ekonomike dhe të sigurisë, që nga viti 1992 e deri më sot, mund të shohim rrjedhën reale se në Luginën e Preshevës nuk ka ndryshuar asgjë për të mirë të atyre qytetarëve, por veç sa ju ka vështirësuar jeta më shumë. E gjithë kjo, siç duket, ka ardhur si pasojë se ata që u vunë në krye të proceseve, janë vënë vetëm pas interesave të ngushta personale, grupore e partiake, duke i harruar interesat dhe preokupimet më elementare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët i përfaqësojnë.

Edhe përkundër arritjes së Marrëveshjes së Paqes (Marrëveshjes së Konçulit, 13.2.2001), me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, për përfundimin e luftës së armatosur ndërmjet UÇPMB-së dhe forcave të kombinuara serbe, me të cilën parashihej arritja të paktën e disa të drejtave për popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës, liderët e kësaj pjese e shfrytëzuan mos implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe krijuan terren të favorshëm për rrugën e tyre politike, duke kërkuar përkrahje në sigurim të votave të shqiptarëve dhe serbëve për marrjen e posteve udhëheqëse në nivelin komunal dhe republikan. Realiteti objektiv flet për formimin e panevojshëm të një numri të madh të partive politike (të mëhallëve), krijimi i Këshillit Nacional, që shfrytëzohet për nevoja partiake, duke përçarë dhe duke krijuar edhe më tutje pasiguri dhe padrejtësi tek popullata shqiptare në çdo nivel të jetës.

Ky rrugëtim i gjatë i faktorit politik shqiptar të Luginës është një realitet i hidhur, që është krijuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, dhe që reflekton në një përçarje të planifikuar deri në një urrejtje dhe njollosje të ndërsjellë.

Në ditët e sotme vërehet se popullata e Luginës së Preshevës ka një lidership të hutuar brenda vetvetes, të shantazhuar me dijeni apo pa dijeni, aktorë, si dhe demagogë profesionistë.

Një fjalë e urtë popullore këndej nga ne thotë: “Më mirë është t’i kesh të dy këmbët me këpucët e tua të vjetra dhe të ecësh kah të duash se sa t’i futësh të dy këmbët në një këpucë të kojshme e mos të mundesh fare të ecësh”. Këpucët e Nebojsha Çoviqit, të Zoran Stankoviqit, Ivica Daçiqit si dhe të disa të tjerëve gjatë verës mund të jenë të mira, por për sezonin e dimrit ato nuk ju bëjnë punë, ua lëshojnë ujin. Kështu që është mirë të përgatiteni t’i përdorni ato tuajat se janë më të qëndrueshme.

Qytetarët e mjerë në këto vise shqiptare kanë besuar (apo kanë dashur të besojnë) se kanë liderë të dinjitetshëm, “liderë” që i mbrojnë interesat e tyre, ”liderë” që punojnë për t’u ofruar një jetë më të mirë në aspektin social-ekonomik, ”liderë” që bëjnë më shumë në nivelin kulturor, arsimor e shëndetësor, “liderë” që i lënë anash interesat individuale dhe partiake për interesat e përgjithshme, ”liderë” që mbrojnë dinjitetin e çdo shqiptari në Luginë të Preshevës, “liderë” që paraqesin unitet nacional! Por, JO! Realiteti i deritanishëm është tjetër. Shqetësimet e tilla të popullsisë, liderët aktualë i përdorin vetëm si fjali gjatë fushatave të ndryshme elektorale për interesa shumë të ngushta të personale, grupore e partiake, pastaj gjatë takimeve me faktorin politik në Kosovë dhe në Shqipëri dhe para qytetarëve të tyre për t’ua shitur demagogjitë.

Pas shumë retorikave dhe demagogjive të tyre të paskrupullta, kohëve të fundit, siç duket, qytetarët e Luginës së Preshevës e kanë kuptuar se deri më tani, paskan qenë të mashtruar nga ”liderët” e tyre, se qenkan gënjyer me demagogjitë e retorikat e tyre profesionale, me plot gojën nacionalizëm.

-Prishtinë-

Hasan Hiseni / hiseni_hasan@yahoo.com.

Autori është njohës i rrjedhave të Luginës së Preshevës