SHPËRNDAJE

Maqedonia dëshiron të marrë pjesë në të gjitha projektet rajonale dhe mund të jetë qendër transportuese në Ballkan sepse përmes saj kalojnë dy korridore të rëndësishme, 8 dhe 10, theksoi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në Konferencën ndërkombëtare “Integrim më i fuqishëm rajonal i Ballkanit”, që po mbahet në Sofje.

Zaev theksoi se përmes Maqedonisë me Korridorin 8 ndërlidhen Deti i Zi dhe ai Adriatik, gjegjësisht Bullgaria dhe Shqipëria, ndërsa me Korridorin 10 Greqia dhe Evropa Qendrore. Zaev pret që bashkëpunimi në rajon dhe afrimi i tij drejt BE-së të jetë edhe më shumë i përshpejtuar gjatë kryesimit të ardhshëm të Bullgarisë me Unionin.

Kryeministri bullgar Bojko Borisov, i cili e hapi Konferencën, bëri thirrje për unitet më të madh të vendeve të rajonit që, sipas tij, do ta përshpejtojë integrimin e tij.

“Kemi shans të rrallë që t’i bindim kolegët në Bruksel se ne sjellim edhe urtësi, e jo vetëm probleme. Historia është histori dhe ka kush ta komentojë. BE-ja do të na kuptojë vetëm nëse tregojmë unitet. Evropa ka mjaft probleme me Bregzitin dhe nuk i nevojiten të reja. Ne duhet të dalim para Brukselit me projekte të mira infrastrukturore”, deklaroi Borisov.

Drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Bankës Botërore Kristalina Georgieva paralajmëroi se Banka është e gatshme të ndajë 200 milionë dollarë për projekte për zhvillimin e tregtisë dhe transportit në Ballkan. Theksoi se ka potencial të madh në integrimin e vendeve të rajonit që mund të fillojë të demonstrohet që me kryesimin e ardhshëm bullgar me BE-në.

Banka Botërore, siç theksoi, do të përqendrohet më seriozisht në sektorin transportues dhe TI sektorin në rajon.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se vetëm para tre viteve shpresat evropiane të Tiranës dukeshin të pamundura. Ai e theksoi avancimin në bashkëpunimin mes vendeve në rajon që sjell deri te pajtimi dhe drejtimi i vendeve drejt ardhmërisë, e jo drejt të kaluarës. Shqipëria, theksoi Rama, është e inkurajuar nga ajo që Serbia dhe Mali i Zi tashmë zhvillojnë negociata për anëtarësim në BE, ndërsa pret në atë proces së shpejti të hyjnë edhe Shkupi dhe Tirana. Projektet e paralajmëruara të parapara me Procesin e Berlinit, kryeministri shqiptar pret të bëhen realitet, e jo të mbesin vetëm premtime boshe./presheva.com/