SHPËRNDAJE

Nesër (e diel) më datë 12 nëntor pritet të mbahet eventi më i madh i ndarjes së çmimeve në Evropë, “MTV Europe Music Awards”.
Mbrëmja do të zhvillohet në Wembley Arena të Londrës, me nikoqire artisten e njohur me prejardhje shqiptare, Rita Ora.

Kjo do të jetë hera e gjashtë që Mbretëria e Bashkuar ka organizuar shfaqjen e çmimeve “MTV EMA”, dhe për herë të dytë Londra ka qenë qyteti mikpritës.


Gjithçka gati për mbrëmjen e ndarjes së çmimeve “MTV Europe Music Awards 2017” të cilin do ta prezantojë këngëtarja Rita Ora. (Getty Images)
Londra fillimisht priti ceremoninë e shpërblimeve në vitin 1996 në Pallatin Alexandra, ndërsa të njëjtën gjë do ta bëjë sivjet në një gala mbrëmje madhështore.

Taylor Swift është artistja më e nominuar në këtë mbrëmje me gjithsej gjashtë nominime, ndërsa pasohet nga Shawn Mendes e cila numëron gjithsej pesë nominime.
Për herë të parë, siç nuk ka ndodhur më parë, janë gjithsej katër shqiptarë që janë bërë pjesë e kësaj mbrëmje të madhe të ndarjes së çmimeve.

Përveçse do të jetë nikoqirja e mbrëmjes, Rita është edhe e nominuar një nga kategoritë. Ajo gjendet në listën e të nominuarave për “Dukjen më të mirë gjatë vitit’.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, Ora është shprehur se ndjehet e lumtur që do ketë rastin të shjojë këtë mundësi që i është ofruar një herë në jetë.

“Dua të shijoj momentin. Është qëllimi përfundimtar i jetës. Unë jam e paduruar, gjithmonë dëshiroj të përmirësohem. Por kurrë nuk kam kursyer veten në punë apo edhe në marrëdhënien time me audiencën. Dhe kur të vijnë këto momente, ti e kupton se çdo përpjekje ka kuptim”, është shprehur këngëtarja me prejardhje nga Kosova në një intervistë për Corriere Della Sera.

Është pa diskutim një ndër personazhet më të përfolur të vitit. Artisja nga Prishtina, Dua Lipa, është nominuar në gjithsej tri kategori në mbrëmjen e madhe të ndarjes së çmimeve “MTV Europe Music Awards”.

 

Dua është e nominuar për çmimet: “Artistja e re më e mirë”, “Vepra më e mirë në Britani dhe Irlandë” si dhe për “Dukjen më të mirë”, në këtë të fundit i bën konkurrencë edhe artistes tjetër nga Kosova, Rita Ora.

Lipa gjithashtu do të dhurojë një performancë spektakolare gjatë mbrëmjes, duke kënduar një kolazh me hitet e saj më të fundit.

Një emër jo edhe shumë i spikatur në trevat shqiptare, por shumë i suksesshëm në Zvicër. Është ky rap-artisti me prejardhje nga Kosova XEN, i cili ka arritur të nominohet në kategorinë për këngën më të bukur nga Zvicra.

Kënga e tij “Sandchaschte” e punuar nga producentët e njohur zviceranë Lii dhe Sam Million është spikatur nga juria e “MTV EMA 2017”, duke u listuar kështu në kategorinë e këngëve më të suksesshme nga Zvicra.

XEN do të jetë i pranishëm nesër në sallë, ndërsa nuk do të performojë, por do të ngjitet në skenë në rast se shpërblehet me çmimin në fjalë

Ishte një nga zërat më të bukur të këtij viti në “Sanremo” dhe nuk kishte se si të mos binte edhe në syrin e eventit më të madh në Evropë.

Ermal Meta, djaloshi me prejardhje nga Fieri Shqipërisë theu zemrat e të gjithëve me këngën e tij “Vietato Morire”, e cila trajtonte temën e dhunës në familje, dhe i solli vendin e tretë në festivalin më të madh italian.

Kjo këngë është gjithashtu e nominuar në kategorinë “Vepra më e mirë italiane”, dhe konkurrohet nga këngëtarët e famshëm italinë si: Francesco Gabbani, Thegiornalisti, Fabri Fibra dhe Tiziano Ferro.

Gjasat që Ermali të shpërblehet me çmim janë të mëdha, kjo për faktin se kënga e tij ka pasur një impakt të madh te publiku italian, megjithatë mbetet të shihet se çfarë ka vendosur publiku me votat e tij.

Këta janë shqiptarët që pritet të kenë sukses në mbrëmjen e nesërme, e cila njëherësh është një ndër ngjarjet më të mëdha të muzikës në Evropë.

Ndryshe, për çmimin kryesor, atë të “Këngës më të mirë të vitit”, janë dominuar emra të njohur të tregut ndërkombëtar, të cilët gjithashtu do jenë prezentë për të performuar në skenë.

Këto janë këngët që garojnë për çmimin “Kënga e vitit” në MTV EMA 2017:

Clean Bandit (në bashkëpunim me Sean Paul dhe Anne-Marie) — “Rockabye”
DJ Khaled (në bashkëpunim me Rihanna dhe Bryson Tiller) — “Wild Thoughts”
Ed Sheeran — “Shape of You”
Luis Fonsi në bashkëpunim me Daddy Yankee dhe Justin Bieber) — “Despacito (Remix)”
Shawn Mendes — “There’s Nothing Holdin’ Me Back.

/presheva.com