Nënshkruhet marrëveshja 20 milionë euro për ujërat e zeza në Ferizaj – Telegrafi

0
45

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergiy Maslichenko nënshkruan sot një marrëveshje me vlerë 20 milionë euro.

Përmes kësaj marrëveshje parashihet ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Rajonin e Ferizajt përmes së cilit parandalohet shkarkimi i ujërave të zeza në lumenj.

Nga ky projekt përfitojnë rreth 90 mijë qytetarë duke ndikuar në ruajtjen e burimeve lokale të ujërave.

Në njoftim thuhet se projekti është në linjë me Strategjinë Nacionale të Ujërave për Kosovë (2023 -2027).

Në ceremoninë e nënshkrimit, ministri Murati theksoi se “ky projekt do të ndikojë në ruajtjen e ambientit në komunat e Ferizajt dhe Kaçanikut si dhe në gjithë rajonin përreth”.

Ndërkaq, drejtori i BERZH-it për Kosovë, Maslichenko tha se ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe shëndetit publik në Kosovë.

“Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në sektorin e ujërave dhe mjedisit dhe shpresojmë që ky projekt të shërbejë si model i suksesshëm për projekte të ngjashme në të ardhmen”, tha ai.

Kryeshefi Ekzekutiv në kompaninë “Bifurkacioni SH.A”, kompani zbatuese e këtij projekti, falënderoi palët për përkushtimin e treguar, duke potencuar se projekte të tilla lehtësojnë jetën e qytetarëve në Rajonin e Ferizajt. /Telegrafi/