Pasojat e luftës Hamas-Izrael, çfarë po ndodh në Detin e Kuq? – Telegrafi

0
74

Pas rrëmbimit të një anije në Detin e Kuq nga militantët e Huthi dhe shumë tjera që u sulmuan si kundërpërgjigje ndaj konfliktit Hamas-Izrael, autoritetet e shumë vendeve të botës kanë filluar të brengosen për sigurinë e ekuipazhit të anijeve të tyre që lundrojnë nëpër atë rajon, shkruan Sky News.

Madje ishin publikuar pamjet kur militantët e Huthi ‘zbarkojnë’ në një anije, të pajisur me armë të ndryshme dhe me rroba ushtarake, duke u futur edhe në kabinën e kapitenit që nën kërcënimin e armës u rrëmbye, transmeton Telegrafi.

Fillimisht u tha se ishte një anije në pronësi të një shtetasi izraelit dhe se këtë sulm e kishin realizuar në mbështetje të Hamasit, dhe si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës, ku me dhjetëra mijëra persona deri më tani kanë humbur jetën.

Milicia Huthi me seli në Jemen, mbështetet nga Irani. Grupi mbështet Hamasin dhe është zotuar se do të synojë anijet të cilat beson se po shkojnë drejt Izraelit apo që janë nisur nga ky vend.

Luftanija e marinës mbretërore britanike HMS Diamond, u dërgua në rajon dy javë më parë dhe rrëzoi një dron në Detin e Kuq që konsiderohej si kërcënim.

Huthi-t kanë shënjestruar në veçanti anijet në ngushticën Baba al Mandeb – një vijë përgjatë Detit të Kuq që ndan Jemenin nga Xhibuti dhe Eritrea.

Ata sulmuan disa anije në javët e fundit me dronë, raketa dhe në disa raste kanë përdorur helikopterë për të zbarkuar militantët në anije tregtare.

Sot, për shembull, Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) kanë vërejtur një sulm ndaj të paktën një anije britanike në portin Mokha në Jemen.

Rebelët e Huthi kanë marrë përgjegjësinë për fillimin e një sulmi ndaj dy anijeve – Swan Atlantic në pronësi norvegjeze dhe MSC Clara me flamur të Panamasë  – duke e goditur me dronë.

Pezullime dhe ridrejtime

Me rritjen e sulmeve vjen reagimi nga lojtarët e mëdhenj – me një numër anijesh tregtare që po devijohen nga zona, e cila përfshin Kanalin e Suezit të Egjiptit.

Gjigandi i naftës BP njoftoi se po pezullon të gjitha transportet përmes Detit të Kuq si rezultat i sulmeve, duke përmendur sigurinë e ekuipazheve dhe anijeve si arsyen kryesore për ta bërë këtë.

BP ndoqi hapat e gjigantëve si Maersk, MSC me seli në Zvicër dhe grupit francez CMA CGM, për të shmangur zonën. Hapag-Lloyd më vonë shtoi emrin e saj në këtë listë.

Evergreen, një kompani e madhe transporti nga Kina, ka njoftuar gjithashtu se ka pezulluar përkohësisht shërbimet e importit dhe eksportit në Izrael deri në njoftimin e mëtejshëm, duke përmendur rrezikun e sigurisë, përveç ndalimit të udhëtimeve përmes Kanalit të Suezit.

Grupi i tankerëve të naftës Frontline me seli në Norvegji, ka thënë se anijet e këtij grupi do të shmangin për momentin kalimet nëpër Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

E Maersk ka thënë se një shtesë do të aplikohet për ngarkesat e importit izraelit.

Pra, çfarë do të thotë e gjithë kjo?

Ekspertët vlerësojnë se shton rreth 10 ditë në një udhëtim nga Azia në Evropën Veriore dhe Mesdheun Lindor – që përfaqëson një rritje prej gati një të tretën.

Të njëjtët ekspertë nuk presin përçarje në të njëjtën shkallë si në vitin 2021 – kur anija me kontejnerë Ever Given u rrëzua në kanalin e Suezit, duke bllokuar dhjetëra anije kontejnerësh që transportonin produkte nga telefonat celularë deri te mallrat e dizajnit për gjashtë ditë.

Kjo ka të ngjarë të ushtrojë edhe më shumë presion mbi Izraelin për të përfunduar luftën e saj në Gaza, megjithatë, me grupin Huthi që pretendon se sulmet e saj ndaj anijeve në zonë, janë pasojë e drejtpërdrejtë.

Për më tepër, tregu i sigurimeve detare të Londrës ka zgjeruar zonën në Detin e Kuq që e konsideron si rrezik të lartë mes një rritjeje të sulmeve ndaj anijeve tregtare, sipas një deklarate të lëshuar më herët sot. /Telegrafi/