Shkëlqimi i Drilon Islamit në vitin e parë te Prishtina: Synojmë Kupën dhe pjesën e epërme të renditjes, nuk mposhtemi në Suharekë – Telegrafi

0
30

Pesë ndeshjet e fundit pa humbje, Prishtina ngadalë po rikthen formën e duhur dhe ka filluar ngjitjen në Albi Mall Superligë.

Kryeqytetasit kanë marrë dy fitore e tre barazime në kampionat, derisa kanë triumfuar edhe në Kupën e Kosovës.

Një nga futbollistët kryesorë të Prishtinës këtë edicion është padyshim mesfushori Drilon Islami, i cili është bërë një lider te skuadra bardhekaltër.

23-vjeçari ka shkëlqyer me paraqitjet e tij këtë edicion dhe po udhëheq Prishtinën drejt kreut të tabelës me synimet e klubit që janë dalja në Evropë.

Në një prononcim për Telegrafin, Islami flet për formën e mirë që po kalojnë, ku nga pesë ndeshjet e fundit që nuk kanë pësuar humbje në katër prej tyre kanë mbajtur portën e paprekur.

“Jemi në formë të mirë pasi nuk kemi pësuar humbje në pesë ndeshje dhe nga to në katër duele kemi mbajtur portën e paprekur. Kjo tregon që jemi në rrugën e duhur dhe forma e skuadrës po rikthehet. Shpresojmë të vazhdojmë në këtë mënyrë”, deklaroi Islami për Telegrafin.

Për Islamin ky është viti i tij i parë në Prishtinë, por ai po luan me fanellën e gjigantit kosovar sikur të kishte një jetë që është pjesë e kësaj skuadre, duke treguar lidership.

“Jam ambientuar shumë mirë te Prishtina dhe kjo më gëzon jashtëzakonisht shumë. Jam duke kaluar kohë të mira në fushë dhe jashtë saj edhe me shokët e rinj të ekipit. Pritja ka qenë fantastike dhe jam shumë i kënaqur këtu”, thotë mesfushori i talentuar.

Ish-anëtari i Dritës dhe Ferizajt thotë se objektivat e Prishtinës janë të luftojnë për pjesën e epërme të tabelës dhe natyrisht të synohet Kupa e Kosovës.

“Ka shumë ndeshje deri në fund të sezonit dhe ne do të luftojmë sigurisht për pjesën e epërme të renditjes tabelare. Sigurisht që do të synojmë edhe triumfin në Kupën e Kosovës që mbetet objektivi i skuadrës”, vazhdon tutje Islami.

Ndeshjen e ardhshme kryeqytetasit e zhvillojnë në udhëtim te kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani. Pas humbjes së parë të pësuar në fundjavë, Islami thotë se do të tentojnë t’i shkaktojnë edhe humbjen e dytë skuadrës së Ilir Dajës.

“Sigurisht që është një ndeshje e vështirë pasi kemi parasysh se çfarë skuadre kemi përballë, por ne jemi Prishtina dhe gjithmonë futemi në fushë për fitore”.

“Qëllimi është të vazhdojmë me këtë ritëm të rezultateve të mira dhe besoj se do të largohemi me pikë nga Suhareka”, deklaroi Islami për Telegrafin.

23-vjeçari është një titullar i rregullt në klubin bardhekaltër dhe në rast se vazhdon me ritëm të njëjtë mund të largohet në verë për ndonjë kampionat më të fortë pasi qysh tani ka skuadra jashtë vendit që kanë shprehur interesim për të. /Telegrafi/