“Kurti do të firmosë Vetëvendosjen Serbe”/ Spahiu shpjegon Asocacionin e Komunave me Shumicë Serbe

0
41

Krijimi i Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë ishte një nga marrëveshjet më të diskutuara të këtij viti.

Analisti Kreshnik Spahiu, i ftuar në “Top Story”, u shpreh se marrëveshja është drejt zbatimit, por vitin e ardhshëm ka përgjegjësinë e madhe për t’u përballur me të gjitha problemet që ajo sjell për Kosovën.

“Marrëveshja e planit franko-gjerman pothuajse është në fazën e implementimit tashmë. Kanë kaluar tre momente të rëndësishme, ai i targave, marrëveshja me koorporatën energjetike për furnizimin me energji të komunave serbe në Kosovë he ajo e peticionit, që garanton tërheqjen e kryetarëve të zgjedhur në komunat e veriut.

Kemi tre detyrime, që Serbia i ka realizuar. Mendoj që viti 2024 do të jetë topi në fushën e Kosovës, që do të thotë do të jetë problemi i krijimit të Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën mua më pëlqen ta quaj në konceptin juridik, të vetëvendosjes serbe.  Asociacion do të thotë që ato bashki në të cilat pretendohet se ka mazhorancë të popullsisë serbe, bashkohen dhe vetëvendosin për problemet që kanë”.

Albin Kurti duhet të vendosë nëse do të pranojë Vetëvendosje Serbe në Kosovë, tha analisti, ndërsa shtoi se kryeministri po e izolon vendin nga Evropa.

“Në fushën e Kurtit do të jetë një problem shumë i madh, sepse është ideatori i Lëvizjes Vetëvendosje shqiptare, por që sot ka në derë Vetëvendosjen Serbe nëse do ta nënshkruajë apo jo.

Fatkeqësisht, viti 2023 po mbyllet si një Republikë Presidenciale për Kosovën, jo si Republikë Parlamentare. Jo më larg se pak ditë më parë, në vend që të përfaqësohej me kryeministrin e vet në Samitin e Brukselit, Kosova përfaqësohej me Presidentin. Vazhdon ende izolimi i qeverisë së Kosovës.

Shumë kancelari europiane bëjnë të pamundurën që të shmangin Kurtin dhe të ftojnë Vjosa Osmanin. Është si të ftojnë Begajn dhe të shmangin Ramën. Viti 2023 është vit gri për popullin e Kosovës, por edhe një vit rozë për popullin e Kosovës, sepse Perëndimi diti të ndajë izolimin politik të qeverisë nga hapja e dyerve për popullin”.


Top Channel