Kurti merr pjesë në tubimin e Shaip Kamberit për zgjedhjet në Serbi, fton qytetarët ta përkrahin koalicionin e pesë partive shqiptare – Telegrafi

0
41

Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në tubimin e mbajtur në mbështetje të listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 17 dhjetorit në Serbi. 

Kurti ka folur për koalicionin e përbërë nga pesë parti shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën, që po garojnë së bashku në një listë.

Kryeministri është shprehur se koalicioni përbëhet me figurat që bartin integritet të lartë moral dhe patriotik, njerëz që shquhen për aktivitetin e tyre politik për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë.

“Ky bashkim i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në këto zgjedhje, tha kryeministri, është dëshmi që mund të jemi edhe për pluralizëm politik edhe unitet kombëtar, mund të jemi edhe patriotë edhe demokratë, dhe se beteja e këtillë politike është e drejtë për nga karakteri i saj dhe se e gëzon mbështetjen tonë”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë.

Për Shaip Kamberi, Kurti ka thënë se është një zë i fuqishëm i reciprocitetit. Ai i ka ftuar të gjithë që të bashkohen e ta mbështesin atë dhe listën e përbashkët “për t’iu kundërvyer regjimit autoritar e antishqiptar në Serbi, dhe për t’i dale në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar që jeton në atje”. /Telegrafi/