Fluksi migrantëve nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara, refugjatët “festojnë” në kufi

0
30

Zyrtarët meksikanë dhe amerikanë ranë dakord për të mbajtur të hapura pikat kufitare, tha të enjten presidenti meksikan pasi disa kalime kryesore hekurudhore u mbyllën përkohësisht për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që mbërrinin në kufirin Meksikë – SHBA.

Marrëveshja, sipas presidentit Lopez Obrador, u arrit gjatë takimit të sotëm mes delegacionit amerikan që udhëhiqej nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken me Presidentin meksikan në kryeqytetin e Meksikës. Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion që Meksika të ndalojë fluksin e dhjetra mijëra migrantëve që po vazhdojnë rrugëtimin nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore drejt Shteteve të Bashkuara përmes Meksikës.

Mijëra emigrantë, që synojnë të arrijnë në Shtetet e Bashkuara, i kaluan Krishtlindjet duke ecur drejt kufirit SHBA-Meksikë. Kryesisht nga Amerika Qendrore dhe Jugore, ata ishin mbledhur për muaj të tërë në Tapachula, një qytet në shtetin juglindor të Meksikës, Chiapas, pranë kufirit me Guatemalën. Kjo ishte pika e nisjes për udhëtimin e karvanit në veri.

“Këtu ka fëmijë dhe gra me lëndime në këmbë, të dehidratuara. Është e vështirë të kërkosh ëndrrën amerikane… Ajo që ne kërkojmë është që qeveria të paktën të na japë leje për të kaluar”, thotë Rosa Alegria, migrante nga El Salvadori.

Karvani u nis vetëm disa ditë përpara takimit që u mbajt sot në kryeqytetin meksikan mes delegacionit amerikan që udhëhiqej nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe Presidentit Lopez Obrador.

Lopez Obrador njoftoi se gjatë takimit u arrit marrëveshja për rihapjen e kufirit SHBA-Meksikë i cili u mbyll me qëllim parandalimin e fluksit të lartë të migrantëve drejt Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Lopez Obrador tha se takimet e së mërkurës me delegacionin amerikan, ishin “të drejtpërdrejta” për shkak të rëndësisë për tregtinë kufitare për të dy vendet.

Që nga e marta autoritetet meksikane kanë filluar të largojnë kampet që migrantët kanë ndërtuar pranë kufirit me SHBA-në.

Presidenti meksikan gjatë takimit raportohet të ketë kërkuar që Uashingtoni të dërgojë më shumë ndihma që synojnë zhvillimin e vendeve të origjinës së migrantëve dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kubës e Venezuelës, të cilat janë dy nga burimet kryesore të emigrantëve.

“Ne jemi shumë të interesuar të trajtojmë shkaqet e migrimit, sepse njerëzit vijnë për shkak të varfërisë, pabarazisë, dhunës, bashkimit familjar dhe ne duam t’i trajtojmë problemet e tyre në vendet e origjinës”, tha këtë javë Ministrja e Jashtme e Meksikës, Alicia Barcena.

Takimi ishte një përpjekje e re e dy vendeve për të kufizuar ardhjen e migrantëve në SHBA përmes Meksikës pasi deportimi i disa prej tyre nuk arriti të ndalonte fluksin.

Sipas autoriteteve të shtetit juglindor meksikan, Chiapas, rreth 10 mijë emigrantë, përfshirë fëmijë, ndodhen në karvan që po vazhdojnë rrrugëtimin. Emigrantët thonë se nuk kanë para për të paguar vizat apo trafikantët e qenieve njerëzore.

“Unë nuk kam asnjë qindarkë … dhe askush nuk më ka dhënë një kafshatë ushqim, por jam e vendosur. Nuk do të dorëzohem derisa të arrij në kufi”, thotë Alejandrina Corzo, emigrante nga Hondurasi.

Arritja në kufirin Meksikë – SHBA megjithatë nuk është që lehtëson rrezikun e rrugës së gjatë të migrantëve. Ditë më parë u publikuan imazhet e një gruaje që mbante një fëmijë të zhytur në lumin Rio Grande ndërsa thërrasin për ndihmë ushtarët e Gardës Kombëtare të Teksasit në një varkë që lundronte pranë tyre.

Vetëm në muajin dhjetor, rreth 10,000 emigrantë arrestoheshin çdo ditë në kufirin jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara.


Top Channel