FIFA kërcënon kombëtaren braziliane dhe klubet me suspendim nga të gjitha garat – Telegrafi

0
54

FIFA ka kërcënuar Federatën e Futbollit të Brazilit me pezullimin e kombëtares së tyre dhe klubeve nga të gjitha garat ndërkombëtare.

Associated Press tashmë ka në posedim letrën nga FIFA drejtuar CBF dhe di të gjitha detajet se për çfarë bëhet fjalë.

Futbolli brazilian është në një krizë menaxheriale pasi gjykata në Rio de Zhaneiro shkarkoi presidentin e Federatës braziliane, Ednaldo Rodrigues, nga detyra më 7 dhjetor dhe dy instanca të tjera gjyqësore e konfirmuan atë vendim.

Shkak janë parregullsitë në përzgjedhjen e tij, por FIFA ka rregulla shumë strikte për ndërhyrjen e qeverive dhe palëve të treta në punën e federatës.

Kreu i gjykatës më të lartë sportive të Brazilit është caktuar për të organizuar zgjedhjet e reja për kreun e Konfederatës, të cilat FIFA i sheh si një shenjë të mundshme të ndërhyrjes së qeverisë në federatë.

Në letër, FIFA përmendi se do të formojnë një komision për të diskutuar rastin më 8 janar dhe nëse brazilianët mbajnë zgjedhje me iniciativën e tyre përpara këtij afati, ekziston mundësia e pezullimit. /Telegrafi/