SHPËRNDAJE

 

 

si netët polare.Pritja e këtyre ditëve po ma kujton kohën kur sapo kisha ardhur në Stockholm dhe lexoja gjithëçka që më binte në dorë.Ishte verë,qyteti ziente nga turistët që endeshin nëpër Østermalm, Kungsgatan, Høtorget e Gamla Stan dhe unë sorollatesha midis ëndrrave dhe seriozitetit. Kryeqyteti ishte plak nga fama, por e ri dhe madhështor nga salltaneti.
Në mungesë të të ardhurave, e pata marrë një dhomë të vogël në Johanneshov dhe çdo ditë shkoja në Bibliotekën e Qytetit për t’ i shfletuar revistat e botuara në frengjishte, anglishte e gjermanishte. Sasia e këtyre s’ ishte e madhe, por e mjaftueshme për një ardhacak që donte të mësonte sa më shumë mbi gjuhën, letërsinë, kulturë dhe artin e popullit suedez.
Mu n’ ato rrethana, kur stockholmasit nxitonin drejt pishinave dhe plazheve të qytetit, pata fatin të gjej një libër mbi veprimtarinë e piktorit Lars Norman dhe të mësoj se i Madhi Zot, përpos mrekullive tjera, e kishte shpikur edhe një natë që fillonte në tetor dhe mbaronte në mars. Ajo natë quhej polare.
Poaq e thellë dhe – poaq e gjatë dhe – poaq ofenduese më duket mospërfillja e atyre që duhet të vendosin nëse unë, një shqiptar i lindur jashtë Shqipërisë, duhet apo s’ duhet të shkoj në Shqipëri për ta parë Krujën e Skenderbeut.
Po e ndiej veten shumë të zhgënjyer. Edhe sikur ta zë një gjilpërë të gjatë, si ato që ne, preshevarët, përdorim për të ngjitur duhan, e t’ i qep buzët me fije të trashë,revoltën që kam në shpirt s’ ma heq njeri. Më në fund, kam zënë ta kuptoj se të gjitha ato që m’ i ka thënë Lefteri po dali të vërteta.
Çka dreqin bën njeriu që është antarësuar në një shoqatë miqësie, ka nxjerrë një dokument udhëtimi, e ka paguar rrugën dhe disa askusha, që privatisht deklarojnë se janë dropullitë, vlleh, gollobërdas e serbë, gjithmonë e arsyetojnë veten se janë duke pritur urdhërat e Tiranës? Ai lexon ditë për ditë, lexon çka t’ i bie në dorë, lexon për ta vrarë kohën, hapësirën dhe zhgënjimin e tij. Ai lexon sepse kjo është mënyra e vetme për ta vrarë atë revoltën e vjetër ”kosovare”që na mëson se ishin pikërisht ata qena që i detyruan baballarët tanë t’ i rrokin armët kundër Gjermanit dhe – pastaj – i lanë në baltë. Nuk ishim ne, që lindëm gjatë dhe pas LDB-s, që ia shitëm Titos vendlindjen, por ishin ata.
Duke mos patur tjetër punë, çdo mbrëmje shkoj në qilar e kërkoj ca shënime të moçme, por me sa duket Eriku i ka flakur në plehurishte. Dhe s’ po ia marr për të madhe, se atë detyrë ia kanë ngarkuar pronarët dhe ky, si student që është, duhet ta përmbushë detyrën që ia ka caktuar halla.
Dje ishim në ”Fyrisbadet”.
Kështu quhet kompleksi i pishinave të këtij qyteti, ku gra e burra, djem e vajza, shkojnë për të ushtruar notin, për të bërë bastu dhe për t’ u argëtuar me njëri tjetrin. Dhe kend e pashë në mesin e turmës? Ishte ajo prokurorja e bukur, që ditë më parë kishte pirë goxha shumë dhe donte të na ftonte në krevat edhe mua, edhe Lefterin. I rash pishinës me not dhe, pasi iu afrova, ia zgjata dorën.
” Hë, ku e paske lënë Rasputinin?”e nguca.
” O, te shtëpia,” ma ktheu duke qeshur. ” Këmi një vajzë të vogël dhe njëri prej nesh duhet të kujdeset për te.”
Ec e bjeru në fije këtyre punëve.
” Me fjalë tjera, ju paski qenëtë martuar?” i thash.
“ Aber selbsvertänlich,” ma ktheu në gjermanishte. ” Kemi një princeshë të bukur. Do ta marr nesër me vedi.”
” Puthe nga ana ime,” i thash.
Si unë, ashtu dhe Lefteri, kishim marrë libra me vedi dhe gjithë ditën e shkuam duke lexuar. Rreth e përqark nesh zhvillohej një taralluzhë e gjallë, por neve s’ na hynte në punë teatri që zhvillohet rreth e përark.Fundja, kanë kaluar dyqind e sa vjet që Suedia jeton në paqë dhe banorët e saj janë shndërruar në qengja të urtë.Ato doket tona mesjetare si besa, mikpritja e virgjëria e palëve këtu konsiderohen si bajga të shprishura në shi. Këtyre dashuria jonë iu duket teatrale, e kotë, dhe t’ ju flasësh për besnikëri është njësoj si t’ iu thuash – hipni në Everest dhe rrokullisuni teposhtë.
Sot kam folur edhe me Ulmarin. Ai do të udhëtojë me grupin e turistëve të parë, por është goxha i shqetësuar për fatin e Dashnor Mamaqit, të cilin, edhe pse s’e ka takuar kurrë, e njeh për mrekulli nga letrat që ka marrë nga Tirana.
Mjerisht,Dashnori paska heshtur fare. Kanë kaluar goxha do vite nga koha kur ai i dërgonte letra, disqe dhe këshilla se si mundej ta mësonte gjuhën shqipe. Në letrat e tij, Dashnori e kishte përmendur familjen e tij, një familje e ndershme, përmetare, e cila, ndryshe nga familjettjera, e kishte përkrahur Luftën Nacional Çlirimtare dhe falë asaj, gëzonte shumë privilegje që nuk i gëzonin të tjerët. Se t’ ishte e kundërta, letrat që Ulmari ia kishte nisur Radio Tiranës, nuk do të binin në duart e tij dhe Dashnori nuk do të merte mund t’ i shkruante për veten, shoqen dhe fëmijët. Ai kishte një grua të shkëlqyeshme dhe katër fëmijë – tri vajza e një djalë…
Duke qenë se po bëhet gati, ia nisa një letër ”udhambarëse” dhe e luta të më blejë ca libra e ca disqe me këngë popullore.
Rrugës, deri sa po shkoja në Postë, rastisa Lefterin.
” Ça deshte në Postë,” më pyeti. ” Mos të ka ardhur gjë?”
” Mjerisht,jo, ” i thash. ” S’ kisha tjetër punë dhe ia shkrova një letër atij mikut suedez. Po ti ku po vete?”
Ai e lëshoi një ofshamë dhe i shtremboi buzët.
“ S’ jam rehat në Luthagen,” tha. “Po kërkoj një shtëpi më të mirë. A po më bën shoqëri deri në Graneberg?”
“ Pse jo,” i thash. “ Unë edhe ashtu po rri kot.”
” Bëfsh hajr, se po pritoj të shkoj vetëm,” tha.

42. Bethy

Pritja më ka dërrmuar fare. Kot se po e mashtroj veten qëata të Ambasadës shqiptare do të marin një qëndrim më të butë kundrejt nesh, ”jugosllavëve” të Kosovës. Sipas fjalëve të zotit Fyledahl, që më duket burrë i arsyeshëm, komunistët shqiptarë janë nja katërqind vjet pas Spanjës së diktatorit Franko. Edhe pse fashist, i egër e gjakatar, Frankua po bën çmos që ta joshë shtresën e mesme evropiane me plazhet e ishujve të saj dhe ta pakësojë papunësinë që e ka mbërthyer Spanjën Medhjetare.
” Dëgjo vëllanë,” më tha një ditë zoti Fyledahl. ” Këshilltarët e atij despotit janë aq të trashë, sa që s’ dinë tjetër pos citateve të Mao Ce Dunit. Të gjithë evropjanët donëmish e patate të skuqura, ata preferojnë të hanë barë. Ke parë budallallëk më të madh? Mua, ç’ është e drejta, s’ më takon të flas, se aty e kam bukën, por jam i sigurtë seata policët e tijs’ çajnë bythë për asgjë dhe, më së paku, për neve që e duam Shqipërinë. Ata,madje,s’ donë të na shohin sytë, se prania jonë iu nxjerr telashe.”
As mua s’ më takon të flas, por Shqipëria ka hapur një jaz në jetën time familjare. Që nga dita kur vajta në bankë dhe pagova udhëtimin,Nina është ftohur shumë dhe thuajse çdo ditë ikën te Kristina, kushërira e saj. Kjo po më nxit që edhe unë, për ta vrarë zhgënjimin tim personal, të vete në Qytetin e studentëve dhe t’ i kërkoj miqët e vjetër. Ca ditë më parëisha te Borua dhe Cvetana nga Bullgaria, ndërsa sot, deri sapo e vrisja kokën nga t’ ia mbaj, ktheva te Bethy, një kolege nga Instituti i Gjuhëve Sllave.
Bethy banon në Floragatan, një apartament i vogël, dhe sheh çdo visitor nga kuzhina e saj. Mjafton të kalosh përskaj shtëpisë e të thirrësh “Beeethy” dhe Betthy, nëse gjendet brenda, menjëherë çfaqet në dritare. Nëse ndodh që nuk çfaqet, ajo do të thotë se Bethy gjendet ose në Institutin e Gjuhëve Nordike ose në Bibliotekën Universitare.
Ajo është bukuroshe e vërtetë: e gjatë, me shtat mesatar, fytyrëthekur dhe ka dy sytë mëdhenj, ngjyrë gështenje. Kemi ndjekur një motmot ligjëratat e letërsisë ruse, kemi ngrënë në të njejtin lokal, por nuk kemi qenë shumë të afërt me njëri tjetrin.Ajo kishte shoqërinë e saj, unë kisha timen.Pa marrë parasysh ato që u thane më sipër,Bethy është e paisur me një bukuri që s’ do as pudër, as makiazh.
E pash që po gatuante diçka dhe i thërrita nga rruga.
” Beeethy!”
Sapo dëgjoi thirrjen time,më dha sinjal të ngjitesha lart.
” A di ça po mendoja,” i thash, kure kalova pragun e derës.
” E ku ta di unë ça mendojnë burrat e botës,”ma ktheume ton gjysmë zyrtar.
“ Do të dëftoj,” i thash. “ Deri sa po vija këtej, po e qortoja veten që kemi jetuar dy vjet e gjysmë në të njejtën lagje, kemi thithur të njejtin ajr por kurrë s’ i kemi shkelur kufijt e kësaj distance të mallkur që na ka mbajtur si shumë zyrtarë me njëri tjetrin.”
Ajo i shtrëngoi nofullat dhe provoi t’ i shmangej bisedës.Paska çaste kur njeriu s’ do ta kujtojë të shkuarën.
” Atëbotë kisha probleme,” tha. ” Vuaja nga verdhema dhe i shmangesha kontaktit me meshkuj. Tek tani, pas një shërimi gjashtëmujor, po e ndiej veten njeri. Ja si dukesha më parë, dhe ja si dukem tani,” tha ajo duke ma zgjatur një fotografi të vjetër dhe duke ma kthyer prapanicën që t’ ia shoh në profil.
Ajo vërtet ishte një qenie tjetër.
” Vërtet ke ndryshuar,” i thash.
” Atëbotë isha më e hollë, më e bukur, por gjithnjë e lodhur. Atëbotë vishesha me rroba të trasha dhe haja ato që gjeja,” tha Bethy. ” Tani jam më e plotë dhe më e ngjeshur. S’ di si të paska dalë nga mëndja? Atbotë i kisha dy cica të vogla, sa mushmollat, ndërsa tani – shiko si më janë rritur – si ftonjtë e Libanit. A po e sheh dallimin?”
Dhe ajo, nëspontanitetin e saj, aty për aty e çoi bluzën e m’ i dëftoi ”ftonjtë” e saj, që tani ishin të mëdenj sa lepujt dhe iu përngjanin pulave të strukura në kotec.
” Po ankohesh kot,” i thash. ”Tani, mashalla, i paske mirë.”
” Kush tha që po ankohem,” tha. ” Po konstatoj se jam trashur në bel dhe memzi po hyj në pantallone. Ti nuk e di, se je mashkull, po rrobat e papërshtashme janë si këpucat që t’ i vrasin këmbët. A di si ma kanë bërë atë zogun që e kemi në gaqe?”
” Jo, s’e di,” i thash dhe, për pak s’u shkreha në gaz.
” Mos do të zhvishem e ta nxjerr në mejdan,” thirri gjithnjë e gatshme për shaka.
” Për mua nxire,” i thash. ”Unë jam i martuar dhe s’më bëjnë përshtypje mishrat e hallkut.”
Ajo e zuri një tenxhere dhe deshti gjoja tëmë godiste.
” O, për të Madhin Zot, ta dëftoja, po jam e krishterë dhe s’ dua të të marr në qafë,” tha duke i nxjerrë dy gota vere. ” Fundja, edhe ashtu s’ do shihje gjë, se e kanë mbuluar leshrat.”
Bethy i ka qejf shakatë, por di ta mbajë veten.
Pak më vonë, pasi u ulëm përballë njëri tjetrit, me gota të verës në duar, ajo i dha kahje tjetër bisedës. Sëmundja e gjatë dhe dëshira e madhe për të mos mbetur prapa e kishin mposhtur deri n’ atë gradë sa dhe mjekëtia kishin rekomanduar humorin, shakatë dhe stilin e jetës normale. Ajo ma mbushi gotën plot.
Për çka s’ folëm gjatë asaj kohe?Për prindërit e saj, që janë nga Lapplanda… Për bashkësitë studentore, që tani kishinfilluar të rekrutojnë edhe studentë të huaj… Për gjenezën e epikës… Për ciklin e humbur epik… Për Homerin, për ekzistencën e një epi të gjatë mbi Prometheun, Meleagrin e Kalidonin… Si dhe mbi tezat e ndryshme rreth ”Iliadës” e ”Odisesë”…
Betthy ka shumë virtyte të mira, por jo shumë vullnet për t’ i mbaruar studimet. Vura re se gjatë kohës që s’ ishim parë ishte armatosur me një fluks të ri. Ajo shante sikur ishte mashkull.
Aty nga ora pesë brofa në këmbë dhe mora leje t’ iki. Koha ishte të ikja te shtëpia.
Ajo më përcolli deri n’ oborr.
” Nëse dëgjova mirë, ti do t’ ikësh për në Shqipëri,” tha duke më mbajtur për krahu.
” Po pres të ma dërgojnë vizën, por ka mundësi të mos ma miratojnë kurrë,” i thash, për pa i dhënë shpjegime të imtësishme mbi arsyet pse isha ”jugosllav” në sytë e atyre të Ambasadës shqiptare.
” Po ti ke vrarë dikë në Shqipëri?” më pyeti.
” Unë s’ kam qenë kurrë në Shqipëri,” i thash.
Kjo iu duk absurde. Me sa duket, mentoi që po e gënjeja.
” Ani ç’ mut vendlindjeje është ajo që nuk i lejon fëmijët e saj të shkojnë dhe ta vizitojnë?”
” Pyete Osën,” i thash. ” Ajo sapo është kthyer nga Shqipëria.”
” Aman, mos na ngatërro me Osën,” tha ajo dhe, për ca arsye që nuk i kuptova fare, u mërdhez në fytyrë. “ Osa duhet t’ i provojë ato xhunglat e Koqa Bambës, që ta kuptojë se Iliçi i saj ka qenë po aq kriminel sa dhe ata pasardhësit e tij.”
Ajo dhe Osa ziheshin gjithëmonë. Osa është majtiste. Si pjestare e Lëvizjes se Majtë menton se të gjithë ata që jetojnë në Evropën Lindore munden ta thonë mendimin e tyre hapur, pa i dënuar askush. Mjerisht, gjatë vizitës saj në Shqipëri, e kishte kuptuar se atje ku rritet vuajtja,atje mbretërojnë dhuna dhe motrat e saj.
E hapa bicikletën dhe e mora në gryk.
” Tani mirëmbeç dhe – inshallah – kurrë nuk sëmuresh më,” i thash.
” Mirupafshim dhe kalofsh mirë. Nëse s’ vete në Shqipëri, duku këtejpari se ndoshta ta dëftoj atë bashkën e leshit,” tha dhe, bashk me mua, u shkreh në gaz.
Tani që e hodha në letër këtë ”ngjarje” të parëndësishme, po i përfundoj shënimet e ditës me një konstatim të natyrës private: i lexova tre vëllimet e romanit ” Tri ngjyra të kohës” dhe s’ jam i prirur të lexoj më shumë. Romani s’është i keq. Edhe kjo veper, si të gjithaveprat e letërsisë socrealiste, e ndjek një vijë të caktuar. Ka shumë gjasa që Ali Abdihoxha ka dashur të na shkruaj një vepër si ”Lufta dhe Paqa” por nuk është lehtë të endesh nëpër pyjet ku ka shëtitur zoti Tolstoy, sepse ai ka qenë lis i trashë dhe aspak i hollë si nipi i Abdi Hoxhës.
43. As në qiell, as në tokë

Ashtu si dhe njerëzit,përrallatkanë emra.Ne, shqiptarët, kemi ”Të Bukurën e Dheut”, ”Qerozin”, ”Hasan Karcellin”, ”Gruan Budallaqe”, “Shtatë djemt e Plakës”, “ Djalin me Kësulë”, “Tre vëllezërit që gjetën hajdutin,”etjera, etjera.
Ashtu qëndron puna edhe me përrallat e popujve slave.Njëra nga përrallat më të lashta të popullit serbquhet ”Çardaku që s’ ishte as në tokë, as në qiell.”
Kjo përrallë dëfton se si një mbret, që kishte tre djem dhe një vajzë, nga dashuria që kishte për fëmijët,nuk i lejonte kurrë të luaninpërjashta. Një ditë, kur fëmijët u rritën,vajza kërkoi leje nga babai tëdilte e të luanteme vëllezërit e saj. Mbreti ia miratoi lutjen, por sapo doli përjashta, asaj iu lëshuanjë dragua nga lart,ia nguli kthetrat dhe u zhduk përtej reve.
Të shqetësur për fatin e saj, vëllezërit shkuan me vrap te babai, i dëftuanç’ kishte ndodhur dhe kërkuan leje të dalin e ta kërkojnë motrën e tyre. Kuptohet vetvetiu se mbreti plak u dha leje dhe ata, pasi morën armët, kuajte ushqimet e domosdoshme,u turrën drejt Inkognitos.
Pas shumë peripecish e aventurash,ata shohin një çardak që as ishte në tokë, as ishte në qiell. Si t’ia bënin, vallë? Dikush iu kishte thënë se ata,për t’ u ngjitur lart e për ta shpëtuar motrën, duhej të thernin një kalë dhe nga lëkura e tij të bënin një litar. Mjerisht, asnjëri prej tyre s’ ishte i gatshëm ta vriste kalin e vet.I vetmi nga tre vëllezërit që e theri kalin, u ngjit në çardak, e vrau dragoin, dhe e shpëtoi motrën – ishte vëllau i tretë.Dashuria e tij ishte e sinqertë.
Dy vëllezërit e mëdhenj pritën që ky të ngjitej, ta mbaronte punën dhe t’ ua lëshonte motrën nga qielli, por atë çast që ajo prekunë tokë, ata e këputën litarin dhe e lanë në mëshirën e fatit.
Me kaq nuk mbaron përralla por unë e mora si shembull për të cekur se shpirtligësiaështë shumë më e fortë se mirësia dhe nuk lulëzon vetëm në trurin e njëpopulli,por edhe në trurin e njerëzve që kanë dalë nga i njejti bark.
Merre me mend: ata që duhet të vendosin – nëse unë duhet ta vizitoj apo mos ta vizitoj Shqipërinë – janë shqiptarë, flasin shqip dhe i betohen Flamurit Kuq e Zi, por aspak s’ iu ha palla për mallin e mijëra shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, Turqi, Itali apo ShBA. Nëse ata maskarenj vazhdojnë të na ofendojnë në këtë mënyrë, duhet t’ ua bëj një letër të gjatë dhe t’ i çoj në djall e përtej djallit. Fundja, ajo që vlen për mua, vlen edhe për Vezirin, Atullain, Shefkien, Sanijen, Xhevrien e mijëra shqiptarë të tjerë.
Edhe pse askujt s’ ia kam çfaqurzhgënjimin tim,ka ditë që në shpirtin tim po rritet një neveri e madhe. Kjo gjendje ”as në qiell, as në tokë” po më shkon në nerva dhe sa herë që postjeri hynë n’ oborrin tonëpër pa ma sjellë përgjigjen e shumëpritur,urrejtja ime kundër aparatçikëve të Enver Hoxhës po bëhet më e madhe.
Është e vërtetë se ata s’ kanë të ngutur.Pikërisht për këtë arsye, sot, para se ta zeja ”lapsin” me dorë, i thash vetes – shyqyr që kam këta fatkëqinjtë e Uppsalës, se t’ ishte për natashat e vladimirat e marenglenat e xhaxhit Enver, do të të kalbesha në dhê. Pa marrë parasysh mospërfilljen e tyre, unë i dua si vëllezër,por distanca midis plogështisë së tyre dhe patriotizmit tone është e madhe. Ne jemi i duam si vëllezër, ata na duan si kushërinj të largët. Ata çohen në mëngjes, i lajnë faqet, e mbushin barkun dhe ikin në punë, për pa e vrarë kokën për dëshirat dhe hallet tona, ndërsa ne e bëjmë të kundërtën. S’ ka dyshim se ata veç janë shndërruar në një popull tjetër dhe askush s’ e në cilën gjuhë do të flasin nesër.
Dua të iki prapë në Jysne. Nuk po ma do xhani as birrën, as bisedat që po zhvillohen në rrethin e ngushtë. Në krahasim me këtë strofull të qelbur, Jysna është përrallë. E qetë, e pastër, miqësore. Këtu s’ ka punëtorë që dalin në fabrika. S’ ka fshatarë që dalin nëpër ara. Këtu ka vetëm djem e vajza që nesërdo të shndërrohen në aparatçikë, funkcionarë, deputetë e drejtorë të bankave.Mjerisht, jeta e tyre do të jet poaq e kotë sa dhe endja e bubrrecave. Ate do ta infektojnë zënkat, fitimet, krizat bashkshortore, shpenzimet, droga, restorantet, doktoranturat dhe vetëvrasjet.
Sot në mëngjes na thirri Magy. Ajo dhe burri i sajqenkan kthyer nga Mali i Zi, edhe ate, pas një qëndrimi shtatëjavor në Budva të Malit Zi. Kishin qejf të na takonin.
“ Po kur të vijmë?” e pyeti Nina.
“ Pse s’ vini pasdite,” propozoi Magy.
Që ta them të drejtën, s’ isha aq i prirur, po e kisha lutur Kristerin që, nëse kalonin nëpër Ulqin, të pyesnin dikë për ca shokë me mbiemrat Llunji, Shurdha, Kahremanaga dhe Ushaku. Të gjithë ata – Aliu, Ruzhdiu, Dauti e Shefkiu – kanë qenë djem të shkëlqyeshëm. Tani që Magy e përmendi Ulqinin, kurreshtja ime shkoi në maje të darës. Ku ta dijsh, mbase e kishin takuar dike.
Ata na pritën mirë. Jo siç bëjmë ne, me fruta të thata, leblebia, arra e bajame të pjekura në sheqer, por siç bëjnë suedezët. Me nga një ëmbëlsirë të Tempos dhe me nga një filxhan kafe. Kristeri shqeponte pak, se ishte ngatërruar në një fatkeqësi rrugore, ndërsa Magy dukej si çokollatë belge. Ishte thekur mirënë diell.
Me t’u përqafuar e me të ndërruar ca fjalë mbi problemet që kishte patur Kristerime Policinë, Magy e nxori një çarçaf të bardhë dhe, pasi e montoi në mur, filloi të na dëftonte pamjet që kishte marrë në Rijeka, Zadar, Split, Dubrovnik, Budva e Ulqin. Më në fund, pamë edhe plazhin e Ulqinit, kalanë e qytetit, si dhe qytetin ku janë rritur miqët e mi ulqinakë.Ai më i dashuri, Shefqet Peku, ka vdekur. Aliu është në Prishtinë. Po tjerët?..
Ajo që na çuditi të dyve ishte kur miqët tanë, pas një pushimi të shkurtër, vazhduan të na dëftojnë edhe foto nga Shëngjini, Spitali i Fëmijve në Shkodër dhe Vau i Dejës.
” Me leje,” i pyeta. ”Po vizat ku i nxorët?”
” Në Ulqin,” tha Magy. ” Të merremi vesh. Vizita ynë ishte njëditore dhe në regjinë e Albturistit. Ata që e blenin ekskurzionin e ditës, ngjiteshin në një peshkaregjë jugosllave dhe shkonin deri në Shëngjin. Atje i priste një autobus i madh dhe udhëtarët, sapo ngjiteshin lart, vazhdonin për në Shkodër. Atje hëngrëm darkë dhe kaluam një natë të këndshme, ndërsa të nesërmen, pasi pimë kafen e mëngjesit, e pamë edhe Vaun e Dejës. Pastaj u kthyem në Ulqin.”
Të dytë mbetëm të hutuar. Skenat që pamë në mur, deti, dallgët, malet e Shqipërisë, buzëqeshjet e miqëve tanë, të gjitha ishin autentike. Por mungonin njerëzit, mungonin buzëqeshjet e njerëzve të rëndomtë. Mungonte spontaniteti.
” Po mirë, kjo ishte Shqipëria?” pyeti Nina.
” Kjo ishte Shqipëria,” tha Magy. ” Shqipëria mbase është më e madhe, më e bukur, më madhëshore, por ne s’ pamë më shumë se ato që donte shoqëruesi.Ai na priti në skelën e Shëngjinit dhe s’ na u nda deri sa hipëm në peshkaregjën jugosllave.”
Kristeri, që ishte lituan dhe i njihte sllavët, kishte vënë re se kapedani i peshkaregjes, gjatë tërë kohës që po udhëtonin,iu kishte dëftuar barcoleta të pista dhe kishte vjellë përbuzje kundër popullit shqiptar.
” Ai, sikur ta kishin paguar që, para se të zbarkonim në Lezhë, duhej të na bindte se Shqipëria është shteti më i varfër në botë,” tha Kristeri.” Aq i trashë ishte, saqë mendonte se ne, suedezët, hamë barë dhe s’ dimë gjë mbi kërdinë që kanë ushtarët serbët mbi shqiptarët e Jugosllavisë apo Greqisë.”
Se si e ndjeva veten. Vëllezërit tonë e kishin qeverisur Shqipërinë aq mirë, saqë edhe policët malazez kishin filluar ta përqeshnin.
Njëherë deshta t’ u jap jap të drejtë, por nuk më la inati, se ato që dëftonin Kristeri dhe Magy ishin qind për qind të vërteta. As Osa, që ishte proshqiptare, nuk ma kishte thënë të vërtetën ashtu siç ishte, të zhveshur, pa zbukurime.
Rrugës, deri sa po kalonim përskaj Kishës katedrale, ia dha një shi i madh. Binte si me gjymadhe ne, në vend se të vazhdonim për në Bibliotekën Universitare, morëm një taksi dhe u kthyem te shtëpia. Bëmë mirë, se shiu po gurron gjithnjë.Kohë e përshtatshme për të lexuar…

44. Miqësia

Këto ditë jam endur nëpër antikvariate.Ndonëse kemi mot të mirë, unë iu kam dhënë fund pushimeve dhe e vetmja gjë që më ka mbetur është të shfletoj ca katalogje të Bibliotekës Univerzitare. E kam fjalën për ata që janë në sallën publike. Përndryshe, ka dhe katalogje tjerë, që janë deponuar brenda, por ata janë për gjurmuesit shkencorë. Atje mund të hyjnë vetëm gjurmuesit shkencorë dhe doktorandët.
Gjatë kësaj kohe që gjendem në Uppsalë, kam gjetur shumë revista të vjetra serbo-kroate, të lidhura për mrekulli, të cilat janë botuar midis Luftës së Parë dhe Ludtës së Dytë Botërore. Ka dhe revista të mira etnografike, që shkruajnë edhe për popullin tonë, por si minoritarë të ”Kralevinës” Serbo-Kroato-Sllovene.Ato nuk gjenden as në Bibliotekën Universitare të Prishtinës. Mjerisht, shumica e nëpunësve kanë ikur në pushime dhe Karolina Rediviva është e hapur vetëm pjesërisht.
Dje pasdite lakova dhe në bibliotekën e Instutit për Sllavistikë, po s’ gjeta tjetër pos ca revistave letrare ruse. Deri sa po e shfletoja ”Literaturnaja Gazetë-n” në anën tjetër të sallës u çfaq një femër që e kisha parë diku. Ishte Osa.
” Po ti s’ ke ikur në Hufors?”i thash me ton qortues.
Buzëqeshja e saj më qetësoi pak.
“ Isha dhe u ktheva,” tha, po me zë të thyer. “ Merre me mend, nuk e kalova atë dreq provimi dhe përsëri duhet të flas me zonjën Davidsson. Fati im!.. Erdha t’ ia shtroja nja dy pyetje, po s’ ishte këtu. Si thua, ta pimë nga një kafe?”
” E pimë, pse jo. Po ku ta pimë se?” e pyeta.
” Shkojmë në Klubin e Studentëve. Ata kanë edhe sandviça të mirë,” arsyetoi ajo.
” Po ajo puna që e kërkoje?”
” Unë do të praktikoj në Tierp,” tha, këtë herë më e gëzuar.” Shyqyr Zotit edhe aq, se nuk e di si do t’ ia dilja në krye.”
” Po kur do të fillosh,” e pyeta.
Tani kishim dalë nga Instituti dhe po kalonim nëpër parkun që gjendet prapa Bibliotekës Universitare.
“ Sa t’ i laj rrobat,” tha ajo qetë – qetë, thua se donte të pëshpëriste.. ” Ra sëmundja e nënës dhe s’ kisha kohë për asgjë. Ne, femrat, jemi më të pista, mbajmë flokë të gjatë.”
” Hajt, se gjithçka do bëhet mirë,” i thash, me shpresa se do ta trimëroja pak.
Ato pak minuta që kishim i kaluam në heshje. Si dikur, kur mësonim sëbashku, dhe s’ kishim asnjë të fshehtë nga njëri tjetri. Tani po rrija si në ferra, se s’ ishte lehtë të pije kafe me dikë që e ke dashur si gruan tënde, ia ke prekur gjymtyrët e trupit dhe e ke përqafuar me të dy krahët, qoftë edhe një natë.E ndieja veten fajtor dhe, po të vazhdonim më gjatë, do më shpërthenin lotët.
E pashë njëherë në ballë. Atë ballë të bardhë si bora e kisha puthur shumë herë, e kisha prekur me buzë, e kisha prekur me mjekërr – dhe pastaj i ula sytë. Ndonëse midis nofullave kisha me qindra, me mijëra fjalë, që më digjnin si hekur i skuqur, s’ ia thash asnjë të hajrit. Që ta ruante si kujtim të asaj pasdite.
” Si thua, të ikim?” tha ajo. Duke ma marrë dorën në shuplakat e saj.
” Ikim,” i thash dhe brofa në këmbë.
Edhe tani që po zbrisnim shkallëve teposhtë, s’isha në gjendje ta nxirja asnjë fjalë nga goja, se gjuha m’ ishte shndërruar në kaci. Ajo qëndroi në shkallë dhe më pa më sy të papranishëm.
“ Këtu do të ndahemi,” tha. “Unë do vete te shtëpia, se më presin rrobat, ti do shkosh në qendër,se të pret gruaja. Por para se të iki, të këshilloj të mos dëshpërohesh, se dashuria është si vesa. Ajo bie natën dhe shkrihet ditën, ndërsa miqësia jeton dhe s’ ndryshket kurrë.”
“ Do ta mbaj mend,” i thash dhe e putha në faqe.
Ku ta dijsh se si do të mbarojë kjo miqësi, thash vetë më vete, duke ecur nëpër Odinslund.Deri sa po ecja me hapa të ngutur, vura re që rruga e Mbretëreshës ishte veshur plot me çadrae banaqe. Me sa duket, me ftesën e një shoqate kishtare, që mblidhte mjete për varfanjakët, e tërë Uppsala kishte sjellë plaçkat e saj.
O, sa gra e burra, sa të rinj e të reja, kalonin rreth e përqark meje dhe kërkonin gjërat që iu duheshin. Po kështu bëjnë suedezët në korrik. Në këtë muaj Suedia pushon dhe qytetarët e saj, në mungesë të ndonjë angazhimi tjetër, dalin e pinë kafe, blejnë antikuitete, kërkojnë disqe të moçëm, dhe sorollaten. Se edhe ecja është aktivitet.
S’ ka dyshim se ne – dhe thneglat – jemi të ngjashëm. Ashtu si thneglat, edhe ne ndjekim dy drejtime: ca bëjnë para, të tjerët vijnë prapa. Dallimi qëndron n’ ate se thneglat janë zemërbardha dhe të gjitha gjërat që gjejnë përjashta i çojnë në shtëpinë epërbashkët, ndërsa ne e bëjmë të kundërtën. Ne gjithmonë e bëjmë të kundërtën.

45. Zhargoni ballkanik

Sot kam punuar gjithë ditën. Ishte një ditë e vakët korriku dhe unë, ashtu si dhe vitin e kaluar, e nxora tavolinën plastike n’ oborr, e vura tasin e kafes mbi te dhe fillova t’ i pres degët e arqitave. Të jesh pronar i një shtëpie s’ do të thotë që s’ ke obligime, po vjehrri im preferon të jetë pronar,ndërsa arqitat m’i ka lënë mua. Po s’ ka gjë. Unë jam djalë i një kopshtari shqiptar dhe, duke e zbukuruar oborrin e tij,orvatem ta vras mallin që kam për oborrin e tim ati, që gjendet larg, shumë larg,kësaj pjese të Evropës Perëndimore.
Më në fund, jam pajtuar me ligësinë dhe kam çuar dorë nga të gjitha shpresat që kisha. Tani që jam antarësuar n’ atë dreq Shoqate që gjoja punon për forcimin e miqisësë midis dy popujve tanë, nuk çantarsohem dotpor, pas një bisede me zotin Jansson, sekretarin e Shoqatës, ia nisa një letër zotit Fyledahl dhee paralajmëroja se unë, nëse nuk më lejohet të udhëtoj edhe me grupin e dytë, preferoj të m’ i kthejë të hollat, se do të shkoj në Spanjë ose Turqi. Unë kam mallë për atdheun tim, i thash, se sa për Spanjën, Italinë apo Turqinë, ato s’ mi merr askush në botë.
Pak para se të ngrysej dëgjova uturimën e një makine dhe e mora me mend se Nina dhe Eriku, kushëriri i saj, u kthyen nga Ursa. Ishin të kënaqur me pritjen e dajës Tord dhe për të ma bërë qejfin mua, që kisha punuar gjithë ditën, më ftuan në Kantors që ta pijmë nga një birrë.
” Paska ngordhur një ujk,” iu thash. ”Ju s’ jeni as të birrave, as të muhabetit. Çka fshihet, vallë, pas kësaj ftese?”
” Dhembja e ndërgjegjes,” tha ai. ” Të lamë me gërshërë në duar dhe ikëm në Ursa, kurse ti e paske bërë gardhin kuti. Rrugës, deri sa po hynim n’ Uppsalë, vendosëm të çojmë diku dhe të qerasim me diçka.”
” Shumë faleminderit,” iu thash dhe, për pa ndërruar gjë nga trupi, i lash gërshërët anash dhe hipa në makinë. Mos tjetër, të paktën do ta takoja Lefterin.
Dhe s’ u gabova. Lokali ishte plot me njerëz dhe, gjykuar nga tymi i duhanit, duhej të uleshim përjashta. Korriku është muaji i pushimeve. Katedrat janë mbyllur dhe studentët, falë motit të mirë, kishin dalë të hanin, të pinin e të kuvendonin me njëri tjetrin.
” Ulemi përjashta,” i thash Erikut.” Atje kemi vend sa të duash dhe s’ i helmojmë të tjerët me tym. Jemi tre, dhe të tretë jemi duhanxhinj.”
” Ashtu do bëjmë,” tha Nina, duke e përsëndetur Lefterin me dorë. Ky ishte në shoqërinë e Ristos, Burhanit dhe një gruaje që nga theksi ishte finlandeze.
Ndërkohëerdhi kamarierja dhe mori porosinë. Të tretë ishim për ta pirë nga një birrë dhe për të ikur te shtëpia, se isha i lodhur nga puna, kurse Nina dhe kushëriri i saj kishin qenë gjithë ditën në makinë. Por s’ kishte qenë e shkruar të iknim shpejt, se papandehur, deri sa po bisedonim për shëndetin e dajës Tord, Lefteri dhe miqët e tij ia behën lartë dhe na zaptuan tavolinën. Unë i njihja dhe – s’i njihja aq mirë. Për të qenë e keqja më e madhe, si Ristua, që ishte maqedonas, ashtu dhe Burhani, që ishte turqeli, nuk e flisnin shqipen.
Më zuri belaja, thash. Pak që s’ i njoh, tani duhet të çaj dërrasa edhe në gjuhën serbishte.
Ristua është burrë i sjellshëm. Një përfaqsues tipik i racës së tij – këmbëshkurtër, i parruar, i fortë, i zeshkët dhe zhurmaxhi i madh. Ai tjetri, Burhani, shtiret se nuk di asnjë fjalë shqip dhe ka mbaruar Shkollën e artit, po një djall e di se kush e ka sjellë këtu dhe cili është misioni i tij. Ai, njësoj si urithi kur del përjashta, është i kujdesshëm dhe, sipas fjalëve të Lefterit, ka ardhur për të qëndruar në Suedi.
Mua më ra të rri përballë Ristos. Ristua s’ i do serbët dhe sa herë që rrimë bashkë, për shkaqe që të paqarta, ka qejf ta pickojë Burhanin. Ky, pra, sikur të jetë inspekto i Udbës, ngulë këmbë që Jugosllavia është shtet i lirë dhe demokratik, pa marrë parasysh seç thonë maqedonasit apo shqiptarët.
Si rëndomt, Ristua e porositi turrën e parë.
” Gëzuar, miq të mi,” tha. ” Këtë krikëll po e pi për nder të Demonstratave të Tetovës.”
” Edhe unë të bashkangjitem,” shtoi Burhani. ” Por me një shpjegim të vogël: nuk ishin gjykatesit serbë që i dënuan shqiptarët me dënime të rënda, por gjykatësit maqedonas. Apo e kam gabim?”
Ristua s’ ishte dakort dhe, për ta nënvizuar mendimin e tij, aty për aty e zbrazi krikllën dhe porositi një tjetër.
” Ata që i dënuan shqiptarët s’ janë maqedonas të vërtetë por serbë të ardhur në kohën e Krajlit,” tha. ” Ata janë kolonistë. Maqedonas të vërtetë janë ata që e donë Maqedoninë Etnike. Ti nuk e di, se je turk dhe dembel nga natyra, por Maqedonia e vërtetë është ajo që përbëhet nga Maqedonia e Vardarit, Maqedonia e Pirinit dhe Maqedonia e Egjeut. Sërbët po e quajnë ”Maqedoni të madhe”, por ajo është Maqedonia e vërtetë dhe nuk e përfshin as Tetovën, as Gostivarin, as Kërçovën. Fundja – vazhdoi Ristuame zë euforik – ajo që e lidh popullin tim me popullin shqiptar është një e shkuar e lavdishme, që fillon me Aleksandrin e madh – që u rrit te dajallarët e tij ilirë – dhe vazhdon deri te Republika e Krushevës. Unë s’ jam shqiptar, por më parë do ta pranoja një Maqedoni të federuar me Shqipërinë, se sa një Maqedoni të federuar me Serbinë. Ti e di fort se Tempua i ka masakruar edhe maqedonasit, jo vetëm shqiptarët.”
Ristua fliste, por asnjëri prej nesh, shqiptarëve, s’ i dhamë të drejtë. As unë, as Lefteri, s’ kishim dituri të mëdha mbi historinë e Maqedonisë, por Ristua ngulte këmbë se gjatë vitit 1944 Ushtria Jugosllave ka bërë masakra edhe nëpër fshatrat maqedonase. Po pse? Sepse maqedonasit nuk paskan dashur ta ndjekin Ushtrinë Gjermane deri në Srem.
” Ç’ është e drejta,” vazhdoi Ristua,”edhe pse Maqedonia fitoi pavarsinë, ajo pavarsi ishte sakate, se s’ mundej të vendoste kujt shtet t’ i bashkangjitej – Jugosllavisë apo Bullgarisë…”
Ai tjetri, që ishte rritur në Prizren,e pa me sy ironiak.
” Gjykuar nga fjalët tua, ti je bullgarofil,” i tha. ” Sidoqoftë, si pasardhës i atyre turqve të urrejtur, unë do t’ ua sjell edhe nga një birrë, që ta mbyllni grykën, se gjatë kohës se Perandorisë Turke, secili mundej të ishte maqedonas apo arnaut, por të gjithë ishin shtetas të një perandorie të madhe. A ta marrim edhe nga një birrë?”
” Merrni ju, se ne do të ikim,” i thash.

46.Një gëzim e dy pikëllime

Njerëzit, zakonisht, përjetojnë një gëzim në ditë. Ndodhë edhe e kundërta që, në vend të gëzimit, ata përjetojnë një pikëllim. Pak më radhë ndodhë të përjetojnë një gëzim e dy pikëllime.
Edhe sot, si çdo ditë tjetër, u gëdhiva me këmishën e vdekjes në trup. As në qiell, as në tokë. Pëjashta cicëronin mëllenjat, grindeshin zborakët, lefnin qenët, oshtinin makinat, por unë s’ e doja as veten, jo më lëndinën që priste ta korrja. Ditët iknin njëra pas tjetrës, por mua s’ më kujtonte njeri. Heshtja e atyre dobiçave të Albturistit ishte më shumë se ofenduese. As isha që merja gruan e shkoja në Dalarna, as isha që rrija n’ Uppsalë dhe e prisja atë vizë të mallkuar.
Me këto mendime e poqa një kafe dhe prita të vinte postjeri. Mjerisht, ai hyri e doli nga godina, por ndonjë letër s’ e la në kutinë e postës.Përpara meje gajasej edhe një ditë absurde.
Vesha një triko dhe dola përjashta. Ku djallin të theja qafën dhe si ta vrisja gjithë atë dëshpërim? E vetmja gjë që mund të bëja ishte të shkoja në Karolina Rediviva dhe ta lexoja shtypin e ditës. Te shtëpia s’ kisha pse rrija, se Nina do flente deri në drekë dhe pastaj do të shkonte me Kristinën në Ikea.
Ah, sa ditë e mirë që ishte! Kjo ishte njëra nga ato ditët që Suedia i quan të mrekullishme. Të rinjtë e të rejat kishin veshur bluza të bardha e pantallona të shkurtëra, pronarët e vilave kishin nxjerrë sediljet dhe ngroheshinn në diell, ndërsa ajri i vakët nga rrezet e diellit lëshonte një aromë të fortë bliri. Sado i mërzitur të ishte njeriu, vilat e bukura suedeze, oborret e veshur me lulëradhiqe dhe lëndinat e korrura me kujdes ia qetësonin shpirtin.
Ja, pra, edhe këtu kishte nxjerrë kokë dialektika e profesor Luzhës: jargavanat kishin veshur një ngjyrë mumjesh, por funkcionin e tyre e kryenin lulet e blirit.Ca lule kishin lidhur kokrra, tjerat bëheshin gati.
Jo, këtë herë s’ isha i prirur të hyja në Karolina Rediviva. Kush ka nerva të çajë dërrasa me ndonjë Bu Sundin apo Mery Lagerfeldt, mentova dhe, me të mbërritur te shkallët e Bibliotekës, vendosa ta kaloj rrugën dhe të ulem në Parkun e Kështjelës. Janë të pakët ata uppsalas që kanë kohë të ulen n’ atë vend dhe ta vështrojnë qytetin prej së larti. Dikur, kur automobilët ishin të rrallë dhe uppsalasit ishin më të varfër, nëpër atë park sorollateshin gratë e pasura dhe kuvendonin me njëra tjetrën, ndërsa sherbëtoret ua shtynin qerret ose ua mbanin fëmijët. Tani ajo kohë kishte perënduar dhe shpati ishte veshur me një gjelbrim që nuk i duhej askujt, pos pronarëve të qenëve.
Zbrita nga bicikleta dhe, pasi e mbështeta nën degët e një pishe, u ula nën majen e humnerës që fillonte përetej këmbëve të mia.Atje poshtë çirreshin fëmijët, uturinin makinat, rrihej hekuri, shtroheshin qeramidhet, ndërtoheshin godina, ndërsa këtu mbreteronte qetësia. Një qetësi e virgjër dhe fare, fare, e pandërlikuar.Ata që e kishin ngritur atë kështjellë ngjyrë vishnje e dinin se nga ajo pikë shiheshin të gjitha godinat e rëndësishme të qytetit: lumi Fyris, Ura e Drunjtë, Bashkia, Sheshi Vaksala, Stacioni Hekurudhor dhe Spitali Akademik.
Ja, pra, kjo ishte Uppsala. Këto ishin rrugët ku kisha rendur si thnegla për të mbledhur pak dituri, por dhe ato që kisha mbledhur, s’ ishin në shërbim të askujt.
Aty qëndrova plot dy orë. Më shumë duke reflektuar për ato që ndodhnin rreth e përqark meje, sesa duke e vështruar Uppsalën. Por unë s’ mundesha të rrija n’ atë vend deri në mbrëmje, se kisha një shtëpi dhe ca obligime tjera. Në dorë të parë duhej të hyja në një shitore, të bleja ca mish të grirë, nja dy qepë e pak salcë domatesh, seNinamë kishte lutur të bëja pak pasta. Por edhe kjo do punë, se duhet t’ i grish qepët, ta skuqësh mishin, t’ ua shtosh një kuti domatesh, t’ i zijsh makaronat, t’ i kripësh, t’ u hedhësh borzilok,nenexhik e erëza tjera – e kjo s’bëhej për pesë minuta.
Në shtëpinë e vjehrrës mbretëronte heshtja. Hapa qesenë, nxora prodhimet e blera dhe fillova t’ i grij qepët. E pash, ç’ është e drejta, një zarf të formatit A5, bojë kafe, mbi tavolinën e bukës, por duke qenë se isha larg dhe kisha filluar t’ i skuq qepët,s’ mora mund të shihja nëse ishte për mua apo për time shoqe.Ku ta dija pse e kishte lënë Ninan’ atë vend?! Unë s’ kisha arsye ta vrisja kokën për atë punë, sepse postjeri erdhi dhe iku për pa flakur gjë në kuti.
Tek tani, pasi e bëra gati spaghettin, vajta në paradhomë dhe e shënova numrin e xha Bertilit. E luta plakun ta thërriste Ninën, se nuk e dija nëse kishte ngrënë drekë.
” Hë, ç’ kemi?” tha nga ana tjetër e kufjes .
” Hiç”, i thash. ” Sapo e gatova spaghettin dhe deshta të ha, por mendja më shkoi te ti dhe Kristina. Do vini të hamë bashkë?”
”Jo, ne kemi ngrënënë Ikea,” tha.Këtë herë me një zë të ftohtë, pa ngjyrë. ”Po ti u gëzove ndopak?”
Përse të gëzohesha, vallë? Çfarë kishte ndodhur që ajo duhej tëma shtronte atë pyetje të mbuluar me sheqer e ironi?
” S’ di për çkaduhet të gëzohem”, i thash. ”T’ishte se duhej të gëzohesha, nuk do gatuaja spahgetti por do të haja në Royal Klub.Përse duhet të ironizosh me hallet e mia?”
“ Kush tha që po ironizoj,” ma ktheu ajo. ” A s’ ishe ti që doje të shkosh në Shqipëri? A s’ është ajo që ke pritur me muaj?”
” Po pres gjithënjë,” i thash. “ Por kjo s’ do të thotë se duhet të shndërrohem edhe në objekt të talljes. Unë s’ pash që postieri la ndonjë letër.Mos ka telefonuar ai debili, zoti Fyledahl?”
” Jo, s’ ka telefonuar, por ka dërguar telegram,” thaNina. ”Çudi si s’ e paske parë. Ta kam vënë në tavolinë.”
A ishte, vallë, e mundur?Unë e kisha parë zarfin, pors’ i kisha dhënë rëndësi, se ishte pa adresë.
” Atë zarf e pash, po s’e kam hapur,” i thash.
“ Duhej ta hapje, se brenda ke telegramin. Bile po të jesh i mirë, shkon tani dhe e lexon, që ta kuptosh se nuk po flas jerm…”
“ Mentova se ishte diçka për ty,” u arsyetova.
” Fajin e ke vetë,” tha Nina. ” Telegramin e sollën ata të Zyrës Telegrafike. Zoti Fyledahl është i qartë dhe të njofton që do të udhëtosh tani, me grupin e dytë. Vizën e ke gati.”
” Nuk e prisja dot,” i thash. ” Po ti kur do vish te shtëpia?”
” Nuk e di, se po pimë kafe,” tha. ”Po matem të shkoj në Spanjë. Kristina ka gjetur një udhëtim të lirë.”
” S’ di pse duhet të shkosh në Spanjë kur mund të shkojmë në Shqipëri?” i thash, për pa e fshehur gëzimin tim. ”Nëse unë kisha problem me vizën, ti nuk ke, dhe jam i sigurt se ai miku ynë, Bu Jansson, do na ndihmojë. S’ ka nevojë të shkojmë menjëherë, shkojmë më vonë.”
” As që vjen në pyetje,” tha.
” Po flet me zë të vendosur,” i thash.
S’ e kisha dëgjuar gabim. Ajo sikur më kishte pyetur me një ton hakmarrës. A u gëzove ndopak? Gëzohu ti, se do të gëzohem edhe unë.
” Jo, s’po flas me zë të vendosur, por mendoj se duhet të shkosh vetë dhe ta shohësh Shqipërinë me sytë e tu,” tha ajo.” Unë do vete në Spanjë.”
Më në fund, u pa puna. Gjatë kohë i kam bërë bisht kësaj ngushtice të detit, por duhet kaluar me not. Nina ka mbetur atje ku ishte dhe s’ do të futet në ujë.
“ Po puna jonë?” i thash me zë të qetë, të matur. ” Ç’ u bë premtimi që i dhamë njëri tjetrit në Bashki?”
“ Si ta ketë shkruar Zoti,” tha. ”Unë do vete për pushme, jo për të gjetur burrë. E njëjta vlen për ty. Ti do shkosh tëçmallesh dhe vajtja jote është e arsyeshme. Unë e di se ç’ domethënie ka Shqipëria për ty, andaj shko dhe kënaqu edhe për mua,se dy a tri javë më vonë domë gjesh në shtëpinë e babit tim.”
” Njëmend e ke?
” Njëmend, për Zotin.Tani ik dhe lexoe telegramin, se unë do pi kafe me Kristinën dhe xhaxhin Bertil.”
“ Rri sa të duash,” i thash.
E vërtetë ishte. Zarfi për të cilin më kishte folur Nina ishte pranë pjatës saj dhe brenda gjendej një gjysmë letre e shkruar me shkronja makine.
Vizën e keni gati. Do të udhëtoni me grupin e dytë. Bengt
Shyqyr, që vendosën, thash vetë më vete. Më në fund e morën një vendim dhe unë do të vete atje ku e ka vendin çdo shqiptar. Do ta shoh atë tokë ku me shekuj është folur gjuha shqipe. Çka jemi ne pa mbretërit ilirë, mbretëreshën Teuta, Klitin, Pirron, Arianitët, Muzakajt, Kastriotët e shqipet tjera?
Çuditërisht, tani që isha i sigurtë sepak ditë më vonë do të shkilja në Shqipëri, unë papandehur ndjeva një boshllëk të madh. Kisha pritur aq shumë, sa që s’ ndjeva asnjë gëzim, jo më eufori. Dhe s’ kisha arsyetë thërrisja me zë, se një botë e tërë, të bardhë e të zinj, shkonin e vinin nga Spanja, Italia, Greqia, Turqia e Bullgaria, ndërsa unë që isha shqiptar dhe e konsideroja veten bir Shqipërie, duhej të prisja me muaj. Kush djallin ishin ata që vendosnin mbi të drejtat e mia?
E futa telegramin në xhep dhe, pasi dola n’ oborr, e ndeza një cigare.Kisha shumë shkaqe të kridhem në mendime, sepse papandehur, kur s’ e prisja një gjë të tillë, nëpër gjakun tim u shprish një gotë e re vreri. Unë isha i martuar, kisha kaluar goxha do vite me të,por tani që do të shkoja në atdheun tim, asaj i kishte rënë ndër mend Spanja. Thua se isha lindur në Spanjë dhe pikërisht ato ditë duhej ta merrja gruan e të shkoj në Malaga apo Torremolino…
Kjo më pikëlloi shumë. Me këte s’ dua të them se Nina është e keqe apo e pabesë. Bash përkundrazi, Nina është e sinqertë dhe lojaliteti i saj meriton respekt. Po çfarë lumturie është kjo që unë duhet ta dua Suedinë, sepse Suedia është vendlindja e saj, ndërsa ajo s’duhet ta dojëShqipërinë, sepse Shqipëria është atdheu im?
S’ di pse djallim po mërzitem, mentova.Unë i kam ditur të gjitha. Një njeri që s’ ka aftësi për t’ i paraparë gjërat, ai jeton kot. Unë jam orvatur ta ruaj imazhin, por ai po shkrihet si vesa në diell. Qyshkur e kam kuptuar sene s’ jemi për njëri tjetrin. Unë jam përpjekur ta dua, ta respektoj dhe ta mbaj afër vedi, por kam dështuar. Marrëdhëniet tona, ndonëse kanë kaluar katër vjet, kanëngecur në nivel shoqëror. Me ecjen e kohës, jemi shëndrruar në qenie që gjallërojnë pranë njëra tjetrës, por s’ kanë asgjë të përbashkët midis vedi.Ajo që ndiejmë për njëri tjetrin është si obligim shoqëror, por jo pasion, jo dashuri. Mjerisht,nuk është vetëm Nina fajtore, jam edhe unë. Unë kam heshtur sipas mësimeve të fisnikut Lek Dukagjini – që një burrë i mirë e mbanë një grua të keqe, por edhe kjo paska qenë gabim. Cilin ta qash dhe cilin ta shash? Unëduhet ta qaj ate, se është femër, ndërsa veten mund ta shikoj me buzeqeshje.S’ di pse duhet ta ndiej veten të zhgënjyer? Le të shkojë edhe përtej Spanjes. Unë do vete në Shqipëri. Dua ta shoh djepin e të parëve të mi. Dua ta shoh djepin ku janë përkundur Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, Lazgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Ç’ është jeta ime pa Krujën dhe Shkodrën, pa Vlorën dhe Beratin, pa Kosovën, Gegërinë e Çamërinë? Pa ato perla të kostumit tim, unë jam vetëm një guralec i vogël.

47. Pak fjalë para mirëmbeçit

Këto janë radhët e fundme që po shënoj në fletore. Mos po dua të them se përsiatjet dhe reflektimet e mia do të marrin fund atë çast që do të ngjitem n’ aeroplan dhe do të nisem drejt një vendi qëe paska emrin Rinas?
Gjithësesi që jo. Çdo njeri që ka ndjekur ciklin e ulët të Fillores dhe ka mësuar një numër shkronjash, simbolesh apo hieroglifësh me të cilët mundet t’ i formulojë mendimet e veta, përpiqet t’ua përcjellë pasardhësve të vet përvojën jetësore. Ate, me siguri do ta bëj edhe unë, pa marrë parasysh se nuk e di se çfarë kahjeje do të marrë jeta pas muajit korrik. Më e mira do t’ ishte që unë të qëndroj në Shqipëri dhe Nina të rri në Suedi. N’ atë mënyrë, secili prej nesh do të punonte për popullin e vet. Mjerisht, ky opcion është ende i papërpunuar.
Sot jam gdhirë herët. Gjithë natën ka vetëtitur e ka murmuruar. Çuditërisht, ndonjë shi i madh nuk ra por mua, rrënjët e tij,që zgjateshin nga qielli deri në tokë, më dukeshin si litarë të trashë të një përralle të padëgjuar. Mu atëherë kur s’ e prisja,qielli vishte një pëlhurë të zbehtë, ngjyrë zambaku, dhe pak më vonë copëtohej si një shalqi i fërfëlluar nga lart. Tani çdo gjë –bari që rritej në oborr, lulet e stërqullura nga lagështia, porta e mbuluar me qeramidhe dhe rruga e asfaltuar, tëgjitha kishin veshur një nur të freskët.
Sonte jemi ftuar një xhaxhai tjetër i Ninës. Ai quhet Erik dhe është doktor i shkencave gjerografike. Eriku ka udhëtuar shumë nëpër Afrikën Veriore dhe gjatë studimeve të tij ka mësuar shumë për zakonet e popujve afrikan. Ai është i vetmi njeri që kënaqet duke diskutuar me mua rreth dokeve e zakoneve të popullit shqiptar.
Dje pasdite dolëm në qytet dhe u furnizuam me valutatë domosdoshme. Unë i shkëmbeva koronat e mia në dollarë, Nina i shkëmbeu në peseta. Deri sa po e prisnim autobusin, na u bashjangjit edhe Lefteri dhe kemi biseduarderi në mesnatë. Lefteri, përpos tjerash, ishte i dëshpëruar më zotin Namik, atë shqiptarin nga Selaniku, që e trajton të shoqen si plehurishte. Zoti Namik e flet shqipen mirë, por si nga sjelljet, ashtu dhe nga mënyra e të folurit, është një xhahil i madh.
Unë do të nisem pasnesër. Aeroplani, pronë e një agjensie daneze, do na marrë nga Arlanda dhe, pas një qëndrimi të shkurtër në Kopenhagë, do të vazhdojë për në aeroportin e Tiranës. Nuk jam në dijeni se sa veta jemi në grupë, por zoti Ultvedt, kryetari i Shoqatës, më njoftoi se shumica dërmuese janë studentë të Akademisë së Arteve. Duke qenë se kjo është dita e parafundit,do të përpiqem t’ i rrumbullakoj shënimet, thellësisht i bindur se askujt nuk do t’ i hynë në punë, pos ndonjë shqiptari të ri, që do të vijë më vonë në këtë pjesë të Evropës Veriore.
Siç e ceka edhe më lartë, jeta ime ka marrë një kahje të re: duhet të blej një valixhe të madhe,të huazoj një kamerë, të pajisem me filma dhe ta mbush çantën me bluza të lehta e pantallonte të shkurtëra. Pse jo, unë duhet të mbaj edhe shenime, se secili nga shokët apo shoqet ka ndonjë dëshirë.Veziri, fjala vjen, do disqe me këngë popullore, Lefteri do t’ ua nisë një letër të shkurtër prindërve të tij, maqedonasi Risto do konjak shqiptar, ndërsa Burhani, që merret me skica e vizatime, do t’ ia sjell nja dhjetë kartolina me veshje shqiptare.Ka shpresa se mund t’ i hyjnë në punë në të ardhmen…
Sot më vjen pasaporta. Se çfarë praktike ndjek zoti Fyledahl, nuk e di, por ai më ka premtuar se pasaportën do ta kem në xhep gjatë kohë para se të dalim në Arlanda. Sa i përket shpenzimeve, nuk më duhen shumë të holla, sepse në koston e rrugës, përpos një dhome në hotelin “Apolonia” hyjnë mëngjesi, dreka dhe darka. Të hollat tjera do më duhen për ekskurzione. Për çdo eventualitet, duhet të marr vaksinë kundër hepatitit, tetanuzit dhe difterisë.
Shtrohet tani pyetja: Çfarë duhet të bëj nëse vapa bëhet e padurueshme dhe nëse s’ më merr gjumi? Nga të gjitha revistat, broshurat dhe librat që kam zgjedhur, do ta marr ate që ma mbush zemrën me paqë e mirësi.Ai është romani ”Sidarta” i shkrimtarit Herman Hesse.
Po u jap fund përsiatjeve të mia me shpresa se një ditë, kur dora ime s’ do të jetë në gjendje të shkruaj, Shqipëria dhe trevat e shkëputura prej saj, do të jenë pjesë të një formacioni tjetër shtetëror.Ka mundësi që këto hieroglife do duken të vjetër, por s’ ka gjë. I kam shkruar, në dorë të parë, për ta trimëruar veten dhe, në dorë të dytë, për të gjithë ata që janë kundër shtypjes e tiranisë.Këto shënime do t’ ishin të mira edhe për zotin Namik, që e la vendlindjen para se të hynin grekët, dhe tani zihet me gruan në gjuhën turqishte.Duke i lexuar këto shënime, ai mbase do të mësonte se më lehtë është të merresh vesh me një grua që e flet gjuhën shqipe, se sa me një tjetër që s’ e kupton asnjë fjalë të saj.
Suedia është një vend i largët, por tek se kanë ardhur nja katër stërqoka të para, do vijnë edhe korba të tjerë. Po shprishet Gjaku ynë dhe po përzihet me gjak të huaj. Pasardhësit tanë, kush si i bardhë dhe kush si i zi,do t’ i lënë kockat e veta në këtë vend për pa mësuar se cilët ishin të parët e tyre.

Uppsala 3/7 1970

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi