SHPËRNDAJE

 

Por Fati, ai bir tekanjoz i zotit Qiell, s’ ishte i prirur të merrej me ëndrrat e një floktari kosovar. Duke qenë se natyra s’ është tjetër veçse një avlëmend i përhershëm i lindjeve, vdekjeve e rilindjeve të Gjithësisë, ai s’ i dha aspak rëndësi premtimit të një peshku që, kishte patur fatin të rritej në Gjolin e Idrizit dhe kishte mësuar të fliste shqip.
Ishte dimër dhe frynte një erë e ftohtë, po Saliu dhe Selvia s’ kishin arsye të ankoheshin kundër Danimarkës. Ata – si shumë emigrantë tjerë që kishin ardhur nga Libani, Eritrea, Qiprua, Palestina, Algjeria, Burkina Faso e Jugosllavia – banonin në një barakë përdhese që sa ishte e madhe, aq ishte e ngrohtë – dhe fëmijet e tyre, të veshur me paratë që ua kishte caktuar Ministria, tërë ditën rrëshqitnin me saja në një shpat të pastruar nga shkurret dhe ferrat.Nëpunësit danezë ishin njerëz të përpiktë dhe kishin shënuar çdo gjë që iu mungonte refugjatëve të ngratë. Përpos barakave përdhese, ku i vendosnin po atë ditë që mbërrinin refugjatët, ata kishin ndërtuar edhe baraka të veçanta për drejtorin, mjekun, infermieret dhe përkthyesit e ndryshëm që vinin rregullisht në kamp dhe i këshillonin si duhej ta ruanin shëndetin. Aty afër kishin ngritur edhe një supermarket, ku refugjatët mund të blenin mish hallall, bulmet, kaçkavall, zarzavate e fruta të freskëta. Për të qenë aq larg Mesdheut, atje gjeje lloj lloj mandarinash, klementinash e portokallesh që këta s’ i kishin parë as në ëndërr. E vetmja gjë që duhej të bënin çdo të dytën javë ishte – të shkonin në zyrën kryesore dhe, në praninë e drejtorit, ta mernin ”rrogën” që ua kishte caktuar shteti. Ato para s’ ishin të mëdha por mjaftonin për ushqime, rroba të ngrohta dhe ca monedha të verdha, me të cilat mund të flisnin me Irfeten apo gjyshin Riza, që prore ishte shëndosh e mirë dhe kujdesej për shtëpinë e tyre.
Një ditë, deri sa Saliu po kthehej nga supermarketi, i doli përpara përkthyes jugosllav dhe i njoftoi se ai, sëbashku me Selvijen, duhej të paraqiteshin te drejtori. Drejtori, i shkurtër e barkmadh, i paisur me një mjekërr që s’ e rruante kurrë,i priti me shumë mirësjellje dhe, pasi u dha shenjë të uleshin në një kolltuk ngjyrë skumbri, filloi t’ u dëftonte diçka në gjuhën e tij dhe, herë pas here, ia hidhte sytë një letre të bardhë. Më në fund, kur mbaroi ato që kishte, ai ia hodhi një sy përkthyesit jugosllav. Ky ishte një burrë i gjatë dhe e fliste serbishtën me një theks si boshnjakët.
” Direktor pita: Da li ste shvatili shta vam je rekao?”
” Ne, valla, nisam,” i tha Sala. ” Ai foli në gjuhën e tij, po unë jam shqiptar dhe s’ kam shkuar në shkollë për ta mësuar gjuhën e tij.”
” Më vjen keq, po ju akoma s’e keni fituar të drejtën për ta mësuar gjuhën danishte,” tha përkthyesi. ” Sidoqoftë, kjo është brendia e asaj që tha drejtori: Drejtorati – kështu quhet enti që merret me pritjen dhe integrimin e emigrantëve të huaj, pasi i ka studjuar të dhënat që keni deponuar në Policinë Lokale të Helsingerit, ka ardhur në përfundim se nuk i plotësoni kushtet për strehim politik. Kjo do të thotë se deklarata që keni lënë atë ditë qëndron shumë larg kërkesave që duhet t’i plotësoni për të marrë strehim, edhe ate, për këto arsye. Ju keni ardhur në Danimarkë pak orë para Krishtlindjes. Keni hyrë në Danimarkë në mënyrë legale, me pasaporta jugosllave në dorë dhe pikërisht kjo, që ju keni hyrë hapur, pa ju ndjekur askush, dëshmon se regjimijugosllav nuk ju ka trajtuar aq keq sa keni deklaruar.”
” Pritni, pritni pak, ju lutem,” e ndërpreu Sala.” Ai pushteti që po ma dëftoni të mirë, më ka shembur në qytek. Si është e mundur që Danimarka ma merr të drejtën time, kur policët jugosllavë më kanë rrahur, më kanë shqelmuar dhe më kanë mbajtur shtatë muaj në izolim? Deri sa ju mbeta në dorë dhe duhej të më shëronin në një spital ushtarak? Ku do më çojë Danimarka tani që kam dalë në udhëkryq dhe kam gruan dhe katër fëmijë me vete? Ça do të ndodhë me fëmijët e mi, kur të m’i lidhin duart e të më denojnë dhjetë fish më shumë?”
” Duhet të dilni me prova,” i tha drejtori në gjuhën e tij.
” Unë edhe do dal, po askush s’ më ka pyetur për çka kam qenë i dënuar, kush kanë qenë gjykatësit e mi dhe ku e kam vuajtur dënimin,” tha Saliu.¨
Përkthyesi, pasi përktheu ato që kish thënë drejtori, shtoi diçka në gjuhën danishte.
” Keni të drejtë ankese,” i tha drejtori. ” Vendimi që ka marrë Drejtorati është ligjor, por është e drejta juaj që – me ndihmën e argumenteve – ta hidhni poshtë. Për ate ju kam ftuar këtu. Duke marrë parasysh që s’ keni të ardhura materiale, Drejtorati ju ka caktuar avokat dhe ju keni të drejtë të ankoheni. Kjo ndodhë me të gjithë azilkërkuesit që vijnë në Danimarkë. Avokatja juaj quhet Rozy Birket – Smith. Adresën e saj e keni në shkresën që ua ka nisur Drejtorati dhe ju do ta kontaktoni me ndihmën e zotit Maslesha, që është përkthyes i diplomuar dhe i gatshëm t’ ua mbaroj punën. Kini parasysh që Drejtorati është i ngarkuar me punë dhe pritja juaj mund të jetë e gjatë.”
” Sa kohë duhet të presim?” pyeti Saliu duke parë drejt drejtorit.
” Ka njerëz që kanë pritur edhe dy vjet, po ju s’ keni arsye të shqetësohi,” ia ktheu drejtori. ” Këtu keni vend ku të hani e të pini dhe fëmijët tuaj – që nga muaji gusht – duhet të shkojnë në shkollë.”
Saliu u pikëllua shumë, po s’ e dha veten.
” Shteti mbahet me ligje dhe unë, deshta s’ deshta, do t’ i respektoj me gjithë shpirt,” tha ai. ” Jam shumë mirënjohës kundrejt Danimarkës dhe memzi po pres ta mësoj gjuhën danishte.Po atë zonjën avokate kur mund ta takojmë?”
” Ate do ta kontaktojmë sot, tha përkthyesi. ” Sapo të ndahemi nga drejtori. Unë do t’ ia nis vendimin që keni marrë dhe do ta lus të na njoftojë gjatë kohë para datës që i përshtatet. S’ ka nevojë të shqetësohi, se kemi hyrë në behar dhe ju do dilni në diell, do të takoni fshatarë danez, do të mësoni danisht, dhe s’ do ta ndieni veten të vetmuar. Keni ndonjë farefis në Danimarkë?
” Veç një kushërirë të largët,” tha Sevdia.
” S’ ka lidhje, ajo është kushërira juaj,” tha kroati. ” Njeriu çmallet vetëm me njeriun e vet. Kjo çeshtja juaj do marrë kohë, por s’ keni nevojë të shqetësohi, sepse popullata daneze po plaket dhe ka nevojë për emigrantë të rinj, të shëndoshë… Njerëz që janë të gatshëm ta ripërtrijnë Danimarkën… Nëse më dëgjoni mua, filloni ta mësoni gjuhën danishte. Mos humbisni kohë, por mësoni nga dy tri fjalë në ditë. Bashk me fëmijët tuaj…”
” Gjithësesi, gjithsesi. Dhe faleminderit,” i thanë këta.
” S’ ka përse. Unë bëj punën time,” tha përkthyesi.” E sa i përket avokates, ate do ta kontaktoj tani, para se të ikni në shtëpi. Ajo është një grua e mirë.”

12.

Zonja Birket – Smith erdhi pak ditë pas bisedës që Saliu, me ndihmën e përkthyesit kroat, zhvilloi me të. Për të qenë avokate, ajo ishte e re dhe e vogël në shtat. Syshkruar, fytyrërrumbullakët, ezmere dhe shumë e ngjashme me gjimnazistet që dikur kalonin përskaj sallonit ku punonte Saliu. Megjithate, ajo dukej e shkathët në zanatin e saj, sepse gjatë kohës që ky dëftonte mbi vuajtjet e tij e tij në burgun e Gjurakocit dhe zoti Maslesha përkthente, ajo i buzëqeshte prej së largu dhe tërë kohën shënonte diçka. Më në fund, pasi mori të dhënat e domodoshme dhe e njoftoi Saliun se çeshtja e tij mund të merte muaj, po jo dhe vite, iku në Kopenhagë.
Ashtu ikën nja pesë a gjashtë muaj nga dita kur Saliu kishte ardhur në Danimarkë dhe gjithënjë endej nëpër Kampin e refugjatëve për pa mbaruar punë. Ai vërtet nuk vuante për bukën e gojës, përkundrazi, hante dhe pinte si mbret, por falë përrallave që i kishte dëftuar Irfetja, as kishte azil, as kishte pasaportë. E vetmja gjë që mund të bënte ishte të endej nëpër arat e atij fshati të mallkuar danez dhe të shkonte atje ku e thërrisnin. Si për inatin e tij dhe Selvies, danezët kishin shpikur lloj – lloj takimesh, bisedash e intervistash që duheshin bërë me fëmijët e tyre para se të fillonin shkollën.
Një ditë – e premte ishte atë ditë – ata përsëri duhej t’ i çonin fëmijët te mjeku. Mjeku dukej goxha i poshtër, se tërë kohën shënonte diçka mbi djemt e tij. Pasi i kontrolloi edhe njëherë, ai zuri vend pranë tavolinës tij dhe filloi të shtronte lloj lloj pyetjesh: qysh i kanë emrat, ç’ domethënie kanë ata emra, e kanë dertur apo s’ e kanë dertur kollën e keqe, e kanë dertur apo s’ e kanë dertur fruthin, kur janë bërë synet, pse janë bërë synet, etjera, etjera, deri sa filloi të ngrysej dhe ata duhej të iknin në barakën e tyre.
Po s’ kish qenë e shkruar të rrinin vetëm, se pak më vonë ia behën katër zonja të rënda: Irfetja me të jëmën dhe dy shoqe tjera. Tezja, një qenie e gjatë dhe e thatë si të gjitha malsoret boshnjake,dukej e ngathët, e plogështuar. Ato tjerat, Irfetja dhe shoqet e saj,ishin më të gjalla dhe më të veshura. Neslihani, që ishte më e vogla, ishte ngarkuar me lloj lloj unazash, vathësh e bylyzykësh, Irfetja kishte veshur një fustan bojë vishnje, që ia kishte blerë ai Jussi i saj, ndërsa zonja Makfire, që ishte më e madhe se dy tjerat, ishte një qenje më e ftohtë dhe goxha e përmbajtur.
Irfetja ziente nga vakësia dhe behari.
” Ju kemi ardhur hapansëz,” tha, duke parë nga Saliu. ” Rrinim kot ebisedonim për juve, kur Nënës iu tek të vinim e ta pinim një kafe sëbashku. Ju nuk e dini, po kjo, që nga dita kur u ndamë në Helnger, vetëm juve ju kujton dhe vetëm për juve flet. Qijau nënën edhe këtyre mrrolçave e llaskuranave danezë, se shumë gjatë e çuan këtë azilin tuaj. Dikur kanë qenë më të shpejt,” tha Irfetja.
” Veç edhe ti i pate dhënë kosës” e qortoi Saliu. ” Ta dija që do të prisnim kaq gjatë, kurrë s’ kisha hipur në tren. Gjynah të qahem, këta duken njerëz të mirë, por as unë s’ duroja për bukë. E kisha një sallon, i kisha duart e mia, dhe kisha me qindra myshterinj që vinin për t’ u qethuar. Këtu, kam lesht e barkut.”
” Këtu po ma bën me hile,” tha Irfetja. ” Se ta këqyrësh punën holl e mire, unë ju kam kallëzuar çfarë jete bën Danimarka. Unë as ju thirra, as ju solla me zor. Tani që keni ardhur duhet ta mbani veten, se s’ thonë kot nasikotsabër – selamet. Kush e humb durimin, i humb edhe mendtë e kokës.”
“ Ashtu na ka thënë edhe përkthyesi,” i kërceu në fjalë Selvia. Ajo s’ i donte zënkat dhe, për t’ ia prerë rrugën Saliut, e luti të çohej e të sillte ndonjë dardhë, mollë, ftua dhe bajame të pjekura në mjaltë, se pastaj do të çohej e të gatuante…
Saliu brofi në këmbë dhe doli përjashta. Ndërkaq zonjat, që kishin ardhur për t’ u çmallur, vazhduan të kuvendojnë me zë të lartë.
Tezja dukej e zbehtë, e zhgënjyer.
“ Po ti, moj, ku humbe?” e qortoi Selvien. “ U gëzova shumë kur erdhe me Saliun dhe më dëftove që do rrijsh këtu. E gënjeva veten se – të paktën ti – do ma çelësh derën nja dy herë në muaj. Po ja që doli behari e zotrote s’ erdhe njëherë me më pâ. Mba mend që ma dhe fjalën se do t’ i merrje dejmtë e do vije javë për javë?”
Selvia e ndjeu veten ngushtë.
” Ke të drejtë, o tezeçko, po ne s’ dinim gjë për trenat e këtij vendi. Mendoja se boll ishte të dilnim në stacionin e trenave. Çka se kur e pyetëm atë shkaun që po punon si përkthyes, na bëri mendjen çorbë. Nuk është larg– tha – po për të shkuar e për t’ u kthyer nga Helsingeri duhet të ndërroni tren dhe, të paktën, të dini pak anglisht. E kush na mësoi anglisht që të vijmë e të kthehemi për një ditë? Pastaj – kusura bakma – po kjo fundrrina është lënë me Maksutin dhe tani jeton me një tjetër. S’ po kam sy ta zë derën, kur edhe ashtu jeni pesë veta.”
Plaka Habibe u shkreh në vaj.
” Ani ça të bëj tezja,” tha ajo, duke i fshirë lotët me cepin e një shamie. ” Kjo kurva ime s’ është normale… Se t’ ishte normale, do ta mbante Maksutin dhe do t’ i rriste fëmijët e vet. Ça të bëj që kjo i ka këputur kokën asaj kudrës, motrës time, që mori Shkaun dhe iku në Beograd. Jam bërë ta vras veten… Erdha të rri nja dy javë, mbeta qe dy vjet. Po më dhimbsen ata fëmij që duhet të ndajnë nënë me një maxhup. A ka më keq se kaq?”
“ Për Zotin, s’ ka.”
Irfetja e pa plakën me inatë. Ec e mos e merr inatë atë grua që, kohë e pakohë, përzihej në jetën e saj private.
“ A di çka Habibe hanëm,” tha e bija. “ Ti je raciste dhe s’ di çka nxjerr nga goja. Ti s’ e meriton të çoj as te varri, jo më të sjell në Roskilde. Këtë herë, ama, ma punove.”
“ Sus, moj budallaqe,” e shau Neslihani, ajo që i kishte kallangjosur sytë me pudër të kaltër.
” Sus ti dhe mos m’ i rruaj leshrat,” tha Irfetja.
Papandehur, deri sa Saliu po ilante dardhat e mollat e klementinat, në sallon flakë një grindje teatrale. Ato ishin shoqe, njiheshin me njëra tjetrën, por duhej të ndaheshin në në dy grupe: njëra palë e akuzonte plakën Habibe si raciste, pala tjetër e mbronte duke u mbështetur në Librin e Shenjtë.
Saliu i përzuri fëmijët nga dhoma dhe, pasi nxori nja dy kollitje që – poashtu – ishin teatrale, ua bëri të qartë se edhe ai, si zot shtëpie, kishte diçka për të thënë.
” U gëzova që na trokitët në derë,” tha ai. ”Mos për tjetër, të paktën, për ate se jemi të afërm. Tani që e lodhët këtë plakë të ngratë, dua t’ ua shtroj një pyetje tjetër. Ça bëjmë nëse këta qenat s’ na japin azil dhe ku dreqin shkojmë me fëmijet e ngratë? Ju po jetoni këtu dhe ndoshta dini ndonjë rrugë të dytë?”
Zonjat e panë njëra tjetrën, por s’ e shqiptuan asnjë fjalë.
“ S’kanë çare pa ju dhënë azil,” tha Irfetja.
“ Kanë dhe s’ kanë,” tha ajo tjetra, Neslihani. ” Ama edhe nëse s’ju japin azil politik, duhet t’ u japin azil ekonomik. Apo si thua, Makfire ablla?”
Makfirja ngriti supet përpjetë. Sikur deshti të thonte – ku di unë. Burri i saj, zoti Hysen, ishte emigrant dhe duhej të dinte diçka, por ai kurrë s’ i dëftonte për gjërat që ndodhnin përjashta. Megjithate, ai i donte shumë kosovarët.
” Unë s’ di shumë, se jam shtëpiake,” tha Makfirja. ” Ai që di me tepër është – burri im, se ka ardhur nga Greqia. Unë mund t’ ua jap numrin e tij dhe mundeni ta pyesni vetë.”
” Do t’ ua dija për nder,” tha Saliu dhe aty për aty ia zgjati një letër e një laps kimik. ” Nuk do t’ ua shtroja këtë pyetje, por janë nja dy torbesh nga Maqedonia, njëri çoban e tjetri murator, dhe të dytë po kanë frikë se Danimarka do t’ i kthejë prapa.”
” Edhe ajo ka ndodhur,” tha Neslihani. ” Megjithate, asnjëri s’ ka shkuar prapa. Ca kanë dalë në Norvegji, ca të tjerë janë martuar me pare, por të gjithë e kanë gjetur një çare.”
” Kjo dhe ka qëlluar e lirë,” tha Irfetja, duke qeshur me të madhe.
” Kam provuar të jetoj me nja dy tre shiptarë, po e pash që zaakonet i kemi të ndryshme,” tha ajo. ”Unë jam turqeleshë dhe po kam ymyt ta gjej një turk.”
” Zoti ta plotsoftë dëshirën, moj motër,” tha Saliu.
” Amin,” thanë edhe tjerat.

13.

Mysafirët qëndruan deri në mesnatë. Për ta nderuar tezen plakë, po dhe zonjën Makfire, që kishte ardhur rastësisht në Danimarkë, Selvia e përgaditi një darkë të begatë. Ajo s’ kishte ndonjë tavolinë të madhe gatimi, por me ato mundësi që kishte, e shtroi një lakror me spinaq të njomë, pite të mbushura me djathë dhe ca petulla që kishte blerë në supermarketin që gjendej pranë kampit.
Aty nga ora dymbdhjetë, pasi i përcollën mysafiret deri te makina e tyre, ata u shtrinë në kolltuqe dhe, secili me kokë të vete, filluan t’ i përtypin ato që ishin thënë e s’ ishin thënë gjatë mbrëmjes. Selvia kujtonte tezen dhe donte të qante. Donte të qante pa zë e pa lot. Të qante deri nesër në mbrëmje. Plaka ishte shtatëdhjetë e sa vjet dhe s’ ishte as për veten e saj, jo më për ata hairsëzat e Irfete “hanmit”, që për gjysmë ore e bënin shtëpinë lëm. Për të qenë e keqja edhe më e madhe,ajo kushërira e saj, që deri dje ia kishte shtruar rrugën me lule, ishte ndarë nga burri dhe jetonte me një maxhup. Si mjerë plaka që kish rënë në thonjtë e një kurve.
Në po atë orë, po me ankthin e një prindi të shqetësuar, Saliu kujtonte fjalët që kishte dëgjuar nga dy gratë që e kishin shoqëruar Irfeten dhe, krejt padashur, e kishin prezantuar edhe veten. Ajo ezmerja e pispillosur si kurvat e Stambollitishte naive, dredhalake, e pangopur, ndërsa Makfirja dukej zonjë grua. Tani që e kish mësuar dhe emrin e burrit të saj, Saliu e pyeste veten – cila kohë ishte më e përshtatshmja për ta marrë në telefon. Përderisa kish arritur ta kalonte kufirin e Shqipërisë e të dilte në Greqi, ai duhej të dinte pak më shumë se ato dy patat që tërë kohën grinin presh. Po cila kohë ishte, vallë, më e mira për ta marrë në telefondhe a kishte nevojë Selvia të dinte për ato që ai përtypte me mendje? Ajo – edhe ashtu – kishte filluar të mërzitej tepër për shëndetin e tezes së vet.

14.
Ai s’ ishte i sigurtë qysh do ta priste Hysen Xhela dhe, për ta ruajtur gjakftohtësinë, i tha vetes ashtu siç e kishte mësuar usta Dika: Hidhe një krimb në detë dhe, nëse s’e do peshku,s’ bëhet kiameti.
Me këtë mendje ai e shënoi numrin e familjes Xhela me shpresa se ajo që da ta zente kufjen do t’ ishte zonja Makfire, me të cilën veç njihej dhe kishte ndërrur ca fjalë. Por zëri i asaj që e kapi kufjen dhe foli në një shqipe të kulluar ishte më i lartë.
“ Urdhëroni?”
” Unë jam Sali Muçibaba. A mund të flas me zotin Hysen?” tha ky, duke provuar të jetë sa më i qetë dhe sa më i sjellshëm.
” Pritni pak,” tha ajo. Dhe thirri me zë të lartë. ” Babi, ju kërkojnë.”
Nuk shkuan shumë çaste dhe Saliu, gjithnjë i hutuar, dëgjoi zërin e qartë të një shqiptari të arsimuar.
” Urdhëro, vëlla. Unë jam Hysen Xhela.”
” Unë jam Saliu, zotni Hysen,” tha ky dhe, pasi i dëftoi si kishte ardhur deri te numri i tij, i kërkoi ndjesë që po e shqetësonte. ” Nuk e di nëse zonja Makfire ju ka dëftuar, por jemi njohur rastësisht dhe unë po ju thërra me lejen e saj. Jam nga Kosova dhe gjendem këtu me grua e me fëmij. Gjynah të qahem, danezët na kanë pritur mirë, me bukë e me kripë e me batania, por vendimi që kanë marrë po na shqetëson pak. Unë jam i ndjekur, zotni Hysen, kam bërë burg në Jugosllavi… Njëmend vetëm shtatë muaj po nëse na kthejnë ata shtatë muajt bëhen shtatë vjet. S’ di a po ma kuptoni hallin… Cili prind bën tri ditë e tri net rrugë, me shpresa se shpëtoi nga gjakpirësat jugosllavë, ndërsa liridashësit danez e kthejnë atje ku ishte.”
” Kanë ndodhur edhe gjëra të tilla,” tha ai tjetri. ” Ndoshta jo dhe shpesh, po kanë ndodhur… Mos harro se, si danezët, ashtu dhe suedezët e norvegjezët, janë prosllavë. Ani se nuk e thonë ashiqare. Megjithate, ju nuk duhet të shqetësohi. Kjo është e para. E dyta dhe kryesorja është – kuraja. Ju s’ guxoni ta humbisni kurajon, se çdo gjë në këtë botë është e përkohshme. Sot ju preokupon strehimi, por pas strehimit vijnë hallet tjera. A di çka?”
” Urdhnoni,” tha ky, gjithnjë i trembur se ai tjetri s’ donte të ketë punë me të.
” Janë ca gjëra që s’thuhen në telefon,” tha Hyseni. ” Duke qenë se kam edhe ca obligime tjera, s’ po mundem ta caktoj një ditë kur do të vij në Roskilde, por që do të vij – ajo është e sigurtë. Atje mundemi të flasim qetë – qetë për hallet tuaja. Ndoshta flasim edhe me avokaten tënde… Ndërkohë, ti e paske telefonin tim dhe mos prito të më njoftosh nëse ndodhë diçka e papritur. Si thua, të bëjmë kështu?”
” Si të jetë më së miri për juve.”
” Ani mirupafshim, pra,” tha Hyseni.
” Mirupafshim, zotni Hysen.”
Nëse s’e dinte deri n’ atë ditë, Saliu shpejt do të mësonte se s’ ishte aq i pafat. Hysen Xhela s’ ishte cilido shqiptar, por një njeri i shkëlqyeshëm dhe një atdhetar i vërtetë. A ishte pinjoll i një familje çame. Në rininë e tij ndoqi mësimet që zhvilloheshin në Gjimnazin ”Zosimea” të Janinës dhe më vonë u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Athinës. Ndryshe nga emigrantët tjerë, ai ishte njeri i arsimuar, fliste disa gjuhë botërore dhe ishte atdhetar i flakët. Sikur t’ ishte më pak kryengritës, mundej të zente një post të mirë në Shqipërinë e Zogut, por ai s’ ishte i gatshëm të bënte tramba me idealet e tij.
Bash përkundrazi, atë çast që Shqipërinë e pushtoi Italia, Hyseni iu bashkangjit aradhave të Ballit Kombëtar dhe luftoi me pushkë në dorë për një Shqipëri të Lirë e Demokratike.
Ashtu si dhe shumë shqiptarë të tjerë, edhe Hysen Xhela u detyrua ta braktiste Shqipërinë pas fitores së regjimit komunist. Ku s’ e çoi fati atë zemërbardhë? Disa vjet nëpër kampet e Greqise, pastaj nëpër kampet e Gjermanisë, deri sa mbërriu në Norvegji, ku jetoi plot katërmbëdhjetë vjet. Deri sa vendosi të krijojë familje dhe t’ iu bashkangjitet shokëve të idealit, që ndërkohë kishin ardhur në Suedi.

14.

Saliu ishte një burrë i kujdesshëm. Nuk donte të shkilte në dërrasa të kalbura. Pa marrë parasysh ankthin që e kishte mbërthyer, ai e kishte marrë premtimine Hysen Xhelës me një lugë kripe. Ai s’ guxnte t’ i besonte askujt, dhe më së paku një njeriu që e dinte vetëm nga emri e mbiemri. Hyseni mundej t’ ishte burrë i mirë por, sipas fjalëve të atyre torbeshëve jugosllavë, pushtetarët danezë ishintë poshtër dhe nuk hanin ryshfet. Kjo ishte bërë shkas që ai çdo ditë e porosiste Selvien të jetë e kujdesshme me të hollat që mernin për rroba dhe ushqime, sepse ata – dhe kjo ishte shumë e mundshme – ndoshta duhej të arratiseshin përsëri.Pengsa më e madhe ishte ajo ngushtica e mallkuar që e ndante Danimarkën nga Suedia… Ajo ishte si ata lumenjt e mëdhenj afrikanë, të cilët i kishte parë në kino, dhe nëpër të cilët notonin gjarpinj të mëdhenj e krokodila.
Si për hatrin e djemëve të tyre, pranvera erdhi para kohe dhe thundërrzat e para, të përzjera me fije të rralla të barit, nxorën kokë mbi tokën e vakur nga dielli. Papandehur ditët u bënë më të gjata, drita e mbuloi dhenë dhe çerdhuklat e mbushën qiellin me cicërima. Pakngapak dhe kumbullat nxorën lule, bujqit dolën nëpër ara dhe lëndinat u mbushën me korba e pulëbardha.
Tani edhe refugjatët gdhiheshin herët dhe, pasi hanin mëngjes nëpër barakat e tyre, dilnin grupe – grupe nëpër fshat. Mjerisht, duke mos ditur gjuhën danishte, ata vetëm i përshëndetnin vendasit me dorë dhe vazhdonin rrugën e tyre. Ca prej tyre, që kishin pritur me vitedhe gjithnjë s’ kishin marrë strehim, kishin qenë edhe në Roskilde. Atë qytet e dëftonin përrallor për arsyen e thjeshtë se kishte gjithëçka që kishte Kopenhaga: rrugë të shtruara me kalldërma, skulptura hipermoderne, lagje mesjetare, një pallat mbretëror, një kishë katedrale, shkolla të larta, universitet, biblioteka dhe një spital që ishte i njohur në tërë botën.
Një ditë edhe aipo matej ta vizitonte Roskilden. Duke i pyetur ata dy torbeshët maqedonas mbi orarin e autobusëve, rastisi ta shohë një veturë të bardhë e të madhe që hyri n’ oborr dhe u ndal para zyrës së së drejtorit të kampit, por s’ i dhanë rëndësi njeriut që doli nga makina dhe hyri brenda. Fundja, ai s’ kishte asnjë arsye ta vriste kokën për ata që hynin e dilnin nga kampi, kur aty jetonin me qindra njerëz dhe ata duhej të hanin e të pinin e të gjallëronin me ato që ua sillnin ndërmarrjet e vendit.
Por njeriu që hyri brenda qëndroi gjatë kohë. Ai i dha Saliut përshtypjen e një pushtetari të rëndësishëm danez, mbase dhe udbashi, se ishte i gjatë, me syza, dhe kishte veshur këpuca të zeza e një kostum të bardhë. Si syzat, kravata e kuqe, po dhe sjelljet e drejtorit barkmadh, që shikonte drejt barakës së tyre, iu dukën suspekte. Mos ishte marrë, vallë, ndonjë vendim dhe ai gjataroshi kish ardhur t’ i përcillte në Jugosllavi?
Ashtu ikën ca çaste.Pastaj zoti Jens, i përcjellë nga ai garraveli i veshur me kostym të bardhë, tërë kohën duke biseduar me njëri tjetrin, u nisën drejt Salës dhe atij torbeshit që gjithnjë s’ kishte marrë letra. Drejtori dukej i qetë, por ndoshta ashtu e donte puna.
“ Sali,” thirri ai. “ Ovaj gospodin, Hysen Xhela. Poseta.”
Kurrë s’ishte gëzuar më shumë se n’ atë çast. Ai kishte pritur me javë që ta takonte atë burrë dhe, pasi të njihej mirë me të, ta pyeste mbi rregullat që vlenin nëpër kampe. Si priteshin refugjatët, çka prezantonin para pushtetarëve, çfarë të drejtash kishin dhe për ç’ arsye ca prej tyre ktheheshin prapa?..
” Mos jeni, zotni Hyseni?” e pyeti ky në shqipe dhe menjëherë u turr drejt burrit të panjohur.
” Po, vëlla, Hyseni jam. Ca javë më parë kemi folur me njëri tjetrin,” i tha ai tjetri.
” Hajde, mirësenaerdhe,” tha Saliu, duke e zënë për krahu. Po nuk bëri shumë hapa deri sa iu kujtua diçka dhe qëndroi në vend.” Më falni, po ju sikur më thatë se do vinit me zonjën Makfire? Apo ju kam dëgjuar gabim?”
” Jo, më ke dëgjuar mirë, po u pendova,” tha tjetri, duke ia lëshuar rrugën. ” Më ra ndër mend se zotrote je refugjat, kurse fëmijët tonë donë të luajnë, të vrapojnë, të bërtasin. Mjerisht, këto baraka janë të huaja dhe atë ditë që t’i merni letrat, duhet t’ ia lëshoni tjetër kujt. Andaj e luta Makfiren të rrinte me fëmijët. Ishallah shpejt i merrni letrat dhe vini në Suedi.”
” Amin, o vëlla,” tha Sala dhe, pasi e njoftoi Selvijen që po vinte me një mysafir, e ftoi brenda.
” Hajde, mirësejugjeta,” tha Hyseni dhe, pasi ia zgjati dorën Selvies, zuri vend në njërin nga kolltuqet e zbrazë. Ai e njoftoi të zotin e shtëpisë se ishte shofer dhe do të rrinte fare pak, sa ta ndërronin nga një cigare.
Saliut s’ i erdhi mirë.
” Me këte e prishët fare,” tha. “ Të na rrije të paktën për drekë, se erdhët për hatrin tonë. Ani që s’ po njihemi, të gjithë jemi kosovarë.”
Ai tjetri e kafshoi buzën.
” Unë, për vete, jam çam dhe të gjithë ne, gegë e toskë e çamë, jemi shqiptarë.”
Saliu u ngushtua, por s’ e ndjeu veten fajtor.
” Mos ma merrni për të madhe, po ku gjendet tamam vendlindja juaj?” pyeti ai. Ai s’ kishte mësuar shumë gjeografi në shkollë.
” Eh, Çamëria është larg Kosovës. Ajo gjendet në juglindje të Shqipërisë, në Greqi,” tha plaku, duke nxjerrë një pshertimë të thellë nga parzmi. Merre me mend, s’ kishin kaluar as 50 vjet dhe shqiptarët s’ e dinin ku ishte Çamëria.
” Ma bëj hallall, po s’ na kanë mësuar në shkollë,” tha Saliu. Dhe vazhdoi. ” Ça të bëjmë, o vëlla? Na kanë coptuar qafirat. S’ di nëse keni qenë në Jugosllavi, po Kosovën me Preshevë e ka marrë Serbia, Ulqinin – Mali i Zi, ndërsa qytetet tona më të mira, si Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga e Ohri janë bërë pjesë të Maqedonisë.”
” E di, e di,” tha tjetri. ” Unë të gjitha i di, se kam luftuar bash me drenicakët për një Shqipëri të Lirë e Demokratike. Ke dëgjuar për Mit’hat Frashërin?”
” Jo, valla, s’ kam dëgjuar,” tha Saliu.
” S’ prish punë që s’ ke dëgjuar, se do të tregoj një herë tjetër,” tha ai.
Zoti Hysen ishte njeri shumë i veçantë. Ai kishte lindur në Shqiperi por shkollimin e kishte mbaruar në Greqi. Sikur të mos vinte vet në Danimarkë, Saliu do ta merte për suedez, anglez, françez apo gjerman, sepse ishte i gjatë, i veshur me shije dhe, përpos suedishtes e norvegjishtës, fliste edhe frengjishtën, anglishtën e gjermanishtën. Një tjetër njeri do të mbufatej me dituritë e tij, do të kapardisej, dhe s’ do të bënte kabull të rrinte me njerëzit e rëndomtë, por plaku kishte parë e kishte vuajtur shumë. Gjatë asaj kohe sa ndenjën bashk, ai i dëftoi shkurtimisht se kishte parë pak më shumë kampe të refugjatëve dhe kishte vuajtur shumë deri sa kishte ardhur në Suedi. Ai kishte ca shokë në Suedi dhe njëri prej tyre, Mustafai, punonte në një fabrikë të sheqerit. Saliu bënte mirë që sapo t’i merte letrat të shkonte në Suedi.
Aty nga ora një pasdite zoti Hysen kërkoi leje të ikte, se atë ditë e kishte ndërrimin e mbrëmjes. Ai ishte shofer, punën e kishte të mirë, por shpesh herë duhej të punonte natën.
” Jam i detyruar të iki, se trageti që vete nga Danimarka ne Suedi shkon vetëm një herë në orë. Po edhe pasi të dal m’ atë anë, kam një copë rrugë. Ju keni numrin tim dhe dëgjohuni. Ika, pra, dhe mirëmbeçi. Faleminderit për gjithëçka.”
” Jo, jo. Do t’ ju përcjell deri te makina,” tha Saliu.
Përjashta bënte ngrohtë dhe shumica e banorëve të kampit ishin ulur pranë barakave të tyre e ngroheshin në diell. Matanë rrugës që ndante barakat nga plisi i një pylli artificial kishte zënë fill lëmshi i një simfonie të cilën e thurnin kumritë dhe mëllenjat. Edhe pse frynte një erë e lehtë, zoti Hyseni e hoqi xhaketën dhe, para se të ulej prapa timonit, ia zgjati përsëri dorën.
” Ani hajde mirupafshim, pra,” i tha Saliut. ” Dhe mos u mërzitni se do bëhet mirë.”
Ky e pa me sy të brengosur dhe për pak s’ ia tha vajit.
“ Po nëse s’ bëhet, o zoti Hysen? Nëse na vjen një vendim për të na kthyer prapa në Jugosllavi?”
Ai tjetri ia vuri putrën mbi sup dhe i foli me zë të ulët. Jo se po e dëgjonte dikush, por sepse ato që kishte për t’ ia thënë duhej t’ i dëgjonte vetëm Saliu.
“ Unë s’ besoj kurrë që danezët do marin një vendim të tillë,” tha Hysen Xhela. “ Po dhe nëse marin, egziston një rrugëdalje tjetër. Por atë rrugëdalje s’ do t’ ia dëftoni askujt. As asaj me të cilën do fleni sonte. A mund të më betohi në kokën e fëmijve?”
“ O, pasha kryet e tyre s’ i dëftoj,” u betua Saliu.
” Animirë,” tha tjetri. ” Edhe unë po të betohem që nuk të lë në baltë. A di ku është kisha e këtij fshati?”
” Ajo që gjendet më të djathtë të xhadesë?” tha Saliu.
” Po, pra,” pohoi tjetri. ”Të thash një herë dhe prap po ta përsëris se danezët nuk do të marim një vendim të tillë. Por edhe nëse marin, s’ duhet të mërzitesh fare. Me ta marrë vendimin, ju s’ do merni asgjë tjetër pos parave që ua ka dhënë Drejtorati dhe bashk me gruan e fëmijët do të hyni në kishën e fshatit. Të tjerat m’ i leni mua. A jemi dakort?”
” Ashtu sipo nxenë ky diell,” premtoi Sala.
“ Atëherë, mirupafshim,” tha tjetri dhe e ndezi motorrin e makinës.
( vazhdon)

Shkruan: Ramadan Rexhepi