Restaurim dhe murale, art në rikonstruksionin e pallatit të sportit në Gjirokastër

0
42

Në Gjirokastër është duke u dizajnuar një kompleks muralesh që do t’i japin një fizionomi të re fasadës së pallatit të sportit të qytetit por edhe mjediseve të brendshme.

Godina që për dekada po thellonte degradimin pas restaurimit do të marrë një pamje të re. Ngjyrat, imazhet dhe mesazhet do të jenë të lidhura ngushtë me sportin. Piktori Arjol Pepi që ka filluar punën për fasadën e jashtme tregon se kjo është një prej veprave më të mëdha publike që do të realizohet prej tij njëherazi një përgjegjësi e madhe pasi objekti është gjigand. Disa prej imazheve do ti kushtohen sportistëve që kanë kontribuar për sportin lokal ndër vite ndërsa do të dominojnë ngjyrat blu dhe e zezë simbol i ekipit të Luftëtarit.

“Është kënaqësi të jem në Gjirokastër, të vendos një pjesë të punës sime në fasadë. Fillimisht kam patur pjesën e brendshme të Pallatit të Sportit në Gjirokastër, ku kam zgjedhur të përdor ngjyrat e ekipit blu dhe të zezë si dhe të bashkëngjis elementë të rrathëve olimpikë, të cilët vijnë përreth objektit. Me pas në pjesën e brendshme do të kemi mundësinë që të përdorim edhe elementë  të trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës si detaje nga fustanella apo elementë të tjerë tradicional”, u shpreh piktori Arjol Pepi.

Gjirokastra u spikat në sportin kombëtar me ekipet e basketbollit, volejbollit e futbollit por pati një periudhë të gjatë pauze sidomos në sportet me dorë për shkak të degradimit të pallatit të sportit një vepër e viteve ’80 e ndërtuar sipas modeleve tipike të vendeve të lindjes. Arti mural sipas artistit po bëhet gjithnjë e më prezent sipas Arjol Pepit edhe për të dekoruar hapësira depresive apo arkitekturë me një memorie të errët.

“Sigurisht që është një përgjegjësi e madhe fillimisht sepse është  një punë  në një objekt gjigant, e me siguri do të ngelet për një periudhë të gjatë. Piktura murale këto vitet e fundit është futur në kulturën e Shqipërisë dhe po shikoj, po zë vendin që i takon. Ajo mund t’i bashkëngjitet çdo vendi dhe e gjen hapësirën kudo”, u shpreh Arjol Pepi.

Arjol Pepi artisti nga Korça ka realizuar dhjetëra murale gjigande me mesazhe sfiduese. Ndër më dominantet janë muralet në hyrje të varrezave të dëshmorëve në Tiranë, “Gruaja me flatra” në Korçë, apo “Njeriu dhe arkitektura” një vepër e përmasave të mëdha me mesazhe komplekse të ndërveprimit të njeriut me ritmin e botës urbane.


Top Channel