SHPËRNDAJE

Të mërkurën e 3 janarit, Gjykata Themelore e Prishtinës do të shpallë aktgjykimin ndaj katër deputetëve të VV-së që akuzohen për përdorim të armëve dhe pengim të personave zyrtarë në detyrë. Rasti ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend të Kosovës nga Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.
Të katër deputetët janë duke u mbrojtur në liri. Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi u liruan të premten nga paraburgimi.

Në seancën e të premtes Gjykata dëgjoi fjalët përfundimtare të Prokurorit, mbrojtësve dhe të akuzuarve.

Shpalljen e aktgjykimit, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Beqir Kalludra e la të bëhej pas 5 ditësh. Të mërkurën e 3 janarit 2018, në orën 13:00.

Aktakuza ndaj Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadajt dhe Faton Topallit është ngritur më 16 dhjetor 2015.

Katër deputetët e VV-së ngarkohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës me akuzat se kryen veprat penale “përdorim i armës, ose mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.