Bajrami, Kurtit: Problemi i varfërisë nuk zgjidhet me 100 euro në vit – Telegrafi

0
43

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove shtesë për fëmijë dhe pensionistë.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin për punë në drejtësi.

Sipas saj, i njëjti tani po thotë se “’papunësia është individuale, po varfëria është familjare’ dhe sipas tij masa njëherë në vit 100 Euro për fëmijë e të moshuar na qenka zgjidhja e problemit të varfërisë”.

“Z. Kryeministër, me qenë zgjidhja 100 Euro në vit të garantoj që fjalën varfëri në Kosovë nuk e kishe dëgju kurrë”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Mes tjerash, ajo ka thënë se derisa ekzekutivi po i ndan mbi 50 milionë ndihma për fëmijë dhe të moshuar në këtë fundvit, remitencat e mërgatës janë mbi 1.2 miliardë euro në vit.

“Ku mendoni se shkojnë 1.2 miliardë euro remitenca? Qeveria është e mandatuar për të kriju kushte për arsim cilësor dhe ambient të mirë të biznesit, ku krijohen vende pune e gjenerohen të hyra të vazhdueshme, por për këtë duhet kompetencë dhe vullnet për punë, cilësi këto që ministrat e Kurtit nuk i kanë”, ka përfunduar Bajrami. /Telegrafi/