SHPËRNDAJE

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në konferencën “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë” ka thënë ndër tjerash se anëtarësimet e deritanishme të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kroacisë, kanë krijuar një rajon të sigurt.

 

Andaj, sipas tij, jetësimi i anëtarësimit të Maqedonisë dhe fillimi i negociatave me Kosovën do t’i kontribuojë paqes.

“Tani Kosova është e lirë, populli i Kosovës është kthyer në shtëpitë e tyre dhe ne po ndërtojmë së bashku me ju, të ardhmen tonë. Siç e shihni, Kosova nuk e ka harruar të kaluarën. Faleminderit miq të dashur. Por, sot duhet të përqendrohemi në të ardhmen dhe të shohim se si mund ta sfidojmë të arriturën e re. Dhe kjo sfidë, për Kosovën është të jetë shteti anëtar i radhës i NATO-s”, ka thënë Pacolli.

Ai gjithashtu ka shtuar se prania e KFOR-it e domosdoshme, por edhe fillimi i negociatave për anëtarësim në NATO është i domosdoshëm.

“Ne nuk kërkojmë shkurtore. Por, ne kemi nevojë për një rrugë të qartë drejt BE-së dhe NATO-s. Ne të gjithë duhet ta njohim përparimin e rëndësishëm që ka bërë rajoni në dy dekadat e fundit, lloj i përparimit që do të ishte i pamundur pa perspektivën e NATO-s dhe BE-së në tryezë. Ato janë dy anët e së njëjtës monedhë: stabiliteti që sjell anëtarësimi në NATO, rritet dhe sigurohet më tej me procesin e transformimit të reformave të BE. Së bashku ne nuk mund të harrojmë atë që është me rëndësi historike dhe strategjike”, ka thënë ndër tjerash Pacolli. /presheva.com/