SHPËRNDAJE

Sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, është hedhur shorti për Kampionatin Evropian 2018/2019 për Kombëtaret U-17 dhe U-19 si dhe shorti për rrethin elitë për Kombëtaren U-19 për Kampionatin evropian Finlanda 2017-18.

Në tërheqjen e shortit morën pjesë z. Artan Govori, drejtor për marrëdhënie me jashtë dhe drejtor i ekipeve kombëtare dhe z. Michael Nees, drejtor teknik. Në 13 grupet sa janë ndarë ekipet kombëtare U-17, Kombëtarja e Kosovës gjendet në grupin e 5-të bashkë me Skocinë, Zvicrën dhe Qipron, ndërsa ndeshjet janë paraparë të zhvillohen prej 26 shtator deri më 1 tetor 2018 në Qipro. Ndërkaq Kombëtarja e U-19 është në grupin e 7-të bashkë me Austrinë, Hungarinë dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet zhvillohen prej 10 deri më 16 tetor 2018 në Hungari.
Meqenëse, Kombëtarja e Kosovës U-19 ishte kualifikuar për rrethin elitë në ndeshjet parakualifikuese në Austri, sot shorti deshi që në rrethin elitë të përfshihet në grup me Portugalinë, Republikën e Irlandës dhe Sllovakinë, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen prej 21 deri më 27 mars 2018, ku vetëm Kombëtarja që e zë vendin e parë në grup kualifikohet për Kampionatin evropian që do të zhvillohet në Finlandë prej 16 deri më 29 korrik 2018. /presheva.com/