Rëndësia e regjistrimit të popullsisë, temë kyçe në takimin e Kurtit me përfaqësuesit malazezë – Telegrafi

0
35

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me komunitetin malazez, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, pjesëmarrës në takim ishin dhe zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lazar Raduloviq dhe Denis Ivic nga Këshilli Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës, së bashku me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

“U diskutua për mbështetjen ndaj komunitetit jo-shumicë gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe grantet shtesë prej 3 milionë eurosh që u ndanë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, ku përfituese kanë qenë dhe OJQ-të malazeze, por edhe ndryshimet pozitive në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe për zhvillimin e rrugëve që lidhin shtetin e Kosovës me atë të Malit të Zi – mes Deçanit dhe Plavës, dhe ndërmjet Pejës dhe Rozhajës”, thuhet në njoftim.

Kryeministri ka theksuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në muajin prill të vitit të ardhshëm.

“Në këtë regjistrim, për herë të parë, çdo shtëpie i është dhënë e drejta të ketë regjistrues nga komuniteti i saj, për të mos ndjerë asnjë presion për të deklaruar ndryshe. Pjesëmarrësit kanë vlerësuar pozitivisht mundësinë për të biseduar për këto çështje dhe për të punuar së bashku përballë sfidave të përbashkëta”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/