Kreu i FIFA-s, Infantino: Presim Shqipërinë në Botërorin e 2026-ës

0
37

Kreu i FIFA-s, Gianni Infantino dërgoi një mesazh përshëndetës për FSHF-në në mbrëmjen gala të futbollit shqiptar, ku u nderuan më të mirët e vitit 2023.

Infantino solli në vëmendje rritjen e Shqipërisë në futboll dhe kualifikimin në Europian si kryesuese grupi, teksa theksoi se shpreson që të shohë kombëtaren shqiptare të garojë në Botërorin e 2026-ës.

Mesazhi i plotë i Infantinos:

I dashur President Duka, i dashur Armand,
Të dashur kolegë në Federatën Shqiptare të Futbollit,
Të dashur miq,

Në një mbrëmje të tillë si kjo që po shijoni sonte, ne festojmë momentet më të mira të futbollit shqiptar dhe vendi juaj sigurisht që ka shumë për t’ju ndjerë krenar, pas një viti 2023 fantastik.

Në vitin 2022, ne festuam 90-vjetorin e anëtarësimit të Federatës Shqiptare të Futbollit në FIFA dhe ju mirëpritët finalen e një kompeticioni evropian për klube në kryeqytetin tuaj të bukur. Këtë vit ju keni siguruar pjesëmarrjen tuaj në finalet e EURO 2024 – duke u renditur për herë të parë në krye të grupit tuaj kualifikues.

Epo, unë vetëm mund t’ju përgëzoj të gjithëve, Presidentin Duka, trajnerin e Kombëtares Sylvinho, të gjithë lojtarët dhe stafin që e kanë bërë të mundur këtë arritje. Jam i sigurt që verën e ardhshme do ta bëni krenar vendin tuaj në Gjermani.

Sigurisht, me Kupën e Botës FIFA për femra, ishte gjithashtu një vit i madh për FIFA-n dhe për futbollin e femrave. Ishte një turne transformues, Kupa e Botës më e mirë e FIFA-s për femra deri më sot, dhe jam i kënaqur të shoh që Federata Shqiptare e Futbollit po fokusohet gjithashtu në përfshirjen e sa më shumë vajzave dhe grave në futboll dhe ne po shohim progres pozitiv gradual në renditjen botërore në këtë aspekt.

E kam mirëpritur me entuziazëm strategjinë e futbollit të vajzave “Rising Stars”, që ju prezantuat kohët e fundit dhe dua t’ju inkurajoj që të ndiqni synimet tuaja – imagjinoni sa fantastike do të ishte të shikonim Kombëtaren e Shqipërisë në Kupën e Botës FIFA me 48 ekipe në 2026-n dhe Kombëtaren e vajzave në Kupën e Botës FIFA për femra një vit më pas!

Jo vetëm kaq, por me më shumë mundësi të krijuara në nivelet e moshave falë turneve të përvitshëm të FIFA-s me një pjesëmarrje gjithnjë e më të gjerë, pres me padurim të shoh ekipet shqiptare të moshave për vajza dhe djem të bëjnë progres dhe të marrin pjesë në kompeticionet tona U-17 dhe U-20 në një të ardhme shumë të afërt.

E di që e ardhmja e futbollit në Shqipëri është në duar të sigurta dhe shumë të afta, falë edhe mbështetjes së Qeverisë dhe Kryeministrit, mikut tim të dashur Edi Rama dhe jam i sigurt që do të vazhdoni ta bëni lojën e bukur edhe më të bukur falë të menduarit në mënyrë inteligjente dhe krijuese, dhe, natyrisht, vendosmërisë dhe punës tuaj të palodhur. Dhe ju tashmë prisni kaq shumë zhvillime vitin e ardhshëm.

Urime fituesve të çmimeve për arritjet e tyre këtë vit dhe, natyrisht, ju uroj të gjithëve një mbrëmje të mrekullueshme. Shihemi së shpejti. Një përqafim i madh për të gjithë. Mirupafshim.


Top Channel