SHPËRNDAJE

Intervistë ekskluzive me Rexhep Selimin, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Presheva.com: Sa jeni të kënaqur me rezultat e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit?

Rexhep Selimi: Nga zgjedhjet e 22 Tetorit, normalisht që kemi pritur rezultat më të mirë. Referuar rezultatit të zgjedhjeve Parlamentare të 11 Qershorit ku ne dolem forcë e parë politike dhe parlamentare, rezultati i 22 Tetorit nuk është rezultat i kënaqshem për ne. Sidoqofte ekzistojne arsyet objektive për këtë gjë.

Presheva.com: Çfarë prioriteti kanë problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zgjedhje tyre në pushtetin e tanishëm të Kosovës me kryeministër Haradinaj?

Rexhep Selimi: Une nuk e di se çfare do të bëjë Qeveria Haradinaj për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, por një e gjë e di mirë se asnjë Qeveri deri më sot nuk ka bërë as gjënë më minimale që shqiptarët atje të ndiehen të mbrojtur nga trungu i atdheut. Kryeministri i sotëm i Kosovës e ka të lehtë që ta dijë se çfare duhet të bëjë për shqiptarët atje. Mjafton ta bëjë të kundërtën e paraardhsve të vet që asnjëhere nuk janë kujdesur për ata shqiptarë të cilet gjithmonë kanë nevojë për mbështetjen e Kosovës.

Presheva.com: Lëvizja Vetëvendosje ka kandiduar me 7 kanditatë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Sa kishin sukses ky kandidim, dhe si përceptohet nga opinioni i gjërë kosovarë kandidimi i shqiptarëve të Luginës për deputet në parlamentin e Republikës së Kosovës?

Rexhep Selimi: Lëvizja Vetëvendosje edhe në strukturat e saj ka të integruar shqiptar nga të gjitha viset e Atdheut. Për Levizjen Vetëvendosje ekziston vetëm një atdhe, që nga Presheva e deri në Adriatik e Jon. Edhe në strukturat tona të Lëvizjes kemi figura nga Presheva e nga e gjithe gjeografia shqiptare duke filluar që nga Kryesia, Këshilli i Përgjithshem e me radhë. Eshtë e kuptueshme që edhe në listat tona të kandidatëve për deputet kemi pasur dhe do të kemi gjithmonë kandidate nga Presheva, Medvegja apo Bujanoci. Kjo ka një domethenie të madhe për avansimin e kauzës sonë.

Presheva.com: Në programin e LV-së të zgjedhjeve parlamentare keni paraqitur edhe zotimet e Vetëvendosjes për shqiptarët e Luginës së Preshevës? Sa mund të realizohen ato, kur dihet se jeni në opozit?

Rexhep Selimi: Në programin tonë politik dhe qeverisës gjithmonë do të jenë të përshkruara zotimet tona për avansimin e të drejtave kombëtare edhe të shqiptarëve që ende janë nën pushtimin serb në Medvegje, Bujanoc e Preshevë. Edhe duke qene në opozit ne kemi ngritur çështje dhe do ta bëjmë përsëri. Por kur Levizja Vetëvendosje të jete në Qeveri, faktorizimi i shqiptarëve të Luginës do të jetë diçka e pashmangshme deri në arritjen e të drejtave të tyre kombëtare.
Qeverite shqiptare respektive në Kosove dhe Shqiperi duhet të jenë të angazhuara naksimalisht për mbrojtjen e shqiptarëve kudo, e sidomos në Lugine ku shqiptarëve atje iu shkelen edhe të drejtat më elementare kombetare. Deri me sot, as Republika e Kosovës e as Republika e Shqipërise nuk kanë bërë sa duhet për shqiptarët e Luginës.

Presheva.com: Sa jeni të informuar ju dhe udheheqësia e partisë suaj për problemet e sferave jetike në Luginën e Preshevës, kur dihet se Lugina e Preshevës nga mediat shqiptare në Kosovë pothuajse është harruar, pra reportohet shumë pak?

Rexhep Selimi: Pavaresisht se media në Kosovë nuk është e fokusuar mjaftueshëm në paasqyrimin e drejtë të gjendjes së rënde të shqiptareve në Luginë, pavarësisht mos interesimit të Qeverive të Kosovës per t’ju dalur në krah shqiptarëve atje, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dhe do të jetë gjithmone e interesuar dhe e informuar për gjithçka ndodhë me shqiptaret në Luginë. Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt parlamentar nëe Kosovë e në Shqipëri që të drejtat e shqiptarëve në Presheve, Medvegjë e Bujanoc i mbron edhe me programin e saj politik.
Prandaj, ne gjithmone, bashkë me qytetarët e Kosoves, do të jemi në mbrojtje të shqiptarëve të Luginës dhe në mbrojtje të asaj pjese të Atdheut qe mbahet ende e aneksuar nga Serbia. Do te jemi te angazhuar gjithmone deri ne rikthimin e asaj pjese si pjese e tersise teritoriale te atdheut shqiptar./presheva.com/