Hasani: Draft-statuti i Asociacionit minon shtetësinë e Kosovës – Telegrafi

0
40

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit flet për një strukturë normative, e cila sipas tij në pjesën dërmuese minon shtetësinë e Kosovës, sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë e saj.

“Ajo shihet që nga dispozitat e para ose pjesës hyrëse, preambulës që është se nuk mund të ndahet nga pjesa operative dhe nuk mund të shikohet nga pjesa operative deri më duket te neni 42, neni diku i parafundit atje që normon arbitrazhin. Nuk mund të jetë Kosova shtet sovran dhe i pavarur dhe të ketë integritet territorial. Ta kuptojë i madh edhe i vogël me Rezolutën 1244 në preambulë të një akti nënligjor as është Kushtetutë as është ligj, akt nënligjor që quhet statut dhe nuk mund të jetë shtet sovran dhe i pavarur me një arbitrazh, i cili është miks efektivisht ndërkombëtar, i cili ndan juridiksionet …”, tha Hasani, për RTV21.

Ai tha se konfliktet dhe juridiksionet zgjidhen më së shumti nga Gjykata më e lartë në vend.

Sipas tij Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të kontrollojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare, duke përmendur atë të Ohrit dhe Brukselit.

‘’Gjykata Kushtetuese marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit nuk ka të drejtë me kontrollu. Asnjë marrëveshje ndërkombëtare Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë me këqyr a është në pajtim me Kushtetutën. Disa vende Bullgaria e Shqipëria kanë të drejtë para se me hyrë në fuqi me i kontrollu’’, tha Hasani.

Ai deklaroi se nuk ka pasur një ofertë për draftimin e një statuti të cilin “do ta kishte bërë”.

Hasani përmendi një ofertë ndërkombëtare në maj të vitit 2023, nga strukturat financuese ndërkombëtare, teksa shtoi se arsyet për të cilat nuk e ka pranuar do t’i bëjë të ditura ndonjëherë herë tjetër.

Ai tutje shtoi se oferta për një draftim të një statuti ka pasur nga Qeveritë e tjera, por jo nga Qeveria Kurti.

‘’Nuk me është thënë nga kjo Qeveri tash jo, Qeveritë tjera kur kanë kërkuar kam shprehur gatishmëri’’, tha Hasani.

Ai gjithashtu tha se në rast që Qeveria e Kosovës e kundërshton Draft statutin e propozuar nga Bashkimi Evropian nuk do ketë përplasje mes Gjykatës Kushtetuese dhe Bashkësisë Ndërkombëtare.

‘’Bashkësia Ndërkombëtare s’ka pse përplaset me Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese i ka standardet e veta ajo duhet me vepru sipas aktgjykimeve të vitit 2015 s’ka pse. Qeveria organet politike përplasen dhe e fusin Kosovën me shumë në telashe nëse nuk i zbatojnë zotimet që i kanë marrë”, tha Hasani./rtv21/