Moment frike dhe paniku në Angli: Kapiteni i Luton Town rrëzohet pa ndjenja në fushë – Telegrafi

0
44

Ndeshja e së shtunës në Ligën Premier mes Bournemouth dhe Luton Town është ndërprerë në gjysmë në pjesën e dytë, pasi Tom Lockyer u rrëzua pa ndjenja në fushë.

Kapiteni i Luton Town, Lockyer ra në fushë papritmas duke bërë që stafi mjekësor të futet me shpejtësi në fushë për të intervenuar.

Lojtarët e të dy ekipeve ishin mjaft të shqetësuar për gjendjen e Lockyer, madje disa prej tyre filluan të luteshin për shëndetin e tij në fushë.

Pasi u bë e qartë se gjendja e Lockyer nuk është e mirë, gjyqtari i ndeshjes Simon Hooper urdhëroi lojtarët e të dy ekipeve që të shkojnë në zhveshtoret e tyre.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 65-të, dhe deri në atë moment rezultati ishte i barabartë 1-1.

Pasi kaluan rreth 12 minuta që lojtarët u larguan nga fusha, mediumi anglez BBC Sport raportoi se Lockyer ishte i vetëdijshëm gjatë kohës sa po largohej nga “Vitality Stadium” në drejtim të spitalit.

Kjo ndodhi erdhi 203 ditë pasi Lockyer u rrëzua në fushë gjatë finales së playoffit të kampionatit EFL sezonin e kaluar në “Wembley”.

Më vonë doli se ai kishte pësuar një fibrilacion atrial,  një gjendje që mund të shkaktojë një ritëm të parregullt dhe të shpejtë të zemrës.

Për shkak të këtij problemi, Lockyer ishte detyruar që t’i nënshtrohej një operimi para se t’i ipej leja që të rikthehet në fushën e lojës./Telegrafi/