​Haradinaj pret në takim zyrtaren e DASH-it: Biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova – Telegrafi

0
35

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradianaj, ka pritur në selinë e partisë, Drejtoreshën për Çështje Evropiane në Departamentin Amerikan të Shtetit, Colleen Hyland.

Haradinaj ka njoftuar se me Hyland ka biseduar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, duke shprehur nevojën për mbështetjen amerikane në proceset e ardhshme.

“E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që ShBA-të japin për Kosovën”, ka shkruar i pari i AAK-së në llogarinë e tij në Facebook.

Zyrtarja e DASH-it gjatë ditës së djeshme është pritur në takim edhe nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Siç ka njoftuar Abdixhiku në Facebook, nga Hyland ka kërkuar mbështetje të procesit të dialogut me Serbinë.

“I shpreha gjithë mirënjohjen tonë dhe anëtarësisë sonë, për angazhimin amerikan në proceset e tanishme të Republikës. Në takim i kërkova që kjo mbështetje për Kosovën – për popullin tonë – të vazhdojë, veçmas në procesin e ndjeshëm dialogues me Serbinë, me qëllim të mbrojtjes së interesave tona shtetare, të përcaktuara në Kushtetutë e Deklaratë të Pavarësisë”, ka shkruar ai.

Tutje, i pari i LDK-së ka thënë se ka shprehur brengat për përmbajtjen e draft statutit të Asociacionit.

“Drejtoreshës Hyland i shpreha dhe pikëpamjet tona rreth dokumentit të draft-statutit – të pranuar tashmë ndërkombëtarisht nga kjo Qeveri – dhe brengat që kemi mbi përmbajtjen e tij”.

“Kosova ka nevojë për aleatë që njohin historikun tonë; siç dhe duan të ardhmen tonë funksionale, si shtet e si shoqëri. SHBA-të janë të paalternativë në këtë drejtim”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/