Hovenier shprehet i habitur me kritikat që po bëhen rreth draft-statutit të Asociacionit – Telegrafi

0
44

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Hovenier u shpreh i habitur me komentet dhe kritikat që po bëhen për draft-statutin e Asociacionit, që është propozuar nga zyrtarët e lartë perëndimorë.

“Unë jam pak i hutuar nga kaq shumë komente, kaq shumë kritika të kësaj përpjekjeje, ne mendojmë se fokusi duhet të jetë në atë se si Kosova mund të ecë përpara me miratimin e këtij drafti dhe kalimin në Gjykatën Kushtetuese. Nëse ka pyetje për kushtetutshmërinë siç e thashë edhe më parë do ta them sërish se ka vetëm një organ që është në gjendje të vendosë, ajo është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duhet të lëvizim shumë shpejt përpara”, tha ambasadori.

Hovenier u ka thënë mediave se qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar lidhur me Asociacionin.

“SHBA-ja beson se është obligim për Kosovën që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E di që natën e kaluar BE-ja dhe Këshilli i tij e kanë ritheksuar atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje në atë drejtim.

Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republika Srpska. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës”, u shpreh Hovenier./Telegrafi/