SHPËRNDAJE

Kryeqyteti i Hungarisë është stacioni i parë për dy videoklipe të animuara dhe një tjetër film të shkurtër të animuar nga Kosova.

Universiteti Metropolitan i Budapestit me datën 14 të këtij muaji do të jetë nikoqir i programit me filma të animuar nga Kosova dhe shtetet e Vishegradit – Hungaria, Sllovakia, dhe Polonia. Krahas atyre kosovare, do të jetë edhe nga një film prej këtyre tri shteteve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Krejt kjo vjen si rezultat i një projekti në kuadër të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”.

“Kultivimi i kulturës së animacioneve midis Ballkanit Perëndimor dhe Grupit të Vishegradit” është programi i cili u mbajt para dhe gjatë edicionit të sivjetmë të festivalit, me mbështetjen financiare të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit. Ai do të vazhdojë gjatë muajve në vazhdim me shfaqjen e këtij programi edhe në vendet e tjera partnere të projektit, ku pos Hungarisë përfshihen edhe Kosova, Sllovakia e Polonia.

“Dikush fatin e rrotullon”, nga kënga me të njëjtin titull që këndon Elina Duni dhe “Retrovizorja”, filmi i animuar “Seed” (Fara) dhe “Alfabeti ecën vetë”, videoklip i këngës me të njëjtin titull e bendit “Oborri”, janë tri projektet kinematografike të Kosovës që do të shfaqen në këtë program. /presheva.com/