Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, çfarë deklaroi serbi Dushko Arsiq në gjykatë? – Telegrafi

0
48

 I akuzuari Dushko Arsiq, i cili po akuzohet për krime lufte, ka thënë se asnjëherë nuk kishte qenë në Butovc, në vendin ku akuzohet se kishte kryer krime lufte dhe tha se nuk e dinte se ku ishte ai vend.

I akuzuari Arsiq po ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K..

“Ashtu siç kam deklaruar edhe paraprakisht, asnjëherë nuk kam qenë në Butovc apo në Kolovicë dhe nuk e di dhe nuk mund të them asgjë për këtë ngjarje”, tha i akuzuari Arsiq.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Arsiq e ka dhënë duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Nebojsha Vllajiq, se a kishte qenë në Butovc në ditën për të cilën akuzohet nga Prokuroria Speciale.

“Asnjëherë nuk kam pasur uniformë ushtarake në pronësi, përveç faktit kur kam qenë në ushtrime në vitin ‘94-‘95”, tha i akuzuari Arsiq.

Paraprakisht, i njëjti tha se u lind në Prishtinë dhe që kishte jetuar në Matiçan deri në luftë, duke shtuar se në vitin 1998 kishte punuar në Komunën e Prishtinës, si gjeodet në Departamentin për Prona.

I akuzuari shtoi se edhe gjatë luftës, çdo ditë kishte punuar nga ora 7:00 deri në orën 15:00 dhe se gjithmonë kishte qenë me rroba civile kur kishte shkuar në punë, po ashtu e kishin pasur të detyrueshme të lajmërohen në punë.

I akuzuari Arsiq tha se pas luftës me ndikim të babait të tij, ishte larguar nga Matiçani, ku ai shtoi se duke ikur tek zdrukthëtaria “Përparimi” e kishte ndaluar një person me armë dhe më pas kishte shtënë në drejtim të tij, ku ky kishte ikur dhe kishte shkuar në Çagllavicë.

Ndër të tjera, i akuzuari Arsiq tha se më pas kishte shkuar në Serbi dhe kishte qëndruar rreth 1 muaj e gjysmë  dhe pasi që ishte kthyer, kishte filluar të punonte në Komunën e Graçanicës, kurse sipas tij kjo procedurë ndaj tij ishte për shkak të pasurisë së tij.

“Kjo procedurë për të cilën gjendem unë këtu, është për vetëm se për shkak të pasurisë sime, e cila është falsifikuar nga Valmon Lleshaj, Ismet Mehmeti, Ndue Palushi… Ilmi Krasniqi, nga Butovci i cili e ka mbiemrin si Artan Krasniqi”, tha i akuzuari Arsiq, raporton betimiperdrejtesi.

Ai tha se një person me emrin Idrizi e kishte marrë në pyetje në burg.

“As në burg nuk më kanë lënë të qetë, e kanë angazhuar zëvendësdrejtorin Idrizin dhe Idrizi më ka marr në pyetje në burg më ka përmendur të gjitha emrat… Valmon Lleshaj, Ndue Palushi, Ismet Mehmeti, Ilmi Krasniqi, Isufin nga Matiçani, ka përmendur xhaxhain e babit tim Spasen, Vericën, çikën e axhës së babait tim, Mikin djalin e axhës së babait tim”, tha i akuzuari.

Arsiq po ashtu tha se të lartcekurit edhe në burg i kishin bërë presion që t’ua shiste pronat.

“Do të thotë se unë jam në kornizë të aktakuzës, kanë kërkuar edhe në burg nuk më kanë lënë rahat, kanë kërkuar t’ua shes unë pronat”, tha i akuzuari Arsiq.

Sipas tij, në burg e kishin kërcënuar shumica e shqiptarëve dhe se drejtori Idrizi kishte dashur t’ua mundësojë të lartcekurve që të shkojnë në burg që ai t’ua shes pronat. Por, që ai nuk kishte pranuar, duke shtuar se prokurorin special Atdhe Dema që ishte në sallë ditën e arrestimit e kishte parë në Graçanicë, duke e shikuar, por prokurori tha se kjo nuk ishte e vërtetë.

Ndërsa, në pyetjet e prokurorit Dema, i akuzuari Arsiq tha se nuk kishte qenë pjesë e asnjë grupi paramilitar, ushtarak dhe as policor, por që në shkollën e fshatit ishin armatosur, ku atij i ishte ndarë pushkë automatike, kurse babait të tij një M-48.

Sipas tij, në të gjithë fshatrat në Kosovë kishte ndodhur njëjtë dhe të gjithë ishin  armatosur, ku ai shtoi se pushkën e kishte çuar në shtëpi dhe e kishte fshehur në shtallë dhe theksoi se me të njëjtat ishin pajisur në vitin 1999.

Arsiq po ashtu shtoi se tash ishte në dijeni se ku ishte fshati Butovc, pasi që kishte dëgjuar në gjykatë, kurse sipas tij më herët asnjëherë nuk kishte dëgjuar për të, duke shtuar se i dëmtuari A.K., nuk e kishte njohur asnjë polici e as në gjykatë.

Arsiq tha se as të ndjerin B.Sh nuk e kishte njohur dhe se nuk kishte qenë pjesë e grupit të armatosur kur ishte ekzekutuar, duke shtuar se nuk ishin të vërteta pretendimet e Prokurorisë në të cekura në dispozitivin e aktakuzës.

Gjatë sesionit të pasdites, Arsiq tha se në një rast babait të tij ia kishin drejtuar armët ushtarët serbë, sipas tij vetëm pse i njëjti i mbronte pronat e shqiptarëve për të mos i djegur.

I pyetur nga i dëmtuari A.K, Arsiq mohoi se ishin ballafaquar përballë njëri-tjetrit në zyrën e prokurorit special. Gjithashtu, tha se të dëmtuarit A.K ai i ishte i ngatërruar me një person tjetër me emrin Dushko dhe se personalisht nuk kishte lidhje me Dushkon nga Kolovica.

Në fund, Arsiq për të dëmtuarin A.K tha se kishte blerë nga serbët mbi 200 prona të ndryshme.

Më pas, me përfundimin e mbrojtjes nga Arsiq, ka përfunduar edhe seanca për të vijuar gjatë vitit 2024.

Ndryshe një pjesë të seancës ishte e pranishme gjykatësja e Gjykatës Supreme së Republikës së Kosovës, Mejreme Memaj, për të cilën gjykatësi Vesel Ismaili tha se e njëjta do ta bënte monitorimin e seancës për shkak të vlerësimit të performancës së gjyqtarit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

Arsiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Me këtë, Arsiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.