Damati: Mesatarisht 8 vjet u duhen gjykatave për ta zgjidhur një lëndë – Telegrafi

0
45

Avokati Musa Damati ka thënë se lëndët që më së shumti zgjasin në gjyqe janë ato të natyrës civile dhe të konflikteve të ndryshme administrative të cilat krijohen.

Damati në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se në bazë të raportit të fundit të statistikave ndërkombëtare, 8.2 vite është mesatarja e zgjidhjes së një çështjeje ligjore nëpër gjykata.

“Legjislacioni penal, natyra e lëndëve penale, në të cilat unë punoj më tepër, e rregullon këtë çështje të kompensimit të viktimave, të cilat dëmtohen si pasojë e veprave penale. Kodi i Procedurës Penale i Kosovës parashikon se një palë e caktuar, pala e dëmtuar, e cila është dëmtuar nga një vepër penale, e gëzon të drejtën dhe tani kemi konsolidimin e buxhetit të Republikës së Kosovës, që parashikohet në linja buxhetore se në rast se një qytetar apo pala e dëmtuar nuk arrin t’i realizojë të drejtat e veta nga i pandehuri apo nga burimet e tjera, atëherë ekziston programi për kompensimin e viktimave të krimit” – tha Damati.

Avokati Damati më tej ka thënë se ky ligj (për kompensimin e viktimave të krimit), specifikon qartë se si duhet të dëmshpërblehet një viktimë që e ka statusin e një viktime të veprës penale.

“Sa i përket palëve të tjera, në konteste të ndryshme civile që mund të lindin çështje të ndryshme që mund të ushtrohet e drejta e kompensimit, realizohen përmes padive gjyqësore të cilat deponohen në gjykatë. Është në interes të avokatit dhe të palës që çështja të zgjidhet sa më shpejt dhe në momentin që procedohet lënda tek avokati, ajo çështje shkon shumë mirë” – thotë tutje Damati.