Ligj për markat tregtare/ Ndryshime dhe për pronësinë intelektuale dhe patentat e regjistruara

0
55

Integrimi në Bashkimin Evropian do të thotë edhe formalizim për ekonominë shqiptare.

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publike dy ligje mjaft të rëndësishme. Njëri prej tyre mbron dhe përkufizon qartë konceptet e markës tregtare dhe pronësisë intelektuale, ndërsa një tjetër mbron patentat e regjistruara. Konceptet ishin të përfshira në një ligj ekzistues të vitit 2008, që nuk i përshtatej kohës dhe rregullave të tregtisë ndërkombëtare.

“Çdokush mund të aplikojë për 5-10 minuta për një markë tregtarë, ta regjistrojë dhe të bëhet pronar i saj, tërësisht online nëpërmjet e-albania. Rregullohet për herë të parë edhe procedurat në mënyrë të detajuar që kanë të bëjnë me markat tregtare ndërkombëtare ku përfshihet edhe Shqipëria në shtetet ku ato kërkojnë mbrojtje. Në këtë mënyrë rriten edhe investimet e huaja në vendin tonë, pasi kompanitë do të ndihen më të mbrojtura”, tha eksperti juridik, Etloni Pepa.

Ndërkohë projektligji do t’i japë më shumë kompetenca Doganave dhe Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut që të ndalojnë qarkullimin dhe tregtimin e markave të falsifikuara. Kjo do të prekë rreth 43 mijë biznese të tregtisë me pakicë, shumica prej tyre familjare dhe të drejtuara nga gratë

“Projektligji i jep mjete dhe procedura pronarëve të markave tregtare që të depozitojnë një kërkesë ankesë në Inspektoratin shtetëror të mbikëqyrjes së tregut dhe ky i fundit më pas nëpërmjet inspektimit mundet të shkojë të bllokojë këto mallra dhe palët të përfshihen në një proces gjyqësor ose në të kundërt të pranohet pa gjyq, shkatërrimi i mallrave. Bizneset që operojnë në treg duke ofruar mallra të falsifikuara munden të ndërgjegjësohen dhe të fillojnë të tentojnë të marrin një licencë nga pronari i markave tregtare, në mënyrë që të vazhdojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre tregtare pa pasur pengesa që lidhen me zbatimin e pronësisë intelektuale”, tha Pepa.

Institucionet ku palët mund të ngrenë padi për abuzim me markën apo pronësinë e tyre intelektuale do të jenë Gjykata administrative dhe gjykata e juridiksionit të përgjithshëm, ndërsa projektligji përcakton qartë të gjitha rastet kur ngrihen pretendimet.


Top Channel