Kurti në takimin e Socialistëve Evropianë takon Borrelin e kryeministrin e Spanjës, kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës – Telegrafi

0
39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në një mbledhje të rëndësishme të Partisë së Socialistëve Evropianë, e cila u mbajt për të përgatitur vendimet për Këshillin Evropian dhe për të diskutuar sfidat aktuale si lufta në Ukrainë dhe çështjet e zgjerimit të BE.

Në margjina të kësaj mbledhje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati rastin të bisedojë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme,  Josep Borrell, me Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez, me Kryetaren e Grupit të Socialdemokratëve në Parlamentin Evropian,  Iratxe García Pérez, me Komisarin Evropian për Punësim dhe për të Drejtat Sociale, Nicolas Schmit, por sigurisht edhe me Kryetarin e PES-it, Stefan Löfven dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, Giacomo Filibeck.

Në fjalimin e tij Kurti foli për arritjet e Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe për rritjen ekonomike në këto 32 muaj sa LVV është në qeverisje.

Ai theksoi angazhimin e Kosovës ndaj reformave dhe rritjes ekonomike, duke sjellë në vëmendje arritjet e qeverisjes së tij, si dhe sfidat me të cilat përballet vendi.

Gjithashtu, Kurti zyrtarëve të lartë të BE u bëri thirrje për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe për përparim të mëtejshëm në rrugën e integrimit evropian.

“Kryeministri Kurti rikujtoi masat e padrejta që i janë vënë Republikës së Kosovës dhe bëri thirrje për heqjen e këtyre gjersa theksoi se shteti autoritar fqinj është ai që bart fajin për eskalimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës. Barrikadat e paramilitarëve u zëvendësuan me sulme paramilitare, sulme terroriste, lideri i të cilëve është i lirë në Serbi dhe merr pjesë në mitingjet e presidentit të Serbisë.”.

Kryeministri Kurti ripohoi përkushtimin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura sivjet por duke kërkuar nënshkrimin e dy palëve si një garanci ligjore për një zbatim pa shkelje./Telegrafi/