SHPËRNDAJE

 

Na ishte një herë një grua dhe një burrë. Ata jetonin në një fshat të largët të Kosovës dhe kishin katër djem e katër vajza. Ishin të varfër dhe memzi mbaheshin gjallë. Gruaja ishte shtëpijake, burri ishte bujk, dhe mbaheshin gjallë nga një arë që burri e kishte trashëguar nga të parët.Ara ishte si të gjitha arat e botës, por e kishte një të mirë se gjendej përskaj një gjoli që quhej Gjoli i Idrizit. Gjatë verës, kur bënte vapë dhe dielli përcëllonte si saç, në ujrat e tij laheshin buallicat, kurse dimrit, kur vinte acari dhe papunsia, fshatarët shkonin e zenin ndonjë perkë apo ndonjë shojzë në ujrat e tij.
Një ditë prej ditësh, duke parë që i shoqi po rrinte kot, i thot gruaja:
” Ore burrë, ti ngaherë s’ na ke sjellë peshq. A s’ mundesh ta provosh fatin sot, se ditë për ditë po hamë groshë. Ka rrezik që kështu si e kemi nisur, grosha të na rritet në bark.”
Për të mos ia prishur qejfin, fshatari u zgjua të nesërmen, mori rrjetën në krah dhe e hodhi në lumë. Ke pare ti, duke e nxjerrë rrjetën pa se kishte zënë një peshk të madh, shumë të madh, dhe u gëzua shumë, por mu në çastin kur po matej t’ ia thente qafën, peshku e hapi gojën dhe e luti të mos e vriste.
” Mos ma merr jetën, baci Sadik,” i tha peshku. ” Unës’ jam nafaka jote.Eja nesër dhe kërko çka të duash, se do ta plotësoj dëshirën.”
E lëshoi fshatari peshkun – se s’ kishte dëgjuar që dhe peshqit flisnin si ne – dhe shkoi te shtëpia duarbosh. E shoqja, një llafazane e madhe, ishte duke e pritur me tigan në dorë.Kur e pa që burri po vinte duarbosh, e mori shumë inatë.
“ A bash asnjë peshk s’e zure, a?”
“ E zura një dhe e lëshova,” tha Sadiku dhe i dëftoi fill e për pe se ç’ i kishte ndodhur. Ai i premtoi të shoqës që nesër, me të zbardhur dita, do të shkonte për t’ ia shtruar dëshirën. Po çka t’ i kërkonte se?
Gruaja u mentua gjithë natën, deri sa agoi dita, dhe pak para se të shkonte burri te Gjoli, i tha:
” Mos i kërko ara e livadhe, se ara e livadhe ka secili rreckaman. Mos i kërko as dhi e dele, se dhi e dele ka secili llapangjoz. Po kërkoja edhe një djalë tjetër, se këta që kemi janë guhakë. S’ ka nevojë të jetë trim, se trima ka Kosova sa të duash, po të jetë kopil. Më mirë kopil e i respektuar, se i ndershëm e kryelivadh.”
Shkoi plaku te Gjoli, e hodhi rrjetën në ujë dhe – ke parë ti – përsëri e zuri atë peshkun e madh. Mesa duket ai e kish pritur, se menjëherë e pyeti:
” Fol, baci Sadik! Tash e ke radhën ti.”
Sadiku, që ishte një burrë shumë i ndershëm, ia dëftoi hallin.
” Sikur të më pyesje mua, do dëshiroja ta kem një arë më të madhe, nja dy lopë dhe një tufë me dele,” tha ai. ”Por duke qenë se kam një grua dhe tetë fëmij, po ta shtroj dëshirën e saj. O zoti peshk! Falna një haram djalë, se këta që kemi janë shumë të ndershëm. Mirë do t’ ishte të jet i ndershëm, por njerëzit e ndershëm po ngordhin për bukë. Andaj po të lutem për një djalë që – jo vetëm rrenat e hallkut, por edhe të vetat i quan – të vërteta. Falna një lanet që s’ e do askend, madje as vëllezërit dhe motrat e tij.”
Peshku i ngratë, që kishte pritur një dëshirë më të thjeshtë, u pikëllua shumë, por fjala është fjalë dhe duhej ta mbante. Andaj i tha plakut:
” Do bëhet si do zonja jote. Si të jetë kysmet, në krye të motmotit ka për t’ ju lindur një djalë.Sa të jetë i vogël, ka për të qenë i zi si ai zogu që e kanë gratë midis këmbëve, por kur të ritet, ka për t’ u bërë delenxhi i madh dhe të gjithë shqiptarët, të mëdhenj e të vegjël, do t’ ia puthin dorën, sepse do ta marrin për politikan të madh. Pastaj do të vijë dita kur edhe ai, si haramëttjerë, do të bie në gropë të qenefit, por ajo nuk varet prej meje, po prej të Madhit Zot.”
Kështu tha peshku dhe – fap – kërceu në faqen e lumit, kurse fshatari i ngratë iku te shtëpia.
Për pa kaluar as nëntë muaj, gruaja e tij lindi edhe një djalë.Njëmend ishte pak i thatë, por pamja e tij nuk i shqetësoi prindërit. Përkundrazi, ata shkuan përnjëherë te hoxha, mulla Hasani, dhe ai e pagëzoi me emrin Salih, të cilin Libri i Shenjtë e dinte si të drejtë e të paanshëm.
Dhe Saliu doli i mençur. Ai mbante mend çdo gjë që flitej në shtëpi, qoftë edhe kur diçka shqiptohej në gjuhë të huaj. Rrjedhimisht, duke qenë se ishte i vogël për mejteb, deri sa vëllezërit e tij mësonin shkronjat e abetares dhe surat e Kor’Anit, ai regjistronte çdo varg që shqiptonin, edhe ate,me një saktësi të madhe. Ishte kjo, po dhe serioziteti me të cilin fliste, që i nxiti pleqët ta quajnë “babë”.
Dorën në zemër: një fëmijë që e recitonte “Eudhubilahin”, “Kuluvallahin” e “Elhamdulilahin” halapa shkuar në shkollë, duhej t’ ishte pinjoll i një dere të moçme që ndoshta kishte nxjerrë edhe pushtetarë të lartë në kohën e Turkut.
Atëbotë Kosova ishte pjesë e Shqipërisë. Sado të prapambetur që ishin, shqiptarët e Kosovës ishin njerëzit më të lumtur në botë. Për herë të parë, pas robërisë së gjatë sllave, nëpër fshatrat dhe qytetet e tyre valonte Flamuri Kuq e Zi dhe fëmijët e tyre mësonin shkronjat e gjuhës shqipe. Mjerisht, Saliu ishte i vogël për të shkuar në shkollë dhe, si të gjithë mocanikët e tij, ditët kalonte duke e ruajtur lopën dhe duke biseduar me veten, si të gjithë ata që janë të lindur për t’ u bërë drejtorë, afarista dhe qeveritarë.
Një ditë – e kjo ndodhi kur Sala ishte gjashtvjeçar – ate e regjistruan në klasën e parë por ai, për shkaqe që do të mësojmë më vonë, shpesh herë ikte nga mësimi, sepse nuk i pëlqenin shokët e klasës. Kush e vriste kokën për mungesat e tij, kur i jati kishte edhe një qerre mefëmijë tjerë dhe gjithë ditën duhej të robtonte në arë?! Për të qenë e keqja më e madhe, e shoqja s’ i dëftonte që Sala pritonte të shkonte në banjo dhe gjithmonë i lagte brekët me shurrë.
“ Mos u mërzit për Salën,” thonte ajo. ” Ai djalë ka për t’ u bërë njeri I madh. Këte s’ e kam thënë unë, por ai peshku që e pate kapur te Gjoli i Idrizit.”
Mjerisht, kohët ishin të liga dhe Kosova përjetonte një rrëmujë të madhe.Ushtri të shumta hynin e dilnin nga fshatrat kosovare.Flamuj të ndryshëm çfaqeshin para hanit të Selim Gjatës, godinës së vetme që kishte fshati.Vrasje, djegje e masakra të panumërta bëheshin rreth e përqark fshatit.Por Saliu ishte tepër i vogël për të kuptuar n’ emër të kujt dhe n’ emër të çkafit therreshin fëmijët, dhunoheshin gratë, torturoheshin njerëzit e pafajshëm dhe shqiptarët e ngratë lidheshin si kafshë dhe dërgoheshin në very.Ai e ruante lopën dhe më shumë mësonte nga i jati, që ishte bujk, se sa nga zotni Ferati që ishte mësues i ardhur nga Shqipëria.
Kështu kaluan ca vjet dhe shkiet prap u kthyen në Kosovë.Këtë herë ata s’ erdhën vetëm, se kishte në radhët e tyre edhe shqiptarë, por sapo u qetësua gjendja, filluan zullumet e rëndomta.Ai krali i Jugosllavisë së Re, që s’ donte ta quanin kral por mareshal, dha urdhër për hetime, arrestime e tortura të reja. Këtë herë shqiptarët duhej të paguanin shumë tatime: tatime që ishin shqiptarë, tatime që flisnin shqip, tatime që kishin drith e s’ ua dërgonin vëllezërve kazakë, tatime që kishin lopë e s’ ua falnin vëllezërve bullgarë, tatime që shkonin në xhami, tatime që luteshin nëpër xhami dhe tatime që ishin gjallë…
Sidoqoftë, Saliu ishte njëmbdhjetë vjet kur e fejuan me një çikë nga Llashkobara. Ashtu bënin n’ atë kohë. Atje jetonte një plak e një plakë nga fshatrat e Rozhajës.Ata s’ kishin asnjë fëmijë përpos një mbese që e kishin pagëzuar me emrin Selvie.
Selvija ishte tuaf vajzë, se gjithëmonë bënte të kundërtën e asaj që thonin pleqët e saj.Fjala vjen, sa herë që shoqet e saj e shihnin ndonjë morr, ato çoheshin dhe e rrokullisnin shtëpinë për t’ i larë rrobat dhe për t’ i mbytur ato kandrra, por Selvija bënte të kundërtën. Sa herë që e zente ndonjërin në flokë, ajo e lëshonte nën këmishë që të rritej e të shtohej si të gjitha qeniet e të Madhit Zot. Të mbrojtur nga ajo qenie zemërbardhë, morrat zhvillonin një veprimtari të bujshme erotike dhe shtoheshin si kurrë më parë.
Shumë nëna e baballarë shkuan dhe e kërkuan atë vajzë, por ajo s’ pranonte të fejohej. Duke qenë se flokët i kishte të gjatë e të pasur me leskra të yndyrshme, ajo, për pa u dëftuar pleqëve të ngratë, kishte vendosur ta merte një berber, sepse ai do t’ ia lante kokën javë për javë dhe ta shlironte nga ai zbokth i mallkuar. Problemi ishte ku ta gjente atë djalë?!
Një ditë, pasi e kërkuan shumë policë e druvarë nga Radavci, Paldonica e Varoshi, ajo i ftoi të gjithë kandidatët për kafe dhe e pyeti secilin veç e veç – çka donte të bëhej, kur do të bëhej i madh për t’ u martuar?
Të gjithë mentuan se ajo, për të jetuar sa më rehat, e donte një burrë që punonte si polic, shumar apo nëpunës, dhe ia çfaqën dëshirat e tyre. Njëri donte të shkonte në Shkollën Bujqësore dhe, pastaj, të punonte si agronom në Obiliq. Tjetri donte të shkonte në Shkollën e Partisë dhe, pasi ta mbaronte ate, të punonte në Këshillin Krahinor. Një i tretëdonte të shkonte në Shkollën Teknike dhe, pasi ta mbaronte ate, ta voziste shokun Fadil ose shokun Sinan. Kishte edhe asosh që donin të bëheshin inxhinjerë, drejtorë kooperativash, dentistë, mjek, por asnjëri s’ donte të bëhej berber.
Kur i erdhi radha Salihut, ai tha se do bëhej berber.
” Po pse bash berber,” e pyeti ajo.
” Sepse brisku i berberit i rruan të tjerët, ndërsa mua ma mbush xhepin,” tha ai me një siguri që la mbresa të forta.
Kjo e befasoi vajzën aq shumë, sa që pranoi të fejohej dhe, pa marrë parasysh morrat që kishte në trup, ishte e sigurtë se një ditë do bëhej gruaja më e pasur e Kosovës.
Me ecjen e kohës ata do bënin edhe fëmijë, por ajo ndodhë pak më vonë, kur Saliu të shpërngulet në qytet dhe, në vend se të regjistrohet në Gjimnaz apo Normale, vendos të fillojë si shegërt i një berberi armen.
Kjo që ai e zgjodhi briskun para lapsit ishte gabim i madh, por një fjalë popullore thotë – secili lidhet për kujin e vet. Ku ta dijsh se çka do bëhej Sala sikur të shkonte në Gjimnaz dhe, pastaj, të antarsohej në Lidhjen e Organizatës Komuniste? Ka mundësi që do bëhej drejtor i Trepçës dhe, eventualisht, t’ ia zente vendin Azem Vllasit.
Por ai bëri të kundërtën dhe ra në burg. Kjo ndodhi një natë, kur fshatarët e tij bënin një gjumë të thellë dhe ai, vetëm e vetëm për t’ ukualifikuar si i burgosur politik, qëllimisht e theu dyqanin e një fshati dhe vodhi pak mall dërzhave. Nuk mori shumë, nja katër pesë shishe vaj, një qese me gozhda, një kuti me çorapa nyloni dhe nja katër palë çizme. Aspak më shumë. Por në vend se t’ i nxirrte ato gjëra të mallkuara në Pejë, ku vaji përdoret për të bërë lakrorë dhe fli,ai, prap për inatë të dërzhavës, i nxori në Leskoc dhe policia serbe, duke e marrë për evgjit të Kralevës, e dënoi me tre muaj burg.
Kështu filloi veprimtaria e tij politike. Se si u tranferua pastaj në burgun e Gjurakocit, se si u njoftua me politikanët shqiptarë, se si u lidh e u betua të luftonte për çlirimin e Kosovës, do t’ u dëftoj një herë tjetër, kurse këtë herë po mjaftohem të konstatoj se fejesa dhe martesa janë dy dukuri të ndryshme. Saliu kishte dëshirë të bëhej berber, po akoma s’ e kishte mësuar zanatin.( vazhdon )

Shkruan: Ramadan Rexhepi