Plani i Egjiptit për t’i dhënë fund luftës në Gaza

0
48

Egjipti ka paraqitur një propozim fillestar ambicioz për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja me një armëpushim, një plan për lirim të pengjeve dhe me krijimin e një qeverie palestineze ekspertësh që do të administronin Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, tha një zyrtar i lartë egjiptian dhe një diplomat evropian më 25 dhjetor, sipas AP.

Ky plan vjen pasi sulmet ajrore izraelite goditën Gazën qendrore dhe jugore, duke shkatërruar ndërtesat e familjeve të strehuara brenda.

Në kampin e refugjatëve Maghazi, punonjësit e shpëtimit nxorën dhjetëra trupa të tjerë nga rrënojat disa orë pasi një sulm rrafshoi një ndërtesë trekatëshe dhe shkatërroi disa të tjera aty pranë.

Të paktën 106 njerëz u vranë, sipas të dhënave të spitalit të para nga agjencia e lajmeve Associated Press, duke e bërë atë një nga sulmet më vdekjeprurëse të fushatës ajrore të Izraelit.

Propozimi egjiptian, i punuar së bashku me Katarin, i është paraqitur Izraelit, Hamasit, Shteteve të Bashkuara dhe qeverive evropiane, por ende nuk është vendosur mbi të. Ai bie jashtë qëllimit të deklaruar të Izraelit për ta shtypur drejtpërdrejt Hamasin dhe duket se nuk përmbush këmbënguljen e Izraelit për ta mbajtur kontrollin ushtarak mbi Gazën për një periudhë të gjatë pas luftës.

Kabineti i Luftës i Izraelit, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, kishte planifikuar të takoheshin gjatë ditës për ta diskutuar situatën e pengjeve, mes temave të tjera, tha një zyrtar izraelit, i cili nuk konfirmoi nëse pjesë e diskutimin ishte edhe propozimi egjiptian.

Përpara takimit, Netanyahu u zotua se do ta zgjerojë luftën ndaj Hamasit në ditët në vijim dhe shtoi se “kjo do të jetë një betejë e gjatë dhe nuk është afër përfundimit”.

Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë më shumë se 20.400 palestinezë dhe ka zhvendosur pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e territorit. Zyrtarët e OKB-së paralajmërojnë se një e katërta e popullsisë po vdes nga uria nën rrethimin e Izraelit, i cili lejon vetëm një rrjedhje të vogël furnizimesh të ndihmave humanitare.

Numri në rritje i vdekjeve midis trupave izraelite, 17 që nga 22 dhjetori dhe 156 që nga fillimi i ofensivës tokësore, mund ta dëmtojë mbështetjen publike për luftën, e cila u ndez kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë 240 të tjerë peng.

Izraeli vazhdon të insistojë në qëllimet e tij për të shkatërruar aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit dhe lirimin e 129 pengjeve të mbetura. Mbështetja e publikut për këto qëllime ka qenë kryesisht e qëndrueshme, pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar ndaj ofensivës së Izraelit dhe numrit të paprecedent të viktimave në mesin e palestinezëve.

Edhe pse izraelitët mbështesin luftën, pakënaqësitë janë rritur kundër Qeverisë së Netanyahut, të cilin shumë e kritikojnë për dështim që të mbrojë civilët më 7 tetor dhe për politika që kanë lejuar Hamasin të forcohet gjatë viteve.

Propozimi egjiptian ishte një përpjekje ambicioze jo vetëm për t’i dhënë fund luftës, por edhe për ts hartuar një plan për të ardhmen.

Në të bëhet thirrje për një armëpushim fillestar deri në dy javë, gjatë së cilës militantët palestinezë do të lironin 40 deri në 50 pengje, mes tyre gra, të sëmurë dhe të moshuar, në këmbim të lirimit të 120 deri në 150 palestinezë nga burgjet izraelite, tha zyrtari egjiptian për AP në kushte anonimiteti.

Në të njëjtën kohë, negociatat do të vazhdojnë për zgjatjen e armëpushimit dhe lirimin e më shumë pengjeve dhe trupave të mbajtur nga militantët palestinezë, tha ai.

Një diplomat perëndimor tha se ata janë në dijeni të propozimit të Egjiptit. Por diplomati, i cili foli gjithashtu në kushte anonimiteti, dyshon se Netanyahu dhe qeveria e tij do ta pranonin këtë propozim.


Top Channel