SHPËRNDAJE

Ministri i Tregtisë i Republikës së Serbisë, Rasim Lajiq, ka kërcënuar Prishtinën se do t’i ashpërsojë kundërmasat ndaj Kosovës nëse autoritetet në Prishtinë nuk e heqin taksën në importin e miellit nga Serbia.

Duke folur për mediet në Beograd, deklaratën e të cilit e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, Lajiq ka thënë se ka paralajmërime se Prishtina do ta heqë taksën në importin e miellit nga Serbia të vendosur më 23 tetor, por nuk e di se kur do të ndodhë kjo.

“Ne i kemi disa paralajmërime se ai vendim do të shfuqizohet, por nuk na është thënë se kurë do të ndodhë kjo”, ka thënë Lajiq, duke shtuar se Serbia nuk është e prirë të bëjë “lufta tregtare, masa e kundërmasa, por dëshiron që të hiqen të gjitha barrierat dhe të mundësohet qarkullimi pa pengesa i mallrave”.

Ministri serb i Tregtisë ka shtuar se Serbia edhe më tutje insiston mbledhjen e përbashkët të komitetit të CEFTA-s. “Për shkak të taksës që ka vendosur Kosova po pësojnë eksportuesit e miellit nga Serbia, por humbësit më të mëdhenj janë konsumatorët në Kosovë sepse çmimi i miellit është më i lartë për 20 euro për një ton. Kjo masë nuk është e karakterit politik, por e karakterit ekonomik dhe e interesit të lobuesve të prodhuesve të miellit në Kosovë”, ka thënë Lajiq.

E ndërkaq, sipas Doganës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për vendosjen e tarifës prej 4 centësh për importin e miellit nga Serbia importi nga ky shtet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rënë nga 3.8 milionë kilogramë në 800 mijë kilogramë.

Ndryshe, Prishtina zyrtarisht më 23 tetor të këtij viti ka vendosur taksën doganore në miellin që importohet nga Serbia si masë mbrojtëse për prodhuesit vendorë, pasi që është konstatuar se çmimi i miellit të importuar nga Serbia është më i ulët se prodhimi i miellit në Kosovë për 31,80 për qind. Taksa e vendosur është 0.04 centë dhe kjo ka bërë që çmimi për një ton miell i importuar nga Serbia të rritet për 40 euro.

Në anën tjetër ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës, Bajram Hasani, ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë edhe vendime të tjera për çmimet e ashtuquajtura “antidamping”, të cilat janë në fazën e shqyrtimit.

Ndryshe, CEFTA, selia e së cilës është në Beograd, në vitin 2018 do të kryesohet nga përfaqësuesi i Kosovës./presheva.com/