Analizë satirike/ Gjekmarkaj: Kronikë grimcash nga Kongresi dhe jeta e të mëdhenjve në dy javë

0
50

Të gjithë e patë Kongresin e PS-së sesi Babo i madh që ju shtoftë ymri, kamja e bereqeti u kujdes të mërziste e të gëzonte kë desh e sa desh.

Një natë përpara kishte kaluar orë pagjumësie. Të lehurat e qenit objekt sherri me komshinjtë në Surrel nuk e kishin mërzitur dhe aq. U turren xhandarët ta kletasnin por u dha urdhër të rrinë aty. Me një velenxë të dhirtë e të trashë supeve u këllas në një kanape. Laps e letër mori e filloi të bënte skenarin e kongresit. Aty e zaptuan të qeshura dhe humori i mirë ja hoqi mahmutllëkun.

Ja i tha vetes do nxjerr Elisën ta hapë, ajo do të gëzohet të gjithë do të mërziten po do bëjnë si të gëzuar. Respekt kam tha për gjendjet psikologjike të trazuara. Ministrat do qasë, vë në tufë dhe si drejtues paneli do u vë ndonjë si Shalsi apo të panjohur që tu masin kohën dhe tu bëjnë qortime e komente. Disave do tu ndryshojë ulëset kush rri afër e kush rri pranë tij dhe sikur i fanepseshin pamjet e përzhitura të shumëkujt. Taon do ta afroj si Kadri Hazbiun pasi i punoi qindin Mehmesë. Klosin do e nxjerr dy herë të flasë që të argëtohet njerzia dhe ti dalë turpi gjithkujt që aspiron të folurën publike. Po me këtë Xhafën ç’të bëj? Eeee komunist i vjetër ai, po nuk pa dekretin e firmosur saken se e lyen rrotën. Le të rrijë mes të gjallëve e të vdekurve dhe një hëm lëshoi.

Po ky Nikoja?? Më është bërë si shporet pesëmijëlekësh që e marr me vete sa herë ndërroj shtëpi. Në anë nuk është keq. Damon si Nesti Nasen po e lë në rreshtin e pestë. Ky Ditmari do vijë s’do vijë është bërë si Nako Spiro herë më duket hero e herë tradhtar. Gramozi më duhet për dekor si portreti i gjyshit në mur. Mimi di Puccini po kjo? Le të ulet diku as afër as larg si simbolike brezash në ikje. Një dyshim e breu gjatë në mos duhej tu vinte edhe muzikë e ca valltare që e tundnin atë firaun bel me të këput shpirtin apo jo? E la për jo. Margeriti më mirë me xhubletë apo allafrënga. E la allafrënga. Majko kudo që të rrijë s’ ka problem mërmëriti e qeshura e tij me dhe pa shkak do bjerë në sy po aq sa flokët e bardhë. Ermua që çmon më shumë verërat e Beratit sesa të Burgonjes këto kohë që Tao i ka shtuar dhe rojet meriton një kënd ku ta kapë kamera. Helbete guximi i saj pamatë për ti vënë gjoksin të pabërave meriton respekt. Blerina i duhej diku për ngjyra ku ajo roza të bënte kontrast me të zezën e kostumit të Manastirliut. Dilua dhe Baftua diku lart si përfaqësues të puntorisë e fshatarësisë nuk ishin keq aty lart. Çuçin si bari të grupit do e vë si në qendër që ta rrethojë grigja. Sikur ti them të vërë një gunë e një qylaf do dukej tamëm bari toskë. Po kësaj Bushkës çfarë ti gjej? Aty ngeci pak. Pastaj befas sikur u ngroh. E lë aty ku me duhet një njeri që qesh dhe gëzohet. Kongresi duhet të shfaqë optimizëm. E kombinoi me Antonetën.

Një nga një pa fjalët që stafi kishte përgatitur për ministrushet dhe ministrushat. Pffff , ju duken të cekta dhe të rëndomta…! S’ka gjë u bind më mirë të duken të vërtetë, të thjeshtë e të cekët siç janë në të vërtetë, kësisoj kuptohen më mirë. Do flas vetë nja dy orë të mira e tek e fundit populli të kuptojë jam unë pa janë ata, të ma dinë hallin që po tërheq një karrocë me goma të shfryra. Po Etildën, i regetiu një dilemë. Tek zona që i përket të shkuarës apo tek ajo e iluzioneve për të ardhmen. Diku ku nuk kuptohet më mirë, mendoi. Do ta quaj Kongresi i fitorjeve dhe i vazhdimësisë. Ashtu u bë. Gjithçka për fill e për pe.

Një ngjarje e verdhe po zhvillohet mes Tezes dhe Spiropalit, e cila u bë subjekt i dy këngëve nga grupi i Bënçes thirrur nga një ziafet i shoqatës së Labërisë. Asnjë këngë për Tezen e cila herë pas here heq vallen, kruan zënë dhe ja merr vënçe me putir në dorë e kërmë të pjekur nga vetë Termeja. Ajo po kalon në sitë çdo info për të kapur domethëniet, valencat politike dhe në ka gisht Babo a jo!! Ky hetim po ja shkrumbon qetësinë. Një e papritur e tillë e detyron atë të shfaqet më e gëzuar, më socialiste se socialistet se, nuk i dihet më mirë të mos e japë veten.

Grimca e copa këtej nga ne…

Jorushi i Tabakëve këto ditë është në atdhe ndonëse me zemër të madhe, tym i del prej saj nga marazet e partisë. Mendimet i dalin të forta si ballë kazani por ajo mbetet e butë si hardhi.
Salianji u kthye nga Amerika. Diçka bluan në kokë qerratai. Kur ta marrim vesh se çfarë, do ketë ndërruar ide.
Kryezëvendës Lideri Muli është shfaqur i trishtuar por i paepur. Me një bilbil solli një mijë veta para Kuvendit. Ndërkohë që sulmon autokracinë në kokë ka idera për nesër.
Gaz Bardhi Lider që kërkon një perspektivë është shëndoshur ca, ka vënë një grimë bark topolak po mendimet i ka të holla e plumb për armikun. Seç po gërmon. Do ia dëgjojmë krismën.
Albana është gjithnjë e më e pikëlluar. Luan Baçi gjithnjë e më trim. Fred Xhaferi hijeve është më i dukshmi. Bernard Banushi ka filluar të shkruajë kujtime për dacin e tij, Terminatorin atë martir të sevdasë që tanimë tretet. Kosta i Gramozit dhe Linditës edhe para Krishtlindjeve beson që nuk është keq të jesh i krishterë por të jesh grek është më mirë. Dash Sules i kanë shterrur lotët për byrekun që pensionisti se ka dhe gati është të bjerë theror për drejtësi. Unë dhe Helidon Bushati si gjithmonë bëjmë kryq në ballin tonë. Isuf Çela nuk ngutet, prej burrnisë e jo prej tutet. Bujar Leskaj është bërë i heshtur. Tritani optimist. Mond Spaho i dashur. Lefko Gështenja jeton ditën brenda një autokritike të thellë.

Mark Marku me cinizmin që e karakterizon dhe pa qeshur tha, një si Alimehmeja është derman për opozitën.

Po Bora pse nuk foli në Kongres? Babo e kishte harruar. Jo gjithmonë harresa vjen për keq. Një natë me Tomorr Alizonë i cili kur nuk përton të flasë thotë gjëra me një barrë mend bëmë konak të Zonja Gridë në “Top Story”. Kuja dhe të qarat që lëshuam rrëke kur iku nga politika të drejta kishin qenë.


Top Channel